Flet mjekja: Dëmtimi i syve nga diabeti; kontrollet e para, si zbulohet

Retinopatia Diabetike është shkaku më i shpeshtë i humbjes së shikimit në botë, dhe mund të parandalohet. Dëmtime të tjera të syve nga diabeti janë katarakti dhe glaukoma

Të gjithë pacientët me diabet janë të rrezikuar për dëmtime të syrit nga diabeti. Zakonisht pas 5 – 10 vjetësh nga fillimi i sëmundjes se diabetit, shfaqet një dëmtim që quhet Retinopati Diabetike dhe është dëmtimi i retinës nga komplikimet e diabetit dhe përbën një prej shkaqeve kryesore të humbjes së shikimit nën moshën 60-vjeçare. Doktoreshë Ersida Golemi, mjeke endokrinologe e pyetur pas konferencës “Ndërkombëtare të Okulistikës”, për MAPO shpjegon se mosha dhe kohëzgjatja e diabetit janë faktorët kryesore që ndikojnë në shfaqjen e këtij dëmtimi. Mirëpo diagnostikimi në kohë i retinopatisë diabetike mundëson ruajtjen e shikimit dhe përmirësimin e cilësisë së jetës te këta pacientë. Ndaj nëse jeni të sëmurë me diabet, flisni me mjekun tuaj dhe mbani vazhdimisht nën kontroll sëmundjen. Bëni kontrolle të vazhdueshme te mjeku, mund të diagnostikoni retinopatinë diabetike edhe pa patur ndonjë problem me shikimin, sepse ky problem mund të parandalohet, por po kështu edhe mbahet nën kontroll nëse diagnostikohet herët. Por nëse përballeni me turbullim të shikimit, vështirësi në detaje të vogla, shikim i paqartë ose i mjegullt, shikim dysh, sensibilitet i rritur ndaj dritës, sy i thatë, vështirësi në fokusimin e imazhit atëherë duhet të bëni kontrolle të menjëhershme për të parandaluar humbjen e mëtejshme të shikimit.

Cilat janë dëmtimet që shkakton diabeti te sytë?

Diabeti është një sëmundje kronike, metabolike e cila shoqërohet me hiperglicemi (vlera mbi normë të sheqerit në gjak) nga mungesa e plotë apo e pjesshme e prodhimit të insulinës nga pankreasi. Hiperglicemia kronike dëmton si enët e gjakut dhe nervat. Retinopatia diabetike është komplikacioni më i shpeshtë i syve te personat me diabet dhe lidhet me dëmtimin e retinës. Retina është ajo shtresë e syrit e pasur me shumë enë gjaku dhe përgjegjëse për shikimin. Në rastet kur diabeti është i paekuilibruar, vlerat e larta të glicemisë rritin stresin oksidativ në enët e gjakut duke çuar në rritjen e përshkueshmërisë së tyre, formimin e vazave të reja fraxhile dhe praninë e hemorragjisë. Retinopatia Diabetike është shkaku më i shpeshtë i humbjes së shikimit në botë, dhe mund të parandalohet. Dëmtime të tjera të syve nga diabeti janë katarakti dhe glaukoma.

 Kush preket nga retinopatia diabetike?

Të gjithë pacientët me diabet janë të rriskuar për dëmtime të syrit nga diabeti. Më tepër se 1/3 e pacientëve me diabet do të zhvillojnë Retinopati Diabetike gjatë jetës së tyre. Aktualisht në botë vuajnë mbi 420 milionë njerëz nga diabeti, nga të cilët 145 milionë paraqesin një formë të retinopatisë diabetike dhe rreth 45 milionë persona kanë formë të rëndë të retinopatisë diabetike që iu kërcënohet shikimi. Diabeti po rritet si epidemi në tërë globin, po ashtu dhe dëmtimi i syve nga diabeti. Rreth 12 mijë deri 24 mijë njerëz humbin çdo vit shikimin nga diabeti.

 Ku është më agresiv në DM tip1 apo DM tip2?

Retinopatia Diabetike shfaqet në Diabetin tip 1, 3-5 vjet pas shfaqjes së diabetit. Në rastin e diabetit tip 2 mund jetë i pranishëm që në momentin e diagnozës. Diabeti tip 1 karakterizohet nga mungesë absolute e insulinës dhe kërkon mjekim me insulinë që në momentin e parë. Shfaqet kryesisht në moshat e reja dhe ka origjinë autoimmune. Nuk ka raste të retinopatisë diabetike në moshat nën 10 vjeç. Në rastin e diabetit tip 2, retinopatia diabetike mund të jetë e pranishme në fillim të diagnozës në 15% të rasteve. Është shumë e rëndësishme kohëzgjatja e diabetit dhe ecuria në shfaqjen dhe agravimin e Retinopatisë Diabetike. Rreth 50% e personave me diabet do bëjnë retinopati pas 10 vitesh, 70% pas 20 vitesh, 90% e tyre pas 30 vitesh. Nuk ka rëndësi forma e diabetit por më tepër kohëzgjatja dhe ekuilibrimi i tij. Në shfaqjen e formave më të rënda mendohet që ka rol dhe një faktor gjenetik.

 Cilët janë faktorët e rrezikut në shfaqjen e kësaj sëmundjeje?

Siç u përmend më sipër ka rëndësi kohëzgjatja e diabetit dhe trajtimi i tij. Gjithashtu, ndikojnë edhe faktorë të tjerë, si: niveli i lartë i yndyrave, hipertensioni arterial, duhanpirja, anemia, agravohet gjatë periudhës së shtatzënisë.

 Cilat janë shenjat dhe a mund të parandalohet?

Klinikisht shprehet me turbullim të shikimit, vështirësi në detaje të vogla, shikim i paqartë ose i mjegullt, shikim dysh, sensibilitet i rritur ndaj dritës, sy i thatë, vështirësi në fokusimin e imazhit. Retinopatia diabetike mund të parandalohet. Parandalimi primar lidhet me kontrollin e mirë të sheqerit në gjak që vlerësohet me anë të hemoglobinës së glukozuar, ruajtjen e vlerave të presionit arterial në vlerat 130/80 mmHg, nivel normal i yndyrave në gjak, LDL kolesteroli 70 mg/dl dhe trigliceridet nën 150 mg/dl. Korrigjimi i anemisë dhe hipoproteinurisë kur janë të pranishme. Është e rëndësishme mbajtja e hemoglobinës së glukozuar në vlerat 7-7.5% nëpërmjet terapisë me antidiabetikë oral apo insulinoterapi është e domosdoshme sipas rastit. Fillimi i hershëm i insulinoterapisë në Diabetin tip2 është mjaft i rëndësishëm, kur terapia me medikamente oral nuk ka arritur vlera optimale të glicemisë. Parandalimi sekondar lidhet me ekzaminimin e syrit dhe vlerësimin e retinës. Nëse janë të dukshme ndryshime të retinës trajtimi i hershëm me lazerterapi shmang dëmtimet e parikthyeshme nga diabeti.

Çfarë ekzaminimesh kërkohen dhe si mund të trajtohet ajo?

Fundus oculi është ekzaminimi rutinë që duhet bërë te çdo pacient me diabet. Në rastin e diabetit tip 1, 5 vjet pas diagnozës dhe në rastin e diabetit tip 2, që në momentin e diagnozës. Fillimisht bëhet zgjerimi i pupilës dhe më pas bëhet vlerësimi i saj. Sipas dëmtimeve që vihen re në retinë (microhemoragji, aneurizma, neovaza, prekje apo jo e makules etj.), bëhet dhe klasifikimi i formës së retinopatisë nga format joproliferative deri në format e rënda proliferative ku rrezikohet shikimi. Trajtimet janë të ndryshme sipas rastit nga fotokoagulimi me lazër, anti VEGF dhe steroide intraviterale deri në Vitrectomi. Qëllimi kryesor është parandalimi i shfaqjes së retinopatisë apo diagnostikim i hershëm i saj. Retinopatia diabetike mund të parandalohet nëpërmjet kontrollit strikt të sheqerit dhe vlerësimit periodik të syve.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Ja si Todi Lubonja i hidhte poshtë dëshmitë e të birit, Fatosit

Zbardhet i plotë Dokumenti 65/ Dokumenti në vijim është zbardhja e shënimeve...
Read More