Fevziu: Sa i ngjan Veziri i “Pushtetit” Mehmet Shehut

fevziu te panairi i libritGazetari Blendi Fevziu vjen këtë vit me një ese letrare “Pushteti”, botim i Mapo Editions, i cili tërhoqi vëmendjen e qindra lexuesve në panairin e librit

Nga Blerina Gjoka

Dhënia e autografeve dhe fotot me lexuesit e tij janë një moment që Blendi Fevziu e shijon shumë. Pas disa viteve suksesi me botimet e monografive mbi Enver Hoxhën dhe Ahmet Zogun, ai nuk e humbi as këtë vit këtë moment në Panairin e Nëntorit, edhe pse këtë radhë guxoi me një ese letrare. Kopertina dhe titulli duket se u ka krijuar idenë lexuesve se do të lexojnë një monografi të re, por në fakt u është rezervuar një surprizë; historia e çdo pushtetari që bëhet viktimë e pushtetit të tij të madh, një Vezir i perandorisë osmane që në fund vret veten. Vret veten? Mos është Mehmet Shehu ky vezir? Autori nuk e mohon; por në personazhin e tij ndërthuren tipare e momente që mund t’i gjesh në personazhet realë pa dyshim, sepse trajtohet një aksiomë e njohur, marrëdhënia e njeriut me pushtetin, si e ndryshon dhe në fund e shkatërron pushteti njeriun. Libri fillon më një ëndërr të një njeriu që përjeton makthin e tij më të madh; rënien nga pushteti. Libri përfundon me dilemën e këtij njeriu të pushtetshëm që pasi ka humbur pushtetin kupton se s’ka asgjë tjetër, është bosh, dhe planifikon të vrasë veten, varrimin e tij. Kjo ese ka nisur të shkruhet që para se të binte muri i komunizmit në Shqipëri, në vitin ’89, e ka ripunuar në 2010-ën për të ardhur në formën që ka sot pasi autori vendosi ta përfundonte në 2016-ën.

Pse t’u desh një kohë kaq e gjatë për të shkruar esenë për magjinë e pushtetit?

Jo nuk është kohë e gjatë, ka nisur si diçka tjetër që nuk kishte lidhje me esenë po me kalimin e kohës është transferuar që do të thotë se në ’89-ën kur e kam nisur ka qenë një tregim i shkurtër pastaj në 2010-ën ka marrë fund në trajtën e një eseje dhe tani mund të jetë midis Fictionit dhe Esesë.

Kam 25 vite eksperiencë për të parë se si funksionon pushteti, cila është tërheqja e pushtetit, si deformohen njerëzit nga pushteti, si fillojnë të kenë një përqasje tjetër në momentin që e ndiejnë çfarë është pushteti. Pushteti është një botë, së cilës jo gjithmonë i përket. Është një botë që të duket sikur është larg teje, në momentin e parë që ti troket ose afrohesh në muret e kësaj bote, fillon të deformosh diçka nga vetja dhe deformimi i pushtetit është padyshim më i tmerrshmi. Nga ana tjetër pushteti është iluzioni më i madh i kësaj bote, ti mendon se e ke dhe e kupton që nuk e ke pasur asnjëherë tamam, pikërisht në momentin që nuk e ke. Pushteti është një nga gjërat që humbet më kollaj. Ka shumë gjëra në jetë që njeriu i arrin dhe nuk i humb sepse mendon se ka arritur disa shkallë të caktuara të jetës së tij. Pushteti është ndoshta e vetmja gjë që nuk e ke kurrë tënden dhe nuk mundesh as ta trashëgosh, duke iu referuar pushtetit si një posedim personal.

Ju thoni i thoni lexuesit se Veziri është një personazh fiktiv edhe në qoftë se përngjason me një personazh real, por ata që e kanë lexuar e kanë krahasuar me Mehmet Shehun, sa përngjan personazhi juaj me kryeministrin e vetëvrarë të komunizmit?

Mund të vijnë shumë personazhe të atij që përfaqëson pushtetin politik në Shqipëri sepse ne zakonisht pushtetin e lidhim gjithmonë me politikën megjithëse ai del përtej politikës. Ka shumë prej tyre që ngjasojnë, ka shumë detaje që janë marrë nga njëri, nga tjetri, nga momente të caktuara të ushtrimit të pushtetit. Pa dyshim që të gjitha detajet janë përfshirë brenda, shumë prej tyre janë historia personale që unë i kam përjetuar vetë në raport me mënyrën se si i transformon pushteti njerëzit, por thelbi është që personazhi në tërësi nuk ka asnjë gjë me realitetin, pra është një miksim i gjithë detajeve që përbëjnë ose që frymëzon pushtetin e njeriut dhe mënyrën se si ai e ushtron atë.

Pse disa njerëz i tërheq pushteti dhe çfarë ndodh me ta kur kanë pushtet, si i transformon fuqia e tij?

Ka njerëz që ndiejnë tërheqjen e pushtetit. Pushteti është një tundim i madh, është një magji më vete, të duket sikur të shkëput nga jeta e përditshme dhe normale tokësore, të fut në një botë tjetër në të cilën ti ndihesh, po e quaj superior, në raport me të tjerët. Natyrisht që është edhe një kurs se duke hyrë në këtë botë ajo tenton të deformojë, pra ti nuk mbetesh kurrë i njëjti njeri që je. Ti do të deformohesh sipas formave, ti humb shumë prej karakteristikave dhe unë them gjithmonë se pushteti është një tundim i madh është një rrugëtim i magjishëm, por në fund pak njerëz arrijnë të mbijetojnë. Pra arrijnë të mos transformohen deri në atë masë. Pjesa më e madhe edhe kur nuk humbin fizikisht kanë humbur shumë prej karakteristikave të tyre jetësore.

Veziri në esenë tuaj ngjan si një pacient i Frojdit, janë këto tipare të sëmundjes së pushtetit nëse mund ta quajmë kështu?

Çdo njeri që merret me pushtet ka probleme të ngjashme. Ju mund të gjeni detaje që vijnë nga periudha e komunizmit me dhjetëra që është shoqëri totalitare natyrisht që është një personazh që vlen më shumë në totalitarizëm se sa në rrethanat normale, por pa hyrë në situata të tjera megjithatë unë them që pushteti ka këto karakteristika gjithmonë pavarësisht nëse është pushtet politik, nëse është pushtet ekonomik, nëse është një pushtet që vjen falë një pozicioni të caktuar, është pushtet korporatash apo është pushtet mediatik, nuk ka rëndësi. Pushteti ka karakteristika të ngjashme. Në sistemet totalitare ky deformim evidentohet më kollaj ndërsa në sistemet e tjera mekanizmat e tjerë arrijnë ta kontrollojnë në mënyrë të tillë që deformimi të mos jetë dramatik.

Domethënë pushtetarët e sistemit demokratik nuk e vuajnë kaq shumë pushtetin?

Jo nuk e vuajnë dot sepse nuk i lë sistemi që të deformohen, pra rregullatori nuk i lë të deformohen deri në atë pikë. Megjithatë kanë një deformim të ndjeshëm.

Edhe pas suksesit me Enver Hoxhën dhe Ahmet Zogun duket se vazhdoni të tërhiqni lexues edhe pse vini me një ese letrare…

Kjo lidhet dhe me faktin që jam një person mediatik, që rri çdo mbrëmje në një televizion. Kjo natyrisht që tërheq kuriozitet më shumë se sa një shkrimtar që është më pak evident mediatikisht.

Po ju ku ndjeni më mirë te monografitë apo te letërsia?

Besoj se mua më pëlqen më shumë monografia.

Por nuk ke gjetur  personazhin e radhës…

Jo, nuk është se nuk kam gjetur personazhin e radhës, në fakt kam dy personazhe. Çështja është te mundësitë reale që kam unë për të shkruajtur. Që do të thotë, që duhet të përqendrohesh te materialet, duhet të përqendrohesh për filtrimin e tyre dhe pastaj duhet të arrish te procesi tjetër që është shkruajtja. Ka libra që kërkojnë vite punë përpara se t’i shkruash.

Shkruar Nga
More from revista mapo

“Kur Martin Camaj më propozoi veprën e Trebeshinës”

Për herë të parë Trebeshina është botuar në Kosovë, në vitin 1991...
Read More