Forumet UET, Buzhala: Thaçi ka frikë nga Gjykata Speciale

I ftuar në Forumet UET në një bashkëbisedim me pedagogë dhe studentë, botuesi i Gazetës Express Berat Buzhala ka folur për situatën politike në Prishtinë, ku ekziston një situatë e nxehtë politike në lidhje me shfuqizimin e Gjykatës Speciale dhe ratifikimit të marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi.

Buzhala deklaroi se si rrjedhojë e kundërshtisë për Gjykatën Speciale e cila do të hetojë krimet e luftës në Kosovë, Kryeministrit Haradinaj Shtetet e Bashkuara nuk i dhanë vizë. Është kryeministri i Kosovës i cili nuk arriti të marrë vizë, për shkak të sjelljeve të tij, nuk e thanë por u nënkuptua, për shkak të kokëfortësisë për demarkacionin dhe shfuqizimit të tribunalit special, nuk ka vizë për ty. Ndërkohë botuesi i Gazetës Express shtoi se, Ne kemi ardhur në ditën ku kemi probleme me aleatin tonë kryesor, pra me atë që e bëri Kosovën shtet, partneri më i madh për Kosovën. Edhe kjo ishte ajo që më nxiti mua, të formuloj një peticion drejtuar Kuvendit të Kosovës, që të anulohet, të shfuqizohet iniciativa për gjykatën speciale, pra të vazhdojë procedura për gjykatën speciale, dhe të ratifikohet marrëveshja me Malin e Zi. Për fatin e mirë, ai peticion, deri më tani është nënshkruar nga 16.000 persona, 1000 më tepër se peticioni i krahut tjetër i cili kërkonte shfuqizimin e tribunalit special.

Gjithashtu, Buzhala tha se është një nga mbështetësit më kryesorë për ratifikimin e marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi, e cila po e mban peng Kosovën prej 2 vitesh. Ai theksoi se Kosova ka nënshkruar një marrëveshje me Malin e Zi në vitin 2015, e ka nënshkruar ministri i Punëve të Jashtme në atë kohë, Hashim Thaçi, marrëveshje e cila ka ardhur pas një pune të Komisionit Shtetëror. Për një arsye ose një tjetër opozita në atë kohë e ka kundërshtuar fuqishëm, mirëpo BE na e ka vendosur këtë kusht, ndoshta pa të drejtë, sepse asnjë shtet tjetër nuk e ka patur kusht ratifikimin e kufijve me shtetet fqinje. “Mosratifikimi i marrëveshjeve tokësore në këto troje vazhdimisht mund të prodhojë konflikte të mëdha. Unë kam besuar që në atë kohë marrëveshja ka qenë ajo që është, pra ne shqiptarët nëse kemi ambicie për t’i rritur kufijtë, atëherë duhet të shkojmë deri në Tivar, jo 8000 hektarë që kemi kontestuar me Malin e Zi, mirëpo gjysmë të vërtetat kohë pas kohe, janë ato që më së shumti prodhojnë konflikte. Pra, cila është gjysmë e vërteta, që Mali i Zi ka Toka shqiptare, po i ka, por ato janë marrë para më shumë se 100 vjetësh”.

Pyetjes, se a janë qytetarët e Kosovës pro marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi, Buzhala iu përgjigj se gjatë një sondazhi të realizuar online nga Gazeta Express, 85% e qytetarëve janë pro idesë të ratifikimit të demarkacionit me Malin e Zi dhe po 85% janë pro vazhdimit me tribunalin special dhe ata që akuzohen në tribunalin special le ta dëshmojnë pafajësinë e tyre atje. “Ka qenë vetë Presidenti Thaçi që ka këmbëngulur për të realizuar tribunalin special, sepse shpresonte që nuk do të jetë emri i tij pjesë e aktakuzave. Kur e pa që nuk po arrin të marrë garanci nga SHBA dhe BE që emri i tij nuk do të hiqet, atëherë bëri një kthesë të madhe dhe tani po thotë që duhet të anulohet gjykata speciale”.

Lidhur me interesimet e studentëve nëse Shqipëria është e përfshirë në këtë proces ai deklaroi se edhe Shqipëria është e përfshirë në procesin për krimet e luftës në Kosovë. Hetues ndërkombëtarë të tribunalit special kanë ardhur dhe kanë hetuar në Kukës, në një shtëpi ku dyshohet që ka ndodhur ‘shkulja’ e organeve dhe shitja e tyre. Apo vrasja e kolonelit Ahmet Krasniqi që ka ndodhur në Tiranë, në 1998, në rrethana të pasqaruara, ka gjasa që edhe kjo vrasje do të bartet në tribunalin special. Shqipëria ka dhënë dritën jeshile në Kuvendin e Shqipërisë, ka thënë që i lejojmë hetuesit ndërkombëtarë të vijnë të kryejnë hetime në territorin e Shqipërisë. Ka 2 -3 vende që janë pjesë, kemi një shtet perëndimor si Holanda që gjithashtu është pjesë e saj, pra është një mekanizëm shumë i komplikuar që ne tani me një shfuqizim e flakim të gjithë këtë mund.

Për sa i përket rolit të ndërkombëtareve Buzhala shtoi se Amerika ka kërcënuar se nuk do të vendosë më veto në Këshillin e Sigurisë në OKB sa herë Serbia apo Rusia të kërkojnë vendosjen e rezolutës 1244, duke mos e bllokuar më këtë rezolutë. Amerikanët do ta tolerojë rezolutën 1244, sepse KFOR është prezent në Kosovë dhe arrestimet do të kryhen jo më nga policia e Kosovës por do të kryhen nga KFOR, pra do të ndodhë, sepse ajo nuk kthehet prapa, mirëpo Kosova do të shndërrohet në një ‘Bannana. E gjitha kjo ka ardhur për shkak se tre persona nuk po munden të marrin një garanci prej bashkësisë ndërkombëtare që nuk do të arrestohen.

Lidhur me pyetjen se çfarë mendon për zotin Rama, Buzhala u shpreh se e ka shndërruar politikën padrejtësisht, në aktrim. Politika nuk është aktrim, politika është gjëja më serioze.
Vërejtjet e mia për z. Rama janë pikërisht këto, pra liria e tij e tepruar, që ia jep vetes, pastaj toleranca shqiptare, për të toleruar një liri të tillë të një politikani, i cili nuk e ka për gjë që të gjitha mediat t’i ofendojë dhe ta krijojnë një ambient të përshtatshëm që mediat të jenë edhe cak i sulmeve, sepse kështu krijohet kjo. Në ndryshim me Shqipërinë, mediat në Kosovë nuk janë pro qeverisë, në ndryshim. Kosova është shumë më diverse te partitë politike, pra opozita ka media të veta që e përkrahin, aktualisht gazeta Express është kundër kësaj qeverie, ndonëse e kemi përkrahur gjatë fushatës zgjedhore. Ne si media, pra Gazeta Express, kemi 3 vija të kuqe të cilat nuk i kalojmë: oligarkia e tepruar, religjioni politik, armiqësia me BE dhe SHBA.
Berat Buzhala u ndal gjithashtu edhe në situatën që po kalon Vetëvendosja, e cila aktualisht është në një krizë të madhe të brendshme, ku kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti me grupin e vetë, me gjasa po bën një parti të re, krejtësisht i ndarë nga Albin Kurti, dhe kjo e kthen Lëvizjen Vetëvendosje jashtëzakonisht mbrapa tek elektorati. 

 

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Rezistenca e Bashës

Kuvendi shtyn votimin për reformën zgjedhore. PD bllokon punimet dhe mbledh grupin...
Read More