Flet pedagogu i UET, Enri Hide: Pesë konkluzione pas takimit Trump-Putin

Ditët e fundit po diskutohet së tepërmi raporti midis presidentit të SHBA-së Donald Trump dhe homologut të tij, presidentit të Rusisë Vladimir Putin. Shumë pyetje po shtrohen në median ndërkombëtare, por edhe atë shqiptare, pas komenteve të presidentit amerikan. Për këtë çështje flet Enri Hide, pedagog në Universitetin Europian të Tiranës, njohës i mirë i Marrëdhënieve Ndërkombëtare.

Bisedoi: Ada Kacmoli

Në Samitin e Helsinkit, Donald Trump dhe Vladimir Putin deklaruan se kanë ndërmarrë hapa për përmirësimin e marrëdhënieve midis vendeve të tyre. Ndërkohë që kjo gjë u tha në takimin midis Trump edhe Kim Jong. Por disa media raportojnë se nuk ka përmirësim të marrëdhënieve midis SHBA-së dhe Koresë së Veriut. Çfarë mendoni në lidhje me këtë deklaratë?

Samiti i Helsinkit konfirmoi një prirje autokratike të presidentit Trump. Së pari, shkëputjen e tij nga Europa dhe shpërfilljen për aleatët më të mëdhenj të SHBA-së pas Luftës së Dytë Botërore. Së dyti, dëshmoi shpërfilljen e tij për gjeopolitikën dhe diktatin e tij në balancat e politikës botërore. Kjo e bën qasjen amerikanë shumë të rrezikshmë për balancën globale të fuqisë. Së treti, shpërfilljen e tij për të gjitha institucionet amerikane të sigurisë, duke mbivlerësuar Putinin dhe një shtet tjetër në raport me institucionet amerikane që kanë rezultuar prej fundit të Luftës së Dytë Botërore institucionet më të besueshme të sigurisë për popullin amerikan dhe Perëndimin në përgjithësi.

Së katërti, duket se për herë të parë në histori, një president amerikan po tenton të shpërbëjë NATO-n me qasjen e tij krejtësisht anti-strategjike dhe miope. Së pesti, për herë të parë në histori kemi një president amerikan peng të së kaluarës së tij, siç rezultoi nga qasja dhe frika e Trump në Samit për të mos ngritur asnjë prej çështjeve të mprehta dypalëshe. Trump po shkakton dëme të jashtëzakonshme në rendin e ri ndërkombëtar të pas viteve ‘90-të, duke kaluar praktikisht pikën e moskthimit pas.

Evropa tashmë duhet të bashkohet pasi në këtë pikë s’ka më alternativa dhe nuk duhet ta shohë më Amerikën – të udhëhequr nga ky president aventurier dhe i papërgjegjshëm- si partner strategjik as në tregti as në siguri. Duhet theksuar se Rusia nga ana tjetër i ka shkelur me të dyja këmbët shumë prej parimeve të së drejtës ndërkombëtare mes të cilave dhe ai kyç i respektimit të sovranitetit dhe integritetit territorial, siç dëshmoi rasti i Ukrainës, e cila në fakt mund të jetë paradoksalisht humbësja më e madhe nga ky samit, tok me republikat Baltike që do të jenë shumë shpejt nën presione edhe territoriale ruse, për shkak të minoriteteve ruse që banojnë në to.

Ndërkohë samiti me Kim Jongun nuk ishte përmbajtësor, në kuptimin që rezultatet ishin shumë të përgjithshme, ato që Koreja e Veriut i kishte dhënë si premtime edhe më parë, pa asnjë afat negociatash për de-nuklearizimin e gadishullit.

Trump citoi në Fox News se malazezët dhe shqiptarët janë të fortë, agresivë dhe mund të ndezin ‘Luftën e III Botërore’. Si e komentoni deklaratën e tij?

Këtu duhet bërë një dallim midis Shqipërisë si shtet dhe shqiptarëve në Ballkan si entitet kombëtar. Shqiptarët nuk kanë nisur asnjëherë ndonjë luftë botërore, ndryshe nga shtetet fqinje të Ballkanit. Por, sigurisht që në rrjedhën e historisë kemi treguar se jemi një popull që dimë t’u mbijetojmë furtunave të historisë.

Shqipëria dhe shqiptarët nuk kanë qenë asnjëherë agresivë e as agresorë,  por janë vendosur historikisht në pozita mbrojtëse e madje mbijetuese. Madje Shqipëria nuk hyn as në shtetet më të forta të Ballkanit nga pikëpamja e kapaciteteve ushtarake apo mbrojtëse, por sigurisht që këto kapacitete për ne shumëfishohen përderisa jemi anëtare të NATO-s. Shqipëria ka pranuar të shkojë në 2% të GDP-së për shpenzimet në mbrojtje, por ishte tejet populiste nga ana e Presidentit amerikan të përdorej shembulli ynë.

Së pari sepse 2% e këtyre shpenzimeve të Shqipërisë janë shumë pak krahasuar me po këtë shifër për vende si Gjermania apo Italia dhe Franca.

Së dyti sepse kjo për Shqipërinë e varfër do të jetë një kosto e lartë, që do duhet ta mbajnë qytetarët e këtij vendi e potencialisht mund të këtë pasoja makroekonomike.

Agjentët amerikanë e akuzojnë Trump se zgjedhjet e vitit 2016 ai i fitoi falë ndihmës së ndikimit rus. Në takimin e realizuar në Helsinki ai e mohoi kategorikisht këtë gjë. A mund të konsistojë qëndrimi i Trump si një lloj borxhi që ka ndaj tyre dhe se pranon dot këtë fakt?

Trump dhe presidenca e tij është duke kaluar një sprovë të vështirë hetimore pikërisht për shkak të këtij ndikimi, e cila mund të sjellë deri edhe impeachment (akuzën për largim nga detyra) të tij. Duket se deri tani ka pasur prova të shumta të njerëzve në rrethin e tij të ngushtë familjar dhe të këshilltarëve që kanë pasur lidhje të shumëfishta me Rusinë, siç rezulton nga informacionet e paraqitura në shtyp. Trump ka filluar një luftë të paprecedentë me të gjithë operatorët mediatikë amerikanë që e kanë sjellë këtë çështje në vëmendje. Por dhe gjithë trajektorja e Trump nga samiti i G8 tek cilësimi armik i vendeve të BE-së, tek takimi me Kim Jong dhe Putinin, dëshmojnë një vasalitet dhe shërbim ndaj interesave të politikës së jashtme ruse, me ose pa vetëdije.

A po shpërbëhet NATO, duke mos rritur shpenzimet për mbrojtjen e vendeve?

NATO është një mekanizëm mbrojtjeje që është krijuar nga SHBA dhe partnerët evropianë e që shkon përtej një presidence apo administrate të caktuar. E shoh shumë të vështirë shpërbërjen e saj. Por ajo që vërehet me presidencën Trump është përpjekja e vazhdueshme për ta dobësuar dhe de-legjitimuar NATO-n, ç‘ka përsëri përkon me interesat gjeopolitikë të Rusisë.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump e quajti Bashkimin Evropian “armikun” e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Cili është komenti juaj?

BE është partneri më i rëndësishëm tregtar amerikan. Tregu kryesor i eksporteve amerikane. Duket më shume si formë presioni i Trump sesa një strategji reale për ta konsideruar Europën armike. Në  botën e sotme me ndërvarësi të lartë, kosto të tilla nga mosbashkëpunimi janë të papërballueshme për të gjitha vendet, përfshirë dhe SHBA-në. Shumë shpejt SHBA-në do e vizitojë presidenti i BE-së nga ku pritet të ketë dhe negociata ekonomike e tregtare midis tyre që mund të shpjegojnë deri diku stekën diplomatike të ngritur shumë lart nga Trump.

Ndërkohë duhet bërë dhe një dallim i qartë midis tij si president egocentrik dhe drejtuesve të lartë të administratës amerikane që e kanë braktisur shpesh kohët e fundit duke e konsideruar të paqëndrueshëm e problematik në qasjen e tij ndaj politikës ndërkombëtare.

Shkruar Nga
More from Redaksia

Elementët e sigurisë të limuzinës së re të Trump

  Duhen edhe pak muaj që ajo të dalë, por elementët përbërës...
Read More