Fëmijët e pasur të parisë, ose brejtësit e mëdhenj

Nga Klementin Mile

Ata janë fëmijët e politikanëve, gjyqtarëve, noterëve, biznesmenëve, doktorëve e artistëve tanë. Ata udhëtojnë me makina të shtrenjta, me veshje të shtrenjta, me qenë të shtrenjtë, në lokale të shtrenjta. Fëmijët e pasur të parisë (apo “elitës”) janë aty ku ndodhin skandalet, ku shkrepen aparatet fotografike për revistat e gazetat, ku konsumohet kokainë dhe përdhoset morali në mënyra nga më kreativet. Ata janë aty ku ndodhin aksidentet, atyre mund t’u ndodhë të shtypin ndonjë kalimtar apo biçiklist me makinën e tyre dhe, ndërkohë që vjen policia dhe ndihma e shpejtë, nuk denjojnë as të afrohen për të ndihmuar as të heqin syzet e diellit. Po cila është historia e tyre dhe, mbi të gjitha, cila është ontologjia e këtyre fëmijëve të pasur të parisë?

Poeti nobelist kilian Pablo Neruda, edhe pse nuk shkeli kurrë në Shqipëri (por ama shkroi një poezi për Shqipërinë) u jep përgjigje të dyja këtyre pyetjeve me anë të vargjeve të tij. Te poezia “Kështu janë ata” ai përshkruan transformimin e brezave në tri kohë të ndryshme. Për gjyshin e familjes ai shkruan se ky qe i mirë dhe i sigurt me shatin e tij dhe me parmendën. Aq shumë punonte gjyshi sa kur flinte nuk kishte as kohë të ëndërronte. Qe tmerrësisht i varfër dhe vlente vetëm një kalë. Sot i biri e mban kokën lart, shkruan Neruda, dhe vlen disa automobila. Flet me gojë ministri, shëtit shumë i sigurt në vete, e ka harruar të atin argat dhe ka zbuluar stërgjyshërit e vet (natyrisht, jo argatë). Ky njeri, që i përket brezit të dytë, mendon si një gazetë e madhe, fiton ditë e natë dhe është i rëndësishëm kur fle.

Kjo është historia e fëmijëve të pasur të parisë. Ata janë produkt i metamorfozës nga gjyshi argat që vlente vetëm një kalë te babai kryelartë që vlen disa automobila; nga gjyshi tmerrësisht i varfër që kur flinte nuk kishte as kohë të ëndërronte te babai që fiton ditë e natë dhe është i rëndësishëm kur fle. Kalimi nga regjimi komunist, ku të gjithë qenë të varfër, te regjimi demokratik, ku disa u pasuruan së tepërmi dhe të tjerë u varfëruan së tepërmi, është procesi që prodhoi fëmijët e pasur të parisë. Po cila është ontologjia e tyre, çfarë janë ata realisht?

Neruda shkruan se djemtë e të birit janë shumë dhe janë martuar prej kohe. Asgjë nuk bëjnë, por brejnë – ata vlejnë disa mijëra minj. Fëmijët e pasur të parisë janë ontologjikisht brejtës. Ata ekzistojnë për të brejtur gjithçka që mund të konsumohet. Ata nuk prodhojnë asgjë, as shpërndajnë, as ideojnë. Ata i brejnë prodhimet, mallrat dhe idetë. Në sistemin ekonomik ata ekzistojnë vetëm në procesin e konsumit – të pijeve, të drogës, të veshjeve, të automobilëve, të seksit.

Çështja është se ontologjia e fëmijëve të pasur të parisë na intereson të gjithëve. Kjo ngaqë pjesa më e madhe e të ardhurave të vendit është, dhe nesër do të jetë edhe më tepër, në duart e tyre. Ç’do të ndodhë me këto të ardhura? A do të përdoren ato për të prodhuar më tepër e më cilësisht, apo thjesht dhe vetëm për konsum? A do të hapin vende pune, apo do të shkatërrojnë edhe ato ekzistuese? A do t’i përdorin paratë për të investuar, apo për të fshirë djersët? Prandaj, bashkë me Nerudën duhet të pyesim të shqetësuar: Si do ta gjejnë botën bijtë e birit të birit? Do të jenë më të mirë apo më të ligj? Do të vlejnë sa mizat apo sa guri?

Rubrika Peripatos

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

“Poeteka”: Dy novela botërore në shqip

Botimet Poeteka sjellin në shqip dy botime, Novela botërore 1 dhe 2,  përkthyer nga...
Read More