Fituesi i “The Voice” zgjedh UET

Talenti në muzikë Klinti Çollaku merr bursë talenti nga Universiteti Europian i Tiranës: Zgjodha Menaxhim Biznes që të bëj karrierë si muzikant dhe menaxher në tregun muzikor

Të emocionosh njerëzit, të depërtosh në ndjenjat e tyre, t’i bësh të përjetojnë dashurinë, lumturinë, trishtimin, shpresën, nostalgjinë… Kjo nuk është diçka që mund ta bëjnë të gjithë.

Klinti Çollaku është pikërisht ndër ata të bekuar, me një talent të madh, që mund të emocionojë këdo që dëgjon tingujt e zërit të tij.

I lindur në Peqin, por banues prej kohësh në Tiranë, Klinti ka qenë gjithnjë djali i dashuruar me muzikën. Ai e ka shfaqur talentin e tij që në moshë të vogël, me pjesëmarrjen në kompeticione të ndryshme muzikore, ku ndër më të rëndësishmit ka qenë edhe “Gjeniu i Vogël”.

Në vitin e fundit të gjimnazit Klinti mori pjesë në talent show-n e njohur “The Voice of Albania” ku u shpall fitues, nga votat e publikut, që duket se vlerësimin dhe dashurinë për këtë talent të ri të skenës shqiptare, e ka gjithnjë e më në rritje. I komplimentuar dhe vlerësuar nga trajnerët e “The Voice”, Klinti duket se ka potencialin për të qenë ndër artistët më të mirë të ditëve të sotme, në Shqipëri por pse jo edhe ndërkombëtarisht.

Të qenit pjesëmarrës në një garë të tillë impenjuese, ku duhej punuar fort për fitoren, por njëkohësisht të qenit maturant nuk ka qenë një sfidë e lehtë, por Klinti e ka përballuar mjaft mirë atë.

“Luftova shumë për fitoren dhe fakti që ia dola është një ndjenjë shumë e mirë. Çuditërisht ia kam dalë mbanë me sukses edhe në shkollë. Rezultatet e provimeve, deri më tani janë shumë mirë. Jam mjaft i lumtur për këtë gjë”, shprehet ai.

Tashmë që gjimnazi përfundoi, Klinti zgjodhi UET për të vazhduar më tej rrugën e tij drejt dijes.

“Zgjodha UET sepse më duket një universitet me cilësi shumë të mira, që më jep shumë mundësi që të ndjek gjithashtu edhe ëndrrat e mia dhe pasionin për muzikën. Di që këtu ka klube studentore dhe mundësi të shumta në të cilat këngëtarët mund të aktivizohen dhe angazhohen. Ndërkohë në UET kam mundësinë që të vazhdoj karrierën time dhe të rritem profesionalisht me projektet që kam ndërmend të realizoj”.

Dega që ai ka zgjedhur të studiojë është Menaxhim Biznesi. Këtë gjë e shpjegon me dëshirën që ka për t’u vetëmenaxhuar në të ardhmen, në karrierën e tij muzikore.

“Dëshiroj të menaxhoj vetveten. Duke patur talent muzikën ke një plus që nuk e kanë të tjerët dhe mund të ndjekësh edhe shkollën edhe muzikën, ndaj zgjodha një degë që nuk ka lidhje drejtpërdrejt me këtë të fundit. Këngëtarët më në zë dhe më të mirë të momentit, nuk kanë ndjekur një shkollë të mirëfilltë muzike, kjo besoj, sepse muzika nuk ka të bëjë aq me shkollën sa ka të bëjë me ndjenjën. Mezi po pres të filloj këtë eksperiencë të re emocionuese, më pëlqen dega që kam zgjedhur, më duket mjaft interesante dhe e bukur dhe dëshiroj të mësoj sa më shumë rreth saj”.

Nisur nga talenti që Klinti ka shfaqur deri më tani, UET i ka akorduar atij një bursë, të plotë, talenti.

“Është një vlerësim i madh për talentin tim. Kur erdha këtu, nuk e dija që do të fitoja këtë bursë. Jam i surprizuar pozitivisht nga mikpritja e Universitetit Europian të Tiranës. Ndihem shumë mirë që do të studioj këtu”.

Ndërkohë për sa i përket të ardhmes së tij në tregun muzikor, Klinti është mjaft pozitiv. Ka në plan të marrë pjesë edhe në kompeticione të tjera në të cilat mund të shfaqë identitetin nëpërmjet këngëve të tij. Gjithashtu, pse jo, të sjellë një këngë të kompletuar bashkë me videoklip. Ndonëse muzika sot anon drejt asaj komerciales, Klinti e gjen veten mirë te muzika e lehtë.

“Unë e gjej veten, siç e kam shprehur dhe në “The Voice” me performancat e mia, te muzika e lehtë, tek ajo muzikë që ka një tekst. Dhe njerëzit për këtë më vlerësuan dhe më duan. Njerëzit kanë nevojë që nëpërmjet këngës dhe muzikës të jepet një mesazh. Thjesht një muzikë e bukur nuk mjafton…
Unë dëshiroj të realizoj këngën time, të them fjalën time. Në rast se njerëzit do të më mbështesin siç po e bëjnë, do ishte shumë e mrekullueshme”.

Me një talent dhe ndjeshmëri të tillë, padyshim që në një të ardhme të afërt, Klinti Çollaku do të jetë ndër artistët më në zë në skenën muzikore.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Festivali te Marubi, Çashku: Ku lëviz sot dhuna, terrori, apo shkelja e të drejtave të njeriut…?!

Me projektimin e dokumentarit “Dugma: The Button”, me regji të Pal Refsdal,...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published.