Forumet UET, Genc Pollo: Shoqëria duhet të reagojë, kauzat e opozitës në dobi të vendit

Një nga personazhet aktivë në 28 vite politikë, Genc Pollo, ishte i ftuar dje në Universitetin Europian të Tiranës, ku u diskutua mbi situatën politike në vend dhe të ardhmen e opozitës. Kauzat që ngriti opozita dhe një përgjigje për afrimin e LSI-së brenda bllokut opozitar. Pollo: “Duhet të kuptojmë nëse jemi në kushtet që të zgjedhim më të mirën e mundshme apo të keqen më të vogël”.

Në fillim të viteve ‘90 Genc Pollo zuri vend në dhjetëshen e parë të drejtuesve të Partisë Demokratike, duke qenë një nga nismëtarët dhe kontribuuesit në përmbysjen e sistemit komunist. Por koha tregoi se ishte ndryshe nga të tjerët, duke u përplasur haptas me liderin e fuqiplotshëm siç ishte Sali Berisha. Kjo çoi në “skizmën” e parë të PD-së, ku Pollo dhe një grup tjetër politikanësh që më parë militonin në radhët e Partisë Demokratike themeluan në vitin 1999, PDR-në, Partia Demokratike e Reformuar. U kthye në forcë që siguroi grupin e saj parlamentar, e megjithatë zhvillimet politike me kalimin e viteve sollën si domoshdoshmëri “shuarjen e së kaluarës” dhe ridimensionimin e një force politike, me të gjithë forcat e djathta. Sot Pollo dhe një pjesë tjetër e “të ikurve” të parë janë sërish brenda radhëve të PD-së, në një histori më shumë se çerekshekullore. Në një takim me pedagogë dhe studentë të Universitetit Europian të Tiranës Genc Pollo analizoi situatën politikë të pas viteve ‘90, situatën aktuale politike dhe të ardhmen e opozitës. “Problemi më tepër qëndron te shoqëria. Nëse ndodh diçka e rëndë dhe nga ana e shoqërisë nuk ka reagim, nuk ia del dot as opozita me shifrat e veta që ta ndryshoj këtë gjë”-tha Pollo, duke iu përgjigjur pyetjes se çfarë linje duhet të mbajë PD-ja atë të liderit historik Berisha, apo të kreut aktual Basha. Sipas tij, shoqëria ka rënë në apatizëm ekstrem, nuk ka më ideale, ku një pjesë e mirë e saj ka emigruar. “Kjo mund të jetë edhe një shpjegim për rezultatet elektorale. Se çfarë bën Basha apo Berisha janë gjëra që nuk do të japin një konkluzion”-shtoi Pollo.

Të rinj indiferentë

Në ligjëratën e tij, duke analizuar situatën aktuale në vend, Pollo ngriti si shqetësim themelor mosangazhimin e të rinjve në politikë, e madje një indiferentizëm që duhet të trembë të ardhmen e vendit. “Më kujtohet angazhimi politik i viteve ’90, i cili udhëhiqej nga idealizmi dhe dëshira. Sot duhet të kuptojmë cilat janë arsyet pse nuk ka më përfshirje të shoqërisë në çështje politike. Ndoshta nuk ka më një ideale apo një ide joshëse”, -thotë Pollo. Situatën aktuale politike në vend e konsideron mjaft të rëndë dhe sipas tij, opozitës i takon që të bëjë pjesën e saj denoncuese për atë çfarë shkon keq, por për të patur rezultate në të mirë të vendit, kërkohet angazhim më i madh shoqëror, për të mbajtur ndezur kauzat e drejta, jo sepse i kërkon opozita, por sepse janë në të mirë të vendit. “Opozita ngre një çështje dhe e bën kalë beteje, duke menduar se ajo ka rëndësi të madhe sociale. Ky është rast i pastër i një kuze sociale. Lufta kundër kanabizimit është një rast i pastër. Po ashtu edhe rënia e vlerës së Euros ka disa aludime mbi arsyet. Kohët e fundit janë futur një shifër relativisht e madhe, deri në 1.7 miliard euro. Të tjerë mendojnë se kjo ka ndodhur prej parave të pista të drogës”, argumenton deputeti i PD-së Genc Pollo. Sipas tij, nuk është problemi se këto kauza nuk sjellin vota, por në luftën kundër drogës PD ngeli e vetme.

Një LSI në PD…

Ndonëse kauzat që opozita ka ngritur janë të drejta, kjo nuk po përkthehet në mbështetje dhe në pjesën fundore të saj në votë. Duket se nga opozita kërkohet që të ngrihet diçka më e madhe që më shumë se me aktet politike lidhet me frymëzimin dhe shpresën. Por PD-së do i duhet të argumentojë edhe bashkimin e saj brenda bllokut opozitar të LSI-së, që deri një vit më parë e konsideronte si “patericë të Ramës”. Edhe për këtë diskutim Pollo kishte një përgjigje. “Ndryshimi qëndro se ‘paterica’ është në opozitë. Të gjithë ne kemi opinionet tona. Ka njerëz që gjykojnë, por ka të tjerë që janë realistë. Duhet të kuptojmë nëse jemi në kushtet që të zgjedhim më të mirën e mundshme apo të keqen më të vogël. Nëse ne shikojmë që qeveria është e përfshirë në krim duhet ta ndryshojmë me çdo kusht pavarësisht se me kë bashkohemi”, -tha Pollo. Një nga figurat e njohura të politikës në vend pranon se në forcat politike kërkohet ndryshim elitash, por gjithçka brenda një maturie politike dhe kërkese që vjen nga elektorati. “Përtej emrave të veçantë që ka subjektivizëm sa të duash, ajo që mendoj unë është ndryshimi i vazhdueshëm, gradual dhe i matur”, -tha Pollo.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Studentët diskutojnë me profesionistë Vetingun dhe Reformën në Drejtësi

Gjatë katër javëve në Universitetin Europian të Tiranës  janë zhvilluar leksione e...
Read More