Fizioterapi për trajtimin e hernies diskale, si lehtësohen dhimbjet

Duhet të besoni një Fizioterapist për të trajtuar hernien diskale sepse kjo është shkenca e rehabilitimit fizik që konsiston në rikthimin e funksioneve të humbura. Në të përdoren teknika dhe metoda të ndryshme të cilat japin një rezultat tepër të mirë

Hernia Diskale fillon pas moshës 30 vjeç dhe ndikim tepër të madh duket se ka profesioni. Kjo sëmundje prek sidomos personat që kryejnë punë të cilat shoqërohen me përkulje të trupit, rrotullime në mënyrë anormale, shoferët, si dhe ata që punojnë në zyrë. Shfaqet edhe nga traumat e mikrotrauma; sikurse janë rrëzimet nga lartësitë, të cilat mund të japin një shfaqje klinike pas disa vitesh. Por kujdes, mos e neglizhoni! Fitim Sinani, fizioterapist, thotë se hernia diskale mund të shkaktohet edhe nga tumore, inflamacione dhe sëmundje degjenerative. Fizioterapisti shpjegon se për hernien diskale ekzistojnë disa mënyra të trajtimit: konservativ dhe kirurgjikal. Por vendimmarrja për mënyrën e trajtimit i takon gjithmonë specialistit të mjekësisë, bazuar edhe në problemin e  gjetur te pacienti. Veçanërisht për këtë patologji, fizioterapia, shkenca e rehabilitimit fizik që konsiston në rikthimin e funksioneve të humbura, përdor teknika dhe metoda të ndryshme të cilat japin një rezultat tepër të mirë.

Çfarë është Hernia Diskale?

Të gjithë kemi një makinë që e ngasim, madje kemi dhe njohuri për disa pjesë të saj. Kështu mund të keni dëgjuar për amortizatorët (si sustë dhe hekur) që vendosen në pjesën e gomave dhe që kanë si funksion që pesha e makinës të mos bjerë e gjitha mbi gomë, por kjo peshë të amortizatohet, pra të lehtësohet. Po kështu dhe në trupin e njeriut, midis kockave (vertebrat) e kurrizit gjendet një amortizator që quhet disku intervertebral, i cili përbëhet nga pjesa e hekurt (anulus fibrosus) dhe susta (nucleus pulposis). Kur pjesa e hekurt (anulus fibrosus) dëmtohet, kemi si rezultat daljen e sustës (nucleus pulposis) jashtë e cila ushtron komprimim në struktura të tjera. Por është ironike që njeriut kur i prishet makina, e dërgojnë shpejt te mekaniku, ndërsa kur iu prishen pjesët e trupi të tij, reagojnë aq shpejt sa shkojnë te mjeku në fazën e fundit të dhimbjes.

Pse ndodh dhe nga se shkaktohet?

HD (hernia diskale) është një patologji që fillon pas moshës 30 vjeç. Një ndikim tepër të madh ka profesioni, kjo lidhet me pozicionin e trupit gjatë kohës së punës. Punë të cilat shoqërohen me përkulje të trupit, rrotullime në mënyrë anormale (pa lëvizur këmbët), ngritje peshe nga pozicione anormale, qëndrimi për një kohë të gjatë ulur (shoferët, punët në zyrë), dobësimi i muskujve të pasmë të kurrizit, por shpesh ndikojnë edhe traumat e mikrotrauma siç janë rrëzimet nga lartësitë, të cilët mund të japin një shfaqje klinike pas disa vitesh. Gjithashtu, Hernia Diskale mund të shkaktohet edhe nga tumore, inflamacione, sëmundjet degjenerative etj.

Cilët janë më të rrezikuarit?

Shpesh kjo patologji quhet dhe si sëmundje profesionale, sepse haset shpesh te shoferët. Hernia Diskale bëhet më e pranishme me rritjen e moshës si rezultat i plakjes së diskut intervertebral (amartizatorit), personat obezë, personat e gjatë (M>180 cm, F>170 cm), femrat shtatzëna, individët që punojnë në ndërtim, që bëjnë punë fizike të rëndë, mungesa e aktivitetit fizik çon në dobësimin e muskujve të shpinës duke u bërë kështu një nga shkaqet për fillimin e sëmundjes.

Faktorët që e rrezikojnë?

Shkaqet të cilët rrisin riskun për zhvillim të saj janë si; lëvizjet përkulëse, rrotulluese të trupit, duhanpirja, dobësim i muskujve të shpinës dhe shumë faktorë të përmendur më lart.

Si paraqitet, simptomat e saj?

Klinika e kësaj patologjie varet nga dëmtimi, nga grada e saj, nga drejtimi i daljes së nucleus pulposis. Ajo mund të ndodhë në disa nivele por më e shpeshtë është në pjesën qafës (Cervikale) dhe në pjesën mesit (lumbare). Njerëzit vuajnë më shumë nga Hernies Diskale lumbare. Në gradët më të lehta ajo paraqitet me dhimbje në pjesën e mesit, duke mos u përhapur në regjione të tjera, në momentin kur HD është disi e agravuar, kemi prekje dhe irritim të rrënjës nervore, dhimbjet kanë intensitet më të lartë. Dhimbjen e kemi në bazë të nivelit të dëmtimit, kjo përhapet në disa zona, duke filluar nga pjesa e mesit, në vithe, në kofshë, qoftë në pjesën e përparmë, ashtu dhe të pasme. Më e zakonshmja, përfshin pjesën e pasme të kofshës, në pjesën e përparme/pasme të kërcirit duke arritur në shputë, deri te gishti i madh ose i vogël. Kjo dhimbje ka karakter shpues (sikur të ngulet një gjilpërë), keqësohet gjatë kollitjes, teshtitjes, në pozicionin ulur. Pacienti ndien miza-miza në këmbë, nuk i ndien mirë këmbët, fuqia e këmbës/ve është ulur. Mund të jetë përfshirë vetëm njëra ose të dyja këmbët. Pacientët qetësohen kur ecin apo kur shtrihen në një sipërfaqe të fortë. Ndodh që këta pacientë të kenë dhe deformim në shtyllën kurrizore siç është Skolioza, që vjen nga pozicionet antalgjike që pacienti mban për të ulur dhimbjen.

Si mundet ta parandalojmë?

I gjithë suksesi i parandalimit varet në edukimin dhe kujdesin tonë ndaj posturës, ndaj formës së saj. Kjo do të thotë që ne të kujdesemi gjatë aktiviteteve të përditshme, gjatë punës tonë, në mënyrë që mos ta sforcojmë kurrizin tonë, por as mos të bëjmë jetë sedentare, të merremi me ecje, me not (shpinë), pra të eliminojmë faktorët rriskues. E rëndësishme është që të eliminohet edhe duhani, i cili është një faktor predispozues. Është më e thjeshtë ta parandalojmë sesa ta trajtojmë.

Trajtimi i Hernies Diskale?

Ekzistojnë disa mënyra të trajtimit: konservativ dhe kirurgjikal

Kur është i indikuar trajtimi kirurgjikal?

Trajtimi kirurgjikal është i indikuar kur kemi çrregullime sfinkteriane (me urinimin) apo kur nuk kemi përmirësim brenda 4-javëve me trajtim konservativ. Kjo mund të çojë në humbje të stabilitetit të shtyllës kurrizore.

Cilat janë përfitimet që kemi nga Trajtimi Fizioterapeutik?

Fizioterapia është  shkenca e rehabilitimit fizik që konsiston në rikthimin e funksioneve të humbura. Në Fizioterapi përdoren teknika dhe metoda të ndryshme të cilat japin një rezultat tepër të mirë. Kjo konsiston në forcim, streching të muskujve, modalitete terapeutike e shumë teknika të tjera. Dua të përmend hidrokinezioterapinë, e cila është një nga mënyrat alternative efikase në trajtimin e hernies diskale. Janë benefitet e ujit ata që na ndihmojnë të trajtomë një pacient me dhimbje. Benefitet e ujit konsistojnë në ‘uljen e peshës në 10%’ në krahasim me peshën reale të tij, muskujt relaksohen, ndërsa vertebrat lirohen kundrejt njëra-tjetrës duke ulur në këtë mënyrë presionin mbi diskun dhe ky i fundit ushtron më pak presion mbi rrënjët nervore.

Kam pasur një rast me HD i cili ishte diagnostikuar në Greqi, të cilët e kishin rekomanduar për ndërhyrje kirurgjikale. Pasi u kthye në Shqipëri, kemi kryer disa seanca fizioterapeutike dhe brenda javës së parë ai u përmirësua. Sot vazhdon jetën në mënyrë normale, pa dhimbje.

Gjatë dhimbjeve është e këshillueshme që pacienti të flejë në një shtrat të fortë (dërrasë) në mënyrë që të ruhet forma e drejtë e shtyllës kurrizore. Këshillohet përdorimi i brezave por jo gjatë gjithë ditës por vetëm kur kryejmë veprime/aktivitete, ndërsa në qetësi nuk rekomandohet.

Shpesh duhet bërë një diferencim midis të bërit Fizioterapi dhe të bërit Masazh, janë dy gjëra të ndryshme. Masazhieri nuk është Fizioterapist, dhe ai që pretendon apo që iu gënjen se të bërit masazh, shëron hernien diskale, po ju gënjen rëndë. Duhet të besoni një Fizioterapist për të trajtuar HD, ai/ajo e di se cila teknika janë të indikuara për patologjinë duke iu përshtatur edhe ju.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Letërsia për fëmijë: ‘Mësimet e natës’ në 101 përrallat e Betim Muços

Në përvjetorin e ndarjes nga jeta, shkrimtari Betim Muço vjen sërish për...
Read More