Flet mjeku: Nga ushqimet tek ilaçet dhe disa sëmundje shkaktare për kapsllëkun

Në shumë raste kapsllëku është i përkohshëm dhe jo serioz. Mirëpo njohja me shkaqet, parandalimin dhe trajtimin mund të ndihmojë shumë njerëz në lehtësimin e këtij problemi

Kapsllëku është përcaktuar si situatë kur zorra juaj ka më pak se tre defekime (jashtëqitje), në javë. Në kapsllëk (konstipacion) materialet fekale janë të forta, të thata, të vogla në madhësi dhe që dalin me vështirësi. Shumë njerëz që kanë kapsllëk kanë dhimbje gjatë defekimit dhe shpeshherë kanë tendosje, fryrje dhe ndjesinë e një zorre të mbushur. Shumë njerëz mendojnë se kanë kapsllëk në qoftë se nuk dalin jashtë çdo ditë. Gjithsesi, jashtëqitje (defekim) normal mund jetë tre herë në ditë deri në tre herë në javë. Kjo varet nga personi. Altin Cekodhima, doktor gastrohepatolog sqaron se kapsllëku është shenjë dhe jo sëmundje. “Pothuajse çdo njeri mund të ketë kapsllëk në jetën e tij dhe shkaku më tipik është një dietë e varfër. Në shumë raste është i përkohshëm dhe jo serioz. Njohja me shkaqet, parandalimin dhe trajtimin mund të ndihmojë shumë njerëz në lehtësimin e këtij problemi”, shpjegon mjeku.

Çfarë e shkakton kapsllëkun (konstipacionin)?

Për të kuptuar konstipacionin të vjen në ndihmë njohuria sesi punon zorra e trashë. Pasi ushqimet kalojnë ne zorrën e trashë kjo e fundit thith ujin nga ushqimet ndërkohë që ai kthehet në mbetje ushqimore ose në feçe. Muskujt e zorrës kontraktohen duke i shtyrë ato në drejtim të rektumit. Kur feçet arrijnë në rektum ato janë të forta sepse një pjesë e mirë e ujit është përthithur. Konstipacioni ndodh kur zorra përthith më shumë ujë ose kur muskujt kontaktues të zorrës punojnë ngadalë. Si rezultat feçet bëhen të forta dhe të thata.

Shkaqet kryesore të kapsllëkut janë; dieta e varfër në fibra ushqimore; mungesa e aktivitetit fizik (zakonisht te të moshuarit); medikamentet; qumështi; sindromi i zorrës së irritueshme; ndryshime në mënyrën e jetesës ose rutinës si p.sh. shtatzënia, moshimi dhe udhëtimet; abuzime me laksativët (medikamentet që ndihmojnë në jashtëqitje); injorimi i nevojës urgjente për të defekuar; humbje e lëngjeve të trupit (dehidrimi); sëmundje të veçanta ose situata të veçanta; probleme me zorrën dhe rektumin; probleme me funksionin intestinal.

Dieta e varfër në fibra

Njerëzit të cilët përdorin një dietë të pasur me fibra ushqimore kanë më pak gjasa të vuajnë nga kapsllëku, kurse dieta e varfër në fibra është një nga arsyet më të shpeshta pse ai ndodh. Disa ushqime të varfra me fibra janë mishi, djathi, veza.

Fibrat gjenden në frutat, perimet dhe te drithërat të cilat trupi ynë nuk arrin t’i tresë. Fibrat e tretshme shpërbëhen lehtë në ujë dhe janë të buta dhe të rrëshqitshme në zorrë. Fibrat e patretshme kalojnë nëpër zorrë pa pësuar ndryshime. Këto dy lloj fenomenesh ndihmojnë në parandalimin e tharjes dhe fortësisë së feçeve duke i bërë ato lehtësisht të lëvizshme nëpër zorrë.

Ushqimi i varfër me fibra krijon kapsllëk veçanërisht te personat e moshës së tretë, gjë që çon në humbjen e interesit për të ngrënë dhe në zgjedhjen e ushqimeve të gatshme ose gjysmë të gatshme e të thjeshta për t’u gatuar. Të dyja këto zgjedhje janë të varfra me fibra ushqimore. Gjithashtu, vështirësia për të përtypur me dhëmbë ose për të gëlltitur ushqime të forta bën që të moshuarit të detyrohen të hanë ushqime të buta të cilat janë të varfra me fibra.

Përdorimi jo i mjaftueshëm i lëngjeve

Kërkimet kanë treguar se rritja e sasisë së lëngjeve të marra nuk bën lehtësimin e konstipacionit në të gjitha rastet, por shumë njerëz raportojnë se lehtësohen shumë në jashtëqitje nëse pinë lëngje si p.sh. ujë dhe lëngje frutash. Ata gjithashtu shmangin dehidrimin. Lëngjet shtojnë ujin në zorrë duke i bërë feçet më të buta dhe më të lehta për të lëvizur. Njerëzit që kanë probleme me kapsllëkun duhet të shtojnë sasinë e marrjes së lëngjeve në ditë.

Disa lëngje që përmbajnë kafeinë si kafeja apo Coca-Cola mund të ashpërsojnë simptomat duke shkaktuar dehidrim. Alkooli është një tjetër pije që shkakton dehidrim. Është e rëndësishme të pihen lëngje që hidratojnë trupin sidomos kur njerëzit konsumojnë kafeine apo alkool.

Mungesa e aktivitetit fizik

Mungesa e aktivitetit fizik mund të çojë në kapsllëk edhe pse si fenomen është akoma i panjohur. Për shembull kapsllëku ndodh pas një aksidenti ose gjatë një sëmundjeje kur jeni të detyruar të rrini regjim shtrati dhe s’mund të bëni ushtrime fizike. Mendohet se mungesa e aktivitetit fizik është një ndër arsyet e kapsllëkut te moshat e vjetra.

Medikamentet

Disa ilaçe që shkaktojnë kapsllëk janë: ilaçet kundra dhimbjes; antiacidet që kanë në përbërje alumin dhe kalcium; ilaçet e hipertensionit; ilaçet kundra sëmundjes së Parkinsonit; antispastikët; antidepresantët; mjekimi me hekur; diuretikët; antikonvulsantët.

Ndryshimet në mënyrën e jetesës

Gjatë shtatzënisë gratë mund të kenë kapsllëk për shkak të ndryshimeve hormonale ose për shkak të shtypjes që bën mitra (uterusi) mbi zorrët. Mosha gjithashtu mund të ndikojë në rregullsinë e lëvizjes së zorrës. Për shkak të ngadalësimit të metabolizmit, zorrët kanë aktivitet muskular më të dobët. Për më tepër, njerëzit bëhen kaps kur udhëtojnë për shkak të ndryshimit të dietës dhe rutinës ditore.

Abuzimi me laksativët

Laksativë quhen medikamentet të cilat ndihmojnë jashtëqitjen (defekimin). Mendimi se njerëzit duhet të defekojnë përditë ka bërë që disa njerëz të përdorin laksativë. Edhe pse njerëzit ndihen të lehtësuar nga përdorimi i laksativëve ata duhet të rrisin dozat për shkak se trupi me kalimin e kohës krijon varësi ndaj tyre.

Injorimi i nevojës urgjente për të defekuar

Njerëzit të cilët injorojnë nevojën për jashtëqitje (defekim) duke e ndaluar një ndjesi të tillë çon në kapsllëk. Disa njerëz e vonojnë jashtëqitjen për shkak se nuk duan të përdorin tualetet jashtë shtëpisë. Të tjerë e injorojnë për shkak të stresit emocional ose janë shumë të zënë me punë. Fëmijët e injorojnë për shkak të trajnimeve stresuese higjienike ose se nuk duan të ndërpresin lojërat.

Sëmundje të veçanta

Sëmundjet të cilat shkaktojnë kapsllëk janë ato neurologjike, metabolike, endokrine dhe situate sistemike të cilat prekin sistemin e organeve. Këto çrregullime mund të ngadalësojnë lëvizjen e feçeve nëpër zorrë, rektum dhe anus.

Kushtet që mund të shkaktojnë kapsllëk janë: çrregullime neurologjike; skleroza multiple; sëmundja e Parkinsonit; pseudo-obstruksione të zorrëve kronike idiopatike; hemorragjitë cerebrale; dëmtime të shtyllës kurrizore; situatat metabolike dhe endokrine; diabeti; ureja në gjak (uremia); sasi e tepruar e kalciumit në gjak (Hiperkalcemia); kontroll të dobët të glicemisë; sasi e pakët e hormoneve të tiroides (Hipotiroidizmi); çrregullimet sistemike; Amyloidosis; Lupus dhe Skleroderma.

Probleme me zorrën dhe rektumin

Obstruksionet intestinale (bllokim i zorrëve), dëmtime të indeve, divertikulozat, tumoret, striktura (ngushtimi) kolorektal, sëmundja e Hirschsprungut ose kanceri mund të komprimojë, shtrëngojë ose ngushtojë zorrët dhe rektumin duke shkaktuar kapsllëk.

Probleme me funksionin e zorrëve

Dy llojet e kapsllëkut janë konstipacioni me shkaqe të panjohura (idiopatik) dhe konstipacioni funksional. Sindromi i zorrës së irritueshme me shenja mbizotëruese të konstipacionit është i kategorizuar më vete.

Kapsllëku me shkaqe të panjohura (idiopatike), nuk i përgjigjet mjekimeve standarde. Ai mund të jetë i lidhur me probleme funksionale të zorrëve ku përfshihen kontrolli hormonal, nervat dhe probleme të muskujve të zorrës së trashë, rektumit dhe anusit.

Kapsllëk funksional do të thotë që zorra është e shëndoshë por nuk funksionon siç duhet. Nuk shkaktohet nga sëmundje organike. Zakonisht është rezultat i dietave të varfra dhe mënyrës së jetesës. Ai ndodh si tek fëmijët ashtu edhe tek të rriturit.

Inercia kolonike, tranzit i vonuar dhe mosfunksionim i muskujve të dyshemesë pelvike janë tri arsye për formimin e kapsllëkut funksional. Inercia kolonike dhe vonesa të tranzitit shkaktohen nga rënia e aktivitetit muskular të zorrës. Këto sindroma mund të prekin komplet zorrën e trashë ose mund të lokalizohen në pjesën e poshtme të zorrës, në sigmë.

Mosfunksionimi i dyshemesë pelvike mund të vijë si rezultat i dobësisë së muskujve të legenit që rrethojnë anusin dhe rektumin.

Si identifikohet shkaku i kapsllëkut?

Testet që mund të kërkojë doktori varen nga kohëzgjatja dhe ashpërsia e kapsllëkut, mosha e personit, nëse ka gjak në feçe, ndryshime të regjimit të zorrës dhe nëse është e pranishme humbja në peshë.

Historia mjekësore

Doktori mund të pyesë pacientin që t’i përshkruajë kapsllëkun duke përfshirë shenjat, si: frekuencën e jashtëqitjeve, fortësia (konsistencën) e feçeve, praninë e gjakut në to, mënyrën se si ushqehet, nëse merr mjekime, nivelin e aktiviteti fizik etj. Këto pyetje mund të ndihmojnë doktorin për të gjetur arsyen e konstipacionit.

Përkufizimi klinik i kapsllëk është prania e të paktën dy prej simptomave të mëposhtme për të paktën 12 javë në harkun kohor prej 12 muajsh; shtrëngime gjatë jashtëqitjes (defekimit); feçe të forta dhe të vogla në madhësi; ndjesia e mos zbrazjes komplet; ndjesia e bllokimit anorektal; më pak se tre jashtëqitje në javë.

Ekzaminimi fizik

Ekzaminimi fizik mund të përfshijë atë rektal me anë të vizitës me gisht me dorezë të lubrifikuar për të vlerësuar tonusin e muskulaturës që mbyll anusin dhe për të vëne re butësinë, ngushtimin ose praninë e gjakut. Testime të shumta bëhen zakonisht tek personat të cilët kanë simptoma të ashpra, në ato që krejt papritur kanë ndryshime në regjimin e zorrës ose prani të gjakut në feçe ose në moshat e treta. Teste plotësuese për të vlerësuar kapsllëkun përfshijnë: vlerësimin e lëvizshmërisë së zorrës dhe vlerësimin e funksionit anorektal.

Për shkak të rritjes së rrezikut për kancer në moshat e treta, doktori mund të përdorë teste të tjera për të përjashtuar kancerin kolorektal të cilat janë: skopi e zorrës me kontrast barium, sigmoidoskopia/kolonoskopia dhe vlerësim i lëvizshmërisë së zorrës. Ky test vlerëson se si lëviz ushqimi nëpër zorrë. Pacienti gëlltit disa tableta të cilat kanë përbërje të dukshme në grafi. Lëvizshmëria e këtyre tabletave mbahet nën kontroll me grafi përreth 3-7ditë pasi ato janë gëlltitur. Pacienti duhet të përdorë dietë të pasur me fibra gjatë këtij testimi.

Vlerësimi i funksionit anorektal

Ky test ndihmon në diagnostikimin e konstipacionit për shkak të mosfunksionimit mirë të anusit dhe rektumit, të cilët vlerësohen me anë të manometrisë anorektale e cila vlerëson funksionin e muskujve analë.

Skopia me kontrast

Ky ekzaminim përfshin shikimin me grafi te rektumit, zorrës së trashë dhe pjesës së poshtme të zorrëve të holla për të lokalizuar problemin. Ky ekzaminim mund të tregojë obstruksion (bllokim), dhe sëmundjen e Hirschsprungut e cila është mungesa e inervimit të zorrës.

Një natë përpara ekzaminimit është i nevojshëm pastrimi i zorrës. Pacienti merr disa lëngje të veçanta të cilat ndihmojnë pastrimin e zorrës. Pastrimi i zorrës është shumë i rëndësishëm sepse prezenca e pjesëve sado të vogla të mbeturinave ushqimore mund të shkaktojnë probleme të cilat nuk lejojnë që ekzaminimi të kryhet i plotë.

Për shkak se zorra nuk duket mirë në grafi, pacienti duhet të pi barium, një lëng i bardhë i cili bën të dukshme hapësirën në brendësi të zorrës . Pacienti mund të ndjejë dhimbje barku në formë krampesh kur bariumi mbush zorrët, situatë kjo e cila përmirësohet pas ekzaminimit. Feçet mund të jenë të bardha edhe disa ditë pas ekzaminimit.

Sigmoidoskopia/Kolonoskopia

Ekzaminimi i pjesës së poshtme të zorrës së trashë quhet sigmoidoskopi ndërsa i krejt zorrës quhet kolonoskopi.

Për të kryer këtë ekzaminim duhet që zorra të jetë e pastruar. Për këtë pacientit i jepen disa lëngje të veçanta për 24 orë.

Gjatë ekzaminimit pacienti është gjysmë i qetësuar me gjumëdhënës (i sedatuar).

Në qoftë se vihen re anomali doktori mund të marrë material për biopsi për të dhënë një diagnozë të saktë. Pas ekzaminimit pacienti mund të ndjejë barkun pak të fryrë, situatë e cila përmirësohet shumë shpejt.

Si mjekohet?

Edhe pse trajtimi i kapsllëkut varet nga shkaqet, ashpërsia dhe kohëzgjatja, në shumë raste, dietat e pasura me fibra, përdorimi i ujit dhe lëngjeve të tjera në sasi të mëdha dhe ndryshimet në mënyrën e jetesës mund të jenë të suksesshme për lehtësimin e shenjave dhe parandalimin e përsëritjes së tij.

Trajtime te tjera

Trajtimi i kapsllëkut mund të lidhet me shkaqe të veçanta. Për shembull, doktori mund të rekomandojë ilaçe ose kirurgji për të korrigjuar prolapsin anorektal, situatë në të cilën pjesa e poshtme e zorrës del jashtë anusit.

Heqja kirurgjikale e zorrës mund të jetë një opsion për pacientët me shenja të ashpra nga inercia. Gjithsesi të mirat e këtij operacioni duhen të peshohen kundrejt komplikacioneve të mundshme të cilat përfshijnë dhimbje të barkut dhe diarre.

Kujdes!

Pyetjes se a mund të bëhet kapsllëku serioz, mjeku thotë se shpesh herë kapsllëku mund të çojë në komplikacione, ku përfshihen hemorroidet të cilat shkaktohen nga shtrëngimet gjatë defekimit ose fisura anale (të çara) të shkaktuara prej feçeve të forta. Si rezultat, kemi hemorragji e cila është gjak i kuq i pastër i dukshëm në WC. Gjithashtu dhe prolapsi rektal i lartpërmendur është një komplikacion, i cili në disa raste është shumë i ashpër dhe kërkon korrigjim me kirurgji.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Le ta lëmë Ramën të ikë në vitin 2021

Nga Mustafa Nano Ja një e vërtetë që njerëzit bëjnë mirë ta...
Read More