Fiqtë, sekretet dhe vlerat e tyre befasuese

Fiqtë janë të pasur me sheqerna natyrale, minerale dhe fibra të tretshme. Ata janë të pasur me potasium, kalcium, magnesium, hekur, si dhe janë një burim i mirë me antioksidantë, me vitaminë A, E dhe K që kontribuojnë në shëndet dhe mirëqenie

Disa ushqime kanë aftësinë për të të bërë menjëherë nostalgjikë. Edhe aroma më e lehtë mjafton që të zgjojë kujtime të njerëzve apo vendeve. Dhe nga të gjitha produktet, fiqtë janë ata që na ngjallin më shumë kujtime veçanërisht nga fëmijëria teksa kacavirreshim nëpër pemë për të kapur fiq. Por, ajo që nuk dinim e ndoshta shumë prej nesh nuk e dinë akoma, është se fiqtë janë një burim shumë i pasur me fibra dhe plot me vitamina e minerale. Të konsideruar si një nga frutat më të vjetra në botë, fiqtë datojnë që në dokumentet e para historike. Mendohet se origjina e tyre është në Lindjen e Mesme dhe në Mesdhe ku kishin një rëndësi aq të veçantë, sa që grekët nxorën edhe një ligj që të ndalonte eksportimin e fikut.

Vlerat ushqyese

Fiqtë janë të pasur me sheqerna natyrale, minerale dhe fibra të tretshme. Ata janë të pasur me potasium, kalcium, magnesium, hekur, si dhe janë një burim i mirë me antioksidantë, me vitaminë A, E dhe K që kontribuojnë në shëndet dhe mirëqenie. Rreth 100 gramë fiq të thatë kanë afërsisht rreth 249 kalori, 3.3 g proteina, 0.9 g yndyra, 68 g karbohidrate dhe 5.6 g fibra. Ndërkohë që 100 gram fiq sezoni kanë afro: 80 kalori, 1.3g proteina, 0.3g yndyra, 20.3g karbohidrate dhe 2.2g fibra.

Fiqtë shpesh rekomandohen për të ushqyer dhe tonifikuar stomakun, pasi vepron si një laksativ natyral për shkak të nivelit të lartë të fibrave që përmban. Shumica prej nesh konsumojnë shumë sodium (kripë) që gjendet në ushqimet e përpunuara. Niveli i lartë i sodiumit mund të çojë në zvogëlim të potasit në organizëm dhe kjo mungesë balancimi mes këtyre dy mineraleve mund të çojë në probleme të hipertensionit (presioni i lartë i gjakut).

Një dietë e pasur me fruta dhe zarzavate, duke përfshirë këtu dhe fiqtë e freskët, e rrit në mënyrë natyrale nivelin e potasiumit, duke ndikuar në uljen e presionit të gjakut. Duke qenë se janë të pasur dhe me shumë fibra, fiqtë janë një ushqim shumë i dobishëm për t’u përfshirë në dieta, sidomos për ata që duan të bien në peshë, duke qenë se ushqimet që janë të pasur me fibra të lënë më gjatë ndjesinë e ngopjes. Fiqtë gjithashtu përmbajnë dhe prebiotikë, që ndihmojnë bakteret e mira që ndodhen në stomak, duke përmirësuar kështu aparatin tretës. Ata janë një frutë i pasur edhe me kalcium, që është thelbësor në densitetin e kockës, duke ndihmuar veçanërisht në uljen e rrezikut ndaj osteoporozës.

Zgjedhja

Sezoni i fiqve të freskët është nga vera deri në vjeshtë, në varësi të varieteteve. Fiqtë janë shumë delikatë dhe këshillohet që të konsumohen brenda një ose dy ditësh, pas blerjes. Kur t’i blini, zgjidhni ata që janë më të mbushur dhe të butë dhe që kanë një ngjyrë të fortë dhe pa çarje. Fiqtë e pjekur mirë, kanë një shije shumë të ëmbël dhe mund të mbahen në frigorifer për dy ditë. Ndërkohë që fiqtë e thatë mund të rezistojnë shumë më gjatë. Ata mund të mbahen në një vend të errët ose në frigorifer. Fiqtë mund t’i hani me lëkurë ose mund t’i qëroni, kjo dhe në varësi të trashësisë së lëkurës dhe të preferencave tuaja sigurisht.

 

Gjethet e Fikut për Diabetin dhe Tensionin e Lartë

Gjethet e fikut mund të transformohen në një ushqim të shijshëm dhe plot avantazhe shëndetësore. Fiku është një frutë i shijshëm dhe i ëmbël i familjes botanike ku bëjnë pjesë edhe manat. Fiqtë mund të hahen të freskët, të thatë, të pjekur në furrë ose në zgarë. Fiqtë shoqërohen nga gjethe me ngjyrë të gjelbër të çelët me një formë shumë të veçantë. Ekspertët i përshkruajnë këto gjethe si të pasura me vlera ushqyese dhe shëndetësore. Në fakt, gjethet e fikut mund të transformohen në një ushqim të shijshëm dhe plot avantazhe shëndetësore. Ngrënia e gjetheve të fikut ofron një sërë përfitimesh shëndetësore, sidomos kundër diabetit. Nëse një pacient që vuan nga kjo sëmundje konsumon gjethet e fikut atëherë do të vërë re një ulje në sasinë e insulinës të nevojshme për organizmin. Në këtë mënyrë, pacienti mund të injektojë më pak insulinë, një proces i kushtueshëm që zgjat në kohë. Gjethet e fikut konsumohen në formën e çajit por edhe si pjesë e sallatave të ndryshme. Po kështu gjethet e fikut ulin nivelin e triglicerideve, yndyrat e akumuluara në organizëm. Ndonëse një pjesë e triglicerideve janë të nevojshme për shëndetin dhe funksionet e trupit, një nivel i lartë i tyre rrit ndjeshëm rrezikun e shfaqjes së obezitetit dhe sëmundjeve të zemrës. Vaktet e pasura me gjethe fiku pakësojnë këto rreziqe duke ulur nivelin e triglicerideve. Gjethet e fikut përdoren në një sërë kurash shëndetësore të përgatitura në shtëpi. Ekspertët rekomandojnë përdorimin e këtyre gjetheve kundër kushteve të ndryshme shëndetësore si bronshiti dhe ulçera. Çaji me gjethe fiku është i dobishëm për problemet kardiovaskulare dhe njerëzit që vuajnë nga tensioni i lartë i gjakut. Për përgatitjen e këtij çaji, ziejini gjethet në ujë për 15 minuta. Mund të përdorni gjethe të njoma por edhe të thata. Nëse vuani nga bronshiti zieni tre gjethe fiku nëse dëshironi mund ta ëmbëlsoni me pak mjaltë, ndërsa për ulçerën duhet të përtypni dhe të konsumoni dy gjethe të plota fiku në ditë.

Burimi: Agroweb

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Nis hetimi i Tahirit, mazhoranca tenton zvarritjen

Kreu i Komisionit Hetimor Parlamentar “Tahiri”, Edi Paloka, ka paralajmëruar padi për...
Read More