Financimi i mediave shqiptare nga Greqia, Athina nis hetimet. Idrizi: Meta të mbledhë Këshillin e Sigurisë

Robert Goro raporton për Ora News se Prokuroria e Athinës ka urdhëruar fillimin e hetimeve pas publikimit se fonde sekrete të Ministrisë së Jashtme janë përdorur për të financuar media në Shqipëri dhe Maqedoni. Në pozicionin e të dyshuarit është portali “iefimerida.gr”. Sipas portalit, hetimet do të bazohen në nenin 146 të Kodit penal, “mbi shkeljen e sekreteve të shtetit”.

Në një editorial portali mbron vetëveten, duke shënuar se çështja e fondeve sekrete u hap fillimisht nga ministri i Jashtëm dhe ai i Mbrojtjes, gjatë debatit që zhvilluan në mbledhjen e qeverisë, ditën e martë.

Pas këtij debati, “iefimerida” publikoi një shkrim bazuar mbi dëshmi deputetësh. Sipas shkrimit, më 10 tetor, në kryesinë e parlamentit ishte shqyrtuar fatura e fundit e ministrisë së jashtme, me vlerë 1 milionë euro. Arsyetimi që shoqëronte alokimin e këtij fondi, ishte se qe përdorur për të financuar media në Shqipëri e Maqedoni, si dhe për të mbështetur kisha ortodokse jashtë Greqisë.

Zërat për shpërdorime të fondeve sekrete në Greqi, datojnë që në fillim të viteve 1990.

Sipas ligjit, janë disa ministritë që kanë fonde sekrete: “pjesa e luanit” i përket Ministrisë së Jashtme.

Siç raporton portali “i.gr”, është mjaft e vështirë për të mos thënë e pamundur, të mësohet adresimi i saktë i parave që jepen nga fondet e fshehta. Madje këtë nuk e di as komisioni prej pak anëtarësh i parlamentit. Raporti përmban vetëm shumën dhe qëllimin se përse u paguan ato para. Kjo, shton portali, do të thotë se vetëm ministri (dhe me gjasë dy tre bashkëpunëtorë të ngushtë të tij), e dinë se ku saktësisht shkojnë paratë. Askush tjetër.

Në 2012, kur kryeministri Tsipras ishte lider i opozitës, paditi ministrinë e jashtme greke për keqpërdorim të fondeve sekrete. Sipas akuzës, paratë nuk ishin përdorur për promovimin e interesave kombëtare, po për qëllime të tjera. Mirëpo hetimet nuk dhanë ndonjë rezultat.

Ndërsa Kreu i PDIU-së, Shpëtim Idrizi, në një konferencë për shtyp ka komentuar blerjen e mediave shqiptare nga shteti grek. Idrizi e ka cilësuar gjëndjen alarmante teksa ka kërkuar nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta të mbledhë Këshillin e Sigurisë Kombëtare për të hetuar fondet e derdhura nga shteti fqinj “për të manipuluar opinionin publik”.

“Kanë ndërhyrë në çështjet e brendshme të Shqipërisë. Sa e sa gazetarë e media kanë stigmatizuar me tallje çamët. Nuk jemi në komunizëm, por sot, shumë media heshtin. Ne ngrejmë zërin kur nderohen varrezat e ushtarëve grekë, ata heshtin. Disa heshtin dhe disa stagmatizojnë. Kur dalin eksponentë të lartë grekë me flamurin, asnjë nuk flet. Një pjesë e mediave hesht se është e blerë. Ne jemi në emergjencë kombëtare. Kërkojmë nga Presidenti të mbledhë urgjentisht Këshillin e Sigurisë Kombëtare. Vetëm në një muaj janë vënë mbi një milion euro, po në shumë vite sa është kjo shumë? Kërkojmë nga Presidenti të zbulojnë qëllimin real të manipulimit të opinionit publik”, u shpreh ai.

Idrizi ndër të tjera kërkoi nga Kryeprokurorja e Përkohshme e Përgjithshme, Arta Marku të nisë hetimet. Kreu i PDIU-së e cilëson skandal heshtjen e organit të akuzës, në një kohë që prokuroria në Athinë po heton për nxjerrje të sekretit grek.

“Janë një milion euro për një muaj. Nëse nuk shtrohet si një prioritet për sigurinë kombëtare. Çfarë po bën prokuroria e Shqipërisë kur ajo e Athinës po heton për nxjerrje të sekretit grek”, u shpreh ai.

Shkruar Nga
More from Redaksia

Humbja ndaj Beneventos, Gattuso i turpëruar: Falje tifozëve

  Po ashtu si në fazën e parë, Benevetos e turpëroi sërish...
Read More