Fitorja e Ramës i vetëm sjell reformimin e të gjitha grupimeve politike

Nga Ervis Iljazaj

Edi Rama e fokusoi betejën e tij gjatë fushatës elektorale mbi mënyrën e qeverisjes dhe jo te përmbajtja e saj. Duke kërkuar qeverisjen i vetëm kërkoi me kurajë ndryshimin e sistemit politik dhe me sa duket populli shqiptar i besoi për këtë. Në raport me kundërshtarët politikë, Rama kishte një sjellje dhe një strategji politike superiore. Po ashtu, aftësia e tij komunikuese në përcjelljen e mesazhit te qytetarët në mënyrë të drejtpërdrejtë ishte një nga armët e tij kryesorë që e shpallën fitues.

Pas shumë vitesh, për herë të parë do të kemi një parti politike që do të qeverisë e vetme. Ky është një element pozitiv për sa i përket përgjegjësisë dhe llogaridhënies që janë thelbësore për një demokraci, aq më tepër kur përballë gjendet një opozitë më e fortë se kurrë për sa i përket numrave.

Megjithatë, kjo fitore e padiskutueshme dhe e thellë e Partisë Socialiste kundrejt alternativave të tjera politike bën të domosdoshme një ristrukturim të të gjithë aktorëve të tjerë për të konkurruar me të në garat e ardhshme elektorale, në të kundërt duhet të përgatitemi për një qëndrim të gjatë të saj në qeverisjen e vendit.

Një nga elementet e këtyre zgjedhjeve është rezultati i dobët i partive të reja politike, të cilat u paraqiten si një alternativë shpresëdhënëse, por që në fakt rezultuan dështimi më i madh. Ky rezultat, duke filluar me LIBRA-n e Ben Blushit nuk duhet të ndërpresë tentativën për të krijuar mundësi të reja përfaqësimi që duhet të bazohen vërtet në parime që vijnë të ngjizura nga qytetarët dhe jo si vendime personale të politikanëve të caktuar.

Gjithashtu, mbetet për t’u parë se çfarë sjelljeje politike do të ketë Lëvizja Socialiste për Integrim dhe PDIU në të ardhmen. Me qëndrimet e tyre të pavendosura që i ka karakterizuar duke kaluar sa një kah dhe në një kah tjetër politik ka qenë një nga arsyet kryesore për mungesën e një bipolarizimi të qartë që bazohet mbi vlera, parime dhe ide dhe jo në llogari të mirëfillta pushteti. Andaj sjellja dhe qëndrimet e tyre në të ardhmen do të jenë të rëndësishme për sistemin politik shqiptarë.

Por, më e rëndësishme mbetet reformimi i Partisë Demokratike, që është dhe partia kryesore e opozitës. Për shumë vite me radhe, kjo parti ka patur një drejtim unicentrik, që bazohej në personalitetin e fortë dhe karizmën e liderit të saj Sali Berisha. Personalitet, që përtej faktorëve të tjerë ka rezultuar si një katalizator i të gjitha ndasive dhe ka shërbyer për fitoret e saj. Tashmë që Sali Berisha nuk mund të drejtojë atë parti, ky model nuk mund të ushtrohet më. Andaj, kushdo që do të fitojë garën e hapur për Kryetarë të saj mbas humbjes së zgjedhjeve duhet të ndryshojë tërësisht model. Partia Demokratike ka nevojë, nëse vërtet kërkon të përballojë një qeveri të fortë si ajo që doli nga zgjedhjet, të kalojë nga një model i përqendruar te një person te një model i cili duhet të përfaqësojë shumë rryma dhe ndjesi të ndryshme. Që nga liberalet, konservatorët dhe të moderuarit për të krijuar kështu një alternativë të qartë të djathtë duke u larguar nga populizmat dhe duke rikthyer parimet e saj të vërteta.

Fitorja e Partisë Socialiste e vetme, me siguri do të detyrojë të gjithë aktorët dhe faktorët politikë të shkojnë drejt një reformimi. Ky rezultat, përtej elementëve pozitivë të ekuilibrimit politik midis pushteteve, ka sjellë domosdoshmërinë e krijimit të alternativave politike të qarta në favor të interesit publik.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Ah moj Vojsava, që na prishe mendsh me këtë origjinën tënde!

Një deklaratë e analistit Mustafa Nano se nëna e Skënderbeut është serbe...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published.