Flet ambasadori britanik në Tiranë: Ja përgjigjia e Mbretërisë së Bashkuar ndaj Rusisë

 

Sekretari i Jashtëm britanik, Boris Johnson deklaroi se, me shumë gjasë urdhrin e helmimit të ish-agjentit rus Sergei Skripal dhe vajzës së tij Yulia Skripal, me agjentin nervor “Novichok” e ka dhënë vet Vladimir Putin.

Kjo është akuza më e drejtpërdrejtë që i lëshohet deri më tani shefit të Kremlinit, ndaj të cilit edhe vet Theresa May, e cila njoftoi këtë javë dëbimin e 23 diplomatëve rusë, nuk e drejtoi hapur gishtin e fajit.

Pak përpara tij, në sherrin e Londrës me Moskën ndërhyri edhe NATO, e cila i kujtoi Rusisë unitetin e Aleancës së Atlantikut të Veriut.

Kurse nga Tirana foli ambasadori britanik, Duncan Norman.

“Bazuar në një hetim dhe vlerësim shterrues, qeveria jonë ka mbërritur në përfundimin se ka gjasa të larta që Rusia të jetë përgjegjëse për këtë akt ndaj Sergei dhe Yulia Skripal.

Ne vendosëm që kishte vetëm dy shpjegime të mundshme. Ose: Ky ishte një akt i drejtpërdrejtë i shtetit rus kundër shtetit tonë;

Qeverisë ruse mund t’i ketë shpëtuar prej kontrollit ky agjent nervor, me gjasë katastrofikisht i dëmshëm dhe është lejuar të bjerë në duar të tjera.

Sekretari i Shtetit për Punët e Jashtme, Boris Johnson thirri ambasadorin rus dhe i kërkoi atij të shpjegonte se cila prej dy mundësive qëndron. Ai kërkoi gjithashtu shpjegime sesi është e mundur që një agjent kimik i prodhuar nga Rusia mund të jetë përdorur në Salisbury, kundër z. Skripal dhe vajzës së tij.

Rusia nuk ofroi ndonjë shpjegim sesi ky agjent kimik u përdor në MB, apo se përse Rusia ka një program të padeklaruar armësh kimike, në kundërshtim me ligjet ndërkombëtare.

Ne nuk do të tolerojmë përpjekje të paskrupullta për të vrarë civilë të pafajshëm në tokën tonë.

Ne kemi arritur në përfundimin se ky akt përbën përdorim të paligjshëm force nga shteti rus kundër Mbretërisë së Bashkuar. Kryeministrja është rikthyer në parlament dhe ka paraqitur një sërë masash që ne do të ndërmarrim si përgjigje,” tha ai.

“Si pasojë e veprimeve të ndërmarra nga Kremlini:

Ne do të përzemë 23 diplomatë rusë, të cilët janë identifikuar si oficerë inteligjence të padeklaruar, numri më i madh i tyre që prej Luftës së Ftohtë.

Ne do të hartojmë propozime për më shumë fuqi për të ndaluar persona që ne dyshojmë punojnë për shtete armiqësore në kufijtë e MB.

Ne do të konsiderojmë fuqi të reja kundër-spiunazhi për të asgjesuar aftësitë e agjentëve të huaj për të minuar vlerat tona apo për të zbuluar sekretet tona.

Ne do të propozojmë amendime për ligjin e sanksioneve në mënyrë që të forcojmë fuqitë tona për të vendosur sanksione ndaj atyre që dhunojnë të drejtat e njeriut.

Ne do të rrisim kontrollet në fluturimet private e dogana, sipas fuqive ekzistuese, për të parandaluar rreziqet e sigurisë që i kanosen njerëzve tanë.

Ne do të ngrijmë asetet ruse kudo ku të kemi prova se ato mund të përdoren për të kërcënuar jetën ose pronën e shtetasve apo rezidentëve britanikë.

Ne do të vazhdojmë të përdorim të gjitha aftësitë e agjencive ligjzbatuese britanike, me në krye Agjencinë Kombëtare të Krimit (NCA) në luftën kundër elitave kriminale dhe të korruptuara.

Ne do të pezullojmë të gjitha kontaktet e planifikuara dypalëshe të nivelit të lartë me Rusinë dhe do të anulojmë vizitën e Ministrit të Jashtëm rus Lavrov.

Asnjë ministër apo përfqasues i familjes mbretërore nuk do të marrë pjesë në Kupën e Botës që do të mbahet këtë vetë në Rusi.

Ne do të përdorim spektrin e plotë të aftësive tona të sigurisë kombëtare për të asgjesuar rreziqet nga aktivitetet armiqësore, kudo prej nga vijnë.

Ndërkohë që përgjigja jonë duhet të jetë e fuqishme, ne duhet gjithashtu t’u qëndrojmë vlerave tona- si një demokraci liberale që beson tek sundimi i ligjit. Shumë rusë e konsiderojnë Britaninë si shtëpinë e tyre, respektojnë ligjet tona dhe japin një kontribut të rëndësishëm në vendin tonë, të cilët ne duhet të vazhdojmë t’i mirëpresim. 

Por për ata që kërkojnë të na cenojnë, mesazhi ynë është i thjeshtë: ju nuk jeni të mirëpritur këtu”.

Pyetje & përgjigje

News24: Eshtë hera e dytë që një gjë e tillë ndodh në MB? Përse këta ish-spiunë rusë ndodhen në MB?

HMA: MB prej kohësh i jep mbrojtje dhe azil një sërë njerëzish. Dhe ne besojmë se kjo është gjëja e drejtë për t’u bërë. Pavarësisht sfondit (background) historik, ata që përndiqen politikisht do të gjejnë gjithnjë mbrojtje në Britani.

Vizion+: A është thjesht një lojë spiunësh, apo rrezikon më shumë, përsa kohë është NATO në mes? A ka rrezik të thellohet edhe më shumë kriza mes dy vendeve?

HMA: Mendoj se është e gabuar ta shohim ngjarjen si thjesht lojë spiunësh. Në realitet bëhet fjalë për një sulm me armë kimike nga një shtet tjetër në MB dhe për këtë arsye ngjarja është kaq e rëndë.

Vizion+: Nëse ju e quani një sulm me agjentë kimikë në territorin e vendit tuaj nga një shtet tjetër, a ka rrezik që strukturat e NATOs të reagojnë, në bazë të parimit të mbrojtjes kolektive?

HMA: Le të jemi të qartë; asgjë nga ato që unë thashë nuk sugjeron që masat e ndërmarra janë një përgjigje ushtarake. Sigurisht ne presim nga aleatët tanë të përgjigjen dhe sigurisht i mirëpresim përgjigjet e duhura nga ana e aleatëve në NATO, por nuk po flasim për veprime ushtarake.

Report TV: Këto ditë në Shqipëri ka një diskutim të madh për ndikimet ruse. Partia Socialiste akuzon Partinë Demokratike se është financuar nga disa lobistë rusë. A është kjo një situatë shqetësuese që plotëson panoramën e ndikimit rus në Ballkan?

HMA: Unë nuk dëshiroj të komentoj specifikisht mbi akuzat mes PS-së dhe PD-së; nuk mendoj se më takon mua ta bëj një gjë tillë sot. Por mund të them që ne jemi të shqetësuar për aktivitetin më të gjerë të Rusisë në rajon, përfshirë edhe çfarë ndodhi në Malin e Zi.

Vizion+: A tregon ky sulm me gaz kimik që përdoret ose mund të jetë zhdukur nga rezervat e ushtrisë ruse sesa delikate është siguria në vendet e NATOs?

HMA: MB ka një program për t’u mbrojtur prej armëve kimike dhe ministri ynë i mbrojtjes dje deklaroi financime shtesë për këtë program, pikërisht për arsyet që ju përmendni.

Vizion+: Mediat britanike ngritën shqetësimin se Britania është e varur nga gazi rus. A mendoni se masat e ndërmarra do të sjellin pasoja në atë që Rusia mund të ndërpresë furnizimin me gaz?

HMA: Gjëja e parë që dua të them është se e gjithë bota është e ndërlidhur ekonomikisht dhe sigurisht që ne përfitojmë nga shumë gjëra që Rusia sjell në Britani, por edhe Rusia përfiton nga investimet britanike atje. Përgjigja jonë nuk nënkupton ndërprerjen e marrëdhënieve tregtare dhe ekonomike mes dy vendeve. MB gjithsesi ka rezerva energjetike, prandaj nuk besoj se është e saktë të thuhet se ndalimi i menjëhershëm i furnizimit me gaz nga ana e Rusisë do të ndjehet menjëherë në ekonominë britanike.

Vizion+: Në fundjavë do të ketë zgjedhje në Rusi; a mendoni se është një taktikë e Putinit për të larguar vëmendjen nga atmosfera në të cilën do të mbahen zgjedhjet?

HMA: Nuk mendoj se mund të spekuloj mbi arsyet e Putinit apo kujtdo tjetër. Sigurisht ne jemi në dijeni të zgjedhjeve, por nuk do të ishte e drejtë për mua të spekuloja.

Reuters: Sa e shqetësuar është MB për përdorimin e këtyre metodave të Luftës së Ftohtë le të themi, nga ana e Rusisë?

HMA: Mendoj se është e drejtë të thuhet që jemi shumë të shqetësuar. Ne nuk duam të shohim një rikthim të Luftës së Ftohtë, askush nuk do ta dëshironte një gjë të tillë. Por jemi të shqetësuar se disa nga taktikat e përdorura janë gjëra që nuk janë parë prej një kohe të gjatë tashmë. Po, është një shqetësim i madh dhe nuk është kjo marrëdhënia që duam të kemi me Rusinë.

Reuters: Nga një perspektivë duket sikur marrëdhëniet mes Rusisë dhe Britanisë janë shumë të mira: psh pritja pompoze që i është bërë Putinit në MB, apo oligarkët rusë që financojnë klubet e futbollit në Premier League? Pastaj një gjë e tillë ndodh; a mos ndoshta Rusia i sheh demokracitë perëndimore si të dobëta?

HMA: Ne kemi patur shumë interesa ekomonike dhe jo vetëm me Rusinë. Ata kanë investime në MB dhe ne në Rusi dhe ka shumë gjëra mbi të cilat punojmë bashkë; një shembull është lufta ndaj terrorizmit. Por është e vërtetë që marrëdhëniet me Rusinë nuk kanë qenë të mira prej kohësh tashmë. Nëse ju kujtohet rasti i Litvinenko më parë. Gjatë dekadës së fundit marrëdhëniet mes dy shteteve nuk kanë qenë fort të mira, por sigurisht jo kaq të rënda sa pas këtij rasti. Pra prej kohësh marrëdhëniet mes Rusisë dhe MB nuk kanë qenë ashtu siç do t’i donim.  

Shkruar Nga
More from Redaksia

Horoskopi i ditës, 6 prill

  Dashi Do të jeni në gjendje të mirë dhe marrëdhënia me...
Read More