Flicka Elisa; vajza me stil retro

 
 

Ajo është një nga personazhet më interesantë të Instagramit. Me një profil të mbushur me fotografi që të evokojnë retrospektivën, video të frymëzuara nga filmat francezë, ku titrat e përdorura kanë gjithnjë një mesazh fuqizues, ashtu si edhe stampimet në bluzat e pambukta  me të cilat shfaqet shpesh, ka tërhequr shumë ndjekës që frymëzohen prej stilit të saj. Por jo vetëm kaq. Ka themeluar edhe markën e saj të veshjeve, ku fokusi i saj si disenjatore është rehatia në përditshmëri. Megjithëse zbulon disa nga sekretet e stilit dhe idesë që ka mbi modën, Flicka Elisa preferon ta ruajë një vel misteri, duke mos na e zbuluar krejt identitetin e saj…

 Please don’t break my heart, I think it’s had enough pain…Don’t touch me, I’m on my period…Boys cry too…The bitch is back  janë disa nga mesazhet e stampuara në  bluzat e pambukut, kapelat sportive me strehë apo bluzat e  gjera, me mëngë të gjata e me kapuç, që mbajnë logon e markës “Unflicka”, marka shqiptare, e krijuar nga Elisa, një vajzë e re me shije e stil të spikatur në të veshur dhe në mënyrë jetese. Jo vetëm themeluesja e kësaj marke, që aktualisht operon vetëm në hapësirat online, por edhe dizenjatorja e veshjeve që kanë në thelb komfortin e përditshmërisë.

Ishte suksesi në rrjetet sociale si Instagram,  ku Elisa tërhoqi vëmendjen me stilin dhe fotografitë të cilat për nga ngjyrat pak të vrara dhe efektin zhurmë në qartësinë e fotografisë të japin një shije retro  dhe propozimet e vazhdueshme në zgjedhjet e veshjeve që e bënë të fitonte statusin si fashion blogger( edhe pse në profilin e saj preferon të njihet si Visual Artist) që e shtynë përtej të shfaqurit dhe drejt të krijuarit. Në Instagram e gjeni si Flicka Elisa, një identitet me të cilin duket se ka dëshirë të identifikohet, pa dashur ta zbulojë krejt emrin e saj.

Xhinset e zbardhura me shtat të lartë, bluzat e pambukut apo kapelat  të sjellin ndërmend modën e viteve  ’90, por Elisa shpjegon se Unflicka është më shumë se kaq. “Nuk do e përcaktoja vetëm si stil i viteve ’90,  edhe pse frymëzimi vjen në  ato vite. Unflicka si brand nuk është i përsosur dhe nuk ka pse të jetë.  Bukuria e Unflicka-s është që çdo njeri mund të  ketë interpretimin e tij rreth saj. Trendet dalin,  zhduken dhe shfaqen sërish  të  remiksuara, asnjëherë nuk i dihet nëse diçka do të qëndrojë “in”,  vetëm koha e tregon atë” – thotë ajo, ndërsa shton se fokusi në atë dhjetëvjeçar të fundit të shekullit të  20-të ishte se ajo i sheh ato vite si  të arta  për kulturën pop dhe muzikën. “Nga këtu nis frymëzimi im për ato vite. Më pëlqen moda e viteve 90’ përveç lirshmërisë që  e karakterizon ku mund të  vishesh me një hoodie, jeans dhe je gati për të  dalë  sipas qeftit tënd.” Sipas saj, asokohe, njerëzit ishin më të  vërtetë  dhe më  të thjeshtë sesa mund të  jenë  sot. “Dizajni dhe stampimet e atyre viteve kanë  qenë  shumë frymëzuese për breza me radhë  në  shumë  fusha, si në dizajn grafik, në  modë , kinematografi,  etj. Mendoj se  dizajni i  lindur në  atë kohë  ishte në boom-in e vet dhe mendoj që  ishin  shumë më  domethënëse se tani”.

Ata që mund të bëhen kureshtarë sepse e ka quajtur brand-in e saj “Unflicka”, Elisa zbulon…

Unflicka është shkurtim i Unë Flicka, doja që të tingëllonte edhe  në shqip po aq mirë sa  “anflika” në anglisht”.

Ende nuk ka një dyqan fizik, ndaj të interesuarit e gjejnë në rrjetet sociale dhe në website-in e markës, por Elisa thotë se së shpejti do e ketë edhe për ata që janë ende blerës tradicionalë, apo të modës së vjetër, ndërsa blerjet nuk janë vetëm të fokusuara brenda vendit por edhe ndërkombëtarisht.

Së shpejti, Elisa zbulon se do të zgjerojë gamën e produkteve  të markës së saj, ndërsa për mesazhet feministe apo ironike që përdor në krijimet e saj, thotë se përfaqësojnë femrën e pavarur dhe të  fortë  që  vendos vetë  për jetën e vet.

Megjithëse në profilin e saj të Instagramit – Flicka  Elisa – shfaqet në rolin e modeles, Elisa është e dhënë shumë pas fotografisë, një pasion që nisi qysh në moshën  15 –vjeçare. “Shkrepjet i mendoja si skena filmi dhe inspirimin më  të madh e kam nga filmat francezë. Në rrjetet sociale është vetëm një pjesë  e vogël dhe nuk janë të  ekspozuara të  gjitha punët. Kam shumë  projekte dhe bashkëpunime që  priten të  dalin më  vonë, por emrat do i lë surprizë, më pëlqen të  flasë vetë puna” –thotë ajo, ndërsa të habit kur shton se formimi i saj akademik nuk ka lidhje me asnjë degë të Universitetit të Arteve. “Por kam dashur gjithmonë të  bëj këtë,  që  po bëj sot. Dhe ku ka më  mirë sesa  kur puna dhe pasioni bëhen një”. Për Elisën moda është art dhe arti është modë.

“Artistët përshtaten me idetë, teknikat dhe materialet e lidhur me industrinë e modës dhe shpesh bëhen mjet për të  identifikuar problemet politike apo sociale. Moda ,bukuria, konsumimi dhe media ndikojnë në  dëshirat tona si edhe në  formimin dhe identitetin tonë. Kemi shembuj pafund ku arti dhe moda janë një si në  fotografi apo dhe ne fusha të  tjera. Mendoj se  arti nuk reziston me kohën, por është njësoj si moda. Përparon me kohën, ikën dhe vjen, njësoj siç janë trendet  në modë  janë dhe në art”.

Moda për mua është ekspresion i identitetit, nëpërmjet veshjes apo stilit u tregon njerëzve

diçka rreth teje.

Eleganca është më shumë se një fustan apo triko

Femininiteti është konfidencë vetëbesim, ndjeshmëri.

Stili im; T-shirt i bardhë dhe xhins

Nuk bëj dot pa …telefonin 😛

Stilistët e mi të preferuar…Vivienne Westwood , Raf Simons, Yohji Yamamoto dhe shumë të tjerë.

Markat e mia fetish; Gjithmonë kam blerë gjëra që më kanë pëlqyer në impakt të parë, që do të thotë firma nuk të bën me stil. Kudo që udhëtoj, mundohem të gjej dyqane që kanë gjëra unike(dhe mund të rri me orë të tëra… hahaha). Kam shumë gjëra të lira dhe duken shumë mirë në kombinime.

Të pashmangshmet bazike… xhaketë sportive ( lëkurë\denim), skinny jeans, T-shirts.                                                        

Jeta pa taka është …Parajsë?!

Aksesori thelbësor? Personaliteti.

Çanta ime kult; Gucci

Veshja ideale; Masculine/Feminine në të njëjtën kohë.

Artikulli më i bukur i gardërobës sime; xhaketë Vintage Tommy Hilfiger

Shija e keqe…sot është shije e ‘mirë’. Çdo gjë mund të miksohet, kështu që nuk e përcaktoj dot.

Çfarë më bën të bukur? Të pranohesh për atë qe je.

Veshjen për të joshur nuk do e lidhja me stereotipin që duhet ‘zhveshur’ për të pasur vëmendjen e meshkujve, por nuk besoj se ka veshje më të mirë se konfidenca dhe personaliteti.

Ikonat e mia të modës; Twiggy,Caroline De Maigret, dhe padyshim Jane Birkin.

Suveniri më i mirë i modës? S’kam ndonjë suvenir specifik, por kudo që kam udhëtuar një kartoline apo diçka simbolike e marr gjithmonë që ta kem kujtim.

Frymëzimet e mëngjesit… në mëngjes nuk dua njeri të më flasë… Kafe, briosh, pastaj fillon dita.

Ngjyrat e preferuara ngjyra e zezë, bardhë dhe këtë periudhë kam një fiksim të veçantë me të kuqen.

Artikulli apo aksesori që ndjej më shumë timin; vathët, parfumi.

Peliçe, po apo jo? Një peliçe ne gardërobë duhet të jetë gjithmonë. POOO!

Bizhuteritë , të vogla e të çmuara apo të mëdha? Do thosha varet nga rasti, nëse ke një darke apo një mbrëmje do të sugjeroja bizhuteri që bien në sy, pastaj për jetën e përditshme nuk do i rekomandoja , unë për vete përdor bizhuteri të vogla.

Kurrë nuk do të vishja… Dekolte dhe minifund në të njëjtën kohë, asnjëherë!

Sekretet e mia të bukurisë? Rutina ime është shumë e thjeshtë, përdor kremra natyralë, nuk përdor shumë MakeUp , ose të lyej thonjtë apo gjëra të tilla.

Jam e varur nga gjërat vintage, unike.

Vintage apo avantguard ? Nuk i ndaj dot, të dyja.

Shkruar Nga
More from Redaksia

Çfarë kontrasti! Real Madridi ka 46 Champions; Liverpool vetëm një

Real Madridi dominon në Ligën e Kampionëve, siç e tregojnë edhe tre...
Read More