Fevziu: Blushi në krye të Top Channel? Lajm i mirë, nuk do thyhet kollaj nga presionet

 
 

Blendi Fevziu ka folur për emërimin e mundshëm të Ben Blushit në postin e Drejtorit Ekzekutiv të Top Channel. Në një intervistë për ‘Panorama Plus’, Fevziu e ka konsideruar një lajm të mirë për të gjithë median emërimin e ish-deputetit të PS në krye të këtij televizioni, pasi do të ndikojë në rritjen e cilësisë së gazetarisë. Drejtuesi i ‘Opinion’ thekson se Blushi e ka staturën e fortë për të mos u thyer nga presionet në media, ndërkohë që nuk pret të reflektojë ndjesitë e tij politike në krye të ‘TCH’.

“Nuk kemi folur konkretisht, sepse, mesa di, nuk është ende një çështje e mbyllur, por në parim unë mendoj që vajtja e tij në krye të Top Channel, është një lajm i mirë për të gjithë. Për Topin në radhë të parë, për gazetarinë serioze dhe për ne që punojmë në Klan apo televizione të tjera. Unë e njoh Ben Blushin që fëmijë. Ai është ndër njerëzit që merret me thelbin e gjërave, që lexon, ndjek zhvillimet në botë dhe del tej vizionit provincial që dominon shpesh në mediat tona. Unë nuk e di se si do të jetë ai si drejtor, por jam i bindur që Blushi do të investohet në gazetarinë serioze, në gjërat me thelb dhe nuk do të ndjekë trendin fatkeq të 3-4 viteve të fundit që ka reduktuar gazetarinë në nivele karnavaleske.

E dyta, Blushi ka një staturë të fortë dhe nuk do thyhet kollaj nga presionet në media. As nuk besoj që do të reflektojë aty ndjesitë e tij personale ndaj qeverisë.

E treta, shpresoj shumë që ai të krijojë një traditë ndryshe nga ajo e gazetarisë së pazareve dhe gazetarëve pazarxhinj, që po gëlojnë në media dhe që po i shohin hapësirat e tyre mediatike si mundësi për gjobvënie dhe shantazh financiar.

Së fundmi, ardhja e tij në Top Channel shpresoj se do ndikojë në rritjen e konkurrencës me Klan-in dhe si e tillë do të reflektohet edhe te ne. Kjo është padyshim pozitive. Ka vetëm një formulë magjike për ta çuar përpara një media dhe kjo është konkurrenca.”

Moderatori i ‘Opinion’, Blendi Fevziu shprehet se lëvizjet që ndodhën në media në fund të 2017-s dhe në fillim të 2018-s u imponuan nga largimi i papritur i Sokol Ballës prej Top Channel.

“Nuk ka qenë një proces ristrukturimi i emisioneve, as produkt i analizave të audiencës, por lëvizje të imponuara nga largimi i papritur i Sokol Ballës prej Top Channel”, ka thënë gazetari.

Në intervistës për ‘Panorama Plus’, Fevziu ka komentuar edhe largimin e Ballës: “Nuk i di detajet e konfliktit të Ballës me Top Channel dhe as kam pyetur për këtë. Me emisionin në Vizion është një konkurrent më shumë. Po secili ka shikuesit e tij.”

Sa i përket konkurrencës nga Ylli Rakipi me emisionin ‘Të Paekspozuarit’ në Top Channel, Fevziu ka thënë: “Unë kam konkurrencë nga e hëna të mërkurën 22:00 me 23:15 dhe të enjten 21:00 me 23:00. Çdo lloj emisioni, çdo emër moderatori, e madje edhe çdo filim apo telenovelë janë konkurrentë. Të enjteve ajo që më shqetëson është një telenovelë turke e Klan Plus.”

Në fund, ai ka deklaruar: “Ylli Rakipi, Sokol Balla, Eni Vasili, Zheji tek Ora News apo Roland Qafoku, janë të gjithë konkurrentë. Secili ka pjesën e tij të shikueshmërisë dhe merr një pjesë të shikuesve të tu. E thashë, asnjë mbrëmje tjetër televizive nuk krahasohet me të enjten në 21:00. Dhe kjo është për t’u krenuar.”

 
 
Shkruar Nga
More from Redaksia

8 pika për një Akademi Shkencash jorrotative

Nga Artan Fuga N‌ë dijeni të opinionit publik dhe të mediave, të...
Read More