Film dhe kulinari: Spanjollët, me premierë botërore për Shqipërinë e ’97-ës

Mbrëmë, deri më 8 korrik, në kinemanë “Mitrush Kuteli” në Pogradec ka nisur edicioni i shtatë i festivalit Ballkanik të Filmit dhe Kulinarisë; pritet të shfaqet premiera botërore e filmit të gjatë spanjoll “Zgjimi i Enver Simakut”, me regji të Marco Lledo Escartin, të frymëzuar nga Shqipëria e 1997-ës, ku interpretojnë: Margarita Xhepa, Tinka Kurti, Ema Andrea etj.

Edhe pse vite më parë, projektet të tilla si festivale filmash u kryqëzuan nga financimet sërish asnjë prej tyre nuk është tërhequr duke rezistuar me vite, pavarësisht cilësisë.

Kjo ka bërë që atmosfera verore të përcillet pak më e zhurmshme, sidomos në jug të Shqipërisë ku shënohen disa festivale që shkojnë edhe për qëllime turistike.

Duke hyrë në edicionin e shtatë, edhe Festivali Ballkanik i Filmit dhe Kulinarisë që organizohet në Pogradec, mban këtë ‘legjendë’ duke i dhënë hapësirës artistike natyrën ballkanike. Është shoqata Art-Impuls, që shoqërohet me mbështetjen e Bashkisë, Ministrisë dhe Qendrës së filmit e Ministrinë e Kulturës së Kosovës që i kanë dhënë këtij festivali një hartë të konsiderueshme për atmosferën që krijon.

Festivali hapet me projektimin e filmit të gjatë grek “I padukshëm”, me regji të Dimitris Athantis. Përgjatë festivalit do të projektohen 64 filma të autorëve nga të gjitha vendet e Ballkanit. Shqipëria përfaqësohet me 8 filma të kineastëve të rinj. Kosova përfaqësohet me 11 filma.

Një seksion më vete i festivalit është “Mish-Mash”. “Ky seksion, që tashmë është shndërruar në një traditë, ka për qëllim që të bëjë bashkë dhe më pas të trajnojë nxënës e studentë me formim e origjinë të ndryshme në rrugën e gjatë të krijimit filmik. Të rinjtë trajnohen përgjatë një jave nga ekspertë të filmit dhe dokumentarëve dhe më pas vendosin se cila prej punëve që ata kanë realizuar në ditët e festivalit do të vlerësohet me çmim”, shënohet nga organizatorët në njoftimin për mediat. “Ka shumë që nuk e dinë se çfarë do të thotë Ballkan dhe pa e ditur atë, në vend të parë kemi Amerikën mes aplikuesve për të sjellë filmat e tyre. Pastaj kur u kthej përgjigje, e iu them se ky festival është vetëm për filmat nga vendet e Ballkanit, kërkojnë falje. Në vend të dytë është Irani, një vend me shumë prodhimtari filmash, pastaj në vend të tretë vjen Turqia”, ka thënë për mediat drejtori i festivalit, Eno Milkani. Një tjetër risi konsiderohet nga organizatoret mbrëmja e fundit e festivalit, kur do të shfaqet premiera botërore e filmit të gjatë thriller spanjoll “Zgjimi i Enver Simakut”, me regji e skenar të Marco Lledo Escartin. Në këtë film që inspirohet nga Shqipëria e 1997-ës, interpretojnë figura të tilla të ekranit shqiptar, si: Margarita Xhepa, Tinka Kurti, Viktor Zhusti, Pirro Milkani, Ema Andrea, Laert Vasili, Lulzim Guhelli.

Filmat projektohen në kinemanë “Mitrush Kuteli” në qendër të qytetit, por edhe në ekrane të mëdha të vendosur jashtë do të shfaqen edhe për një publik më të gjerë. Një juri me ekspertë ndërkombëtarë joballkanikë do të vlerësojë filmat, ndërsa ceremonia e ndarjes së çmimeve organizohet natën e fundit, 8 korrik, pas premierës së filmit spanjoll.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Mbroni nishanet nga dielli, rrezik për kancer lëkure

Nëse vërejmë ndryshime në formën, madhësinë, ngjyrën e nishanit duhet t’i drejtohemi...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *