Finalja e dialogut Kosovë–Serbi

Nga Shkëlzen Maliqi

Formati i dialogut Kosovë–Serbi, që për qëllim kishte normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, u tregua me mangësi serioze që ndikuan në vonesa dhe moszbatim të marrëveshjeve të arritura. Dialogu zhvillohej pa afate dhe instrumente penalizuese sepse BE-ja, si lehtësuese e dialogut, nuk e kishte autoritetin e mjaftueshëm kushtëzues.

Stimulues i vetëm për dinamizimin e dialogut ka qenë vlerësimi i sukseseve në dialog si momente shpërblyese për hapa avancues në proceset integruese. Serbia shfrytëzoi më mirë këtë ndërlidhje të dialogut me hapat e integrimit, ngase hyri në biseda për anëtarësim. Kosova, ndërkaq, ngeci shumë, duke mos e marrë madje as liberalizimin e vizave. Kjo nuk ndodhi ngase Kosova ishte më pak kooperative. Problemi ishte te mosuniteti i BE-së rreth njohjes së pavarësisë së Kosovës. Spanja, Rumania, Sllovakia, Greqia dhe Qipro nuk e njohin pavarësinë, kështu që në çështjet e përparimeve për integrim mungonte konsensusi i duhur në instancat vendimmarrëse të BE-së.

Ngecja karshi avancimit të Serbisë ndikoi në rritjen e pakënaqësisë në Kosovë me efekte negative për procesin e dialogut. Gjatë përplasjeve të brendshme politike në Kosovë janë fuqizuar dukshëm forcat të cilat kanë qenë që nga fillimi kundër dialogut. Atyre iu dha një argument propagandues i fuqishëm se dialogu i formatit ekzistues shkon në favor të Serbisë. Nëse vazhdohet trendi, thoshin ata, do të vijmë në situatë që Serbia të bëhet anëtare e BE-së shumë para Kosovës. Me këtë Serbia fiton fuqi shtesë bllokuese pasi që vendimmarrja në BE është me konsensus. Nëse Serbia arrin e para në cak, pamundëson anëtarësimin e Kosovës në BE!

Kuptohet, ky skenar negativ nuk ka qenë asnjëherë intencë reale e Brukselit. Nëse jo zëshëm, atëherë me gjysmë goje, zyrtarët e BE-së gjithnjë pohonin se momentin e caktuar Serbisë do t’i kërkohet njohja e pavarësisë së Kosovës, si dhe mospengimi i anëtarësimit të saj në organizatat ndërkombëtare, përfshirë këtu edhe Kombet e Bashkuara.

Rolin vetëdijesues ndaj Serbisë për qëllimin e fundit të dialogut prej kohësh e kishte marrë Gjermania, si një zëdhënëse më me ndikim e BE-së në vendet e Ballkanit Perëndimor.

Është e vërtetë pra që Serbia ka përparuar më shpejtë, i ka hapur edhe bisedat për anëtarësim, por që në kapitujt e parë të bisedimeve ajo është vënë që të ballafaqohet me çështjen e normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën. Me këtë edhe kushtëzon çdo përparim i mëtutjeshëm të Serbisë drejt anëtarësimit në BE. Dhe kjo krijon mundësinë që edhe Kosova ta zë hapin, aq më parë që njohja eksplicite ose implicite e pavarësisë së Kosovës nga Serbia, do të ndryshonte rrënjësisht situatën, sikundër që do të ndikonte edhe te pesë anëtarët e BE-së që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, që ta ndryshojnë mendjen.

Megjithatë, janë edhe dy faktorë të tjerë madhorë në zhvillimet gjeostrategjike, që kushtëzuan ndërrimin aktual të formatit të dialogut dhe caktimin me urgjencë të një afati njëvjeçar, ose 18 muajsh, për arritjen e marrëveshjes gjithëpërfshirëse dhe obliguese të normalizimit të marrëdhënieve Kosovë–Serbi, që është ajo finale e madhe e dialogut me të cilën të dyja shtetet e hapin portën e BE-së.

Çështja e parë ka të bëjë më krizën e brendshme të BE-së: referendum i Britanisë për dalje nga BE-ja, kriza e euros, borxhi marramendës i Greqisë, fuqizimi i euroskepticizmit dhe nacionalizmave në shumë shtete anëtare të BE-së… Në këtë kontekst edhe vonesave e dialogut Kosovë–Serbi, merr hijen e të qenit pjesë e gjendjes së pasigurisë në tërë kontinentin. Për më shumë, jostabiliteti i Ballkanit perceptohet si bombë me sahat që kërcënon BE-në.

Faktori i dytë kërcënues janë proceset në Evropën Lindore ku Rusia ringjalli ambiciet për ta rikthyer rolin e superfuqisë botërore, pasi që aneksoi Krimenë, e ndau Ukrainën në dysh, patronizoi shkëputjet e pjesëve të territoreve të Gjeorgjisë, intervenoi ushtarakisht në Siri etj.

Po kështu, duke përfituar nga vetoja në Këshillin e Sigurimit që bllokoi Kosovën, Rusia investoi shumë që Serbinë ta fut në orbitën e interesit të saj: bleu të gjitha resurset energjetike të saj, ndërtoi e bazën ushtarake në Nish (e maskuar si “humanitare”), kontrollon mediat serbe etj.). Rusia punoi që të vendos kontrollin edhe mbi Maqedoninë, Malin e Zi dhe Republikën Srpska etj., mbase e udhëhequr me pretendimin që ta kthejë formulën e vjetër të ndarjes së sferave të interesit 50 me 50 % sipas paktit të Jaltës Churchill–Stalin të vitit 1945.

Këto ndërmarrje të Rusisë gjithsesi janë sfiduese për stabilitetin dhe sigurinë e Kontinenti të Vjetër. Ndërkaq në rajonin tonë kjo drejtpërsëdrejti bie ndesh me interesin e BE-së që tërë Ballkani, me gjithë vendet që nuk janë anëtare, konsiderohet si pjesë të BE-së, konfirmuar kjo nga Samiti në Selanik i vitit 2003. Depërtimi i Rusisë në Ballkan kërcënon nëse jo përçarjen, atëherë gjithsesi dobësimin e mëtejmë të BE-së.

Perëndimi dhe NATO aktualisht janë alarmuar nga ambiciet e Rusisë, duke e ndëshkuar me sanksione. Këto zhvillime rreth Rusisë nuk mund të kalojnë pa ndikime edhe në dialogun Kosovë – Serbi, madje edhe duke imponuar dinamikë, format dhe përmbajtje të re.

Pasi që në dialogun paraprak shumica e marrëveshjeve teknike janë realizuar ose të paktën janë draftuar zgjidhjet e tyre, faza e re do të duhej të ishte esencialisht politike, një lloj strategic end game që qëllimin kryesor e ka pengimin e depërtimit të Rusisë në Ballkan.

Unë jam i bindur se edhe marrëveshja finale për normalizimin e plotë të marrëdhënieve Kosovë – Serbi në pikat kryesore tashmë është draftuar. Për të biseduar kanë mbetur disa çështje ku kërkohet arritja e kompromiseve diplomatike statutore që do t’i rrumbullakosnin zgjidhjet tashmë të paralajmëruara me elemente siç janë anëtarësimi i Kosovës në OKB, zbatimi i detyrueshëm i Asociacionit të komunave serbe me kompetenca që nuk janë ekzekutive.

Assesi nuk bëhet për marrëveshje eventuale “kompensuese” çfarë kërkon Serbia duke përmendur ndarjen ose këmbimin e territoreve.

Kosova në këtë end game nuk do të duhej të hynte e përçarë, pa arritjen e një uniteti të shumicës shqiptare.

Kjo mund të arrihet qoftë përmes rikonstruimit të Qeverisë në koalicionit të madh, ku individët duhet të heqin dorë nga sedrat dhe ambiciet personale, qoftë duke autorizuar një ekip të unitetit që do t’i zhvillojë dhe përfundojë bisedimet.

Ky editorial është shkruar në kuadër të projektit të KDI-së ‘Fuqizimi i rolit të kuvendit në mbikëqyrjen e ekzekutivit dhe rritjen e pjesëmarrjes së qytetarëve në këtë proces’ i financuar nga Departamenti Federal i Punëve të Jashtme të Zvicrës. Vëzhgimet e autorit, jo domosdo përputhen me qëndrimet e KDI-së dhe donatorit.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Lu u bën apel të rinjve: Udhëhiqni Shqipërinë drejt së ardhmes

"Unë besoj se Shqipëria do të hyjë në BE dhe do të...
Read More