Fituesi Onufri XIII: Artistja malazeze që koleksionon impulse të memories

Shpallet fituesi i ekspozitës ndërkombëtare “Onufri XXIII”, me koncept kuratorial Au fil du temps – Kujtesë kolektive, kujtime personale, kuruar nga Gaetano CentroneArtistja fituese është Jelena Tomasevic nga Mali i Zi, për veprën Mixed Memor, në mix media, e vlerësuar nga juria si puna më e arrirë e kësaj ekspozite.

Artistja nga Mali i Zi Jelena Tomaseviç është shpallur dje, fituese e edicionit të 23-të në ekspozitën ndërkombëtare “Onufri”, me veprën “Mixed memor”, e vlerësuar nga juria si puna më e arrirë e konkursit. Duke iu referuar konceptit kuratorial të këtij viti “Au fil du temps- Kujtesë kolektive, kujtime personale”, për jurinë e përbërë nga tre artistë Lumturie Blloshmi, Greta Lami dhe Ledia Kostandini – shfaqja e sjellë në mix media nga artistja malazeze ka ngacmuar në përshkrimin e këtij motivacioni: “Jelena Tomasevic arrin të përcjellë një kolazh eksperiencash njerëzore nëpërmjet narracionit dhe metaforës, në një tablo të gjerë përjetimesh. Ajo koleksionon impulset që i ofron memoria. Tomaseviç filtron eksperiencën kolektive përmes një gjuhe figurative tejet simbolike, duke ofruar qëndrimin e saj personal ndaj fenomeneve të ndryshme sociale”. ​ Tomaseviç ka një proces pune të veçantë, shfaqur edhe në këtë konkurrim në mix media: instalacion në mur, qelq, dru dhe letër. Ato janë skicime dhe fotografi me vizione pothuaj periferike. Disa prej tyre janë ngarkesa surreale, figura e objekte, herë dhe brutale që qëndrojnë në vende të bardha të papërcaktuara. Në fakt ky është dhe gjithë “politika” figurative e punëve të saj, dhe nga ana tjetër ajo krijon imazhe stereotipike të feminitetit dhe ankthit, që rezultojnë nga presioni shoqëror. Këto fragmente që na vijnë tek Onufri si duket shkojnë drejt këtyre përjetimeve, edhe pse e “detyruar” t’ia përshtatë këto punë “kujtesës” kolektive të sugjeruar nga kuratori Gaetano Centrone. Për artisten malazeze punët e saj pothuaj janë fragmente kujtese, ëndrrash absurde, ironike, melankolike dhe me humor, krijimtari e “qëllimshme” për të çuar vizitorët në botën e spektaklit, dhe si artisti tregon “botën e kujtesës kolektive”. Me këtë vlerësim në Tiranë, Tomaseviç përveç trofeut, shkon në vendin e saj e vlerësuar edhe financiarisht me shumën prej 300 000 (treqind mijë) lekësh. Në këtë edicion të Ekspozitës Ndërkombëtare “Onufri” morën pjesë dhjetë artistë nga vende të ndryshme të botës: Zeni Ballazhi, Adi Haxhiaj, Koja, Perino & Vele, Leonard Qylafi, Calixto Ramírez, Jelena Tomasevic, Vangjush Vellahu, Alketa Xhafa Mripa, Fani Zguro. Ekspozita “Onufri XXIII”, do të qëndrojë e hapur për publikun deri më datë 30 Janar 2018.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Ministrat teknikë japin dorëheqjen, por nuk largohen nga qeveria

Ministrat teknikë të propozuar nga PD në bazë të marrëveshjes së majit...
Read More