Financimi i partive, mbartësi i të gjitha problemeve në politikën shqiptare

Nga Ervis Iljazaj

Politika shqiptare ka shumë probleme, me korrupsionin, me drejtësinë, me ekonominë, me konkurrencën e drejtë dhe meritokracinë, por problemi bazë që sjell të gjitha këto pasoja është padyshim, mënyra e financimit të partive politike.

Nëse për të zhvilluar aktivitetin e tyre normal gjatë fushatës zgjedhore apo për funksione të ndryshme, aktivitete të cilat sot kanë një kosto të lartë, dhe buxheti i shtetit iu mbulon atyre vetëm 20 për qind të kostove, atëherë pjesa tjetër që financon ato, do të vijnë medoemos nga para jashtë sistemit, që shpeshherë kanë burime klienteliste ose kriminale.

Në këtë kuptim, të gjitha këto para që financojnë partitë politike në mënyrë jo të ligjshme dhe kriminale, deformojnë tenderat publikë, krijojnë ekonomi kriminale, dhe të gjitha pasojat të cilat kanë ato në sistemin politik dhe shoqëror shqiptar.

Për këtë arsye, rasti i kontratës së lobimit të Partisë Demokratike, përtej faktit nëse është sponsorizuar nga rusët apo jo, gjë e cila është detyrë e prokurorisë, duhet të shërbejë për të zhvilluar një debat të plotë për këtë çështje. Debat të cilin, partitë politike vetë nuk kanë për ta bërë ndonjëherë, pasi duket qartë që ka një konsensus të heshtur midis palëve për mënyrën e financimit që u intereson.

Edhe debatet që zhvillohet për rastin e Partisë Demokratike, zhvillohet në një mënyrë të pandershme, pasi të gjithë e dimë, që nuk është e vetmja parti e cila financohet dhe nuk i deklaron të gjitha ato, por është një praktikë që ndodh me të gjitha partitë politike shqiptare. Nuk është rasti të themi që sistemi funksionon siç duhet, dhe kjo e Partisë Demokratike është për t’u vënë nën akuzë sepse është përjashtim dhe shkelje ligji.

E kundërta është e vërtet, sistemi i financimit të partive politike, është një sistem më së shumti okult dhe që ka dështuar plotësisht. Ka dështuar mënyra e financimit, ka dështuar dhe mënyra e kontrollit.

Kështu që, nëse duam vërtet ta zgjidhim në gjenezë këtë problem, duhet me patjetër të reformojmë të gjithë skemën e financimit.

Në radhë të parë, duhet të pranojmë në mënyrë të sinqertë, që partitë politike shqiptare sot, por edhe politika në përgjithësi, buxhetit të shtetit i kushton pak, në krahasim me kostot reale të aktiviteteve të tyre. Partitë politikë funksionojnë me anë të lobimeve, me anë të fushatave zgjedhore, fushata të cilat sot, nuk janë njëherë në katër vite, por janë konstante, në çdo kohë. Në këtë kuptim për të garuar me kundërshtarët kanë nevojë për financime, dhe nëse ato nuk janë mjaftueshëm nga sistemi ligjor, me patjetër do të vijnë nga ai joligjor, me të gjitha pasojat që ai ka. Kështu funksionon demokracia dhe gara për të fituar pushtetin.

Në radhë të dytë, mënyra e kontrollit të financimeve është plotësisht e dështuar, pasi ata që kontrollojnë këto financime, janë njerëz të cilët zgjidhen po nga këto parti, prandaj ka nevojë urgjente për një ent administrativ të pavarur nga politika që të kontrollojë në mënyrë efikase këto financime. Modelet janë të ndryshme, mjafton të marrë si shembull atë francez, gjerman apo britanik dhe ta aplikojmë në politikën shqiptare.

E rëndësishme është, që të pranojmë që sot partitë politike janë të financuara në mënyrë të pamjaftueshme nga paratë ligjore, dhe si pasojë kërkojnë mjete të tjera, që shpesh kanë burime kriminale.

Partitë politike janë institucionet më të rëndësishme në rendin kushtetues shqiptar. Janë ato që sigurojnë përfaqësimin politik, janë ato që përcaktojnë politikat kombëtare, janë ato që shpesh zgjedhin pushtetet e tjera. Në këtë kuptim, për hir të demokracisë dhe garës normale të saj, buxheti i shteti duhet t’i financojë në mënyrën më të mjaftueshme të mundshme, për të garantuar demokracinë dhe kostot që ajo mbart. Në të kundërt, le të legalizojmë lobimet, dhe t’iu japim fund njëherë e mirë hipokrizive. Të paktën, në këtë mënyrë, çdo lidhje klienteliste do jetë transparente.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Ksenofon Krisafi: Kur luftoja në Gjenevë për fatet e Kosovës

Në kuadër të kremtimeve të 10-vjetorit të pavarësisë së Kosovës, profesori i...
Read More