Fjalimi historik i Ndrenikës: Shteti shqiptar ta ndërtojë Teatrin, siç kanë ndërtuar kishën dhe xhaminë

Edhe pas 20 vitesh kur Rama ishte ministër Kulture, aktorët e teatrit sërish përballë tij, për të njëjtën çështje: A do bëhet Teatri kullë, dhe ligji që injoron statusin e artistit. E organizuar për herë të parë në një sindikatë, dje aktorët kanë firmosur një peticion drejtuar Ministrisë së Kulturës kundër vendimit për t’u zhvendosur dhe projektligjin mbi artin

Nuk janë artistët e para 20 viteve, por janë brezi më i ri, që ndodhen në të njëjtën situatë përballë kryeministrit të sotëm, Edi Ramës, ministër i atëhershëm i Kulturës kur kundërshtuan zhvendosjen nga Teatri Kombëtar dhe hodhën poshtë projektligjin për artin dhe skenën. Ja ku ndodhen në të njëjtin stanjacion, dhe sërish të detyruar për t’u organizuar në një grevë, duke lajmëruar edhe radikalizimin e saj, në bllokimin e repertorit të Teatrit nëse nuk bëhet transparent projekti për ndërtimin e godinës së re dhe nuk tërhiqet mbrapsht projektligji për artin pa dëgjuar dhe aktorët, si palë.

Një draft ricentralizon pushtetin mbi artin e kulturën në duart e Ministrisë, dhe që nuk përfshin asnjë rresht për statusin e artistit. Me një hap minimal përpara, sot aktorët janë organizuar për herë të parë pas 27 vitesh në sindikatën e artistëve të skenës dhe ekranit për të kërkuar e mbrojtur të drejtat e tyre. Por, sa fuqi do të kenë për të çuar deri në fund betejën e tyre për një treg të lirë teatror, për një konkurrencë pa privilegje të politikës?

Ky mund të jetë rasti i fundit nëse nuk degjenerohen si më 2000-in, nga një grevë unike me mision të qartë, në nëpunës administrate e rroga televizionesh që sot u janë prishur interesat. Për këtë shkak, dje, në sallën Black box, të Akademisë së Arteve, ata dhjetëra aktorë të mbledhur bashkë, të pafuqishëm në forcën e tyre intelektuale, me një këmbë shprese te media, e herë emotivë në emocionet e tyre, e herë me dëshirën për të qenë të vetëkontrolluar – kanë përpiluar kërkesën ndaj ministres për dy çështje: kundër vendimit për t’u zhvendosur Teatri te Turbina dhe transparencë për projektin e ndërtimit të TK-së, si dhe për ndryshimet në projektligjin për Artin dhe Kulturën.

Çfarë thanë artistët dje

Genc Fuga: Ky projektligj nuk është për Teatrin, as për artin e kulturën në përgjithësim, por organizim i brendshëm i ministrisë. Unë i quaj shashka dore të gjitha lëvizjet që bën Kumbaro. Ne, nuk do ta lejojmë kalimin e projektligjit në parlament edhe pse është pranë firmosjes.

Arben Derhemi: Po na ikën shtëpia, ndaj duhet të reagojmë. Nuk ka rëndësi çfarë ngjyrat, ca blu apo disa të kuq, ne i kuptojmë tashme. Është absurd të vijë Teatri i Operas në Teatrin Kombëtar, dhe ky i fundit të zhvendoset te Turbina, që është ndërtuar si një pallat lojërash. Po, ashtu nuk na është publikuar e bërë transparente asnjë projekt i Teatrit Kombëtar. Ndaj ky është vetëm një motiv për të përzënë Teatrin prej andej. Edhe para 20 vitesh u tha se teatri do bjerë, tani pse për Operan, teatri nuk shembet? Me vjen keq ta them por ne jemi kategoria më inferior që ekziston në administratën e shtetit. Ministria duhej të diskutonte me ne, teatri është i yni.

Mehdi Malkaj: Unë ngul këmbë se duhet të kuptojmë ne vetë se nuk jemi skllevër, ne jemi vlerë kombëtare. Ata na nxjerrin përjashta sepse s’kemi gojë, s’kemi personalitet

Neri Liçaj: Ne, do të ngremë valë kundër kësaj arrogance. Projektligji favorizon Ministrinë, për të shkatërruar artin, si në kohën e Enverit, për ta përqendruar gjithçka në një dorë. Qeveritë shqiptare funksionojnë me mentalitet kriminal, krijojnë përçarje, por ne do organizohemi në një zë.

Romir Zalla: Këta zotërinjtë e politikës tallin b…me ne, nga mëngjesi deri në darkë. Ka ardhur momenti të mblidhemi për gjëra që nuk shkojnë. Nuk zgjidhet çështja se hoqën këta apo jo, por është fryma. Ata duan të centralizojnë çdo gjë, ta vënë artin nën kontroll dhe shërbim të tyre dhe neve të na konsiderojnë si njerëz pabuksa, që presim çikërrimat e ministrisë. Duhet të shpallim një grevë totale, të mos bëjmë asnjë aktivitet nëse nuk kemi vendin që na takon.

Mirush Kabashi: Më vjen mirë që po ringriheni. Ky projektligj është autoritar. Drejtorët emërohen nga kryeministri, bordero nga ministri, dhe komuniteti s’ka asnjë përfaqësues dhe të drejta. Por, ju bëj thirrje të gjithëve hiqni dorë nga politika, ata na kanë përçarë.

 

 

Robert Ndrenika: Shteti shqiptar ta ndërtojë Teatrin, siç kanë ndërtuar kishën dhe xhaminë

Mund të konsiderohet një fjalim historik, ajo që mbajti dje aktori Robert Ndrenika në sallën Black box, të Akademisë së Arteve para dhjetëra aktorëve dhe studentëve duke iu bashkuar kërkesave të tyre, të organizuar në sindikatën e parë të artistëve pas rënies së diktaturës, në SASE kundër vendimit të Ministrisë për t’u zhvendosur në Turbina

Jam shumë i gëzuar që shoh një mbledhje serioze të një sindikate, sepse kam pas menduar se aktorët e kanë të vështirë të bëjnë sindikatë. Do përqendrohem pak te ndërtesa e Teatrit Kombëtar. Plot, shumë vite më parë edhe Partia e Punës thoshte se do të bëj një Teatër, Teatër, por nuk u bë. Edhe këta 27 vjet, siç keni qenë dëshmitar, pavarësisht se disa janë më të vegjël, është folur se do të bëhet një Teatër. Dhe prapë, nuk ka pasur pikë transparence. Di që pronë e juaja është një sipërfaqe me mbi 6 apo 7 mijë metër katrorë, që është Teatri ekzistues, sot.

Ajo është pronë e jona, e juaja edhe e ish të vjetërve. Kjo pronë gjatë këtyre viteve të demokracisë është pjesërisht. Si është vjedhur për shembull? Ajo Torre Drini që është bërë atje, ka ardhur deri në rrëzë të skenës siç e dini. Ajo duhej të mbante distancë nja 10-12 metra. Pra kur të ndërtohet e ashtuquajtura Teatër, ne, duhet të tërhiqemi për t’i lënë vend asaj, ja pra një vjedhje. Ose, të gjitha dyqanet që janë prapa, janë pronë e Teatrit. Gjatë këtyre viteve, pak nga pak, ato janë privatizuar.

Dhe tani kërkohet që këta privatë të bëjnë një kullë, apo kulla dhe në to aneks të jetë edhe Teatri. Pra, vazhdon një vjedhje sheshit, e hapur. E kam thënë që kryeqytetet e Ballkanit kanë Teatro Kombëtare, kanë godina, infrastrukturë të mrekullueshme. Teatri bëhet një herë në 500 vjet. Brezi juaj edhe i imi, mund të mos dimë të interpretojmë, mund të thonë: “e mo, ç’janë këta, çfarë bëjnë?!”. Mirëpo Shqipëria nuk mendohet të rrijë pa aktorë. Por aktorët vazhdojnë, Teatri vazhdon.

Teatri i Beogradit, godina e saj, është 500 vjeçare, është monument kulture. Këtu po bëhen xhamira, po bëhen kisha dhe s’po bëhet një Teatër?! Shifni çfarë xhamie po bëhet në qendër. Këtë ia thashë dikujt, dhe më tha: Epo, këtë e bën Erdogani. Thashë, aq më mirë që po e bën Erdogani, sepse xhamia apo kisha e shqiptarëve është Teatri. Pra, i takon shtetit shqiptar që të ndërtojë një Teatër, që të ketë një jetë të gjatë, edhe 500-vjeçar e të shkojë edhe 1-mijëvjeçar.

Prandaj këtë gjë, ne duhet, ta kërkojmë nga shteti shqiptar. Unë vajta e pashë Turbinën. Ajo Turbina ishte qesharake, për Teatër nuk bën. Ajo është vetëm për ndonjë fushatë elektorale, në fund kur përmblidhet. Prandaj, ajo fjala që i paskam thënë unë Ministreshës, se do shtrihem në Teatër, dhe ajo ma interpretoi se “të vijë e të shtrihet te Turbina”, që ma ironizoi, paska qenë me vend. Ne nuk duhet të lejojmë të prishet ai Teatër, pa marrë vesh se çfarë do të bëhet në të.

Le që Opera të mos guxojë të qaset. Mos kini shumë shpresë tek analistët e mëdhenj që kemi ne, sepse në ca momente të caktuara, 20 vjet më përpara, këta analistë u bënë të gjithë me ministrin, dhe na thonin ne: ata duan ndërtesën e fashizmit; janë bërë gjyqet reaksionare…dhe nuk thonin kurrë se aty është krijuar Teatri, Opera, Estrada, Filarmonia…të gjitha institucionet kulturore (kulturale apo kulturore – ironizon), pra të gjitha janë krijuar në atë vend. Ai është edhe monument kulture, prandaj mos kini shumë besim tek këta.

I vetmi që na ka përkrahur para 20 viteve ishte Fatos Lubonja apo Maks Velo e ndonjë tjetër, të tjerët i kemi pasur kundra. Kështu që, mendoj se kjo është një gjë shumë serioze, dhe nuk kam ç’të shtoj më. Dua të sjell në mend, kur kësaj ministreshës i kërkova ca pare për një bust të Kujtim SpahiVoglit, ku vendosëm bashkë me nxënësit e tij, ta vendosnim atje ku ka lënë kockat, në Brostar. “Nuk kam para, m’i ka vjedh qeveria paraardhëse etj. etj.”, më dha si përgjigje. Ndërkohë gjatë 27 vjetëve, të dashurit e mi, janë harxhuar para nja për 5 apo 6 ministrira kulture; një herë është këtu, njëherë atje…janë para këto, dhe nuk më dha 5 lekë për bustin e Spahivoglit.

Unë kam edhe të tjera, por më vijnë kur jam në krevat, në ëndërr.

Tani, po e mbyll, por dua t’ju them se Tiranës i takon një Teatër serioz dramatik. Unë jam i gatshëm gjithmonë, sa herë të më thërrisni për të mbrojtur Teatrin. Por edhe një gjë dua të them, atë të Ligjit nuk di gjë që të të them, por unë di se, i kam ndjekur, se ne kemi aktorë shumë të mirë, por paguhen për një çapë bukë, për një kafshatë bukë. Kjo është një gjë, që e thanë këtu, kur të vënë në fyt litarin e bukës, ajo është e tmerrshme nga të gjitha.

 

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Prokuroren e shkarkuar nuk e mbajnë nervat, acarohet pas vendimit

Është shkarkuar nga detyra prokurorja e Apelit të Shkodrës, Besa Nikëhasani. Ky...
Read More