Femrat nga përtejbota  në pikturën e Albina Dhimës

 
 

Femra pa moshë, si një bukuri e përjetshme. Gjymtyrë të gjatë, forma të lakuara që ndahen nga një vel i hollë mes sensuales dhe aseksuales, gra të pagoja e pa sy, të zhytura në universin e tyre të zbrazët e të vetmuar…Janë këto subjektet e piktores Albina Dhima, që duket sikur shkrin mes teknikës së grafikës surrealizmin me transcendentalen…

 Foto:Jetmir Duraku

 

Një tokë e kuqe  si e një tjetër planeti e mbi të ecën si duke vallëzuar një grua e veshur me vel të tejpashëm, mbështjellë nga retë e një kohe të palëvizshme,  që shihet në dritën e bardhë të një hëne tjetër, më të plotë, më të afërt , më intime…Është vetëm një nga tridhjetë  tablotë që piktorja ekspozoi në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar në të parën ekspozitë të saj.

Një shije prej Dalije në kundrim të parë, por surrealizmi i Albina Dhimës bëhet edhe më i errët  në lojën e kontrasteve.   Jo vetëm terrene prej planetësh dhe dimensionesh të tjerë, por edhe figurat femërore, të cilat janë subjektet qendrore të pikturës së saj, duken si të ardhura përtejbote…Gjymtyrë të gjatë, forma të lakuara që ndahen nga një vel i hollë mes sensuales dhe aseksuales, gra të pagoja e pa sy, të zhytura në universin e tyre të zbrazët e të vetmuar. Pa dashur të vihen re, pa kërkuar të kenë zë, të shkrira në atë botë të çuditshme që aq sa duket se u përkasin, po aq edhe ngjajnë si vizitore , rrugëtimi i të cilave mbi ato terrene duket fare i shkurtër…

Ndërsa përpiqesh të gjesh simbole të fshehura në pikturën e Albinës, ajo të ndërpret duke të thënë “Mos u fut aq thellë. Nuk ka të bëjë me simbolika religjioze apo gjëra të ngjashme. Jam shumë grafike në punën time. Më pëlqen të punoj me kontrastet e forta” – thotë ajo, po sigurisht pa u munduar ta fshehë apo t’i gjejë ndonjë interpretim më të butë zymtësisë surreale të tablove të saj.

“Kjo të gënjen me këtë fytyrë të qeshur që ka, ndërsa kur i sheh pikturat kupton sa e errët është”, thotë Maks Velo, ndërsa i ka parë me vëmendje punët e Albinës e madje edhe i ka analizuar ato.

Dikur, rrëfen Albina, piktura kanë qenë edhe më të errëta. Por vit pas viti, duket sikur femrat e çuditshme të Albinës e kanë gjetur rrugën drejt dritës, edhe kur ajo është e zbehtë  e hënës.

“Femra pa moshë, si një bukuri e përjetshme. Ajo nuk spekulon me erotizmin, erotizmi i saj lind nga shtjellat ajrore dhe është impersonale. Ka të lindur një ndjenjë harmonie, që ekuilibron ansamblet e paraqitura. Ajo përpunon me këmbëngulje detajin, kjo tregon për një pjekuri të parakohshme. Ndjek dhe parapëlqen surealizmin, por ky është një surealizëm krejt personal, harmonioz, i butë dhe shumë femëror. Kolori është i kursyer, me një tingull neutral, si një muzikë moderne. Ekspozita është një bilanc i punës së këtyre viteve, ku ne do të kemi kënaqësinë të shohim botën e saj krejtësisht të veçantë. Kurse Albina do të përcaktojë saktë ecurinë e saj në vitet në vazhdim”, ka shkruar arkitekti e piktori Maks Velo, në katalogun prezantues të piktores.

Tablotë nuk kanë as tituj, as data, por ngjyrat e përcaktojnë ndryshimin që ka nisur të duket e ndoshta do të thellohet, në punët e piktores që ka mbaruar në degën skenografi-kostumografi, në Akademinë e Arteve, disa vite më parë. “Për çdo artist, prezantimi i parë me publikun është një ngjarje e shënuar. Se piktura, si çdo art, ka momentin e lindjes dhe atë të pjekurisë”- ka shkruar Velo.

Në këtë prezantim të saj të parë, bota e nënvetëdijes së piktores ngjante me fuqinë e një vorbulle thithëse drejt asaj bote të pakohë e të paemër me një dëshirë të paarsyeshme për t’u shndërruar edhe në një prej atyre figurave , që edhe pse nuk kanë as sy as gojë, kanë fuqinë të sundojnë atë botë ku Albina Dhima i ka transportuar…

Shkruar Nga
More from Redaksia

Disa radhë për Robert Ndrenikën dhe ca të tjerë…

  Nga Luan Rama - *Status i publikuar në FB nga deputeti i...
Read More