Festivali: Vox Barok në nostalgjinë e ‘700-ës

Ka nisur mbrëmë në Kalanë e Rozafës, edicioni IV Festivali i Muzikës së Vjetër “Vox Baroque”, unik në llojin e tij, si festivali i parë, i cili trajton muzikën e vjetër dhe stilin barok. Ndërsa sonte në orën 21:15 me drejtimin artistik të Jusuf Beshirit, duke sjellë në mjediset e Resë grupin performues Sonatas & Canzonas

Në Napolin mes shekujve XVII dhe XVIII falë katër konservatoreve që kishte ky qytet dolën kompozitorë e këngëtare që i dhanë qytetit një prezencë absolute duke shkuar krahas me këngën popullore- e reflektuar edhe në pikturë. Muzika luhej në rrugë, me instrumentet e famshme “a pizzico”; tarantelës, formës muzikore më të përzemërt për këtë rajon u bashkua edhe kantoja e vallja… Kjo muzikë e jashtëzakonshme vjen në Tiranë me grupet e njohura si “Collegium Pro Musica”, “Festa Rustica” dhe trio “Sonatas & Canzonas…

Dedikimi napolitan, një referencë muzikore me repertor barok, ka nxitur organizatorët e festivalit të muzikës së vjetër, që vjen në edicionin e katërt, të afrojnë këtë memorie muzike si kulturë e dije për “Vox Baroque”. I nisur mbrëmë në Kalanë e Rozafës, në Shkodër, festivali do të shtrihet në disa qytete të Shqipërisë, ndërsa sonte në Tiranë në mjediset e Resë së Foujimotos, e më pas në Teatrin e Kukullave dhe Galerinë Kombëtare të Arteve duke krijuar një itinerar muzikor e turistik. Deri më 11 korrik, festivali ka tërësisht repertor barok.

“Përhapja e kësaj muzike të luajtur me instrumente origjinale, në respekt të plotë të stilit, rregullave dhe mënyrës së interpretimit të asaj kohe, shikimi i muzikës me një këndvështrim tjetër historik dhe kritik duke kërkuar gjithmonë qasje të reja, formësojnë idealin tonë për të zhvilluar këtë festival të përvitshëm. Të vetëdijshëm në kurimin e detajeve e repertorit të mirëpërzgjedhur, dëshirojmë të kërkojmë më thellë në muzikë drejt rrugës së perfeksionimit të vazhdueshëm, në kërkim të emocioneve dhe esencës të së bukurës. Repertori barok ende sot ofron shumë hapësira për zbulime e thellime, të cilat do të manifestohen nga interpretuesit midis të tjerash mes shembujve të gjuhës e gjestualitetit barok”, – është shprehur Jusuf Beshiri, themelues i Festivalit Ndërkombëtar “Vox Baroque”.

Ky edicion është vlerësuar si një hapësirë e veçantë për t’ju kushtuar kompozitorëve italiane dhe në veçanti atyre napolitanë për pasurinë muzikore e artistike që kanë trashëguar. “Repertori barok ende sot ofron shumë hapësira për zbulime e thellime, të cilat do të manifestohen nga interpretuesit midis të tjerash mes shembujve të gjuhës e gjestualitetit barok. Interpretimi përmes një “assieme” të gjesteve ekspresive të cilat përdoreshin nga këngëtarët për të nënvizuar emocionet ë tekstet e kantatave, do të na afrojë drejt atmosferës të skenave operistike”, shkruan Beshiri. Në vitet ‘700 muzika hyn thellë në çdo shtresë të shoqërisë si kurrë më parë duke shënuar kështu emancipimin estetik, artistik e social të muzikës instrumentale.

Në këtë proces, vazhdon më tej Beshiri sheh të afirmuar kompozitorë Italian si Vivaldi, Scarlatti, Sammartini, ku kompozimet e tyre janë të pavarura nga këndvështrimi estetik, koherenca në formën muzikore e në të njëjtën kohë tepër të artikuluara. Duke treguar në ndikimin që ka pasur kjo muzikë, Beshiri thotë se këto elemente luajnë një rol vendimtar përkrah kompozitorëve të tjerë si Bach, Haendel dhe Telemann, duke përcjellë një trashëgimi dhe traditë të shkëlqyer në skenat ndërkombëtare. “Ndaj dhe në këtë edicion të festivalit është menduar që një hapësirë e veçantë ti dedikohet kompozitorëve Italian dhe në veçanti atyre napoletan. Napoli është qytet që spikat në atë kohë për formimin e shumë kompozitorëve e këngëtarëve (XVII dhe XVIII) dhe kjo falë katër konservatoreve që ky qytet kishte”.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Meta betohet si president: Shqipëria dhe demokracia do të jenë të parat

Ilir Meta është betuar si Presidenti i shtatë i periudhës së pluralizmit....
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published.