Flet mjeku: Kolonoskopia, ekzaminimi që zbulon sëmundjet e zorrës së trashë

Kolonoskopia nuk është një ekzaminim i vështirë për pacientin, pasi në ditët e sotme, të gjitha procedurat endoskopike kryhen me sedativë me kohë të shkurtër duke mundësuar një ekzaminim sa më të rehatshëm për pacientin

Më shumë se një ekzaminim i vështirë, kolonoskopia paragjykohet nga pacientët. Por përballë zbulimit të sëmundjeve të zorrës së trashë ky kontroll mjekësor ka rezultat të saktë në zbulimin e sëmundjeve të zorrës së trashë. Doktori gastrohepatolog, Altin Cekodhima shpjegon se ky ekzaminim u rekomandohet të gjithë personave mbi 40 vjeç që kanë probleme me zorrën e trashë, pavarësisht nëse kanë shenja apo shenja domethënëse. Sipas doktorit, duke u përdorur si ekzaminim diagnostikues dhe parandalues është bërë i mundur zbulimi i kancerit të zorrës në stade të kurueshme.

Përse duhet të shkoj te doktori për të kryer ekzaminimin e kolonoskopisë kur nuk kam asnjë shenjë?

Ju, unë dhe çdokush tjetër është i rrezikuar nga kanceri i zorrës së trashë apo i rektumit. Nuk e dimë me saktësi se kush mund ta ketë këtë fat, por sipas Shoqatës Amerikane kundër kancerit rekomandohet që çdo person mbi 40 vjeç të kryejë ekzaminimin e kolonoskopisë çdo 5 vjet. Kanceri i zorrës së trashë dhe i rektumit është një prej kancereve më të shpeshtë dhe sipas statistikave vazhdon të rritet, pavarësisht gjinisë. Megjithatë ai mbetet kanceri më i parandalueshëm.

Cili është qëllimi kryesor i këtij ekzaminimi?

Qëllimi kryesor është të identifikohen tumoret e vegjël të quajtur polipe, të cilët mund të mbeten të pazbuluar dhe të rriten gradualisht në zorrë për disa vite. Vetëm disa prej tyre mund të shfaqin simptoma (shenja), kurse disa të tjerë mund të shndërrohen në kancer. Pra, qëllimi kryesor i këtij ekzaminimi është identifikimi i kancerit në stadet fillestare ose në stadin e polipeve. Normalisht kur kanceri tregon simptoma (shenja) do të thotë që ai është në stade të avancuara dhe ja pse “një kolonoskopi e plotë” duhet të kryhet çdo 5 vjet, deri në momentin që të jemi siguruar që e kemi parandaluar ketë lloj kanceri. Gjithashtu është mirë të përmendim faktin që kur kanceri është në afërsi të anusit (fundit të zorrës), pas kryerjes së kirurgjisë gjëja më e keqe që mund t’i ndodhë personit është që ai do të ketë për tërë jetën kolostomë. Kjo gjë do të thotë që ai do të defekojë (dalë jashtë), për tërë jetën nëpërmjet një qeseje të ngjitur në bark. Përveç të gjitha këtyre avantazheve duhet të shtojmë që shumica e njerëzve gabimisht mendojnë se kanë hemorroide dhe pa u konsultuar me specialistin vetë-mjekohen duke përdorur kremra ose suposte dhe pas një kohe diagnostikohen me kancer.

Në qoftë se gjatë ekzaminimit të kolonoskopisë shikoni se keni polipe me çfarë mënyre do t’i hiqni ato?

Fatmirësisht ne mund t’i heqim ato pa qenë nevoja e kirurgjisë së hapur. Ne i referohemi një teknike shumë të specializuar që është polipektomia endoskopike. Nëpërmjet kësaj procedure shumë shpesh ne i këpusim polipet pa nevojën e kirurgjisë së hapur dhe shmangim gjithashtu një kancer të mundshëm në mënyre të suksesshme. Ne përdorim gjithashtu një pajisje me argon plasma e cila, e kombinuar me polipektominë jep rezultat të lartë në eliminim e polipeve të madhësive të ndryshme.

A është i dhimbshëm ekzaminimi i kolonskopisë?

Në ditët e sotme ne kemi në dispozicion sedative (gjumëdhënës) të cilët jepen në mënyrë intravenoze (nga vena) duke i siguruar pacientit komoditet gjatë dhe pas ekzaminimit të kolonoskopisë. Për shkak të këtij qetësuesi pacienti mund të mos mbajë mend fare ekzaminimin. Me pak fjalë, çdo ndjenjë shqetësimi ose dhimbjeje parandalohet falë këtij qetësuesi dhe falë heqjes së ajrit të tepërt në zorrë (i cili futet gjatë ekzaminimit), nga mjeku duke përdorur kolonoskopin (aparatin).

Teknika parandaluese

Tek pacientët me risk të lartë të kancerit të zorrës, kryerja e kolonoskopisë është absolutisht e rekomandueshme si mënyrë parandalimi, sidomos për familjarët e pacientëve që janë diagnostikuar me kancer, ose për ata pacientë të cilët kanë sëmundje me risk të lartë për t’u kthyer në kancer. Për këta individë, bërja e kolonoskopisë sa më parë mund të bëjë të mundur zbulimin e këtyre tumoreve të vogla, heqjen e tyre dhe parandalimin e zhvillimit të kancerit të zorrës brenda një kohe të shkurtër. Kolonoskopia parandalon zhvillimin e “karcinomës invasive” brenda 10 viteve, një e dhënë kjo që justifikon koston e kryerjes së këtij ekzaminimi. Kolonoskopia aktualisht nuk është një ekzaminim i vështirë për pacientin në krahasim me disa vite më parë kur ajo kryhej pa sedativë dhe ishte e dhimbshme. Në ditët e sotme, të gjitha procedurat endoskopike kryhen me sedativë me kohë të shkurtër duke mundësuar një ekzaminim sa më të rehatshëm për pacientin. Nga ana tjetër sondat janë fleksibël dhe doktori ekzaminues është i mirë trajnuar për të kryer këtë ekzaminim.

Procedura

Një nga arsyet kryesore pse duhet të kryhet kolonoskopia e plotë (të shihet e gjithë zorra e trashë), është gjetja e polipeve në zorrë, ku disa prej tyre mund të jenë “neoplastik” të cilët mund të shndërrohen në kancer “adenokarcinoma”. Polipet e zorrës mund të kthehen në kancer për një periudhë 2-7 vjet dhe në të shumtën e kohës nuk japin asnjë simptomë (shenjë), deri në momentin kur kanë arritur në faza të avancuara. Në qoftë se gjatë ekzaminimit të kolonoskopisë zbulohen polipe, ato mund të hiqen shumë lehtë nëpërmjet një procedure të quajtur polipektomi.

Indikacionet e kolonoskopisë

– Kancer i zorrës

– Polipe të kolonit

– Koliti (ulceroz ose Crohn’s)

– Divertikulosis dhe divertikulitis

– Lezione hemorragjike

– Diskomfort abdominal kur është i shoqëruar me humbje në peshe ose me anemi

– Pasazh intestinal jo normal

– Diarre kronike, konstipacion ose ndryshime të regjimit të zorrës.

– Anemia

Përgatitja

Për të kryer një ekzaminim sa më të imtësishëm zorra duhet të jetë patjetër e pastruar nga mbetjet ushqimore. Pacienti merr udhëzime se si ta realizojë këtë gjë. Ai duhet të konsumojë shumë lëngje dhe të marrë laksativë. Gjithashtu nuk duhet të konsumojë ushqim një ditë para ekzaminimit. Gjatë kryerjes së kolonoskopisë pacienti është i sedatuar (me qetësues), endoskopi futet nëpërmjet anusit dhe kalon me kujdes përgjatë gjithë zorrës. Në qoftë se gjatë ekzaminimit hasen polipe, përdoret një lak i hollë teli për t’i këputur. Elektokauteri (pajisje elektrike), përdoret për të prerë me djegie pa shkaktuar gjakderdhje. Gjatë kolonoskopisë mund të kryhen edhe teste të tjera siç është biopsia, ku merren disa copëza të vogla mukoze dhe shihen në laborator me mikroskop. Procedura e kolonoskopisë mund të zgjasë 15-30 minuta. Më pas pacienti kalon në dhomën e observimit ku i vlerësohen shenjat jetësore deri sa zgjohet plotësisht. Dhimbjet e lehta të barkut janë normale pas ekzaminimit. Ato kalojnë brenda një ore. Për shkak të sedatimit pacienti duhet të jetë i shoqëruar nga familjarët.

Klean Prep është një pluhur i posaçëm që përdoret për të përgatitur zorrën përpara se të kryeni kolonoskopinë. Një kuti Klean Prep ka 4 paketa. Një ditë përpara ekzaminimit duhet të konsumohet një mëngjes i lehtë rreth orës 8:00. Më vonë nuk lejohet të konsumohet asnjë ushqim solid (i fortë). Konsumoni lëngje të kthjellëta përgjatë gjithë ditës bashkë me Klean-prep. Lëngje të kthjellëta, të lejuara janë: ujë, çaj kamomili, lëng mishi, lëngje frutash (por pa pure). Nuk duhet të pini lëngje frutash me ngjyrë të kuqe ose vjollcë, ose të konservuara sepse këto mund të shkaktojnë veshje të mukozës së zorrës.

Shmangni ushqimet me fara, si: fiq, kivi, rrush. Ju duhet të filloni përgatitjen e zorrës sipas përshkrimit, në mesditë rreth orës 12:00. Çdo paketë duhet të tretet në 1 litër ujë secila. Doza normale është 4 paketa dhe tretësira (4 litra), duhet të merret një gotë çdo çerek ore deri sa të konsumohet e gjitha.

Përzierja mbahet në frigorifer për ta bërë shijen më të pranueshme. Kujdes, përzierja duhet të jetë e tretur mirë, pa grimca të dukshme. Mos e pini menjëherë të gjithë litrin e tretësirës, sepse kjo mund të shkaktojë të vjella. Nëse keni ndjesinë e të vjellës, ngadalësojeni pak pirjen. Ndërkohë, nga një gotë tretësirë në tjetrën, duhet të konsumohet ujë dhe lëngje të kthjellëta.

KUJDES! Duhet të merren të katërta paketat (me 4 litra ujë), për një periudhë 4 deri 6 orë, përveç të cilave sigurohuni që të konsumoni sasi të madhe lëngjesh të kthjellëta shtesë (mbi 6 litra), të cilat ju ndihmojnë të mos dehidroheni. Kjo siguron dhe një pastrim të mirë të zorrës.

Për të shmangur urinë, duhet të merrni lëngje me përmbajtje proteinash (lëng mishi të kthjellët ose lëngje të ëmbla). Mund të përjetoni disa dhimbje barku ose ndjesi të vjelle, të cilat do të lehtësohen me daljet jashtë (defekimet). Daljet e shpeshta jashtë pritet të fillojnë pasi të keni pirë paketën e parë të klean-prep. Sigurohuni të jeni afër tualetit dhe të keni pasditen pushim.

Është shumë e rëndësishme të ndiqen të gjitha udhëzimet për përgatitjen e zorrës, në mënyrë që të keni një ekzaminim sa më të mirë dhe efektiv.

Ditën e ekzaminimit vazhdoni të merrni lëngje të kthjellëta deri dy orë para orës së ekzaminimit.

Daljet e shpeshta diarreike mund të lëndojnë pjesën e anusit, kështu që rekomandohet të përdoret vazelinë ose produkte të tjera lubrifikuese në zonën e lënduar. Gjithashtu për të parandaluar flluskat gjatë ekzaminimit ju rekomandojmë të përdorni 4-tableta Simetikon (Espumisan), të cilat pihen 2 tableta çdo 8 orë.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

“Si më arrestuan partizanët kur isha 8 vjeç”

Nga Kurt Kola Pjesë nga libri “Në Shqipërinë burg”, botim i UET...
Read More