Festë greke për “shqiptarin” Janullatos

Mediat dhe politika në Greqi i bëjnë jehonë lajmit për dhënien e nënshtetësisë shqiptare Kryepeshkopit Anastas Janullatos. Vlerësimet për Metën dhe përse e quajtën arritje në Greqi këtë dekret presidencial.

Nga Sebi Alla

Pa përfunduar ende “fleshi informativ”, si lajm i fundit në televizionet tona, se presidenti Ilir Meta i kishte dhënë nënshtetësinë shqiptare Kryepeshkopit Anastas Janullatos, ministri i Jashtëm i Greqisë Nikolas Kotzias doli me status në Twitter që shprehte gëzimin e tij për këtë gjest të “madh” të Metës. Në Shqipëri, më shumë së kundërshti shprehën habi, për këtë nismë që Metës, i cili pa u menduar gjatë aprovoi një kërkesë që kishte 25 vjet e aplikuar nga Janullatos dhe që nuk iu mor në konsideratë nga asnjë nga pesë presidentët e mëparshëm. Greqia thuri e vijon të thurë elozhe për kreun e shtetit Shqiptar. Protagonizmin e fundvitit Meta e mori me dekretin e tij 10700 numër që mbahet mend lehtë, me siguri edhe gjatë, që lidhet me nënshtetësinë e Kryepeshkopit Janullatos. Vetë presidenti e përmendi me kënaqësi vendimin edhe në takimin që pati me të në urimin për Krishtlindjen. Jehona në Greqi është kthyer gati në “festë” për nënshtetësinë shqiptare të kryepeshkopit Janullatos, që gjithnjë kujdesej ta quante veten një shqiptar që kontribuonte për komunitetin Ortodoks në vendin tonë. Nuk ka vonuar gjatë dhe Presidenti grek Pavlopulos theksoi se “kjo nismë e Presidentit të Shqipërisë, përbën gjithashtu një hap të rëndësishëm drejt përmirësimit të mëtejshëm të konsiderueshme të marrëdhënieve mes Greqisë dhe Shqipërisë”. Ndërsa mediat fqinje shkojnë më tej se nënshtetësia me kaq këmbëngulje për Janullatos ishte bërë objekt i një bisede të “rëndësishme” dypalëshe Shqipëri-Greqi, mes ministrit të Jashtëm Nikolas Kotzias pati me homologun e tij shqiptar Ditmir Bushati, gjatë takimit të tyre të fundit në Kretë (10-12 nëntor 2017). Në të vërtetë ajo që u publikua nga ky takim në rang ministrash dhe ekspertësh nga dy vendet u tha se ishin çështjet e pazgjidhura si ndarja e detit, çështja çame, ligji i luftës, apo ajo e ushtarëve grek të rënë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Nuk u përmend problem i nënshtetësisë së Kryepeshkopit Janullatos, por nëse e vërteta qëndron se ishte një nga pikat për t’u “zgjidhur” mes dy vendeve, tashmë ka marrë zgjidhje… Më 24 dhjetor, (ditën që zyrtarisht Janullatos u bë shqiptar), në një postim në Twitter, ministri Kotzias e përshëndeti dhënien e shtetësisë shqiptare Kryepeshkopit të Shqipërisë, duke u shprehur se ishte “një vlerësim i njohjes së punës të thellë humanitare dhe forcimin e besimit mes popujve tanë”, thekson amna.gr. Gjithashtu, shumë media të tjerë të shkuara dhe elektronike e kanë patur lajm kryesor në Greqi këtë çështje. Pothuaj të gjithë kanë publikuar të plotë letrën që Meta shkruante për Kryepeshkopin dhe kënaqësinë për t’i dhënë nënshtetësinë.

Shumë reagime për kaq pak…?

Jehona në vendin fqinj vijon ende, duke e kthyer nënshtetësinë e klerikut të lartë si një “arritje” edhe të shtetit grek dhe sipas tyre më në fund Shqipëria njohu meritat e padiskutueshme të Anastas Janullatos, duke e cilësuar kryepeshkopin si personalitetin e madh që përhapi ortodoksinë në Shqipëri. Nuk kuptohet qartë pse ky gëzim grek për numrin një të hierarkisë Ortodokse që shpesh e konsideronte veten shqiptar. Historia disi e largët në kohë i përket vitit 1991 kur Anastas Janullatos erdhi si një klerik i lartë i lartë i përkohëshëm në Shqipëri për të ngritur institucionet e Kishës Ortodokse, por qëndroi aq gjatë, sa kaloi gjysëm shekulli dhe ende vijon të jetë kryepeshkop i Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare. Kryepeshkopi Anastas Janullatos që shqipen e njeh mirë, nuk është shquar për deklarata të forta, gjithnjë ka ruajtur profilin që ia ndikon edhe manteli i klerikut, por diçka ka ndodhur përtej së dukshmes. Nuk di kush të japë përgjigje se përse kryepeshkopi Anastas Janullatos udhëtonte shpesh drejt Athinës dhe pritej nga personalitetet më të larta të vendit sa herë kishte ndonjë përplasje pronësie në Shqipëri që i jepej konotacion fetar? Ndonjë “klithje” në Himarë për shkeljen e të drejtave të minoritetit grek, sërish e gjenin kryepeshkopin në zyrat e rëndësishme në Athinë.

Kleri që trazoi një politikë

Arritjet në përhapjen e besimit Ortodoks në Shqipëri nuk kanë si të mohohen. Mijëra objekte kulti janë ngritur nga fillimi, ose kanë njohur rikonstruksion. Ndonëse ka shpesh kundërshti për arkitekturën e tyre, që u përngjan “simotrave” në Greqi, sërish objektet e kultit të përhapura kudo, presin e përcjellin besimtarë në vendin tonë. Gjithashtu një deklaratë e fundit e Kryepeshkopit Anastas Janullatos që pasardhësi i tij duhet të jetë Shqiptar, ngjau se i vuri kapak disa dyshimeve nga skeptikë që rolin e Kryepeshkopit Janullatos e shihnin me dyshim. Shumë pyetje janë ngritur se përse nuk u reagua edhe atëherë kur një prift Ortodoks në Kosinë të Përmetit bënte meshë e mbante brenda godinës së shenjtë eshtra grash dhe fëmijësh të zonës, që ishin zhvarrosur dhe vendosur në arka metalike si eshtra të ushtarëve grekë të rënë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Gjithashtu, skeptikët për punën e kryepeshkopit ngrinin shqetësimin se duhet të ishte më aktiv dhe human në lidhje me problematikën e madhe të emigrantëve shqiptarë në Greqi, sidomos në dhjetë vitet e tranzicionit 1990-2000. Do të ishte e udhës që nga mirësia dhe dashuria që predikon feja të kishte reagime në këtë kohë ku shumë shqiptarë vriteshin ose dhunoheshin barbarisht nga ushtria dhe policia greke. Kryepeshkopi nuk pati reagime publike ndonjëherë për këto ngjarje, aq sa për politikën e kohës në Shqipëri dhe për një pjesë intelektualësh dukej gati në kufijtë e të pabesueshmes që përse nuk mbahej qëndrim qoftë edhe me një deklaratë të shkurtër që dënonte dhunën dhe të bëhej thirrje për më shumë humanitet ndaj emigrantëve, ashtu sikurse e predikon edhe feja: “mirësi dhe dashuri”. Përtej pyetjeve pa ndonjë shkak që të mos marrin përgjigje, jemi para faktit të kryer. Fortlumturia e tij Kryepeshkopi Anastas Janullatos është nënshtetas shqiptar me të drejta të plota, si çdo qytetar vendit, zyrtarisht që nga 24 dhjetori i këtij viti. Në Shqipëri, edhe kundërshtarët më të egër kanë kohë që heshtin, vendimi i Metës gati është harruar, ndërsa në Greqi vijojnë ta quajnë arritje dhe një gjest i madh për nënshtetësinë e Janullatos.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Selami Xhepa: Shteti t’iu nënshtrohet rregullave të tregut si të gjithë operatorët

Fushata sensibilizuese e Institutit Pashko “Nuk na duhet shtet, por treg”, një...
Read More