Flet mjekja: Mos neglizhoni alergjinë, mjekimi mban nën kontroll sëmundjen 

Alergologjia: Kush ka alergji, astma, rhinit alergjik vuan nga një problem kronik. Por me mjekimin e duhur dhe këshillat e duhura Astma mund të kontrollohet dhe nuk bëhet pengesë në jetë dhe në karrierë 

“Më kap gripi shpesh herë në vit” ; “Gjithë dimrin unë jam me grip”; “Në pranverë dhe vjeshtë mua më kap gripi”; janë fraza që mjeku alergolog dëgjon në punën e përditshme, -shpjegon Alkerta Ibranji, mjeke alergologe në Qendrën Shëndetësore Nr.9 në Tiranë. Megjithëse të ngjashme në disa shenja, mjekja thotë se gripi stinor është prezent kryesisht në dimër dhe nuk zgjat më shumë se 14 ditë, në dallim nga alergjitë që zgjasin për aq kohë sa pacienti është i ekspozuar me shkaktarin. Një gjendje gripale shoqërohet me temperaturë, kurse alergjia nuk ka asnjëherë temperaturë dhe as dhimbje trupi. Ndaj dhe një intervistë për “Mapo” Alkerta Ibranji, mjeke alergologe sqaron se nëse jeni diagnostikuar me forma të ndryshëm të alergjive; sezonale apo gjithëvjetorë nuk ka vend për panik, pasi sëmundja trajtohet dhe mund të frenohet duke u mbajtur nën kontroll me rekomandimet dhe trajtimet e duhura. Apelin kryesor mjekja e drejton ndaj personave alergjikë, të pranojnë problemin, të bëjnë kontrolle të herë pas hershme sepse: “Ti mund të flesh disa net, muaj apo vite i qetë, kurse alergjia nuk fle kurrë…ajo pret momentin e duhur për të të treguar se është aty dhe më e fortë se ty!”

Çfarë është alergjia dhe cila është periudha që e favorizon më shumë atë?

Alergjia, si një term mjekësor i përdorur për herë të parë nga Clemens von Pirquet në 1906, me etimologji greke (Allos – i ndryshëm, i çuditshëm, i ekzagjeruar + Ergon – veprim, reagim, reaksion) përkufizohet si një reagim i ekzagjeruar  i sistemit imunitar të një personi ndaj substancave në mjedis, që janë të padëmshme për shumicën e njerëzve. Këto substanca janë të njohura si alergene dhe gjenden në pluhurin e shtëpisë, te kafshët shtëpiake, polenet e bimëve, shkurreve dhe pemëve, pickimi i insekteve, helmi i bletës apo grenzës, mykrat e ajrit, ushqimet dhe disa medikamente.

Në varësi të shkaktarit të pranishëm, shfaqen edhe simptomat e pacientëve alergjikë. Për këtë arsye edhe pacientët ne i ndajmë në alergjikë sezonalë ose alergjikë gjithëvjetorë.

Pluhurat e shtëpisë janë alergene të pranishëm gjatë gjithë vitit me të cilët bashkëjetojmë ngushtësisht dhe në mënyrë figurative ndajmë edhe shtratin. Këta “agresorë të padukshëm” ndodhen aty ku ka ushqim për ta dhe banketi i tyre është ambienti ku ka edhe më shumë lëkurë apo zbokth të rrëzuar nga njerëzit. Pacientët alergjikë prej pluhurave të shtëpisë ne i klasifikojmë si pacientë me alergji gjithëvjetore pasi edhe ankesat e tyre nuk lidhen me ndonjë stinë të veçantë.

Në dallim nga grupi i mësipërm, në varësi të alergeneve në ajër, alergjitë e shfaqura në muajt e parë të vitit, janë sugjeruese për polenet e pemëve si shkaktarë. Në pranverën e hershme gjithmonë akuzojmë polenet e barishteve ose gramoreve por edhe sporet e mykrave nuk janë me kontribut të vogël në këtë stinë. E ndërsa polenet e gramoreve vazhdojnë sezonin e tyre polenik deri në verën e hershme, vjeshta kulmon me agresionin e poleneve të disa shkurreve. Këta pacientë quhen pacientë me alergji sezonale.

Nuk mund të lë pa përmendur edhe alergjitë nga pickimi i bletës dhe i grenzave e cila lidhet edhe me sezonin e çeljes së luleve dhe prezencës së këtyre gjallesave pranë jetës njerëzore duke mbartur një rrezik të lartë në rast pickimi tek personat alergjikë nga helmi i tyre.

Përse në këtë stinë ka më shumë persona që vuajnë nga alergjia?

Shkaku më i shpeshtë i alergjive respiratore, si rhiniti alergjik,  janë pluhurat e shtëpisë dhe epiteli i kafshëve nga 70% deri në 80% të rasteve të konstatuara në mbarë botën. Më pak kontribut kanë polenet sezonale të bimëve gjatë sezonit polenik. Megjithatë kulmi i vizitave pranë mjekut përkon kryesisht në sezonin e pranverës dhe vjeshtës. Ka një shpjegim të thjeshtë për këtë fakt. Një pjesë e madhe e pacientëve që vuajnë nga alergjitë gjithë-vjetore janë mësuar me “hundën e bllokuar apo teshtimat mëngjesore” si diçka normale e jetës së tyre. Nga ana tjetër, dalja jashtë shtëpisë përmirëson simptomat pasi i largohen shkakut. Duke u mësuar me një ritualitet të këtyre simptomave, nuk kërkojnë ndihmën e mjekut pasi nuk i kushtohet rëndësi një ankesë “kaq të vogël”. Këta pacientë trokasin tek dera e mjekut vetëm kur alergjia e tyre ka avancuar në vështirësi në frymëmarrje apo në astma.

Për pacientët me alergji sezonale, fillimi i simptomave të alergjisë në mënyrë të papritur, pas një periudhe normale pa ankesa,  alarmon më shumë dhe i bën të kërkojnë ndihmën e mjekut specialist në mënyrë të menjëhershme. Kjo shpjegon edhe pse pranvera apo vjeshta etiketohen si sezonet e alergjisë kur ndërkohë numrin më të madh të pacientëve alergjike, e përbëjnë pacientët me alergji gjithëvjetore.

Cilat janë shenjat kryesore që shfaq alergjia?

Alergjia respiratore është një term ombrellë që përfshin një mori simptomash apo ankesash nga pacientët. Pacientët mund të kenë njërën, disa ose të gjitha nga simptomat e mëposhtme. Shumica e pacientëve që paraqiten tek specialisti ankojnë për teshtima, rrjedhje dhe kruarje të hundëve. Një grup tjetër ankojnë për lotim dhe kruarje sysh. Ngjirja e zërit dhe kruarja e qiellzës së gojës apo fytit si dhe veshëve nuk është e rrallë si ankesë. Polipozat e hundës dhe sinuzitet stinore referohen gjithashtu nga vetë pacienti në zyrën e alergologut. Ajo që përben problem madhor ndër të gjitha është kolla e thatë, vështirësia në frymëmarrje dhe fishkëllimat në kraharor të shoqëruara ose jo me simptomat e përmendura më sipër.

Në stinën e pranverës nuk janë të rralla as fenomenet alergjike në lëkurë që duken si pllaka të kuqe gjeografike të cilat japin një ndjesi kruarje të padurueshme. Acarimi i ekzemave alergjike në sezonet alergjike vlerësohet me të njëjtën rëndësi gjithmonë nga specialisti.

Si dallohet virozat e zakonshme nga një alergji?

“Më kap gripi shpesh herë në vit” ; “Gjithë dimrin unë jam me grip”; “Në pranverë dhe vjeshtë mua më kap gripi”; janë fraza që mjeku alergolog dëgjon çdo ditë në praktikën e vet të përditshme me pacientët alergjikë. Megjithëse të ngjashme në disa simptoma, gripi stinor është prezent kryesisht në dimër dhe nuk zgjat më shumë se 14 ditë në dallim nga alergjitë që zgjasin për aq kohë sa pacienti është i ekspozuar me shkaktarin. Një gjendje gripale shoqërohet me temperaturë kurse alergjia nuk ka asnjëherë temperaturë dhe as dhimbje trupi.

Si zhvillohen sëmundjet alergjike dhe deri ku mund të shkojnë komplikacionet e tyre?

Nëse do bëhemi apo jo alergjik është një pyetje e cila nuk ka një shpjegim të vetëm. Faktorët që na nxisin sistemin imunitar për t’u përgjigjur në mënyrë të ekzagjeruar ndaj substancave të padëmshme për shumicën e njerëzve janë të shumtë. Dimë deri tani se ka rol shumë të madh ndërveprimi i gjeneve tona me njëra-tjetrën si dhe me faktorët ambientalë që favorizojnë zhvillimin e një alergjie. Por nuk janë të rrallë fëmijët që vijnë nga familje dhe prindër jo alergjikë në konsultim me alergologun dhe kjo nuk shpjegohet vetëm me teorinë e parë. Prandaj edhe ndërveprimi i faktorëve ambientalë me njëri -tjetrin janë një fushë e gjerë që është studiuar dhe është ende nën studim për të hedhur më shumë dritë mbi Alergjitë dhe Shkaktarët.

Ekspozimi me alergenët për kohë të gjatë dhe me përqendrim të lartë është një faktor i rëndësishëm. Infeksionet e shpeshta me rhino-viruse në fëmijëri është një faktor tjetër pro alergjik. Ruajtja e ambienteve të shtëpisë “sterile” si dhe përdorimi i detergjentëve si substanca dizinfektuese, konsumimi i ushqimeve jo të kontrolluara, jo biologjike, të procesuara, ndotja e ajrit me substancat e djegieve të karburanteve, jetesa në ambiente duhanpirësish dhe me lagështirë, përdorimi pa kriter i antibiotikëve sidomos në vogli, mosushqyerja me gji, jetesa në ambiente të mbyllura dhe zvogëlimi i kontaktit të fëmijëve me natyrën si stil i ri perëndimor jetese i orientuar më shumë drejt teknologjisë, janë shkaktarë të mundshëm që favorizojnë zhvillimin e alergjive tek njerëzit.

Komplikacionet që sjellin mostrajtimi i alergjive respiratore janë nga ato më pak seriozet si sinuzitet, laringjitet dhe dermatitet alergjike deri tek Astma apo Ataku Astmatik i cili përbën një rrezikshmëri të lartë për jetën. 80% e pacientëve që vuajnë nga astma vuajnë edhe me rhinit alergjik ose rrufën alergjike. 40% e pacientëve me rhinit alergjik bashkëjetojnë edhe me Astmën. Prandaj edhe lind nevoja e ndërgjegjësimit te të gjithë pacientëve alergjikë, që në shenjat e para të rhiniti apo rrufës për t’u konsultuar me specialistin Alergolog. Astma mund të parandalohet por në qoftë se pacienti vjen tek mjeku tashmë me astmë, ajo mund të mjekohet dhe të mbahet nën kontroll në mënyrë të tillë që mos cenojë cilësinë e jetës së pacientit në asnjë etapë të tij.

Si mund t’i parandalojmë alergjitë?

Parandalimi i alergjive është një term që përfshin kujdesin e shëndetit të një fëmije që në barkun e nënës. Janë shumë të rëndësishme vitet e para të jetës së fëmijës dhe ndërveprimi i tij me ambientin ku jeton.

Ushqyerja me gji ekskluzivisht për 4 deri 6 muajt e parë është e rekomanduar si faktor mbrojtës ndaj sëmundjeve alergjike. Ajri i pastër brenda dhe jashtë shtëpisë, loja dhe ekspozimi i fëmijëve me natyrën, evitimi i kontaktit me tymin e duhanit, lojërat aktive në komunitet si dhe kontakti me shumë fëmijë të tjerë në kopshte dhe çerdhe, evitimi i përdorimit të antibiotikëve, evitimi i përdorimit të kimikateve apo detergjenteve në higjienën e shtëpisë dhe atë vetjake, të ushqyerit me sa më pak ushqime të gatshme apo përdorimi i rrallë i “junk food” dhe orientimi drejt ushqimeve natyrale të pasura me fruta dhe perime si dhe aktivitetet sportive për fëmijët janë rekomandime të cilat vlerësohen si stil jete anti-alergjik.

A është e vërtetë që alergjia nuk shërohet kurrë dhe nëse vuan prej saj kjo do të zgjasë gjithë jetën? 

Alergjitë respiratore janë sëmundje kronike. Si të tilla ato nuk shërohen por mund të trajtohen dhe mund të frenohen duke u mbajtur nën kontroll me rekomandimet dhe trajtimet e duhura nga alergologu. Disa pacientë mund të kenë qetësim simptomash të Rhinit Alergjik për pak kohë deri në disa vite, pa marrë fare mjekim nga specialisti. Vijnë tek specialisti pasi papritur janë shfaqur shenjat e një astme. Do doja ta ndaja me ju këshillën që ju jap të gjithë pacientëve të mi kur vijnë në vizitë dhe justifikohen për vonesën e kësaj konsulte të parë me alergologun.

“Gjëja e parë dhe më rëndësishme është të pranosh problemin që ke dhe kjo quhet Alergji. Ti mund të flesh disa net, muaj apo vite i qetë, kurse alergjia nuk fle kurrë…ajo pret momentin e duhur për të të treguar se është aty dhe më e fortë se ty!”

Në çdo sëmundje kronike është e rëndësishme të mbahet parasysh trinomi mjek-pacient-sëmundje. Forcimi i binomit mjek – pacienti për të trajtuar sëmundjen, nuk lë vend për binomin  pacient-sëmundje.

Kush ka alergji, astma, rhinit alergjik vuan nga një problem kronik, Po është e vërtetë! Por me mjekimin e duhur dhe këshillat e duhura Astma mund të kontrollohet dhe nuk bëhet pengesë në jetë dhe në karrierë. Astma nuk arriti dot të ndalonte futbollistin David Beckham për të fituar gjashtë tituj në Premier League dhe një fitore në UEFA Champions League, as atleten femër më të mirë të shekullit të 20-të, Amy Van Dyken, të fitonte 6 medalje olimpike dhe as notarin Tom Dolan të fitonte 2 medalje olimpike ari si dhe të mbajë rekordin botëror. Me një astmë të kontrolluar, mund të bësh një jetë të shëndetshme!

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

‘Çmimi Kadare 2018’, juria nis takimet: Fluks autorësh në garën e letërsisë

Puna e jurisë së çmimit Kadare ka hyrë në fazën intensive të...
Read More