Forumet UET, Agron Tufa: Kampi i Tepelenës, më i tmerrshëm se Aushvici

I ftuar në një bashkëbisedim me studentë e pedagogë të Universitetit Europian të Tiranës, në moderimin e shefes së Departamentit të Komunikimit, Belina Budini, ishte shkrimtari dhe publicisti Agron Tufa. Në rolin e drejtorit të Institutit të Studimeve mbi Krimet dhe Pasojat e Komunizmit, Tufa foli rreth debatit të fundit mbi kampin e Tepelenës duke zbuluar detajet torturave çnjerëzore që kryheshin aty, duke e quajtur edhe më të tmerrshëm se kampi i Aushvicit

Drejtori i Institutit të Studimeve mbi Krimet dhe Pasojat e Komunizmit, Agron Tufa e quan kampin e përqendrimit të Tepelenës edhe më të tmerrshëm sesa kampi shfarosës i Aushvicit.

I pyetur nga shefja e Departamentit të Komunikimit, Belina Budini, mbi debatin e hapur kohëve të fundit mbi egërsinë e këtij kampi dhe pse u quajt ekzagjerim krahasimi me kampin e Aushvicit, Tufa tha se po të krahasohet një ditë e Aushvicit me të Tepelenës, kushtet në këtë të fundit janë shumë herë më të rënduara.

“Kam qenë në një seminar 8-ditor në Aushvic më 2014–ën dhe kam pasur rast ta shoh me imtësi dhe histori të hollësishme dhe kam realizuar një përfytyrim thuajse të saktë në Aushvic.

Kam lexuar edhe romanin e Primo Levit “A është vallë njeri” aty në Aushvic. Kushtet e ushqimit në Aushvic, as krahasohen me urinë e programuar e të tmerrshme të Tepelenës. Në Aushvic ka patur punë në fabrika, por nuk krahasohej tortura që kalonte një grua duke mbajtur gjysmë metri dru nga pylli i Turanit. Në çdo tregues, kampi i Tepelenës në jetën e përditshme del me kushte më të rënduara se ai i Aushvicit. Në Aushvic ishin veshjet me vija, ndërsa vetë drejtori i kampit në Tepelenë rrëfen se njerëzve u ishin holluar aq shumë rrobat sa u dukeshin edhe mishrat. Bëhej fjalë për gra, pleq e fëmijë, kryesisht”, -tha Tufa, duke e quajtur torturën ngadaltë akoma edhe më çnjerëzore dhe dhomat e gazit dhe krematoriumet e nazistëve.

“Ajo që e ndan Aushvicin nga Tepelena siç e kam argumentuar edhe në përgjigjen ndaj Xhufit, nazistët i çonin në gaz dhe krematorium hebrenjtë, por ama kur i çonin në krematorium ua shkurtonin vuajtjet dhe ata vdisnin. Në Tepelenë kemi dëshmi të pakundërshtueshme që brenda një nate vdesin 30-33 fëmijë. Raportohet nga dokumentet e CIA-s që vetëm 6-mujorin e parë vdesin 50 fëmijë”.

Tufa kujton rastin e një gruaje të mbijetuar nga kampi i Tepelenës në një prej aktiviteteve përkujtimore organizuar nga Instituti “Unë i mbijetova Tepelenës”, e cila kish humbur të vëllain në një prej atyre shpërthimeve. “Morëm rreth 100 të mbijetuar. Ishte një fakt interesant që shumica e të mbijetuarve, mbi 80 ishin gra e më rrallë burra. Isha i shqetësuar për shëndetin e tyre sepse rruga ishte e gjatë deri në Tepelenë.

Një prej atyre grave qante, hoqi shaminë e kokës dhe u shpërfytyrua. Mbante në dorë një çorape qysh kur ishte 9-vjeçare dhe një nga ato shpërthimet i vdes vëllai 6 vjeç. E kishte ruajtur gjithë jetën njërën nga çorapet. Këtë çorape është mirë që t’ia tundësh para sysh Pëllumb Xhufit dhe të gjithë atyre që i mohojnë këto gjëra. Nazistët çonin në dhoma gazi, komunistët tanë i linin të vdisnin nga pak çdo ditë. Në Aushvic nuk përdhunoheshin gratë hebreje, Tepelena kapërcen çdo lloj shkalle mizorie.

Këto gjëra kanë ngjarë. Këto i raportojnë vetë të mbijetuarit. Në dokumente e CIA-s keni parë qartë që flitet për Xhafer Pogaçen dhe oficerët e tij dhe ajo që e bën më keq Tepelenën se Aushvicin ishte se nazistët e kishin program racist, gjenocid ndaj një kombi tjetër, ndërsa në Tepelenë këtë ia bënte shqiptari-shqiptarit. Aty mendoj se ka filluar ajo çarje e madhe kombëtare”, -tha Tufa, ndërsa tha se vazhdon të dominojë pikëpamja komuniste në historiografi, duke shtuar se furnizohen nga establishmenti për provokime të këtij lloji.

Nga dokumentet e CIA-s flitet për 3600 njerëz që kanë vuajtur në kampin e Tepelenës, ndërsa nga dokumentet shqiptare bëhet fjalë për një shifër që shkon te rreth 3200 njerëz.

Tufa lexoi dëshmi të të mbijetuarve nga kampi i Tepelenës, të cilët u arratisën rreth viteve ’50 drejt Jugosllavisë rreth kushteve të tmerrshme që kishte ky kamp.

Nga libri studimor “Burgjet dhe kampet e Shqipërisë komuniste” të Kastriot Dervishit, botim i Institutit të Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit (ISKK, 2015), Tufa lexoi historitë e rrëfyera nga Gjin Pjetri, një djalë 12-vjeçar, Mustafa Hoxha, një klerik mysliman, zonja Gjyste Ndoci, një grua e re shqiptare që u arratis në Jugosllavi, në fund të 1952-shit. Ata flasin për uri, rriska buke misri të papjekur, supë me ujë e ndonjë fasule, epidemi, punë të rënda fizike dhe përdhunim të grave e vajzave në këtë kamp. Abedin Zeqiri që ishte banues i kampit të përqendrimit, para se të arratisej në Jugosllavi më 1952, njoftonte se “Xhafer Pogaçe – drejtor i këtij kampi, kapte me zor çdo ditë një nga femrat më të bukura që banon aty. Policët që shërbenin në kamp kanë përdorur keq çdo vajzë të bukur në kamp”.

Tufa vijoi se nga dokumentet e shtetit shqiptar, Xhafer Pogaçe, komandanti i kampit në një relacion thotë: “Në kampin e internimit të Tepelenës kemi një sasi njerëzish, pothuajse krejt të zhveshur pse janë nga veriu dhe se kanë një pjesë të gjatë që rrinë në kamp, u duken mishrat. Qëndrimi i tyre i zhveshur nuk bën qëndrim të mirë politik. Data 30 korrik, 1951, dega e Kampeve të Burgjeve” –lexoi Tufa.

Pse Burgjet e Burrelit dhe të Spaçit nuk ishin njësoj si kampi i Tepelenës

Sipas referencave të dokumenteve amerikane, tha Tufa, qysh në fillim flitet për 3600 gra, pleq e fëmijë, të çuar pa asnjë akt gjyqësor. “Në Spaç, Burrel e kudo ka një akt dënimi dhe ka një procedurë. Këta janë çuar si në Aushvic. Në anglisht termi është i burgosur dhe u takon të dëmshpërblehen”. Në Tepelenë flitet për pjesën më të dobët e të pambrojtur të shoqërisë; fëmijë, pleq e gra. “Nuk është njëlloj, Spaçi dhe Burreli ishin burgje burrash dhe ashtu dikush vendosi të vdesë nga greva e urisë e të gjitha format e rezistencës dhe nuk mund t’i barazojë njëlloj si me Tepelenën, një popullatë civile krejtësisht e pafajshme, jo të gjithë kanë qenë jashtë kufijve e të organizuar për të bërë terror në baza jugosllave në Prizren e Ulqin, këto janë deliret që Pëllumbit ua ushqen me shiringa”, vijoi Tufa, duke thënë se një historian serioz flet mbi bazë faktesh e dokumentesh. “Ti, nëse je i zoti dil dhe rrëzoji këto shifra apo shtoji, pasqyroi objektivisht, por jo ta vësh në dyshim, të thuash ka qenë kamp normal, shumë më i mirë se të tjerët dhe krahasuar me Aushvicin, ka qenë kamp pushimesh… Shumë njerëz nuk i kanë varret, Kur kaloi Hoxha njëherë dhe pa gjithë ata kryqe buzë Vjosës pyeti se çfarë ishin dhe ia shpjeguan, “Të mos i shoh kur të kthehem”, -tha dhe i futën ruspën e i hodhën në Vjosë.

Në një intervistë në Mapo, Lekë Previzi, i mbijetuar i kampit të Tepelenës, ka veçuar një fakt që i kundërvihet Xhufit duke thënë se në dokumentet e CIA-s, që i referohet Xhufi ka të pavërteta, sepse ka informacione të marra nga Ministria e Brendshme.

Agron Tufa tha se edhe vetë dokumentet e CIA-s megjithëse klasifikoheshin sekrete, kishin të stampuar vulën “E pakonfirmuar”. “Janë prapë të kujdesshëm, e kanë marrë informacionin, sepse dokumentet me gjasë konfirmoheshin disa herë për besueshmërinë dhe ata e kanë të pakonfirmuar. Shifrat e Ministrisë së Punëve të Brendshme mund të kenë luhatje të qëllimshme në këto raste. Nga të gjithë kampet e internimit, në urdhrat që jepte Komisioni i dëbim- internimeve kanë një pasojë të rëndë të komunizmit. Regjistroheshin kryefamiljarët, ndërsa fëmijët e vuanin në lëkurë edhe sot e kësaj dite janë pa status. U njohët prindërit por jo atyre. Eshtë çështje e nxehtë e pazgjidhur”.

Plani fillestar për t’i deportuar familjet nga veriu në Siberi

Lekë Previzi në rrëfimet e tij ka thënë se ishte një plan fillestar, për të cilin nuk është folur kurrë, për t’i depërtuar këto familje në Siberi.

“Jam i njohur në disa burime me këtë, është një reale e hershme ajo. Ndoshta pas prishjes me Jugosllavinë, pas instalimit të diktaturës, siç i ka pasur të burgosurit e vetë Rumania që çoheshin në Ukrainë e Siberi-kemi dëshmi romanin “I pafati’- duket se ka qenë një plan i tillë, duke e konsideruar të gjithë Lindjen e patronazhin e Bashkimit Sovjetik si një familje e madhe ideologjike, të burgosurit do të shkonin ën Siberi nuk e di pse nuk u realizua e nuk u vu në zbatim, nuk kam fort ekspertizë për t’iu përgjigjur kësaj”, përfundoi Tufa.

Nevila Nika: Në Arkivin e shtetit ka 200 radiograme ku flitet për spastrimin e veriut të Shqipërisë

Gjatë bashkëbisedimit, ish-drejtoresha e Arkivit Qendror të Shtetit, Nevila Nika foli mbi specifikën e kampit të Tepelenës dhe pse nuk mund të barazohej me atë të Burrelit apo Spaçit dhe zbuloi se në Arkiv ka rreth 200 radiograme ku flitet hapur për spastrim të veriut të Shqipërisë.

“Të deportuarit në kampin e Tepelenës – fillimisht në Berat – nuk kanë ngjashmëri me burgun Spaçin e të Burrelit, ai i Burrelit është ndërtuar në kohën e mbretit Zog edhe sot kam përshtypjen se është i tillë. Ishin burgje që shkonin ata që dënoheshin me një vendim gjyqi, të padrejtë, të drejtë, pak rëndësi. Anti-enveristë ishin pjesa e parë. Komunistët nuk ishin anti-enveristë, ishin etiketuar të tillë si kundërshtarë të liderit por nuk kishte lidhje që ishin kundra tij. Kampi i Tepelenës është një kamp ku dërgohen familjet nga veriu i Shqipërisë. Në arkiv janë rreth 200 radiograme ku flitet hapur për spastrimin e veriut të Shqipërisë nga armiqtë. Po t’i lexojnë të rinjtë sot, gjëja e parë që do të mendoje është se atje ka ende të huaj. Kur sheh se radiogrami thotë: “Ekzekutohet se i është gjetur një plumb dhe e gjithë familja t’i largohet nga fshati e kulla t’i digjet”, kupton se nuk ka të bëjë me dënim, me faje apo të qenë fajtorë. Për një plumb janë pushkatuar dhe jo pak”, -tha Nika, duke shtuar se në dokumente janë edhe emrat dhe firmat e atyre që kanë dhënë urdhrat, duke shtuar se mund t’u bëhet edhe gjyq, edhe pse nuk jetojnë më. “Janë pafundësisht familje që nuk gjejnë varret e të afërmve. Gjëra që nuk kanë ndodhur në vend të tjera. Pas ekzekutimit familjeve u është dhënë trupi për ta varrosur. Në Shqipëri, asnjërit nuk i është dhënë kufoma. Ky është rast unik”, shtoi Nika në historinë e vendeve ish-komuniste. Ajo tha se ka shumë dimensione studimi periudha e komunizmit. “Në përvojën time gati 4 dekada në Arkivin Qendror të shtetit kam konstatuar një fakt të hidhur; deri në ‘90 e kam kuptuar pse nuk vinin njerëzit. Ne lexonim me detyrim, sepse këtë detyrë kishim, flisja vetëm me familjen time. Kisha njohuri nga familja, por kur kam lexuar aty kam ndjerë një dhimbje të jashtëzakonshme. Kam takuar një grua të mbijetuar nga kampi i Tepelenës në vitin 1991, ia thashë edhe Pëllumbit. Ajo kishte ikur nga Tirana nuse e re, në janar të ‘45 dhe rikthehej në 1991. Një vuajtje e pafund, Mandela nuk është asgjë. Kur ajo rrëfente se hanim krimba, dhe ishim të lumtur kur gjenim krimba në kërcunjtë e përroit, kur mblidhnin dru kot, pa asnjë nevojë. Kemi dëshmi nga kampi i Tepelenës”. Nika tha se një prej fatkeqësive është se në Shqipëri nuk ka dëshmi fotografike apo filmike e audio. “Imazhi filmik, fotografik dhe audio janë një mrekulli krahasuar me një dokument. Nuk përfytyron dot sesi ajo grua ku iu pushkatua burri me bombën në Ambasadën Sovjetike, lindi në shkallët e maternitetit sepse nuk e linin të hynte brenda. Shqiptari kundër shqiptarit”. Nika tha se duhet folur më shumë në shkolla rreth kësaj periudhe.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Politically incorrect: Çfarë ka që nuk shkon sot me Islamin shqiptar? (II)

Nga Mustafa Nano -Vijon nga numri i djeshëm Pse një pjesë e...
Read More