Flet mjeku reumatolog: Si zbulohen sëmundjet që dëmtojnë shtyllën kurrizore, gjunjët e supet

Një pjesë e simptomave të SPA si dhimbja, lodhja bëhen të vazhdueshme sado që intensiteti i tyre ulet nga trajtimi dhe bëhen pjesë e jetës. Këta pacientë bëjnë aktivitetin e tyre jetësor normal sidomos në erën e trajtimeve të reja të cilat e kanë përmirësuar cilësinë e jetës dhe kanë ndryshuar dhe kursin e sëmundjes

Dhimbje e beftë në orët e para të mëngjesit e cila e të zgjon nga gjumi, ndërsa qetësohet nga lëvizja dhe nga ushtrimet, acarohet në gjendje qetësie. Përveç problemeve me shtyllën kurrizore, këta persona mund të kenë lodhje e mpirje edhe te kyçet periferike, si: gjunjët dhe supet. Mpirja, pamundësia e lëvizjes dhe dhimbja që ndiejmë në këto pjesë të trupit sinjalizojnë për prani të Spondiloartropative (SPA), bëhet fjalë për një grup sëmundjesh të cilat ndajnë të njëjtat tipare klinike si inflamacionin në artikulacionet aksiale, artrite josimetrike monoartikulare (të një artikulacioni) si edhe prezencën e enthesitis. Ato paraqesin një lidhje të ngushtë me antigjenin e histokompaktibilitetit indor HLA-B27. Prekin kryesisht moshat nën 40 vjeç dhe kanë kryesisht predispozitë gjenetike. Në një intervistë për “Mapo” doktor Ervin Rapushi, mjek reumatolog shpjegon se vendosja e një diagnoze të saktë kërkon bashkërendimin e një anamneze të plotë dhe të saktë së bashku me ekzaminimin fizik, imazherik dhe gjenetik. Ekzaminimet laboratorike të tjera të domosdoshme për të përcaktuar aktivitetin e sëmundjes. Nga ana tjetër, doktori reumatolog shpjegon se me erën e trajtimeve të reja është përmirësuar cilësia e jetës si dhe është ndryshuar dhe kursi i sëmundjes.

Çfarë janë Spondiloartropatitë?

Spondiloartropatitë (SPA) janë një grup sëmundjesh të cilat ndajnë të njëjtat tipare klinike si inflamacionin në artikulacionet aksiale, artrite josimetrike monoartikulare (të një artikulacioni) si edhe prezencën e enthesitis. Ato paraqesin një lidhje të ngushtë me antigjenin e histokompaktibilitetit indor HLA-B27. Në këtë grup patologjish bën pjesë: Spondiliti Ankilozant, SPA e lidhura me Psoriazin (Artriti Psoriatik), SPA e padiferencuara, Artriti Reaktiv, SPA e lidhura me sëmundjet inflamatore të zorrës (Morbus Chron dhe Koliti ulceroz), SPA me fillim juvenil. SPA në popullatën kaukaziane kanë një prevalencë përafërsisht 0.5-2%, nga familja e SPA incidencë më të madhe ka Spondiliti Ankilozant si edhe SPA e padiferencuara, më pak frekuent është artriti reaktiv.

Si shfaqen këto sëmundje, cilat janë shenjat e tyre?

Manifestimet muskuloskeletike: përfaqësohen nga dhimbja e mesit inflamatore, artriti periferik, daktiliti dhe enthesiti. Dhimbja e mesit me karakter inflamator është simptoma më e shpeshtë e referuar nga pacientët në 70% të rasteve, ajo shfaqet në mënyrë graduale në moshë të re më pak se 40 vjeç e cila referohet si dhimbje e beftë në orët e para të mëngjesit e cila e zgjon pacientin nga gjumi e detyron atë të ngrihet nga shtrati ose nëse qëndron ulur gjatë e detyron të çohet, qetësohet nga lëvizja dhe nga ushtrimet, acarohet nga pushimi gjë e cila e diferencon nga dhimbjet e mesit me origjinë mekanike të shkaktuara p.sh nga hernia diskale apo spondiloartrozat etj. Artriti i SPA ka fillim të menjëhershëm i cili preferon artikulacionet e anësive të poshtme më shpesh gjurin dhe artikulacionin talo-crural në mënyrë asimetrike. Enthesitits, “enthesis” është pika e inserimit të ligamenteve, tendinëve, kapsulës artikulare me kockën, inflamacioni i kësaj pike takimi quhet enthesitis, inflamacion i cili karakterizohet nga ënjtja, dhimbja dhe ndjeshmëria në prekje në këtë pikë inserimi. Dactilitis quhet ndryshe edhe gishti në formë “salsiçe”, pasi gishti inflamohet dhe merr formën e salsiçes, prek si gishtat e duarve edhe atyre të këmbëve, nuk është karakteristik vetëm i SPA pasi ndeshet edhe në infeksionet nga tuberkulozi, sifilizi dhe anemia drepanocitare.

SPA përveçse kolonës dhe kyçet prekin edhe organe të tjera si: sëmundja inflamatore e syrit e cila debutohet me konjunktivitis, uveitis anterior, prekja zakonisht është vetëm e njërit sy dhe karakterizohet nga dhimbja e syrit, skuqja dhe fotofobia (nuk durojnë dot dritën); prekja e mushkërisë (fibroza pulmonare); prekja e veshkës; zemrës.

Spondiliti Ankilozant

Është një sëmundje infalamatore kronike më e shpeshtë në grupin e SPA, e cila prek aksin skeletik (kolonën vertebrale), e cila manifestohet me dhimbje mesi inflamatore me ngurtësim progresiv të lëvizshmërisë së kolonës. Ai prek meshkujt më shumë se femrat në raportin 3:1 në moshë të re me pikë më të lartë në moshën 20-30 vjeç. Manifestimet klinike përfshijnë: dhimbje mesi e cila përhapet në të dy regjionet femorale (të kofshëve), ulje të mobilitetit të kolonës spinal, të ekspansionit (lëvizshmërisë) të kafazit të kraharorit, dhimbje të artikulacionet koksofemorale, shpatull, artrite periferike, prekje të art temporomandibulare, enthesitis, shenja konstitucionale si lodhje dhe temperaturë subfebrile. Uveit anterior akut, prekje të artikulacioneve të cilat lidhin bazën e kafkës me kolonën cervikale e cila çon në komprimim (shtypje) të palcës së kockës. Ai shoqërohet me prekje të organeve si mushkëritë, veshkat dhe zemra.

Si diagnostikohen SPA?

Një diagnozë e saktë kërkon bashkërendimin e një anamneze të plotë dhe të saktë së bashku me ekzaminimin fizik, imazherik dhe gjenetik. Ekzaminimet laboratorike të tjera të domosdoshme për të përcaktuar aktivitetin e sëmundjes. Ajo që kërkohet kur dyshohet një SPA është radiografia e bachinit për evidentimin e prekjes së artikulacioneve sacroiliakeve (sacroileitis i cili është një pikë kyçe në diagnozën e SPA), dhe për të qenë më të saktë rezonanca magnetike (MRI) e këtyre artikulacioneve e cila e diagnostikon sacroileitis që në fazat e hershme, më pas pacienti kompletohet edhe me radiografi apo MRI të kolonës vertebrale dhe të artikulacioneve të prekura. Testi për shprehjen e gjenit HHLA-B27 i rëndësishëm për diagnozën te pacientët e dyshuar por mos shprehja e këtij gjeni nuk e përjashton SPA, aq më tepër që prezenca e këtij gjeni nuk do të thotë që patjetër pacienti do të zhvilloj SPA. Si përfundim vendosja e diagnozës kërkon mbështetjen e të gjithë këtyre ekzaminimeve dhe vlerësimin e mjekut reumatolog.

Çfarë probleme të tjera shfaqen te këta pacientë?

Disa nga komplikacionet që shfaqen te pacientët me SPA dhe që kërkojnë një trajtim multidisiplinar të fushave të mjekësisë përfshijnë:

Osteoporoza, e cila shfaqet herët tek pacientët me SPA sidomos tek ata që kanë funksionim të kolonës vertebrale dhe paraqesin një risk të rritur për fraktura vertebrale dhe shpeshherë nga dëmtimi i palcës kockore mund të provokohen paraliza të cilat kërkojnë një trajtim neurokirurgjia.

Inflamacioni i strukturave të syrit të cilat shfaqen në 40% të pacientëve, kërkon një kooperim ndërmjet mjekut reumatolog dhe atij okulist.

Inflamacioni i valvulës së aortës në zemër e cila shfaqet rrallë te pacientët me SPA kërkon një kujdes jo vetëm nga mjeku reumatolog por edhe nga ai kardiolog apo kardiokirurg.

SPA nga psoriazi (Artriti Psoriatik) kërkon trajtim të kombinuar, reumatolog dhe dermatolog.

SPA nga sëmundjet inflamatore të zorrës kërkon një përqasje të skemave të mjekimit ndërmjet reumatologut dhe gastroenterologut.

Si është të jetosh me “SPA”?

Një pjesë e simptomave të SPA si dhimbja, lodhja bëhen të vazhdueshme sado që intensiteti i tyre ulet nga trajtimi dhe bëhen pjesë e jetës. Gjithsesi pacientët me SPA bëjnë aktivitetin e tyre jetësor normal sidomos në erën e trajtimeve të reja të cilat e kanë përmirësuar cilësinë e jetës dhe kanë ndryshuar dhe kursin e sëmundjes. Ka shumë gjëra që një pacient mund të bëjë për të përmirësuar shëndetin; si ushtrime të përditshme për të ruajtur lëvizshmërinë artikulacioneve dhe kolonës, nëse janë duhanpirës duhet të ndalojnë duhanin pasi duhani i rëndon SPA dhe studimet kanë treguar që përshpejton funksionin e kolonës vertebrale. Terapitë në grup kanë treguar një suport të rëndësishëm në jetën e këtyre pacientëve.

Mënyrat e trajtimit të Spondiloartropative (SPA)?

Trajtimi bazohet në dy shtylla të kombinuara dhe të pandara; trajtimi medikamentoz dhe terapinë fizike. Të gjithë pacientët duhet të udhëzohen drejtë edukimit për terapitë fizike, për ushtrimet që ruajnë mobilitetin artikular dhe të kolonës. Ka shumë medikamente të cilat rekomandohen në trajtimin e SPA ku më të përdorurat për qetësimin e dhimbjeve janë antiinflamatorët jo steroid (NSAIDs); si ibuprofen, naproxen, indometacin, meloksikam, ketoprofen etj. Asnjë prej këtyre nuk është superior kundrejt tjetrit por mjafton që ata të përshkruhen në mënyrë korrekte dhe në përputhje me aderencën që ka pacienti. Medikamentet të cilat rekomandohen për trajtimin e këtyre grup sëmundjesh janë ata që quhen modifikues të sëmundjes (DMARDs); si sulfasalazinë, methotrexat të cilët parandalojnë dëmtimet në kolonë dhe ato artikulare dhe njëkohësisht përmirësojnë simptomat e sëmundjes. Glukokortikoidet (kortizoni) rekomandohet për kohë të shkurtër për të kontrolluar simptomat e sëmundjes nëse NSAIDs dështojnë për të kontrolluar këto simptoma, për shkak të efekteve anësore që paraqesin nuk rekomandohet terapi afatgjatë me ta, në rastet me artrit vetëm të një artikulacioni ata mund të aplikohen edhe intraartikular. Antibiotikët janë një opsion vetëm në artritin reaktiv, në format e tjera përdorimi i tyre nuk gjen mbështetje. Frenuesit e TNF alfës janë një grup medikamentesh (të quajtur si trajtimi biologjik), të cilat e kanë ridimensionuar trajtimin dhe ecurinë e sëmundjes te pacientët me SPA, ata arrijnë të ulin aktivitetin e sëmundjes dhe të kontrollojnë simptomat, përdoren në mënyrë efikase në trajtimin e simptomave të kolonës dhe të artikulacioneve të prekura. Në këtë grup të miratuara nga FDA (Food and Drug Administration), për trajtimin e SPA përmendim: Infliximabin i cili administrohen në mënyrë spitalore intravenoze, etanercept i cili administrohet nën lëkurë në kushte shtëpiake, adalimumab administrohet nën lëkurë në kushte shtëpiake, golimumab administrohet nën lëkurë në kushte shtëpiake. Të gjitha preparatet biologjike administrohen sipas një skeme të caktuar nga mjeku reumatolog apo në bashkërendim me mjekët e specialiteteve të tjera. Preparatet biologjike kanë kosto të lartë dhe jo pa efekte anësore, ata mund të shkaktojnë në disa raste infeksione serioze dhe dëmtime të formulës së gjakut apo të bëhen shkaktare edhe të patologjive të tjera shpeshherë jetë kërcënuese. Preparatet biologjike duhet të theksohet se nuk e mjekojnë sëmundjen por kontrollojnë aktivitetin e saj, ndaj ato duhet të kombinohen me patjetër me medikamentet modifikuese të sëmundjes. Trajtimi kirurgjikal është një tjetër opsion te pacientët të cilët paraqesin dëmtime artikulare të rëndësishme (ankiloza), me kufizim të shprehur të aktivitetit të përditshëm.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Besart Kadia: Thuajse e pamundur që Rama të bëjë treg, do të duhej të hiqte dorë nga pushteti i tij

Drejtori i Institutit “Pashko” flet për fushatën e fundit “Pse treg dhe...
Read More