Film patriotik

Nga Zoran Panoviç

I dashur Mustafa,

Që ta dish ti, ne këtyre ditëve po merremi edhe me raportin mes artit dhe politikës. Në kuptimin nëse ekziston teatër (i angazhuar) politikisht, ose sa është kritike skena ndaj realitetit, dhe sa ajo është në bashkëpunim me regjimin e Vuçiç. Por kësaj here mbi një temë tjetër prej çarshie – a ka çfarë na duhet “filmi patriotik”, ose më mirë të themi a censurohen apo anatemohen filmat që nuk i shkojnë pas qejfit pjesës reaksionare të elitës së kulturës pop.

Në kohën e tranzicionit këtu te ne janë realizuar dy filma që trajtonin tema të anës së errët të së kaluarës serbe. Po sjell dy përpjekje relativisht solide: I pari është “Njeriu i katërt” (2007) që është një variacion i filmit klasik “Identiteti Born” (The Bourne Identity, film i realizuar sipas romanit me të njëjtin emër të Robert Ludlumit. Shënim i përkthyesit), ku historia zhvillohet rreth një njeriu me amnezi, i cili pastaj merr vesh se është major i shërbimit të sigurisë së ushtrisë. Filmi tjetër është “Ustaniçka Ulica” (“Rruga “Kryengritja”, prodhim i vitit 2012Shënim i përkthyesit), në të cilin inspektori serb zbulon një “lobim anti Hagë”, dhe sjell para drejtësisë personat përgjegjës për krime lufte.

Pluhurin filmo-politik këtë vit e ngritën dy filma: njëri i xhiruar dhe tjetri ende i paxhiruar: “Teret” (“Ngarkesa”) me regjisor Ognjen Gllavoniçin, i shfaqur këtë vit në programin paralel me programin garues të Festivalit të Kanës – këtë program para gjysmë shekulli e inicioi Zhan Luk Godari – merret me ngarkesën e kamionit frigorifer që transporton nga Kosova kufomat e shqiptarëve. Kjo është një dramë antiluftë e bazuar në ngjarje të vërteta të ndodhura gjatë konfliktit në Kosovë në vitin 1999 dhe bombardimit të Serbisë prej NATO-s.

Ngjarjet më të freskëta janë ato me filmin ende të paxhiruar “Mezimica” (“E përkëdhelura”), skenari i të cilit fitoi etiketimin “antiserb”. Sipas skenarit origjinal të Dimitri Vojnovit, në qendër të ngjarjeve janë policët serbë që merren me tregtinë e organeve njerëzore. Vojnovi është një prej skenaristëve më të talentuar në Serbi, dhe prej çarshisë së Beogradit po përhapet thashethemnaja absurde, sipas së cilës ai, si “i djathtë” që është, ia ka ngjitur etiketimin “antiserb” pikërisht filmit të mësipërm “Teret”. Kryesisht, edhe Vojnovi mendon se kultura e shfaq fuqinë dhe gatishmërinë e saj në ballafaqimin me anët e errëta të historisë kombëtare.

Sensorët patritotikë shënojnë gjithçka, madje shqetësohen edhe për rusët. Në kinematë e Beogradit u shfaq vitin e kaluar filmi “Matilda”- realizim kontrovers i regjisorit të famshëm Aleksej Uçitelj. Filmi flet për skandalin e dashurisë mes Primabalerinës së Teatrit “Bolshoj” dhe të Carit të fundit të Rusisë Nikollaj i Dytë. Këtë film e kritikuan në Serbi nacionalistët e vijës së ashpër dhe disa qarqe kishtare. “Rusofilët” e këtushëm ia tërhoqën vëmendjen publikut serb se për çfarë filmi bëhej fjalë. Nga ana tjetër, këtu te ne, në kohën e pushtetit të Boris Tadiçit në vitin 2008, përfaqësues të Serbisë “qytetare”, te Kryetari i atëhershëm i Gjykatës së Hagës, “spiunuan” serialin popullor filmik “Kushëriri im nga fshati”, ose më mirë të themi “platformën e tij anti Hagë”.

Shkak për matjen e autenticitetit patriotik ka qenë edhe filmi “Shën Gjergji vret lugatin”, të cilin regjisori serb Srgjan Dragojeviç e realizoi sipas dramës së famshme klasike të Dushan Kovaçeviçit. Në muajin mars të vitit 2009, Këshilli për kulturën i Partisë përparimtare – atëherë në opozitë e sot në pushtet – në krye të të cilit ishte dramaturgu Radosllav Pavlloviç (pas ardhjes në pushtet të Partisë Përparimtare, këshilltar për kulturën i Presidentit Tomisllav Nikoliç dhe sot diplomat kulturor në Paris, që është njëkohësisht edhe krijuesi i serialit që përmendëm më sipër, “Kushëriri im nga fshati”), pohonte se me këtë film shteti kishte financuar një falsifikat historik. Shtrohej pyetja se kush i kishte ndalur në Cer (Beteja historike e ushtrisë serbe në vitin 1914) Austro-hungarezët (në dramë heronjtë janë njerëz të paaftë për luftë), nëse në Cer kishte llogore lufte, dhe shkohej deri aty saqë bëhej krahasimi me mundësinë se çfarë do të kishte ndodhur sikur dikush sot të xhironte një film, në të cilin Hitleri në muajin maj 1945 dëbonte sovjetikët nga Berlini. Po sjell në kujtesë se presidenti paraardhës i Serbisë, radikali i atëhershëm Nikoliç, ishte i fyer nga reklama e një banke, e cila bazohej në variacione të filmit “Monti Pajton” me personazhin dhe veprën e Marko Kraljeviçit (i cili në fakt ishte vasal i turqve) nën interpretimin e yllit serb të rokut Rambo Amadeus.

Ndoshta, Mustafa, histeria më e madhe ka qenë për shkak të sjelljes gjoja antiserbe të Anxhelinë Zholisë, ose më mirë të themi për shkak të filmit të saj “Në tokën e gjakut dhe të mjaltës”. Më kot fakti që Anxhelina, nëpërmjet agjentit të saj u desh të përgënjeshtronte thëniet se nëpërmjet filmit ka bërë thirrje për eliminimin e Republikës Srpska, sikurse u publikua në mënyrë të turpshme, dhe menjëherë u pat harruar nga histeria e përhapur kundër saj. Opinioni publik i shqetësuar serb harroi atëherë se dy gjyshet, Lena dhe Mara Babiç, refugjate serbe, te të cilat në vitin 2010 Anxhelina Zholi dhe Brad Pitti patën festuar Pashkët. Madje ata të dy, sipas zakonit, garuan në thyerjen e vezëve me çiftin e famshëm të gjysheve!

Në ato ditë të Festës së Pashkëve, Anxhelina vizitoi refugjatët në qendrën kolektive në Rogaticë dhe premtoi se do të bënte gjithçka që ata të kishin një ndërtesë të denjë për banim dhe për të jetuar. Premtimi u përmbush. Ndërtesa, në të cilën refugjatët u zhvendosën për të banuar, mori emrin “Vila Anxhelina”. Me thënë të vërtetën, filmi “Në tokën e gjakut dhe të mjaltës” me siguri që nuk është proserb, megjithëse nuk është edhe ndonjë farë filmi.

Filmi “Borat” i komikut britanik Sasha Baron Kohen ishte kampion deri atëherë në realizimin më drastik të hapjes ndaj temave të korrektësisë politike. Në shikim të parë, “Borati” ishte edhe një odé e antisemitizmit, fushatës së Bushit në Irak, kontributit kapital të teorisë së Hantingtonit për “Përplasjen e civilizimeve”, dhe njëfarë tabloidizimi sentimental i spastrimit etnik…. Qeveria e Kazahstanit bleu hapësira  nëpër mediat botërore për të përgënjeshtruar pikë për pikë filmin (Borati në film është reporter nga Kazakistani imagjinar), por kjo ishte një rrugë e gabuar që për fat të mirë nuk i eci Millorad Dodikut me rastin e  serialit TV mbi Alija Izetbegoviçin në TV shtetëror turk, ku Kryeministri i fliste edhe Erdoganit, të cilit Alia i ka lënë amanetin e famshëm që të ruajë Bosnjën e Hercegovinën.

Borati thotë se në vendin e tij i fiton zgjedhjet ai që mund të ngrejë pesha më të rënda të fiksuara në testikuj, dhe se kryeministri fiktiv i Kazahstanit kishte mundur të mbajë me testikuj një akumulator për 8,4 sekonda. Disa këtu te ne madje shpresonin se ky mund të ishte kriteri i Vuçiçit për zgjedhjen e Kryeministrit, por ai megjithatë vendosi të zgjedhë Ana Brnabiçin.

Solid është edhe pjesa e gjashtë e “Mission Impossible”, mbi agjentin e fshehtë Itan Hant. Por për këtë është më domethënëse pjesa e katërt e quajtur “Ghost Protokol “ e vitit 2011. Është shumë larg së vërtetës fakti se ky film i Tom Kruizit është “proserb”, por gjithsesi i përmend serbët dhe kjo është njëfarë hapi përpara nga stereotipat e Hollivudit. Në shikim të parë, serbët vërtet që janë negativët, masakruan një familje kroate, por në thelb ata janë shfrytëzuar si justifikim për manipulimin e dikujt, gjë e cila zbulohet në fund të filmit.

Meqë jemi te Tom Kruiz, “Top Gan” është realizuar në vitin 1986. Kam dëgjuar se po xhirohet edhe seria e dytë e tij. Krahas këmbëve të Keli Mekgilis (aktorja partnere e Tom Kruzit në filmin në fjalë. Shën. i përkthyesit) ky film tregon edhe fuqinë e dizajnit dhe shkëlqimin e propagandës. Në episodin e parë të serialit TV serb “Akademia ushtarake” (janar 2012), një marketing i fortë ky për Ushtrinë e Serbisë, një vajzë e cila është pranuar në Akademinë ushtarake (me sa duket në kohën kur ministër Mbrojtjeje ishte Dragan Shutanovac, kumbari i Boris Tadiçit), mban në dhomën e saj një poster të filmit “TopGan”. Ishte një përpjekje për t’u patur lakmi që patriotizmi serb të emancipohet nga antiamerikanizmi. Ndoshta edhe nëpër auditorë normalizohet partneriteti me NATO-n.

Për rolin e boksierit të dështuar në “Demin e tërbuar” Robet de Niro u shëndosh me 30 kilogramë. Tom Hanks u shëndosh me 18 kilogramë në mënyrë që ta luante sa më bindshëm rolin në filmin “Milja jeshile”, adaptimi filmik i tregimit të Stiven Kingut. Po ky Hanksi për shkak të rolit të Robinsonit modern tek “I dëbuari” (Cast Away) u dobësua 22 kilogramë. A mos vallë do të mundej ai të adaptohej për rolin e Radovan Karaxhiçit, me kushtin që ky film të jetë sipas shijes së Millorad Dodikut? Së paku, do t’i duhej të ishte më i ndjeshëm sesa filmi The Haunting Party të Riçard Shepardit, film ky i frymëzuar nga ndjekja e Karaxhiçit.

Sipas një ankete të vjetër (të revistës britanike Radio Times), aktori i dytë më i mirë i të gjitha kohëve, pas Pol Njumenit, dhe para Xhejms Stjuartit, Tom Hanksi pra, na pati frymëzuar dikur me atë citatin mbarëserb, një deklaratë gjithsesi e pavërtetuar nëse bash kështu ka thënë, dhe sipas së cilës “Kosova ka qenë përherë serbe dhe një ditë do të jetë përsëri”. Aktori gjoja Golgotën e hebrenjve në Luftën e Dytë Botërore na e paska krahasuar me vuajtjet e serbëve në Kosovë dhe me këtë, për sa i përket etiketimit “mik i serbëve”, u rreshtua në mënyrë ekspres në një rang me Bob Dilanin, i cili shumë veta i pati ekzaltuar me deklaratën, sipas së cilës çdo serb kur takon një kroat duhet të ndihet si një zezak kur takon një pjesëtar të Ku Kluks Klanit. Ashtu sikurse menjëherë patëm përqafuar Handken të pasqyruar në “të gjitha Moravat tona”.

Ky tekst është pjesë e programit të shkëmbimit të artikujve mes gazetave Danas nga Beogradi dhe Mapo nga Tirana, me qëllim përparimin e komunikimit dhe mirëkuptimit më të madh të bashkësive në Shqipëri dhe në Serbi. Projektin e mbështesin Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Serbi dhe Misioni i OSBE-së në Serbi. Qëndrimet, mendimet, konkluzionet, supozimet dhe informacionet e tjera të autorëve (letërkëmbimin e bëjnë Mustafa Nano dhe Zoran Panoviç) të shprehura në këtë artikull, nuk përfaqësojnë detyrimisht edhe mendimin apo qëndrimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë apo OSBE-së. 

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Shkrimtarët rrëfejnë: Si i sjellim në jetë personazhet

Si i shkruajnë karakteret që të ndjehen gjallë? Kur sjell në jetë...
Read More