Finalja në tavolinë e revolucionit demokratik

Nga Arion Sulo

Përtej reagimeve emocionale të militantëve socialistë, që e përjetuan si disfatë tërheqjen e kryeministrit nga Kavaja dhe entuziazmit të demokratëve që festuan deri në tepri në çadër, vendimi i djeshëm i Ramës ka shtuar shpresat për arritjen e një marrëveshjeje mes tij dhe kreut të opozitës.

Pavarësisht ndonjë kostoje të vockël mes mbështetësve të vet më radikalë, Rama bëri një zgjedhje të saktë dje duke çminuar skenarët ekstremë për t’i zëvendësuar ato me negociatat e fundjavës.

Një e diel e tensionuar, ku opozita ishte përgatitur të zbrazte gjithë fuqinë e akumuluar gjatë javësh të tëra përgatitje do të hapte spiralen e një krize të re dhe palët do të projektoheshin në gjetjen e zgjidhjes për 18 qershorin, duke pasur si “road map” precedentin e Kavajës.

Duke pranuar në tavolinë humbjen e betejës së Kavajës (nëse ishte ndonjëherë e tillë),Rama lëvizi në të vërtetë drejt fitores ‘së luftës’, që në këtë rast do të ishin zgjedhjet normale me opozitën pjesë të tyre.

Shmangia e incidentit të Kavajës rihap sakaq mundësinë e rinisjes së bisedimeve, të cilat edhe pse deri tani pa rezultat arritën të krijonin një dialog të pandodhur më parë mes Ramës dhe Bashës.

Dështimi i dy raundeve të fundit, që erdhi pasi kryeministri ofroi monitorimin e zgjedhjeve nga njerëz të opozitës nga brenda qeverisë  tregoi se  zgjidhja e vetme mbetet rikthimi në axhendë i marrëveshjes së David McAllister, të cilën me gjithë refuzimin formal të Bashës, shumë aleatë dhe njerëz pranë tij e kanë cilësuar si të pranueshëm.

Ndonëse nuk kënaq asnjërën palë plotësisht, pakti i beniaminit të Merkel arrin t’i fusë me dinjitet në zgjedhje bujtësit e çadrës dhe lidershipin e tyre. Ai shtyn datën e zgjedhjeve dhe krijon një qeveri pothuajse teknike, pa përmendur ndryshimet në ligjin e zgjedhjeve dhe dhënien e kreut të KQZ si garanci më të madhe në monitorimin e procesit.  Me lënien e retorikës mënjanë- çka vlen për  militantët e zjarrtë , pakkush në opozitë besonte se protesta do të prodhonte marrëveshjen që Basha nuk pranoi as ta diskutonte me counterpartin e vet në Pallatin e Kongreseve.

Me rimarrjen e atij propozimi, pjesë të cilit është edhe zgjidhja e krizës së vettingut, opozita konfirmon para publikut se faulli i qeverisë me kanabisin është një kauzë reale dhe pakti i BE është ndëshkimi për mazhorancën. Ndërsa me votimin e vettingut iu heq kundërshtarëve alibinë se frika nga drejtësia është në të vërtetë thelbi i protestës.

Me gjithë euforinë e djeshme pas tërheqjes së Ramës , Basha është i ndërgjegjshëm se Shqipëria nuk është Kavaja dhe  qëndrimi i deritanishëm ndaj zgjidhjes së McAllister nuk shkon në sinkron me numërimi mbrapsht të kohës, presionin e aleatëve si dhe me pasojat e aventurës së një ndërmarrjeje jashtë zgjedhjeve.

Nga ana tjetër, “paketa Rama” është e papërshtatshme për të zgjidhur ngërçin. Duke ardhur nga qeveria, ajo nuk ka së pari besueshmërinë e autorëve të paanshëm si dërgata e BE. Së dyti, pas bërjes publike të diskutimeve në Presidencë, e drejta në opinion publik kaloi nga opozita, sepse kryeministri ofroi më pak se sa premtoi të diskutonte në tryezën me europianët, sidomos kur u tregua absolutist për  mosshtyrjen e datës së zgjedhjeve.

Tërheqja e djeshme e Ramës për Kavajën ishte një reagim në favor të stabilitetit në momente delikate. Por sot do të ishte  zhgënjyese nëse vijonte me pazarin e zv.ministrave dhe teknikaliteteve pa brendi, në vend të  propozimeve për zgjidhje politike të ndryshimit të qeverisë dhe miratimit të vettingut.

Argumenti se një ofertë e 10 ditëve  më parë nuk është më tani fut ujë, siç fut ujë edhe krahasimi me lojën e shahut. Edhe pse një lojë inteligjente shahu mbetet mjet argëtues, ajo është shumë larg qëllimit të vërtetë  të politikës, e për më tepër, kur kryeministri është i interesuari i parë për ta patur opozitën përballë në zgjedhje!

Shkruar Nga
More from revista mapo

Feminizmi gabon: femra dëshiron të jetë objekt

Nga Klementin Mile Kënga La bambola e këngëtares italiane Patty Pravo do...
Read More