Fejzi Kolaneci: Shkencëtarë postmoderne dhe lidhjet e universit me matematikën

Analizë shkencore e prejardhjes së matematikës e ballafaquar me Biblën/ Prof. dr. Fejzi Kolaneci sjell një vështrim ndryshe të prejardhjes hyjnore të matematikës…

Në këtë shkrim trajtohen pikëpamje të E. Wigner, D. Gross, S. Hawking dhe F. Kolaneci për prejardhjen e matematikës. Eugene Paul Wigner (17 nëntor 1902-1 janar 1995) fizikan teorik gjenial hungarez-amerikan në Fizikën Atomike, Fizikën Bërthamore, Fizikën e Trupit të Ngurtë, zbulues i Parimeve Themelore të Simetrisë në Mekanikën Kuantike. Winger fitoi çmimin Nobel në Fizikë në vitin 1963 për kontributet e tij në Teorinë Bërthamore dhe të Pjesëzave Elementare si dhe për zbatimin e Parimeve Themelore të Simetrisë. Wigner ka punuar në Manhattan Project për ndërtimin e bombës atomike në Amerikë dhe në Komisionin e Energjisë Atomike gjatë viteve 1952-1957, 1959-1964. Wigner ka qenë profesor në University of Wisconsin-Madison dhe në Princeton University. Familja e Wigner ka qenë çifute dhe antikomuniste ndërsa motra e tij Margit (e njohur dhe me emrin Manci) u martua me fizikanin teorik anglez Paul Dirac. Wigner ka pasur nënshtetësi hungareze deri në vitin 1937 dhe nënshtetësi amerikane pas vitit 1937. Wigner ka marrë pjesë aktive në mbledhjet e organizuara nga A. Einstein dhe Leo Szilard që iu dërgua Presidentit Franklin D. Roosevelt për miratimin e Manhattan Project të prodhimit të bombës së parë atomike. Wigner ka pasur miqësi me A Einstein, W. Heisenberg, P. Dirac dhe me shkencëtarë të tjerë të shquar. Në këndvështrimin e besimit fetar, Wigner ka qenë ateist sikurse është treguar prej tij në vitin 1992. Në vitin 1960 Wigner publikoi studimin e tij të famshëm “The unreasonable effectiveness of Mathematics in the natural sciences”. Në këtë studim ai trajton probleme të Filozofisë së matematikës dhe fizikës. Ky studim origjinal i Wigner ka frymëzuar disa shkencëtarë të shkencave kompjuterike, matematikës, fizikës, biologjisë dhe shkencave ekonomike për të kryer kërkime lidhur me efektivitetin e përdorimit të matematikës në njohjen e botës reale. Pikëpamja Wigner për prejardhjen e matematikës është formuluar në vitin 1960. Ne po e citojmë atë: “Mrekullia e përshtatshme e gjuhës së matematikës për formulimin e ligjeve të fizikës është një dhuratë e habitshme, të cilën ne as nuk e kuptojmë dhe as nuk e meritojmë. Ne duhet të jemi mirënjohës për këtë dhuratë. Shpresojmë se kjo dhuratë do të qëndrojë e vlefshme për kërkimet shkencore të ardhshme dhe se ajo do të shtrihet, për mirë ose për keq, në shkenca të ndryshme”. Bukuria dhe dobia e matematikës janë mister për aq kohë sa ne nuk besojmë se matematika është krijuar nga Perëndia. Të dhëna të hollësishme për jetën, veprimtarinë shkencore dhe botëkuptimin e Eugene Wigner gjenden në Szaton (1992), Wigner (1959), Wigner and Weinberg (1992), Wigner, Mehra, Wightman (1995), Wigner (1960), Seitz, Vogt, Weinberg (2013), The nobel prize in physics 1963, Wigner (1970), Hamming (1980), Tegmark (2007), Velupillai (2005). David Jonathan Gross (19 shkurt 1941- ) është një fizikan teorik i famshëm amerikan, fitues i çmimit Nobel në Fizikë në vitin 2004 për zbulimin e Lirisë Asimptotike. David Gross ka lindur në një familje çifute në Washington D.C. Ai ka punuar në Princeton University, Harvard University dhe University of California, Santa Barbara. Liria Asimpotike është zbuluar nga David Gross, Frank Wilczek dhe David Politzer, të cilët fituan çmimin Nobel në Fizikë në vitin 2004. Në vitin 2003, Gross nënshkroi, së bashku me 21 nobelistë, Manifestin Humanist. Ai ka dhënë kontribut të rëndësishëm në String Theory. Gross ka fituar Dirac Medal (1988), Harvey Prize (2000) dhe Nobel Prize in Physics (2004). Pikëpamja e Gross për prejardhjen e matematikës: Matematicienët krijues nuk e shpikin matematikën e re, por e zbulojnë atë. Strukturat e reja matematike të zbuluara prej tyre nuk janë krijime artificiale të mendjes njerëzore, por janë aq të natyrshme për matematicienët sa edhe konceptet e Fizikës Teorike për fizikanët. Ndodh kështu sepse strukturat e reja matematike janë pjesë e vërtetë e natyrës po aq sa edhe konceptet e Fizikës Teorike. Prandaj, nuk është befasues efektiviteti i lartë i zbatimit të matematikës në studimin e botës reale. Të dhëna të detajuara për jetën, veprimtarinë shkencore dhe botëkuptimin e David Jonathan Gross gjenden në Gross and Wileze (1973), Treiman (1974), Callan, Dasher and Gross (1977), Gross (1992), “Autobiography” (2013), Gross(2004), Nobel Prize (2004).Stephen William Hawking fizikan teorik dhe kozmolog gjenial anglez me kontribut kryesor në Teorinë e përgjithshme të Relativitetit, Teorinë e Vrimave të Zeza, Teorinë e Gravitacionit Kuantik dhe Teorinë e Gjithçkaje. Hawking ka lindur më 8 janar 1942. Ai ka studiuar në University of Oxford, ndërsa doktoraturën e ka kryer në University of Cambridge, me udhëheqës shkencor Dennis Sciama. Hawking punon aktualisht në University of Cambridge, UK, por ka punuar edhe në California Institute of Technology. Ai është anëtar i Akademisë së Shkencave të Anglisë dhe anëtar i përjetshëm i Akademisë së Shkencave të Vatikanit. Hawking ka qenë Lucasian Professor of Mathematics në University of Cambridge gjatë periudhës kohore 1979-2009. Bashkëpunëtor i ngushtë i tij ka qenë matematikani i shquar anglez Roger Penrose. Libri “A brief History of Time” I S. Hawking është vlerësuar nga British Sunday Times si best-seller book për një periudhë kohore rekord prej 237 javësh. Hawking është quajtur Mjeshtër i Universit në vitin 2008.

Aktualisht, angazhimi shkencor kryesor i Hawking është zhvillimi (ndërtimi) i Teorisë së Gjithçkaje (Theory of Everything or Final Theory or Ultimate Theory or Master Theory). Kjo teori ka si qëllim kryesor të shpjegojë të gjitha aspektet fizike të universit, duke u bazuar në një ekuacion (model matematik) të vetëm. Kjo do të thotë se duhet të zhvillohet një model matematik i unifikuar i katër forcave themelore të universit: forcës gravitacionale, forcës elektromagnetike, forcës bërthamore të fortë (ose forcës së bashkëveprimeve të forta) dhe forcës së bashkëveprimeve të dobëta (për shembull, të zbërthimit radioaktiv). Forca gravitacionale është studiuar nga A. Einstein në Teorinë e Përgjithshme të Relativitetit, ndërsa tre forcat e tjera studiohen në Teorinë Kuantike të Fushës. Albert Einstein punoi 30 vitet e fundit të jetës së tij për ndërtimin e Teorisë së Gjithçkaje (ose të Teorisë Finale), por nuk pati sukses. Gjithashtu, nuk pati sukses në këtë fushë as fizikani i famshëm gjerman, fitues i çmimit Nobel, Werner Heisenberg. Teoria e Gjithçkaje (Teoria Finale, Teoria Përfundimtare) është një teori e vetme (e unifikuar), e cila përshkruan dhe shpjegon krejt universin. Fizikani i shquar John Ellis e ka futur i pari konceptin “Theory of Everything” në vitin 1986, në një artikull shkencor të publikuar në revistën Nature. Stephen Hawking e ka quajtur (ndoshta me shaka) Teorinë e Gjithçkaje “Bibla e ateistëve”. Aktualisht, kjo teori nuk është ndërtuar plotësisht. Disa shkencëtarë të shquar kanë paraqitur argumente (ose kanë debatuar) kundër Teorisë së Gjithçkaje. Kundërshtimi më i fuqishëm bazohet në Teoremën e Paplotësisë të Gödel: sipas kësaj teoreme, çdo tentativë për ndërtimin me metodën aksiomatike të Teorisë së Gjithçkaje është e paracaktuar të dështojë! Stephen Hawking ka merita të shumta si aktivist i shquar shoqëror. Më poshtë, paraqiten shkurtimisht disa nga këto merita. Në mars 1968, S. Hawking ka marshuar së bashku me Tariq Ali dhe Vanessa Redgrave për të protestuar kundër luftës në Vietnam. Hawking ka kundërshtuar publikisht politikën agresive të Izraelit kundër Palestinës. Hawking ka mbështetur fuqimisht strategjinë e çarmatimit bërthamor dhe të mospërdorimit të armëve bërthamore. Në vitin 2003, Hawking e quajti ndërhyrjen ushtarake amerikane në Irak një “luftë kriminale”. Gjatë dy dekadave të fundit Hawking ka përkrahur Labour Party të UK. Në gusht 2014, Hawking ka qenë një ndër personat e parë që firmosën peticionin kundër pavarësisë së Skocisë nga UK. Hawking ka mbështetur fuqimisht gjatë tre dekadave të fundit financimin e kërkimeve shkencore në luftën kundër kancerit. Hawking ka ndihmuar nismat për mbrojtjen e klimës në rajone të ndryshme të disa shteteve. Hawking ka mbështetur fuqimisht realizimin e disa masave për kujdesin shëndetësor të popullsisë në kontinentin e Azisë dhe të Afrikës. Hawking, në bashkëpunim me teoricienët e shquar të String Theory David Gross dhe Edward Witten, ka ndihmuar në zhvillimin e konferencave shkencore ndërkombëtare me tematika nga kjo teori. Hawking ka vlerësuar me metoda shkencore riskun e një lufte të befasishme bërthamore, riskun e ngrohjes globale, riskun e kontaktit me qeniet aliene.

Hawking ka shpjeguar se suksesi në krijimin e Inteligjencës Artificiale (Artificial Intelligence) mund të jetë ngjarja më e madhe në historinë e njerëzimit. Përfitimet e mundshme janë vigane (të stërmëdha). Pikëpamja e Hawking për prejardhjen e matematikës: Hawking ka thënë se ai nuk është besimtar në kuptimin e zakonshëm (në kuptimin normal). Ai beson se universi qeveriset nga ligjet e shkencave dhe nga rregullat (teoritë) e matematikës. Këto ligje dhe rregulla mund të jenë dekretuar nga Perëndia, por Perëndia nuk ndërhyn për ‘t’i thyer ato, shih Stewart (31 October 2008). Gjithashtu, Hawking beson se Perëndia krijoi numrat e plotë, shih Hawking (2009). Të dhëna më të hollësishme për jetën, veprimtarinë shkencore dhe bindjet (botëkuptimin) e Stephen Hawking gjenden në Hawking (2012), Hawking (2013), Hawking (1994), Hawking and Ellis (1973), Hawking and Israel (1989), Pickover (2008), White and Gribbin (2002), Larsen (2005), USA Today (3 November 2004), Diplomacy and Politics (26 October 2014), BBC (2 December 2014), Ferguson (2011), Hawking and Penrose (1996), Hawking and Mlodinov (2010).

Fejzi Osman Kolaneci (9 dhjetor 1940- ) është profesor i matematikës me kombësi shqiptare. Ka kontribut shkencor në Teorinë e Ekuacioneve Diferenciale Jolineare Stokastike me Derivate të Pjesshme dhe Zbatimeve të tyre, në Analizën Funksionale, në Teorinë e Probabilitetit dhe Statistikën Matematike, në Teorinë e Lojës, në Metodat Numerike, etj. Kolaneci është profesor i matematikës në University of New York in Tirana, që nga viti 2003. Më parë ka punuar në Akademinë e Shkencave të Republikës së Shqipërisë (Sekretar Shkencor), në Universitetin e Tiranës dhe në disa universitete ose institute kërkimore-shkencore të huaja (për shembull, në Universitetin e Moskës, Universitetin e Oksfordit, në Shkollën Normale Superiore të Pisas, në Institutin e Bashkuar të Kërkimeve Bërthamore të Dubnas në Rusi etj). Kolaneci është anëtar i Akademisë Europiane. Ai ka referuar ose publikuar shumë studime në Kongrese ose Konferenca Shkencore Ndërkombëtare ose në revista shkencore ndërkombëtare. Pikëpamja e Kolanecit për prejardhjen e matematikës: Perëndia e krijoi matematikën para se të krijonte Adamin dhe Evën. Perëndia futi disa sekrete në objektet, konceptet, aksiomat dhe marrëdhëniet matematike. Këto sekrete nuk zbulohen plotësisht nga njerëzit, por mund të njihen pjesërisht nga njerëzit. Arsyetimi dhe vërtetimi matematik janë një dhuratë e Perëndisë për njerëzit. Më poshtë jepen disa shembuj sekretesh të futur nga Perëndia brenda në matematikë. Teorema Gödel e paplotshmërisë së Teorive Aksiomatike. Përkufizimi matematik i rastësisë (eksperimentit të rastit) dhe ndërtimi aksiomatik i Teorisë së Probabilitetit. Ky sekret u zbulua pjesërisht nga A.N. Kollmogorov. Hipoteza Goldbach (Goldbach’ conjecture): Çdo numër çift më i madh se paraqitet si diferencë e dy numrave prim. Ky është një problem i pazgjidhur deri sot. Christian Goldbach (1690- 1764) ka qenë matematikan prusian. Konstanta γ Euler-Mascheroni është numër racional apo numër irracional? Ky problem është i pazgjidhur deri sot.

Të gjendet formula e vargut të numrave prim. Ky problem është i pazgjidhur deri më sot. Matematika ndërtohet (u ndërtua) në botën ideale (abstrakte) dhe zbatohet (përdoret) në botën materiale. Këto dy botë janë të ndryshme. Prandaj, zbatimi i matematikës në botën materiale shoqërohet me pasiguri informative. Shqyrtohet një pohim matematik i çfarëdoshëm P në momentin e kohës t. Pasiguria informative e njerëzve për pohimin matematik P në çastin t është e barabartë me sasinë e informacionit që aktualisht njerëzve u mungon për të njohur me saktësi nëse pohimi P është i vërtetë ose i gënjeshtërt. Studimi i marrëdhënieve reciproke ndërmjet botës ideale (abstrakte) të matematikës dhe botës materiale (university material) është një detyrë kryesore e matematikanëve, fizikanëve, etj. Një koncept themelor i studimit të mësipërm është “vërtetësia e pohimit matematik” ose “vërtetësia e teorisë matematike” ose më shkurt “ e vërteta matematike”. E vërteta matematike kënaq Kriterin e Praktikës: pohimi matematik duhet të harmonizohet me të dhënat faktike të eksperimenteve, matjeve ose vrojtimeve të kryera. Me kusht që këto eksperimente, matje ose vrojtime të jenë të ndershme (të pamanipuluara), të besueshme, të sinqerta dhe pa gabime. Me fjalë të tjera (e thënë më shkurt), e vërteta matematike duhet të harmonizohet me faktet, me realitetin. Pranohet se e vërteta dhe gënjeshtra janë të kundërta të njëra-tjetrës. Çdo pohim matematik është ose i vërtetë ose i gënjeshtërt. Njohja e saktë e të gjitha të vërtetave të matematikës është një veti (cilësi) e Perëndisë. Gëzimi dhe fatmirësia e njerëzve që buron nga zbulimi prej tyre i të vërtetave matematike varet nga suksesi dhe përfitimi që do të sjellë ky zbulim. E vërteta matematike ka (përmban) edhe veçori specifike, të cilat varen nga dega e matematikës. Për shembull, në Teorinë e numrave ka disa pohime, për të cilët ne (njerëzit) nuk e dimë nëse janë të vërteta ose gënjeshtra. Por, Perëndia e di se cilët nga këto pohime janë të vërteta. Një pohim i tillë është hipoteza Goldbach. Disa të vërteta të gjeometrisë euklidiane u hodhën poshtë në gjeometrinë e Llobacevskit ose në gjeometrinë e Riemannit ose në gjeometrinë e Weilit. Dallimet filozofike ose fetare ndërmjet matematikanëve kanë ndikuar në mosmarrëveshje ose në debate mbi vërtetësinë e disa pohimeve në Analizën Matematike. Për shembull, pitagorianët për arsye filozofiko-fetare, nuk kanë pranuar ekzistencën e numrit irracional √2. E vërteta matematike, gjatë shumë shekujve, ka qenë e ndikuar nga filozofia dhe nga feja. Matematikani i shquar britanik Alfred North Whitehead ka thënë: “Nuk ka të vërteta matematike tërësore. Ka gjysmë të vërteta matematike. Ai person që i trajton të vërtetat matematike si tërësisht (plotësisht) të vërteta, luan me djallin”. Sekretet e futura nga Perëndia brenda në matematikë prodhojnë në mendjen e njerëzve, në çdo moment të kohës t, dy botë: Botën e të vërtetave matematike njerëzore B_1 (t) dhe botën e gënjeshtrave matematike njerëzore B_2 (t). Le të jetë B_3 (t) bota e gënjeshtrave matematike njerëzore të sofistikuara në kohën t. Pra, B_3 (t)⊂B_2 (t), për çdo t.

Një shtresë e hollë dhe delikate e ndan botën B_1 (t) nga bota B_3 (t), për çdo kohë t. Matematikanët kristianë i luten dhe i kërkojnë ndihmë Perëndisë që t’i ndihmojë ata në studimin e kësaj shtrese të hollë dhe delikate për zbulimin e të vërtetave matematike. Besimi në Perëndi e fuqizon zbulimin e të vërtetave matematike, sepse burimi i vërtetë i matematikës është mendja e Perëndisë. Njohuri të hollësishme për të vërtetën matematike gjenden në Maddy (1992), Chaitin (1974), Yandell (2002), Mendelson (200(), Catholic Encyclopedia (2014), Habermans (2003), and Fielt (2001).

 

Besimi kristian për prejardhjen e matematikës

Studimi i besimit kristian për prejardhjen e matematikës bazohet në shkrimet e shenjta, sepse Bibla është i vetmi libër i frymëzuar plotësisht prej Perëndisë, në të cilin Ai flet dhe zbulon të vërtetën. Më poshtë paraqiten pikëpamjet kristiane për prejardhjen e matematikës dhe marrëdhëniet e saj me Perëndinë. Perëndia krijoi gjithçka, pra Perëndia krijoi dhe matematikën. Në letrën e Apostullit Pal drejtuar kolosianëve (1:16) shkruhet: “Perëndia krijoi të gjitha gjërat, ato që janë në qiej dhe ato mbi, gjërat që duken dhe ato që nuk duken. Të gjitha gjërat janë krijuar me anë të Perëndisë dhe në lidhje me të”. Perëndia i mban të gjitha gjërat së bashku. Bibla e bën të qartë: Perëndia i krijoi të gjitha gjërat dhe i mban ato së bashku. Bibla nuk thotë se Perëndia i krijoi të gjitha gjërat, me përjashtim të matematikës. Perëndia jo vetëm e krijoi matematikën, por e mban matematikën të bashkuar me universin. Bibla na mëson se Perëndia është i vetmi që e mban universin të bashkuar. Perëndia kujdeset çdo ditë që universi të funksionojë (operojë) në mënyrë të rregullt, të saktë, të harmonishme. Perëndia nuk ndryshon asnjëherë. Matematika funksionon në çdo kohë me efektivitet dhe me lidhje logjike të brendshme, sepse kështu dëshiron Perëndia.

Ligjet e universit janë ndërtuar me mendimet matematike të Perëndisë dhe janë formuluar në gjuhën e matematikës. Perëndia e përdor matematikën për të komanduar (qeverisur) universin. Perëndia ka natyrë numerike: Ai është i përbërë nga Ati, Biri dhe Shpirti i Shenjtë. Perëndia është tre në një. Dituria e Perëndisë mishërohet te Jezu Krishti, i cili i njeh të gjitha të vërtetat e matematikës dhe i përdor ato për të kontrolluar harmoninë e universit. Matematika është e gjithëpranishme (e kudogjendur) dhe e plotfuqishme në univers, sepse Perëndia është një matematicien me aftësi të mbinatyrshme. Perëndia ka fuqi të përjetshme dhe njohje të pafundme. Njohja e Perëndisë përmban edhe të gjitha të vërtetat matematike, ndërsa njohja matematike njerëzore është gjithmonë e paplotë (sipas Teoremës Gödel). Në këtë mënyrë matematika ekziston jashtë mendjes njerëzore. Njeriu është krijuar (bërë) nga Perëndia me mundësinë për të kuptuar dhe përjetësuar matematikën. Njeriu e përdor matematikën për të përmbushur rolin e tij si shërbyes i Perëndisë. Arsyetimi (ndriçimi) matematik i njeriut është dhuratë nga Perëndia. Përkushtimi i besimtarëve kristianë për studimin, përvetësimin dhe zbatimin e matematikës është dashuria për Perëndinë dhe dëshira e tyre për t’i shërbyer Perëndisë me zell dhe në kërkim të përsosmërisë. Në letrën e Apostullit Pal drejtuar filipianëve (1:9-11) shkruhet: “Dhe për këtë lutem që dashuria juaj të teprojë gjithnjë e më shumë në njohuri dhe në çdo dallim. Që të dalloni gjërat më të mira dhe të mund të jeni të pastër dhe panjollë për ditën e Krishtit”. Në letrën e Apostullit Pal drejtuar kolosianëve (3:23) shkruhet: “Dhe për çdo gjë që të bëni, ta bëni me dëshirë të mirë, si për Zotin dhe jo për njerëzit”. Kristianizmi argumenton se matematika nuk është një shkencë neutrale dhe nuk e kënaq postulatin (aksiomën) e neutralitetit. Postulati i neutralitetit për shkencën e matematikës pohon se të vërtetat matematike (aksiomat, teoremat, formulat) nuk ndikohen nga besimi fetar ose nga ateizmi. Pohime të vërteta matematike nuk varen (nuk ndikohen) nga ekzistenca ose mosekzistenca e Perëndisë. Shkenca e matematikës nuk ndikohet nga besimi fetar. Ky postulat pranon se matematika nuk ndikohet në mënyrë thelbësore nga aktiviteti krijues i Perëndisë, çka është një mohim i krijimit të universit në kuptimin e Biblës. Historikisht, matematika në të kaluarën nuk ka qenë një shkencë e pandikuar nga feja. Gjithashtu, postulati i neutralitetit, në fakt, mohon që Perëndia mund të tregojë ndonjë të vërtetë të panjohur nga njerëzit rreth matematikës. Dihet mirë se matematika përmban dhe problema që aktualisht janë të pazgjidhura (për shembull, hipoteza Goldbach: çdo numër çift paraqitet si diferencë e dy numrave të thjeshtë). Prandaj, kjo hipotezë aktualisht nuk mund të vlerësohet nga njerëzit as si pohim i vërtetë dhe as si pohim i gënjeshtërt. Nga ana tjetër, i krishteri beson se Perëndia e di me saktësi nëse hipoteza Goldbach është e vërtetë ose e pavërtetë, shih Letra e parë e Apostullit Gjon 3:20 “Perëndia është më i madh se zemrat tona dhe Ai njeh çdo gjë”; Psalmi 147:5 “I madh është Perëndia ynë, e pamasë është fuqia e Tij dhe e pafundme zgjuarsia e Tij”; Letra e Apostullit Pal drejtuar romakëve 11:33 “O thellësi pasurie, urtësisë dhe diturie të Perëndisë! Sa të pahulumtueshme janë gjykimet e Tij dhe të pashtershme janë udhët e Tij. Matematika nuk është një shkencë neutrale në lidhje me kristianizmin, sepse Perëndia e krijoi universin. Për kristianët e përkushtuar, fakti më i rëndësishëm i shkencës së matematikës është lidhja e saj e përhershme me Perëndinë. Por, matematika e Perëndisë nuk është ekuivalente me matematikën njerëzore dhe as plotësisht e arritshme nga njerëzit. Natyrisht, e vetme, mendja njerëzore nuk ka fuqi për të kuptuar plotësisht misterin e trinisë Ati, Biri dhe Shpirti i Shenjtë. E vetmja gjë që ne duhet të bëjmë është të ndjekim me përulësi, besim dhe mirënjohje përkujdesjen, këshillat dhe zbulesat e Perëndisë. Të vërtetat e matematikës bazohen në disa veti të Perëndisë, duke i pasqyruar këto veti përafërsisht (por jo në mënyrë plotësisht të saktë).Perëndia nuk gënjen asnjëherë. Fjala e Tij është gjithmonë e vërtetë. Në letrën e Apostullit Pal drejtuar Titit (1:2) shkruhet: “Në shpresën e jetës së përjetshme, të cilën Perëndia që nuk gënjen, e premtoi para të gjitha kohërave”. Matematika është e vërtetë. Perëndia është gjithmonë besëplotë dhe i pagabueshëm. Lexojmë Psalmi 117:2 “Sepse e madhe është dhembshuria e Perëndisë ndaj nesh dhe besnikëria e Perëndisë vazhdon përjetë. Aleluja”. Perëndia është me rregullsi. Në letrën e Parë të Apostullit Pal drejtuar korintasve (14:40) shkruhet: “Por të gjitha të bëhen sikur ka hije dhe me rregullsi”. Matematika, në të gjitha degët e saj, ka rregullsi. Perëndia është i pafundmë në fuqinë dhe në zgjuarsinë e Tij. Në Psalmin 147:5 shkruhet: “I madh është Perëndia ynë, e pamasë është fuqia e Tij dhe e pafundme zgjuarsia e Tij”. Matematika na mëson infinitin (pafundësinë) në Aritmetikë, Algjebër, Gjeometri, Trigonometri, Gjeometri Analitike, Analizë Matematike, Teorinë e Bashkësive, Teorinë e Probabilitetit, Statistikën Matematike, Teorinë e Ekuacioneve Diferenciale, Teorinë e Lojës, etj. Dituria e Perëndisë është dituria e botës, lexo Letra e Parë e Apostullit Pal drejtuar korintasve (1:25-31): “Sepse marrëzia e Perëndisë është më e ditur se njerëzit dhe dobësia e Perëndisë më e fortë se njerëzit… Krishti Jezus nga Perëndia u bë për ne dituri, drejtësi, shenjtërim dhe shpengim… Ai që mburret, le të mburret me Zotin tonë Jezu Krisht”. Shumica e teksteve mësimore të matematikës në nivelin universitar ose të shkollës së mesme, në shtete të ndryshme të botës, nuk e shpjegojnë saktë prejardhjen dhe qëllimin kryesor të matematikës si shkencë. Bibla jep shpjegime të sakta për prejardhjen, qëllimin kryesor dhe efektivitetin e matematikës. Perëndia e krijoi matematikën. Perëndia përkujdeset çdo ditë për ta mbajtur universin të bashkuar, në harmoni dhe me lidhje të brendshme logjike. Matematika është gjithmonë e pranishme në mendimet e Perëndisë. Prandaj, matematika ka efektivitet në zbatimet e saj. Qëllimi kryesor i studimit dhe përvetësimit të matematikës nga besimtarët kristianë është dashuria për Perëndinë dhe përkushtimi i tyre për t’i shërbyer Perëndisë sa më mirë. Nxënësit e shkollave të mesme, kolegjeve dhe studentët e universiteteve duhet të kuptojnë marrëdhënien që ekziston ndërmjet besimit kristian dhe matematikës.   Bibla shpjegon qartë harmonizimin e matematikës me kristianizmin. Perëndia, në ditën e pestë, krijoi njeriun sipas shëmbëlltyrës së Tij. Shëmbëlltyra hyjnore përmban jo vetëm drejtësinë, por edhe sjelljen racionale dhe krijimtarinë origjinale. Njeriu u krijua nga Perëndia me aftësinë për mendim abstrakt, me aftësinë për arsyetim dhe vërtetim rigoroz, domethënë, me mundësinë për të mësuar matematikën. Lexo Zanafilla (1:26-30) “Pastaj Perëndia tha: Ta bëjmë njeriun sipas shëmbëlltyrës sonë dhe në ngjasim me ne… Kështu Perëndia krijoi njeriun sipas shëmbëlltyrës së vet… Ai krijoi mashkullin dhe femrën… Dhe Perëndia i bekoi…”. Prandaj, të vërtetat matematikore burojnë nga Perëndia. Kërkimet dhe arritjet shkencore të disa matematicienëve janë ndikuar fuqishëm nga besimi i tyre në Perëndi dhe nga lutja e tyre drejtuar Perëndisë. Disa shembuj matematicienësh të tillë janë: Newton, Euler, Gauss, Cantor, Ramanujan dhe Gödel. Matematicienët e famshëm Pythagoras, Euclid, Archimedes, Newton, Leibniz, Euler, Gauss, Hilbert, Gödel, Poincaré, von Neumann, Russell, Kollmogorov, Gelfand, Atiyah etj. konsiderohen “të përzgjedhur të Perëndisë” për zhvillimin e matematikës në planetin tonë. Pikëpamja mbi prejardhjen hyjnore të matematikës (d.m.th. Perëndia e krijoi matematikën) duhet studiuar edhe nga këndvështrimi kohor. Si ka evoluar kjo pikëpamje e matematicienëve ose fizikanëve gjenialë tokësorë që nga lashtësia greke deri në kohën tonë? Duke u bazuar në seksionet 2-7 të studimit (tim) të tanishëm rezulton se besimi i matematicienëve dhe fizicienëve gjenialë për prejardhjen hyjnore të matematikës ka pësuar rënie gjatë shekullit të 20-të, për shkak të botëkuptimit ateist (ndonjëherë kundërfetar) të disa prej këtyre shkencëtarëve gjenialë. Konkretisht, të tillë botëkuptim kanë pasur A. Einstein, P.A. M. Dirac, R. Feynman, E. Wigner, D. Gross dhe S. Hawking. Gjithashtu, në ish Bashkimin Sovjetik, matematikanët e famshëm A. N. Kollmogorov, I. M. Gelfand, etj mund të kenë qenë ateist për shkaqe politike. Të dhëna të hollësishme për prejardhjen hyjnore të matematikës sipas kristianizmit gjenden në Bibla (1995), Janullatos (2009), Pothress (1974), (1976), Byl (2005), Nickel (2001), Manzel (2001), Dale (2005), Keistler (1984), Eberlo (2016), An interview with John Lennox (2016).

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Nëse kemi zgjedhje sot: Barazim mes pozitës e opozitës

Nga Eduard Zaloshnja Për çdo 100 votues të partive të mazhorancës (PS+PDIU+PSD),...
Read More