Festa e PD, cilët munguan dhe ftesa e Bashës për bashkim

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, u përpoq të mbante një fjalim gjithëpërfshirës, bëri thirrje për bashkim, si dhe foli për marrëveshjen e 18 majit

Në 27-vjetorin e themelimit të PD-së, Lulzim Basha u përpoq të mbante një fjalim gjithëpërfshirës. Ai përmendi deputetin e ndjerë, Sokol Olldashi, si dhe ata që kontribuuan në ditët e para të themelimit të partisë, si: Arben Imami, Genc Ruli, Eduard Selami e Besnik Mustafaj pavarësisht se këta të fundit nuk i futi në listat e kandidatëve për deputetë. Basha foli për reflektim, vizion, dhe bashkim. Sepse, sipas tij, bashkimi do ta çojë sërish PD-në në fitore.

Por, në Partinë Demokratike, gjërat nuk po lëvizin në këtë drejtim. Figura të rëndësishme për PD-në si Astrit Patozi, Jozefina Topalli, Genc Ruli, Eduard Selami apo edhe Arben Imami munguan për të dytin vit radhazi në përvjetorin e themelimit të PD-së. Nuk ishte dje as Majlinda Bregu e Besnik Mustafaj. Në rreshtin e parë të të ftuarve, dallonte vetëm lideri historik i saj Sali Berisha në krah të të cilit qëndronin Tritan Shehu dhe Bujar Nishani. Pas tij diku nga rreshti i dytë edhe Neritan Ceka. Të tjerët, dalluar dukshëm në rresht të parë deputetë të rinj të PD-së, ndër ta edhe Rudina Hajdari.

Në ceremoninë e djeshme pati edhe një rikthim. Mesila Doda, e cila prej kohësh ishte shkëputur nga PD-ja për shkak të mënyrës së drejtimit të partisë nga Basha, mbrëmë pranoi ftesën për të tokur formalisht gotën me Lulzim Bashën. Mes tyre asnjë komunikim për t’u veçuar përveçse urimi i rastit, për një “Gëzuar”. Nuk munguan as aleatët, ndërsa PS-ja përfaqësohej me deputeten Vasilika Hysi. Ndërsa nga LSI-ja nuk u dallua ndonjë drejtues i lartë i partisë.

Ftesa për bashkim

Kryetari i opozitës, Lulzim Basha nënvizoi gjatë fjalës së tij se, PD-ja është përballur me skenarë që kanë synuar deri eliminimin e saj nga skena politike. “Por pavarësisht sfidave, tha ai, PD ka ditur, dhe ia ka dalë të mbetet e madhe”. Sepse, sipas tij, PD-ja ka ditur të reflektojë në kohën e duhur. “Sepse ka vendosur gjithmonë të parin interesin e vendit dhe ka qëndruar me vendosmëri në beteja ballore, të drejta e demokratike; sepse ka ditur të ndërtojë vazhdimisht vizionin e ri të së ardhmes; sepse ka patur vetëdijen e forcës së bashkimit dhe ka ditur të bashkohet”, -tha ai. Për pasojë, Basha theksoi se vetëm reflektimi, vizioni, bashkimi dhe beteja e ka mbajtur PD-në në krye. “Kjo është historia… Reflektimi, Vizioni, Bashkimi dhe Beteja do të na çojnë në fitore”, shtoi ai.

Marrëveshja e 18 majit

Në një kohë kur kryeministri Edi Rama po kërkon një pakt të dytë me Lulzim Bashën, ky i fundit ka sjellë në vëmendje marrëveshjen e 18 majit, duke i përcjellë një mesazh kreut të ekzekutivit se nuk është njeri i fjalës.

“…Qëllimi dhe thelbi i marrëveshjes ishte të evitohej përplasja civile, destabilizimi i vendit dhe angazhimi i grupeve kriminale në shitblerjen e votës. Edi Rama u ul në bisedime, por bëri krejtësisht të kundërtën e asaj për të cilën u bë marrëveshja. Tani zullumi dhe pabesia po i ngecin në fyt.

Politika nuk është e pistë apo hileqare në vetvete, por është e tillë për ata që duan ta bëjnë pis e të paskrupullt atë, thoshte Vasllav Havel”, citoi ai. Basha këmbënguli se PD-ja humbi në zgjedhje sepse nuk bleu vota dhe nuk angazhoi kriminelë.

“Forca jonë, besimi ynë, sot më shumë se kurrë janë alternativa, programi, gara dhe bashkimi. Ne do të fitojmë duke qëndruar fort në truallin e vlerave që janë provuar si fitimtare në jetën e kombeve të lira dhe në historinë tonë gjithashtu”.

Falënderimet për kontribuuesit dhe…Berishën

“…Ky dhjetor është si të tjerët kur përkujtojmë plot mall, nderim e mirënjohje ata që nuk i kemi më mes nesh: Është Azem Hajdari, prijësi i Lëvizjes Studentore dhe kryetari i parë i Partisë Demokratike të porsathemeluar. Janë themeluesit e Partisë Demokratike, Gramoz Pashko, Pjetër Arbnori, Arben Broci dhe Ali Spahia; Është Sokol Olldashi, është Ferdinand Pone, janë emra të tjerë demokratësh të shquar dhe demokratësh të thjeshtë që nuk rrojnë më…”, -tha ai. Më tej, Basha radhiti: “Respekt dhe mirënjohje të veçantë do të ketë përherë për ata që ju prinë demokratëve në momentet e para, për Aleksandër Meksin, Arben Imamin, Neritan Cekën, Eduard Selamin, Genc Rulin, Preç Zogajn, Besnik Mustafajn, Tritan Shehun, Genc Pollon e të tjerë që nuk mundem t’i përmend dot të gjithë. Nderimi dhe mirënjohja më e madhe e çdo demokrati do të jetë përherë për liderin e saj historik Sali Berishën, pa të cilin Partia Demokratike nuk do kishte shpirtin dhe forcën që ka patur përherë”.

Themelimi i partisë, Meta uron Bashën

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ka uruar kryetarin e PD-së, Lulzim Basha në 27-vjetorin e themelimit të PD. Në një postim në Facebook, kreu i shtetit shqiptar shkruan:

“Në këtë përvjetor të themelimit të Partisë Demokratike, si forca e parë opozitare në vend, kam kënaqësinë t’i uroj kësaj partie, lidershipit, anëtarëve dhe simpatizantëve të saj, suksese në përmbushjen e përgjegjësive tepër të rëndësishme për të ardhmen europiane të vendit”.

Berisha për opozitën e para 2005-ës: I dhamë ton jetës politike

Në mungesë të një fjale, duke respektuar të zotin e shtëpisë, Lulzim Basha, ish-kryeministri Sali Berisha ka postuar një koment të gjatë në Facebook për 27-vjetorin e themelimit të PD-së. Ndër radhë, Berisha kujton: “Ajo (PD) gaboi me lejimin dhe mori të gjitha përgjegjësitë për skemat piramidale dhe doli në vitin 1997 në opozitë. Në vitet 1997-2005, Partia Demokratike ndonëse në opozitë por ia doli t’i jepte tonin jetës politike të vendit…”. Më pas, Berisha radhit arritjet në 8 vite të qeverisjes së tij. “…Në 8 vite të qeverisjes së saj, firmosi dhe ratifikoi Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, anëtarësoi vendin në NATO. PD dha ndihmesë thelbësore në pavarësinë e Kosovës, lajmin për të cilin e shpalli në Tiranë me të famshmen “time is now”, Presidenti George W Bush në vizitën e parë dhe historike të një presidenti të SHBA në Shqipëri. Qeveria e PD dha kontribut thelbësor në njohjet ndërkombëtare të Kosovës. Me reforma serioze e të gjithanshme u plotësuan të gjitha kushtet dhe u hoqën vizat me BE, si dhe u mor në tetor të vitit 2012 dhe në tetor të vitit 2013, rekomandimi i Komisionit Europian për statusin e vendit kandidat, të cilin e bllokoi Edi Rama…Ajo ndërmori reforma të thella ekonomike të suksesshme, si ulja e tatimfitimit nga 25 në 10 %, ulja e tatimit të ardhurave personale nga 23 në 10, pra vendosje të taksës së sheshtë prej 10 %, ulja e sigurimeve shoqërore nga 32% në 15% për punëdhënësin, ulja e tarifave doganore nga 6 në 1%…”, shkruan ai.

Mungoi në festë, Bregu: Qokë në shtëpinë time nuk bëj

Ajo nuk ishte në 27-vjetorin e themelimit të PD-së, por përmes dy postimeve në Facebook, Majlinda Bregu ka lënë të kuptohet për shumëçka. Fillimisht, para se të zhvillohej ceremonia në hollin e Pallatit të Kongreseve, Bregu ka postuar në Facebook fotografinë e një fëmijë me simbolet e demokratëve në duar ku e shoqëron me dixhiturën: “Gëzuar ditën kur shpresa nuk tradhtohej!”. Më pas, e pyetur nga shumëkush se pse nuk ishte në festën e PD, Bregu ka dhënë një përgjigje përmes faqes së saj në Facebook.

“Ftesa për sot (dje) ishte një formalitet për qokë ndaj Lulzim Bashës. Unë qokë në shtëpinë time nuk bëj dot.

Kjo e sotmja nuk mund të jetë dita e bashkimit. Sepse premtimi i sotëm për bashkim, garë e reflektim s’është asgjë tjetër veçse farsa e radhës.

Sepse bashkimi nuk ka sesi të vijë pa reflektuar më parë për ndarjen e pa marrë më parë përgjegjësinë për fyerjen që u është bërë demokratëve apo dhe për katandisjen që iu bë Shqipërisë pas 27 viteve demokraci, duke e lënë në pikë të hallit, siç nuk ka qenë kurrë më parë PA OPOZITË!!

Dhe meqë unë s’jam as tek themeluesit, as tek përmbaruesit, zgjodha të mos shkoj”, shkruan ajo.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Tatimi mbi pronën, shembujt që mund të përzgjedhë Shqipëria

Sistemi i vlerësimit bazuar mbi sipërfaqen që përdoret edhe në Shqipëri është...
Read More