Finalja e Botërorit: Dyzimet e një nate të zjarrtë

Dita e djeshme e përmbylljes së Kampionatit Botëror të Futbollit me fitoren e Francës ishte realisht një stuhi emocionesh të forta për spektatorët e të gjithë botës.

Kishte nga ata që ndiheshin të dyzuar se kë të përkrahnin në atë ditë aq të madhe për secilin nga shtetet “kundërshtare”, si ish-Ministrja e Inovacionit, Milena Harito që shprehej: “Jam e dyzuar. Kam një gjyshe kroate, kam gjysmën e gjakut kroat. Mamaja e gjyshes sime quhet Neda Drezga, kështu që unë ditën e dielë jam komplet e dyzuar”.

Realisht rezultoi një ndeshje që i kalonte pritshmëritë e spektatorëve dhe ndau rrugët e tifozëve se kë të mbështesnin,vendasit apo skuadrën tjetër.

Në fushën e madhe të gjelbërt u përballën fort dy skuadra aq të kundërta me njëra-tjetrën, ku secila luftoi në mënyrën e saj për të fituar titullin ‘Kampione Bote’.

Kroacia arriti mjaft mirë të përfaqësohet denjësisht nga futbollistët e kombëtares së saj, që u përpoqën deri në fund me mish e me shpirt ta preknin dhe ta bënin të tyrin çastin e lumtur të fitores së kampionatit.

Megjithatë loja pati devijime gjatë rrugës. Por fati nuk ishte pranë tyre ditën e djeshme, pavarësisht lojës së mrekullueshme që realizuan.

Dukej sikur dhe gjyqtari i ndeshjes ua pllakosi ndjenjën e frikës në momentin kur vendosi për penalltinë e pajustifikueshme në lidhje me prekjen e topit me dorë, që dukej se ishte e pavullnetshme.

Opinionisti i BBC, Alan Shirer është shprehur mbi vendimin e gjyqtarit argjentinas kështu: “Ajo prekje me dorë nuk ka mundësi të jetë e vullnetshme. Arbitri ka bërë një gabim të madh në finalen e Kupës së Botës”.

Po ashtu edhe Roi Kin, një legjendë e futbollit anglez, theksoi: “Futbolli është loja më e bukur në planet, por vendime të tilla, si ajo për penalltinë, padyshim që ma shpifin. Kroatët nuk e meritonin atë vendim të çuditshëm, dhe të turpshëm. Arbitri me siguri nuk ka luajtur kurrë futboll në jetën e tij, ua garantoj. Kemi të bëjmë me një idiot”.

Këto konstatime mbeten të rëndësishme, por edhe mjaft të rënda mbi vendimet gjatë gjithë lojës së djeshme, sepse nuk ishin këta dy personazhë të vetmit që kontestuan mbi ndeshjen dhe mbi gjyqtarin.

Lojtarët patën përplasje, por e përgjithshmja rezultoi pozitive në raportet e lojtarëve në fushë. Kjo gjë u pasqyrua dhe me presidentët Emanuel Macron dhe Kolinda Grabar-Kitarovic kur shkëmbyen urimet për fitoren e Francës.

Dy figurat kryesore të shteteve, dy presidentët e Francës dhe Kroacisë ishin dje të pranishëm në ‘Luzhniki Stadium’ ku u luajt finalja e madhe e “Rusi 2018”. Emanuel Macron dhe Kolinda Grabar-Kitarovic pavarësisht rezultatit me fitoren e Francës dhe me humbjen e Kroacisë, u paraqitën mjaft paqësorë duke përqafuar njëri–tjetrin në momentin e përfundimit të ndeshjes.

Duke i lënë pas spekulimet, sot anë e mbanë botës po festohet për fitoren e Francës. Fati është një ogur i madh që duhet të ndjekë secilin prej nesh për të arritur synimet tona. Franca pati fatin e madh dhe u kurorëzua me çmimin, me trofeun e madh. Jo gjithmonë përpjekjet më të mëdha do të finalizohen me fitoren e asaj pale!/A.Kacmoli

Shkruar Nga
More from Redaksia

Vdes në moshën 93-vjeçare pronari i “Le Figaro”

Sipërmarrësi dhe politikan francez Serge Dassault është ndar nga jeta në moshën...
Read More