Forumet UET, Jonila Godole: Tepelena në mënyrë simbolike mund të ishte Auschwitzi ynë

E ftuar në një bashkëbisedim në Universitetin Europian të Tiranës, nën moderimin e pedagoges së Departamentit të Komunikimit Irena Myzeqari, Jonila Godole, drejtuesja e Institutit për Demokraci, Media dhe Kulturë foli mbi domosdoshmërinë e kujtesës së vuajtjeve të regjimit diktatorial në Shqipëri 

Të njohim krimet e komunizmit që të mos mbesim pa kujtesë…Ky ishte thelbi i bashkëbisedimit të djeshëm të Jonola Godoles në Universitetin Europian të Tiranës.  Drejtuesja e Institutit për Demokraci, Media dhe Kulturë ishte e mendimit se sjellja në kujtesë e të gjitha vuajtjeve të kohës së komunizmit në Shqipëri është një ndër mënyrat se si ne afrohemi, pa bërë aspak reklamë negative, ose pa thënë asgjë për atë sistem, por thjesht duke sjellë dëshmitarë që kanë kaluar kalvarin e vuajtjeve të burgjeve dhe internimeve.

Kampi i Tepelenës

Duke iu referuar debateve të fundit me historianin Pëllumb Xhufi, Jonila Godole u shpreh se i gjithë debati nuk ka të bëjë me personin në fjalë, por me kampin e Tepelenës, dhe me atë se çfarë ka ndodhur atje. “Në fakt nuk bëhet fjalë fare këtu për persona, pasi s’ka rëndësi se çfarë mendon njëri apo tjetri aty, fakt është që Tepelena ka ekzistuar, ashtu siç ka ekzistuar. Tepelena në mënyrë simbolike mund të ishte Auschwitzi ynë, në mënyrë simbolike sepse nuk ka lidhje me Auschwitzin që ne njohim në lidhje me Holokaustin por për një vend kaq të vogël si Shqipëria ishte shumë ajo që ka ndodhur aty. Me qindra fëmijë që kanë vdekur, nuk po them se i kanë vrarë me qëllim, për këtë duhet të rikonstruktohej gjithë historia, të bëhen shumë më tepër studime që të dilet në një panoramë më të plotë se çfarë ka ndodhur në Tepelenë”.

Gjithashtu Godole shtoi se me informacionet që ka, gjithë shfarosja që është përpjekur të bëhet aty ka qenë shumë sistematike.

“Çdo gjë e ndodhur në atë kamp ka qenë shumë sistematike e drejtuar jo thjesht ndaj personave që mendonin kundër, se bëhet fjalë për gra për fëmijë dhe për pleq që kanë qenë aty dhe sikurse kemi pasur intervista me dëshmitarët e kohës, – siç mund të jenë gra të tepër të moshuara që ende jetojnë sot -, ato nuk e kanë patur dijeni çfarë bënin burrat e tyre, pasi në atë kohë gratë shqiptare, pas luftës, në vitet’40 nuk përfshiheshin në biseda dhe nuk uleshin asnjëherë si sot, ku familja diskuton për një çështje të caktuar.
I gjithë ky keqtrajtim sistematik i kryer në kampin e Tepelenës u është bërë fëmijëve shqiptarë, dhe është bërë nga shqiptarët, nuk është bërë nga gjermanë që sulmonin hebrenjtë, por është bërë nga shqiptarë të cilët rrihnin fëmijët duke menduar që këta ishin pjellë e armikut, për të cilën nuk mund të heshtet dhe mendoj që ata historianë, pseudo historianë, ekspertë, studiues të cilët mendojnë që kjo nuk ka ndodhur ose përpiqen ta relativizojnë atë që ka ndodhur aty, ata mbi të gjitha dëmin më të madh ia bëjnë biografisë së tyre, pasi kështu vihen në diskutim gjithë vepra e tyre që kanë patur deri më sot. Një historian duhet të bazohet në fakte dhe nuk mund të flasë pa i parë faktet dhe dokumentet të plota jo thjesht një dokument që e heq nga konteksti, Dhe për mua ky është një diskutim që duhet mbajtur gjallë, por për fat të keq u shua”.

Misioni dhe pengesat e Jonila Godoles

Për Jonila Godolen, një vend që i kalon 27 vite pa kujtesë si shqiptarët që kanë jetuar në atë sistem, por që nuk kanë vuajtur në burgje dhe kampet e internimit, si dhe të rinjtë sot duhet që të njihen me këtë pjesë të errët të atij sistemi dhe mos të ngelet pa kujtesë.

“Dëshmitarët e kohës po ndërrojnë jetë, kanë mbetur më pak se 2000 persona që ende jetojnë, ndoshta do presim dhe pak, kur të mos jenë dhe ata, atëherë mendoj unë do fillojë kujtimi i të shkuarës në një fazë postmodernizmi, pra pa persekutorë, pa viktima, por rreziku qëndron se do të shpikim një histori. Këtu futemi te misioni i Institutit tim dhe gjithë institucioneve që punojnë në këtë pikë, që këtë kauzë të atyre që e kanë marrë përsipër këta 27 vjet ta vështirësojmë sa më shumë. Si ta bëjmë? Duke i mbledhur dëshmitë e të përndjekurve, gjë që ne e bëjmë gjithë kohës prej disa vitesh tashmë”.

Në lidhje me pengesat që has gjatë punës Godole shprehet se është mungesa e vullnetit politik.

“Ajo që më pengon mua personalisht në lidhje me këtë kauzë është mungesa e vullnetit politik për ta ndryshuar këtë gjë. Kjo është pengesa kryesore, gjithë të tjerat janë thjesht derivate të mungesës së këtij vullneti politik për të rregulluar, sistemuar, zgjeruar dhe reflektuar kurrikulën shkollore. Nëse të rinjtë do të njiheshin që në moshë të re me atë që ka ndodhur, jo thjesht me libër por edhe me projekte të ndryshme që do bëheshin aty, jo vetëm të ftonin veteranët çdo 5 maj, sikurse më ka rezultuar në jug të Shqipërisë, por duhet të dëgjojnë edhe të persekutuarit gjithashtu”.

Pyetjes se pse në Shqipëri, procesi i hapjes së dosjeve të periudhës së komunizmit po zvarritet, Godole iu përgjigj duke thënë se procesi në Shqipëri është i komplikuar, shumë më tepër se në vendet e tjera që kanë përjetuar këtë lloj sistemi, ku hyn frika, ngurrimi, mosbesimi.

“Kaq shumë i komplikuar është procesi në Shqipëri, shumë më tepër se gjithë vendet e tjera. Janë vendosur një sërë pengesash, këtë nuk e them unë, e thonë ata që ne takojmë, ata që shkojnë marrin dosjet e tyre, ata që kanë qenë nëpër burgje, kanë frikë, u duket sikur të gjitha proceduarat e bëra me ligjin për hapjen e dosjeve ndihmon ose mbron më shumë persekutorët, ata që i spiunuan ata, sesa personat që duan të zbulojnë historinë e tyre se çfarë ka ndodhur. Por ky është një ligj, është një hap i mirë që është bërë, që ligji është, që puna ka filluar, ndoshta në të ardhmen mund të ketë amendime të ligjit, lehtësime mbase, këtë gjë e ka bërë dhe Gjermania, e kanë bërë dhe vendet e tjera dhe do të ishte shumë mirë që pas pak vitesh kur të shohim sa dosje janë hapur gjithsej, çfarë problematikash kanë sjellë këto dosje, hapja e tyre, atëherë mbase vjen një moment që të reflektohet çfarë mund të bëhet me ligjin, si mundet të forcohet ai, ose si mundet t’i shtohen atij anekse të tjera të cilat e bëjnë më të madhe transparencën”.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Avokati i Tahirit: Kërkesa e prokurorisë është e pabazuar në ligj dhe në prova

Avokati i deputetit Saimir Tahiri, Artan Hajdari tha se seancat e Këshillit...
Read More