Forumet UET, dedikuar diskutimit “Reformizmi vs Populizmi”, i ftuari i parë Gjergj Bojaxhi

bojaxhiForumet UET nisin ciklin dedikuar diskutimit “Reformizmi vs Populizmi”, ku do të ftohen liderë të ndryshëm politikë në 15 të marta rresht. I ftuari i parë ishte Gjergj Bojaxhi, themelues i “Sfida për Shqipërinë”

Populizmi është një shqetësim ndërkombëtar dhe rajonal dhe në prag të zgjedhjeve edhe një fenomen shqiptar. Në këtë situatë të komplikuar jashtë dhe rreth nesh Universiteti Europian i Tiranës ka gjetur një kanal ose një damar minerali për të kontribuar në debatin publik për t’i dhënë një davaritje, një populizmi gjithfarësojësh që qarkullon në qytet nga fjalimet e kryeministrit, te fjalimet e kryetarit të opozitës, nga kryetari parlamentit te partitë nacionaliste, nga deputetët e thjeshtë deri tek ata më me përvojë. Forumet UET, një agorë e debatit, e kthyer tashmë në traditë, ka nisur dje ciklin e diskutimit “Reformizmi vs Populizmi”, ku i ftuari i parë ishte Gjergj Bojaxhi, themelues i “Sfida për Shqipërinë”, një lëvizje politike që është kundër modelit politik të ndërtuar në këtë çerek-shekull pluralizëm.

Diskutimi mbi kundërvënien mes reformizmit dhe populizmit merr shkas që nga tetori i vitit të shkuar, ku 7 profesorë të UET-it hartuan “paktin për reformizmin”, në thelb të të cilit janë 10 pika jopopuliste që i shërbejnë vazhdimit të reformave që konsiderohen jetike për zhvillimin e vendit. Cikli i diskutimit do të përfshijë 15 forume deri në zgjedhjet e Qershorit, ku do të ketë një diskutim mbi ngjyrat, nuancat, rreziqet e populizmit shqiptar, por dhe oportunitetet që ai sjell. “UET e sheh këtë moment si një “front lufte” në kuptimin pozitiv për të kontribuar në debatin publik”- shprehet administratori Henri Çili.

Çdo të martë të ftuarit në këtë debat do të jenë liderë të politikës shqiptare, ata që etiketohen si populistë apo ata që përfaqësojnë sistemin, pra reformizmin. Cikli nisi diskutimin me një personazh që është kundër modelit aktual politik, por që refuzon ta cilësojë veten si populist, themeluesin e lëvizjes shoqërore-politike “Sfida për Shqipërinë”, Gjergj Bojaxhi. Duke komentuar krijimin e këtij diskursi publik nga UET “Reformizmi vs Populizmi”, Bojaxhiu thotë se ky universitet është kthyer në një podium të rëndësishëm dhe shoqëria ka nevojë për këto lloj podiumesh.

 

Bojaxhi: “Sfida”, një kult politik për të pakënaqurit me modelin aktual

Për Gjergj Bojaxhiun modeli aktual politik është klientelist dhe i paligjshëm dhe për aq kohë sa nuk ka ndryshuar raporti mes qytetarëve dhe politikës, çdo reformë është e destinuar të dështojë.

Ai dhe qytetarët që i janë bashkuar “Sfidës” besojnë se do të krijojnë një “kult” të ri politik për shtresën e shqiptarëve të pakënaqur me këtë model. “Për mua është pak e çuditshme të quhem populist, sepse e kam menduar veten si jashtë të qenit populist dhe e kam shumë të vështirë si tipologji të bëj populistin. Ne si grupim mendojmë se në Shqipëri ka dështuar demokracia, kemi një shoqëri që tashmë po kthehet qartazi në një partitokraci, po vetëm se nuk është më një siç ka qenë dikur, por janë bërë disa. Ka dështuar raporti midis sovranit dhe shërbyesit, politikanit, ata janë bërë pothuajse pronarë dhe shumica e qytetarëve janë kthyer në lypsarë. Unë populist do të quaj një përqasje kur del, flet dhe bën premtime për gjëra që kanë bëjnë me përdorimin e taksave etj.”, – u shpreh Bojaxhiu gjatë diskutimit me pedagogë dhe studentë të UET.

Duke sqaruar pozicionin e tij si përfaqësuesi kryesor politik i kësaj lëvizjeje, Bojaxhiu theksoi se qëndrimi bazë ka të bëjë me ndryshimin e raportit mes qytetarit dhe politikës. Në këtë kontekst ai beson se edhe reformat që ndërmerren do të dështojnë. “Nëse ne nuk ndryshojmë nga ana strukturore raportin që ka sot midis qytetarëve dhe politikës, çdo lloj reforme që ne po propozojmë apo mund të propozohet nga grupe të ndryshme do ngelet dështim. Ne si lëvizje, si sfidë, nuk kemi shkuar drejt populizmit, ne kemi shkuar drejt ndryshimit të raportit midis qytetarit dhe politikanit. Ato që ne kemi propozuar kanë të bëjnë drejtpërdrejt me këtë raport. Ne mbështesim Reformën në Drejtësi dhe mendojmë se vettingu duhet të bëhet dhe në klasën politike. Korrupsioni buron nga politika dhe jo nga administrata. Në administratë reflektohet” – theksoi Bojaxhiu.

 

Revista Mapo: Kush janë “Populistët e Tiranës”

“Të paktën katër forca politike janë krijuar vetëm në tre-katër muajt e fundit. Disa prej tyre i shpallën “manifestet” dhe po ashtu edhe qëllimin për të qenë pjesë e zgjedhjeve të qershorit, të tjera si “Bleta Shqiptare”, edhe pse është prezantuar në frymën e një partie politike, ende refuzon të përfshihet në garën që e sheh si përballje “strukturash mafioze”. E ndërsa duket se i gjithë ky vrull i ri është një sfidë për partitë e mëdha, pak presin që prej lëvizjeve të ngjashme të prodhohet ndryshim surprizues. Frymëzimi prej lëvizjeve të ngjashme në Perëndim apo fitorja e Donald Trump në SHBA, pak mund të krahasohen me situatën politike në vendin tonë, edhe pse në mënyrë populiste këto forca po e ushqejnë vendin me idenë se ndryshimi do të ndodhë sot dhe menjëherë.

Revista Mapo e muajit shkurt ia dedikon kopertinën pikërisht këtij fenomeni dhe sjell një profil të “populistëve” të rinj në politikë, që nga Kreshnik Spahiu, Ben Blushi, Gjergj Bojaxhiu dhe ish-dhjetoristi Shinasi Rama.

Pakti për Reformizmin: 10 ide jopopuliste nga 7 profesorë të UET

7 profesorë pranë Universitetit Europian të Tiranës, me në krye dy ekonomistët Selami Xhepa dhe Luljeta Minxhozi, hodhën për debat në muajin tetor të vitit që shkoi për dy palët politike, për liderin e shumicës dhe opozitës, 10 propozime jopopuliste.

Një reformë kushtetuese që përfshin krijimin e një senati, pagesa më të mira dhe më transparente për funksionet e larta politike e shtetërore, financim transparent të partive politike, legalizim të lobimit dhe liberalizim ekonomik, janë pjesë e një propozimi me 10 pika prej një grupi profesorësh të Universitetit Europian të Tiranës.

Propozimi vjen nga nevoja për të përmirësuar Shqipërinë dhe ekonominë e vendit, edhe pse ai përmban tema jo fort të pëlqyeshme për populizmin. Propozimi po ashtu përfshin reformimin e strukturave të mbështetjes sociale, ndërhyrjen për të përmirësuar pagesat dhe cilësinë e punësimit dhe po ashtu, krijimin e institucioneve më të forta kontrolluese e standarde të larta shërbimesh. I pagëzuar si “Pakti për reformimin”, propozimi ka bërë bashkë një grup profesorësh heterogjenë në bindje politike, të cilët i propozojnë qeverisë dhe opozitës hapjen e një diskutimi të gjerë mbi një platformë me 10 pika, për të cilat do të kërkohej debat dhe konsensus kombëtar.

 

Shkruar Nga
More from revista mapo

Një Amerikan dhe Reforma në Drejtësi

Nga Kujtim Çashku* Duke bashkëbiseduar me amerikanin Xhorxh Fred Williams, ndjenja se...
Read More