Flasin përfituesit, UET shpall politikën e re të bursave për vitet ’18-’19: 750 mijë euro për 500 bursa dhe gjysmë-bursa

Universiteti Europian i Tiranës, që nga themelimi i tij, e ka kthyer sistemin e bursave në një traditë shumë të rëndësishme. Ky sistem ka në vetvete në shumëllojshmëri përfituesish, nga të gjitha shtresat sociale, të gjitha profilet e jetës publike dhe vë theksin në promovimin e ekselencës. Qëllimi i këtyre bursave është pikërisht integrimi dhe dhënia e mundësive për studim të gjithë individëve.

UET, duke filluar nga viti i ri akademik, do të japë në total 500 bursa për studentë të kategorive të ndryshme. Një numër i madh bursash, për të cilat buxheti kap një vlerë prej 750 mijë Euro.

Bursat janë të kategorive të ndryshme që UET ka ofruar ndër vite, të tilla si bursa të plota ekselence, gjysmë-bursa, bursa talenti, bursa sociale, bursa lidershipi, bursa “Pashko”.

Ndërkohë që Universiteti Europian i Tiranës bëhet universiteti i parë privat, i cili do të hapë të gjithë gamën e degëve të shkencave humane dhe sociale, edhe pse shpesh ato janë të vështira në treg për t’u financuar nga përdoruesit. Për këtë qëllim, ky kontingjent bursash i është dedikuar promovimit të këtyre degëve me anë të bursave apo gjysmë-bursave në degë të tilla si: filozofia, antropologjia, sociologjia, letërsia, gjuha, artet, historia, studimet religjioze etj, pra të gjitha degët sokratike.

Administratori i Universitetit Europian të Tiranës, Arbi Agalliu, është shprehur se politika e bursave të UET është një iniciative e madhe që UET ndërmerr në kuadrin e promovimit e të rinjve, të cilët janë të talentuar në fusha të ndryshme, ekselentë në studime ose në pamundësi ekonomike për të vijuar arsimimin e tyre.

“Politika e bursave, na bën të ndjehemi krenarë, që Universiteti Europian i Tiranës nuk e ka vëmendjen vetëm mbi aktivitetin akademik, por mundohet të marrë përsipër një përgjegjësi sociale, që e parë personalisht duket shumë pak, por e parë në pozicionin e institucionit është shumë, mjafton të përmendim buxhetin e parashikuar për këtë iniciativë që është përafërsisht 750 mijë Euro. Kjo është një shumë e madhe parash, e cila shkon me dëshirën më të madhe për të përkrahur më të talentuarit dhe për të bërë një hop cilësor drejt dijes. Duke i dhënë mundësi edhe atij që është në pamundësi financiare dhe për të përkrahur këdo që ka një talent të caktuar dhe ka një dëshirë për të bërë mirë në këtë shoqëri, ku çdo ditë e më tepër ka nevojë për njerëz të cilët marrin përsipër përgjegjësi sociale.”

Kusht bazë për përfitimin dhe ruajtjen këtyre bursave është aktivizimi studentor, pjesëmarrja në debate, grupe kërkimore etj, ruajtja e një niveli të caktuar të mesatares sipas degës dhe sipas momentit të hyrjes në sistemin akademik, si dhe kontributi në shërbim të komunitetit të studentëve dhe të institucionit në raport me mënyrën se si studentët marrin pjesë në qeverisjen dhe menaxhimin e institucionit.

Presidenti i UET: Misioni ynë është që t’u japim studentëve dijen si armën më të fuqishme       

Presidenti i Universitetit Europian të Tiranës, Ardian Civici, është shprehur se në Universitetin Europian të Tiranës, bursat kanë një rëndësi të veçantë për shkak të filozofisë që përfaqësojnë.

“T’i japësh dikujt një bursë, përveç pjesës së përgjegjësisë sociale të institucionit, do të thotë që të gjithë shoqërisë shqiptare t’i krijosh një mundësi më shumë për një të ri më të përgatitur, më të ditur, i cili pastaj do t’ia shpërblejë disafish shoqërisë këtë gjë. Nëse ne e realizojmë misionin, që studentëve tanë t’i japim këtë armë kaq të fuqishme, siç është dija, njohuritë dhe gjithë zhvillimi të mbështetet mbi këtë bazë, sigurisht që do jemi një shoqëri shumë më demokratike, shumë më e zhvilluar dhe që do të ecë përpara shumë më shpejt.”

UET i jep prioritet shpërndarjes së bursave, në të dyja llojet e saj, edhe ato sociale të cilat kanë për qëllim të kontribuojnë në përfitimin e një arsimimi edhe për ata individë të cilët vijnë nga shtresa apo kategori të pafavorizuara në aspektin social dhe ekonomik, por njëkohësisht të promovojë të gjithë ata individë të cilët kanë një talent apo japin një kontribut të caktuar për shoqërinë, ose shfaqin arritje të larta akademike.

“Besoj që gjatë këtyre viteve kemi gjetur një ekuilibër midis promovimit të dyja kategorive të bursave, edhe për të patur përmasën e asaj që quhet përgjegjësi sociale, por njëkohësisht edhe për përmasën tjetër ku për dijen dhe për talentin nuk duhet të ketë asnjë kufizim në hapësirat e tij, për t’u zhvilluar, për t’u shkolluar dhe për t’u bërë sa më i ditur.”

Njihuni me vëllezërit kampionë që kanë fituar Bursën e Talentit në UET

Erison Ramaj është student në Universitetin Europian të Tiranës, për degën Komunikim-Dizajn dhe sapo ka përfunduar vitin e tij të parë të studimeve.

Ai ka përfituar Bursën e Talentit në UET, për shkak se është 12 herë kampion i Shqipërisë në xhudo.

“Unë kam rreth 7 vite që merrem me sportin e xhudos. Kam marrë pjesë në një numër të madh kampionatesh, brenda dhe jashtë vendit, dhe jam shpallur 12 herë kampion i Shqipërisë. Në UET aplikova për shkak të cilësisë që ka si institucion arsimor dhe përfitimi i bursës së talentit ishte për mua një mundësi e shkëlqyer”, shprehet ai.

Edhe Arlindi, vëllai i Erisonit është gjithashtu student në UET, për degën Shkenca Politike, edhe ai përfitues i bursës së talentit, për shkak të angazhimit të tij tejet të suksesshëm në fushën e futbollit.
“Unë kam qenë më parë xhudist, krahas angazhimit në futboll. Bursa që kam fituar ka qenë vërtetë një privilegj. Eksperienca në UET, në këtë vit të parë ka qenë shumë e mirë, kam patur mundësinë të ndjek shkollën dhe njëkohësisht të vazhdoj pasionin tim për sportin dhe të zhvilloj më tej talentin tim” është shprehur Arlindi.

Mamaja e dy vëllezërve të talentuar, Valbona Ramaj e pranishme në këtë organizim, shprehet se fakti që fëmijët e saj janë të dy fitues të bursës së talentit është një kënaqësi e veçantë për të.

“Si prind, kam pasur një kënaqësi të jashtëzakonshme, një ‘medalje’, që dy djemtë e mi, janë bërë pjesë e UET si fitues të bursës së talentit.”
Ndërkohë dy vëllezërit janë të të njëjtit mendim, se në të ardhmen do të vazhdojnë të angazhohen në fushat përkatëse të sportit duke vijuar njëkohësisht formimin e tyre akademik në degët që kanë zgjedhur.

Studentë të degëve të ndryshme dhe përfitues të bursave të ndryshme, kanë ndarë me të pranishmit eksperiencën e tyre.

Emanuela Maraj: Bursa “Pashko”, një mundësi, një shpresë dhe një e ardhme për mua

Presidentja e Qeverisë Studentore UET njëkohësisht edhe përfituese e bursës “Pashko” ka ndarë me të pranishmit mbresat e saj, për vitin e parë të studimeve në UET.
“Rrugëtimi im në UET ka nisur një vit më parë, në aplikimin për bursën ‘Pashko’, si një maturante ekselente ndërkohë që u ndodha në një situatë ekonomike të pafavorshme, me dy prindër të sëmurë. Për mua kjo bursë ishte mundësi, ishte shpresë dhe një e ardhme. Sot, pas përfundimit të vitit të parë të studimeve, mund të them me plot gojën se kjo bursë më ka ndryshuar jetën.”

Florian Plaku: Bursa e Ekselencës, jo vetëm një motiv për të studiuar, por tashmë jam i punësuar pranë Ministrisë së Bujqësisë

Floriani sapo ka përfunduar me sukses tre vite studimi në ciklin Bachelor, për degën Informatikë-Ekonomike, i cili tashmë ka filluar të punojë pranë Ministrisë së Bujqësisë menjëherë pas përfundimit të ciklit të parë Bachelor.
“Të qenit përfitues i bursës së ekselencës për mua është një motiv tepër i madh sepse më ka nxitur të studioj akoma më shumë dhe të kontribuoj më tepër në jetën sociale të universitetit. Shpreh falënderimet e mia edhe për pedagogët, pasi kanë qenë një mbështetje e madhe për të gjithë studentët dhe një shtysë motivimi që ne të mësojmë edhe më shumë”, ka thënë ai.

Marko Zhezha: UET na ka ndihmuar të kapërcejmë pengesat, duke na dhënë lirinë për të qenë vetvetja
Marko Zhezha, së bashku me vëllain e tij binjak Niko Zhezha, janë përfitues të bursës “Pashko” dhe njëkohësisht studentë ekselentë në Universitetin Europian të Tiranës.
“Mendoj që bursa ‘Pashko’ ka shënuar një kthesë të rëndësishme në jetën tonë. Në fakt është një ëndërr e realizuar për tu arsimuar në një nga institucionet më të mira. Në fakt realiteti këtu në Shqipëri është i vështirë, ndonjëherë edhe i frikshëm. Por, UET ka dëshmuar se si mund ta kapërcejmë këtë pengesë dhe e ka bërë këtë gjë, duke na dhënë të gjithëve lirinë për të qenë pa frikë vetvetja. Edhe një herë, edhe në emër të vëllait tim, i shpreh mirënjohjen e thellë universitetit dhe shpreh bindjen se të gjithëve këtu na presin gjëra më të mëdha dhe më të mira”, ka thënë Marko.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Studentët diskutojnë me profesionistë Vetingun dhe Reformën në Drejtësi

Gjatë katër javëve në Universitetin Europian të Tiranës  janë zhvilluar leksione e...
Read More