Forumet UET/ Eni Vasili: Shpifjet janë kthyer në një bumerang për të vërtetën



Në kuadër të Forumeve UET, për një bashkëbisedim me pedagogë dhe studentë këtë të martë, nën moderimin e përgjegjëses së Departamentit të Shkencave Humane dhe Komunikimit, prof. asoc. dr. Belina Budini, ishte e ftuar gazetarja e njohur Eni Vasili. Ajo u ftua në Universitetin Europian të Tiranës në kuadër të hapjes së programit të studimit ‘Gazetari’, që tashmë është pjesë e Fakultetit të Shkencave Humane, Edukimit dhe Arteve Liberale, për të dhënë një këshillim karriere për studentët e parë të këtij profili studimi. Gazetarja e njohur Eni Vasili preku një sërë çështjesh që kanë të bëjnë sot me mediat dhe gazetarinë, si: intervista e Xhisielës, paketën antishpifje e deri te fondet greke për gazetarët dhe mediat.

Gazetari përballë Politikanit
“Është një reflektim i përhershëm që për mua vazhdon tashmë prej 15 vitesh, ‘Studio e Hapur’ më parë dhe këtë sezon në transformimin e vet në ‘Open’. Ka 15 vjet që programi im është në tregun mediatik dhe mënyra se si sillesh me një politikan, si e pyet atë, si i kërkon llogari është sigurisht një reflektim dhe kërkim i pandalshëm drejt përmirësimit të vazhdueshëm të performances. Duke u nisur nga rasti i fundit, përballja e Sali Berishës me disa gazetarë një ditë më parë, ashtu si në përgjithësi daljet e tij apo si daljet e Lulzim Bashës, Edi Ramës, sjellin një farë jehone në ditët në vijim. Debati filloi për shkak të një provokimi nga zyra e shtypit të kryeministrit Rama në orët e vona të mbrëmjes, dhe zëdhënësi i kryeministrit na tërhoqi vëmendjen se përse ishim të “squllur” përballë Berishës ndërkohë që jemi “luftarakë” përballë Ramës. Fakti që emisioni prodhon debat është vetëm i shëndetshëm. E shoh këtë gjë edhe si një PR për emisionin. Më bën të ndihem mirë që zyra e shtypit detyrohet të provokojë dhe të reflektojë pas emisionit. Së dyti, dua të them që është një krahasim që nuk qëndron, ai mes një ish-kryeministri dhe një kryeministri aktual. Një ish-kryeministri sot është e vështirë t’i kërkosh llogari ndërkohë që nuk ka asgjë në dorë. Ndërsa kryeministri ka në dorë fatin e shqiptarëve, prodhon ligje dhe politika çdo ditë, prandaj kemi arsye pse të jemi agresivë. Debatet që e shoqërojnë gjithmonë politikanin Berisha është pasqyra ku mund te shohim se si ai është një personazh polarizues”.

Çështja Xhisiela, u quajt agresion intervistimi në media
“Nëse sërish do e merrja në intervistë Xhisielën të njëjtat pyetje do i bëja dhe s’kam asnjë dyshim për këtë. Xhisiela Maloku kishte dhënë një intervistë për Top-Channel. Nuk e kisha marrë unë në intervistë por një gazetare tjetër. Pra, ajo donte të shprehej, të fliste dhe të thoshte një pjesë të së vërtetës së saj ashtu siç e mendonte. M’u propozua nga Top-Channel me qenë se unë të nesërmen kisha emisionin tim ta përdorja këtë intervistë. U ktheva në punë pasi ka qenë dhe ditë e diel. E pashë intervistën dhe për mendimin tim ishte një intervistë e paplotë e pa përmbushur me shumë pyetje që nuk ishin bërë. Ajo që bëra është një gjë shumë e thjeshtë. Unë thashë që do ta intervistoj vetë. I gjeta numrin e telefonit dhe lamë një takim. E gjitha ndodhi pasditen e një të diele në Durrës. Mendoj se, ka qenë intervista e saj e sinqertë. Së pari, ishte një intervistë e pakoordinuar sepse të gjitha daljet e saj kanë qenë të koordinuara prej dikujt. Herë nga disa gazetarë me lidhje të caktuara në botën e krimit, e herë të dërguar të tjerë të dyshimtë. Intervista ishte komplet jashtë kontrollit të njerëzve që sipas meje i bënin presion Xhisielës. Unë isha në kërkim të së vërtetës. Ndoshta intervista mund të jetë dukur pak e ashpër, pak këmbëngulëse pasi kërkimi i të vërtetës duhet të jetë kështu për mendimin tim. Është e vërtetë që Xhisiela të nesërmen deklaroi që intervista ishte e manipuluar. Segmente të caktuara politike dhe mediatike u përpoqën ditën e hënë ta tërhiqnin intervistën. Patëm presion dhe sipas informacioneve tona ka patur presion edhe ndaj saj që kjo intervistë të tërhiqej për të dhënë një intervistë në një studio tjetër tashmë një intervistë të kontrolluar dhe të ndërmjetësuar nga të njëjtit njerëz. Nuk kishte asgjë të manipuluar nga ana jonë. Çdo gjë ishte me zë e me figurë”.

Përpjekja për paketën ‘Antishpifje’

“Duhet të pranojmë shpifja, hiperbolizimi, fake news tashmë është bërë një sëmundje e medias sidomos asaj online. Portalet dhe vrapimi drejt klikimeve kanë kontribuar shumë në këtë gjë. Ne paketën nuk e kemi akoma përpara. Nuk dimë asgjë. Sot që ne flasim ka një nen që e mbron njeriun nga shpifja. Shumë politikanë po e përdorin këto dite këtë nen, mire është ta përdorin edhe gazetarë qe presin avokati nga ata që nuk e kanë për detyrë. Pyeta dhe ish-kryeministrin Berisha gjatë emisionit a keni shpifur ndonjëherë? Kjo pyetje kishte ironi dhe sigurisht ai u përgjigj me ironi. “Jo me qëllim”. Ky inflacion akuzash, shpifjesh është kthyer në një bumerang për të vërtetën vetë. Megjithatë, duhen gjetur mekanizmat e duhur. Sa kjo paketë e pret fjalën e lirë dhe sa vërtet e pastron ambientin tonë të molepsur mbetet për t’u parë”, -shprehet Vasili.

“Diçka tjetër interesante është kur doli përpara dy apo tre ditësh një listë nga disa portale fantazmë, për disa gazetarë që kishin marrë fonde greke portalesh ku shumë nga ne e kishin emrin aty. Ndjekësit e mi në Facebook ndiheshin disi të trishtuar filluan të pyesnin. “Na trego të vërtetën” ndaj vendosa të bëj një status për t’u përgjigjur. Ndër ata që më komentoi në postin tim të Instagramit ishte zëdhënësi i kryeministrit, Endri Fuga, i cili më tha: “E shikon që duhet paketa antishpifje?”. Iu përgjigja “mos je ti që e ke bërë këtë listë, për të na futur të gjithëve në valle dhe për të na thënë që e shikoni që duhet paketa antishpifje”. Vërtet ndonjëherë duhet një reflektim i mirëfilltë për shpifjen se ja të fusin në këto lista dhe hajde të dalësh. Është një botë që ka nevojë për t’u rregulluar sidomos bota online ka nevojë për rregullim por me disa limite të qarta, duke qenë delikat për të mos prekur thelbin e gjësë që është fjala e lirë”.

Të jesh një gazetar profesionist dhe t’i shkosh në fund të së vërtetës
“Është një çështje delikate. Nuk besoj se nuk jam etike në intervistat e mija, për sa kohë e vërteta ka kaq shumë sfumatura. Nëse marrim shembullin e fundit të Sali Berishës unë kërkoj të vërtetat, por aty janë të vërtetat e Sali Berishës. A jam etike unë duke u përpjekur të gjej të vërteta të tjera? Po, por në fund fare unë do marr të vërtetat e Sali Berishës apo Edi Ramës apo dikujt tjetër. Unë nuk është se po bëj gazetari investigative, të shkoj në terren dhe të gjej fakte për të provuar të vërtetat. Është ndryshe gazetaria e debatit politik në studio nga ajo ku mbledh disa të dhëna dhe mundohesh të gjesh të vërtetat objektive. Në një intervistë politike kjo është e vështirë të ndodhë”.

loading...
Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Rama vazhdon me Forcat e Armatosura: Ja çfarë videoje postoi sot

Pasi dha dje lajmin se në Shqipëri, konkretisht në Kuçovë, do të...
Read More