“FMN-ja vetëm rol këshillues, nuk do e pyesim për çdo cent”

arben-ahmetajMinistri i Financave, Arben Ahmetaj, ishte i ftuar në Forumet UET në Universitetin Europian të Tiranës për të folur mbi sfidat e Buxhetit të Qeverisë për vitin 2017

Ministri i Financave, Arben Ahmetaj, i ftuar në Forumet UET, bëri një prezantim të buxhetit të ri të qeverisë; mbështetje e reformave, rritje ekonomike 3.8 %, rritje pagash dhe pensionesh dhe investime publike. Ai iu përgjigj pyetjeve mbi buxhetin, marrëdhëniet me FMN-në, shkrirjen e doganave me tatimet etj.

Zoti ministër, a keni ndonjë vërejtje për buxhetin e vitit të ardhshëm, nëse atë do ta kishte paraqitur kundërshtari juaj, cilat do të ishin gjërat që do të donit të bënit më mirë, çfarë do të ndryshonit?

Kjo është pyetja e duhur në momentin e gabuar. Është pyetje e duhur, sepse është pyetje e sikletshme. Në momentin e gabuar, sepse unë aktualisht jam në procesin që shkoj në parlament dhe mbroj buxhetin, dhe vërtet më duket se kemi bërë një buxhet të shkëlqyer, me veten time them se kemi bërë një buxhet optimal, me parametra shumë konsolidues.

Tani, a është një buxhet perfekt? Nuk është një buxhet perfekt. Do kisha preferuar që të ishin ulur taksat, sidomos ato taksa që kanë të bëjnë drejtpërdrejt me qytetarin. Do kishim dashur të kishim më shumë para në mënyrë që t’i investonim në akset kryesore të vendit. Unë personalisht do kisha dashur që të kishim para më shumë për arsimin dhe shëndetësinë. Dhe sigurisht që, kur e krahasoj me rajonin, rajoni mbledh mbi 30% të ardhura në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto dhe ne jemi akoma në nivelin 27%, sigurisht që për këtë nuk mund të ketë mburrje, kështu që një buxhet nuk është kurrë perfekt. Por ky është një buxhet konsumi. Mund të ishte më i mirë në një situatë tjetër ekonomike? Patjetër që do të ishte më i mirë. Me një kulturë më të mirë fiskale, sigurisht që do të mund të bënim një projekt akoma dhe më të mirë. Megjithatë, po ta krahasoni me buxhetet në vite dhe unë ju ftoj që ta bëni, qoftë në kulturë dhe qoftë në parametra, me kënaqësi do e debatoja me ju.

FMN-ja erdhi në Shqipëri me kërkesën tuaj, nga viti 2013, mbasi ishte për katër vjet në kuadrin e artikullit katër, jeni të vendosur që në Mars të vitit të ardhshëm ta mbyllni marrëveshjen dhe të kaloni në një stad të ri, dhe kjo nënkupton një distancim nga FMN-ja, apo të dyja palët kanë mbaruar një fazë dhe tashmë duhet të kalojnë në një fazë tjetër?

Për sa i përket Fondit Monetar Ndërkombëtar, ka qenë Kryeministri i pari dhe më pas unë, shumë këmbëngulës për t’u ulur në tryezë dhe për të diskutuar nëse do ta thërrasim FMN-në përsëri apo jo. Kryeministri, ministri i Shëndetësisë, ministri i Financave dhe unë, kemi qenë të mendimit që FMN të vinte, të bënim një marrëveshje detyruese si kjo që kemi dhe më besoni që kemi bërë gjënë më të mirë për financat publike. Tani kemi kaluar në një reformë që, shumëkush nga ju që jeni në këtë sallë mund ta kuptojë, por ndoshta për qytetarët është më pak e dallueshme, që është gjëja më e mirë që ne kemi bërë për financat publike. Dhe më besoni se me ndihmën e FMN-së, dhe të Komisionit Europian, janë bërë jashtëzakonisht shumë ndryshime dhe unë nuk besoj që ne kemi më nevojë për një marrëveshje detyruese, por kemi nevojë për prezencën e Fondit Monetar Ndërkombëtar, qoftë monitorues, qoftë këshillues, në bazë të artikullit 4, i cili nuk është se e detyron qeverinë shqiptare të negociojë çdo cent me Fondin Monetar Ndërkombëtar, por sigurisht që e detyron të këshillohet.

Një nga reformat që ju cituat është dhe reforma në arsimin e lartë, e cila nga buxheti që ju paraqitët nuk evidentohej fare, do të thotë kjo që reforma në arsimin e lartë nuk do të marrë mbështetje buxhetore, sepse është një nga drejtimet më të rëndësishme, dhe që ju vetë e përcaktoni si gur themeli?

Ju falënderoj për pyetjen, dhe dua të them se prezantimi im ishte shumë i koncentruar për të mos u zgjatur shumë, dhe për të mos hyrë në detaje sektor më sektor, sepse natyrisht do të na merrte shumë kohë. Sistemi arsimor për mua ka shumë nevojë për mbështetje dhe patjetër që e shoh shumë të rëndësishme reformën në arsim dhe besoj se është një kapërcim në një platformë me bazë merite, po nuk dua të debatoj për atë këtu. Unë besoj që asnjëherë nuk është mjaft për arsimin, por mund të them se kemi vendosur para për arsimin më shumë se vitin e kaluar. Sërish mendoj që janë të pamjaftueshme. Ajo që dua të theksoj dhe ndaj me ju është që kemi injektuar për vitin tjetër, shumë më shumë fonde për arsimin profesional. E kemi në filozofinë tonë që do të duhet që qeveria në momentet e para siç janë këto dy-tri vite, të injektojë fonde për të mbështetur arsimin profesional, sepse jo të gjithë mund të bëhen juristë, jo të gjithë mund të bëhen ekonomistë. Vendi ka nevojë edhe për profesione që kanë bërë diferencë në ekonomitë e shumë vendeve të zhvilluara.

Shpeshherë për biznesin nuk është me interes vetëm reduktimi i taksave nga pikëpamja normative, mendoni që reformat dhe ndryshimet që do të bëni në formën e menaxhimit të taksave dhe tatimeve, dhe konkretisht keni ndonjë projekt të veçantë, duke nënkuptuar shkrirjen e dy sektorëve në një të vetme, me mendimin që kjo mund të ulë kostot e transaksioneve, duke ulur në këtë mënyrë informalitetin?

Me të drejtë ju iu referuat nivelit të taksave, dhe teorikisht, investitorët e rendisin në vendin e pestë çështjen e nivelit të taksave. Ne i kemi kushtuar shumë vëmendje me paketën e lehtësimit të procedurave, që ka të bëjë pikërisht me klimën e biznesit. Klima e biznesit nuk është një gjë që ndryshon në një ditë. Në vitin 2016 ka një reflektim pozitiv për klimën e biznesit, i reflektuar edhe në paragrafë të caktuar të progres-raportit të Komisionit Europian apo edhe në raportin e Bankës Botërore, Doing Business. Besoj se nëse administrata fiskale do ta asimilojë mirë paketën e lehtësimit të procedurave, unë besoj se do t’ia bëjë edhe sipërmarrjes shumë të thjeshtë. Por unë besoj që dhe në administratë kemi ende shumë punë për të bërë. Më e rëndësishmja është platforma e riskut, ajo fillon e largon arbitraritetin, natyrisht jo brenda ditës, dhe më besoni që ka një ndryshim të jashtëzakonshëm me vitet e shkuara.

Dhe për të ardhur te pjesa e dytë e pyetjes, ka akoma një debat për bashkimin e administratave (tatimore dhe doganore). Dy njësi perfekte, do sillnin një njësi perfekte. Dy njësi me probleme, do të sillnin një njësi më të madhe me probleme. Por kush është qëndrimi final? Unë sjell shembullin e Kosovës, ku kanë vendosur që ta bashkojnë administratën tatimore me atë doganore. Mund të ketë ulje të kostove patjetër, mund të ketë komunikim më të mirë, por dhe kjo ka kostot e veta. Dhe nga kjo anë jam akoma skeptik dhe duke parë si do të rezultojë kjo iniciativë në Kosovë, besoj do të na ndihmojë të dimë se çfarë na pret, çfarë ka shkuar keq atje, çfarë ka qenë e mirë, dhe kur të vendosim, nëse do të vendosim, të jemi të bindur për atë që po bëjmë. Por jemi duke e diskutuar, sigurisht jo brenda këtij mandati.

Ky buxhet a i mbyll “gropat” e së kaluarës dhe kur do ta mbyllim këtë diskutimin për problemin e trashëguar dhe të fillojmë të merremi me atë që qeveria bën duke e krahasuar me atë që duhej bërë?

Në një vend që zhvillohet, vazhdimisht krijohen gropa për t’u mbyllur. Por kur krahasohen dy qeveri, metodologjia e vlerësimit është e njëjtë. Unë do t’ju bëj një retorikë provokuese. Me çfarë gjykohet një buxhet, nga deficiti? Po. Nga borxhi? Po. Nga investimet? Po. Nga taksat? Po. Kjo nuk ia mbush mendjen qytetarëve, por unë po ju provokoj. A ka reforma qe nuk janë prekur kurrë në këtë vend? Dhe në këtë aspekt nuk ka fare të djathtë e të majtë! Vendi shkonte në greminë po ta linim energjinë ashtu siç ishte! A ka vend ku dikush paguan dhe dikush jo dhe pastaj mbulon buxheti i shtetit gropën dhe pastaj detyrohemi të rrisim taksat për të mbyllur gropën? Reformë që s’u bë kurrë! Po e bëjmë! Reformën tjetër të pensioneve, s’e preku kurrë kush! Po të vazhdonte kështu, do bëhej i papërballueshëm! U bë reforma! Reforma tjetër, reforma e decentralizimit. Ç’është ky vend i vogël me 360 njësi vendore, ku një kryetar ka gjithsej 3 punëtorë dhe mbledh gjithsej 100 mijë lekë taksa?! Reforma makro-fiskale, një vend i falimentuar, që nuk ka lidhje me të majtën apo me të djathtën, si mund të lësh 5.2% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, apo 720 milion dollarë pa paguar për investime, pa rimbursuar TVSH! Ky është falimentimi i shtetit! Pjesa e taksave, a e ulëm ngarkesën për klasën e mesme? Patjetër. Pra, imagjinoni sikur të mos ishin bërë të gjitha këto! A e imagjinoni se po të mos kishim ndërhyrë, më 23 Tetor të vitit 2013 do kishim 0 lek në buxhet?! Pra një forcë politikë gjykohet për pemën që mbjell i bindur se ndoshta kurrë nuk do t’i bëjë hije mbi kokë, por patjetër do t’i bëjë hije mbi kokë brezit që vjen.

Shkruar Nga
More from revista mapo

Ora vendimtare e Ilir Metës

Nga Arion Sulo Zhgënjyes për audiencën e gjerë, që mbrëmjen e së...
Read More