Forumet UET, Virgjil Kule: Si e transmetova rrëzimin e bustit të Enverit, kundër urdhrit të Ramiz Alisë

I ftuar në Forumet UET, Virgjil Kule foli rreth aspekteve të reja e të panjohura për figurën e Gjergj Kastriotit që sjell libri i tij “Kryqtari i fundit”, i bazuar në fakte e dokumente. Gjatë takimit të moderuar nga pedagogia Belina Budini, Kule foli edhe rreth kohës së tij si drejtor i Televizionit Publik Shqiptar duke risjellë momentin e rrëzimit të monumentit të diktatorit Enver Hoxha dhe sesi ai vendosi ta transmetojë kronikën në edicionin e lajmeve, duke mos iu bindur urdhrit të presidentit asokohe, Ramiz Alia

Librin “Kryqtari i fundit”, shkruar dhe bazuar mbi fakte dhe dokumente mbi figurën e Gjergj Kastriot Skënderbeut, e botoi për herë të parë me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, por vitin e shpallur si Viti i Skënderbeut me rastin e 550-vjetorit të tij, gazetari Virgjil Kule e quan çast fatlum për ta kthyer edhe njëherë në vëmendje. Kule tha se ky libër trajton aspekte thuajse të panjohura të Skënderbeut. “Aspekte që nuk i kam gjetur në librat e tjerë. Kam dhënë këndvështrim tjetër duke plotësuar disa boshllëqe që i hasa gjatë studimit të kësaj figure”,  –tha Kule gjatë takimit me studentë e pedagogë të Universitetit Europian të Tiranës, moderuar nga pedagogia Belina Budini- Shefe e Departamentit të Komunikimit – e cila e ftoi Kulen në Ditët Letrare të Razmës, në fund të muajit maj ku krahas dhënies së çmimit letrar “Kadare” tema që do të trajtohet do të jetë Figura e Skënderbeut mes Historisë dhe Letërsisë.

Biseda nisi me një restrospektikë në fillimet e karrierës së Virgjil Kules në Televizionin Publik Shqiptar, asokohe 17–vjeçar kur nisi të punojë si spiker, më pas me emisione të çështjeve ndërkombëtare, me cikle dokumentarësh, derisa u emërua Drejtor i Televizionit Publik Shqiptar.

Kule tha se si model asokohe merrnin televizionin italian për nga forma, duke e parë si ngritje profesionale. Ai gjithashtu tha se atë kohë pati arritje edhe nga ana teknike. “Arritje të cilat sot televizionet mburren sikur ç’bëhet. Po marr shembullin e varrimit të Enver Hoxhës, është transmetuar me 27-28 kamera, live e gjitha. Ndodhte për herë të parë. Ishte një gjë shumë e vështirë. Qëkur nisej arkivoli dhe kur përfundonte në Varrezat e Dëshmorëve”, – kujtoi Kule, ndërsa e kujtoi atë kohë dhe kolegët të cilët spikatnin për entuziazëm, mobilizim, devotshmëri dhe kritikë profesionale të ndërsjellë. “Vetëm pak elementë kishte që binin sa për të marrë rrogën” .

Detyrën e Drejtorit të TVSh-së e mbajti deri në vitin 1991, duke qenë dëshmitar i ndryshimeve të mëdha politike në vend, detaje të cilat ai i preku gjatë bashkëbisedimet, siç ishin Lëvizja e Dhjetorit apo rrëzimi i shtatores së diktatorit Enver Hoxha.

Kule kujtoi vështirësitë e kohës për të realizuar kronikën, telefonatën tensionuar me Ramiz Alinë për të mos e transmetuar dhe sesi ai nuk iu bind urdhrit duke e dhënë kronikën të plotë.

“U mor vesh që diçka do të ndodhte në shesh dhe kisha çuar gjashtë grupe xhirimi atë ditë. E morëm vesh në radio se kishim edhe polici të sigurimit nëpër shkallë dhe po prisja të vinin këta të na sillnin materiale e të vendosnim. Nuk po vinte njeri dhe nuk m’u durua dola në korridor”. – kujtoi Kule, ndërsa tha se njëri pas tjetrit operatorët erdhën me lajmin e keq se nuk kishin mundur dot të filmonin momentin e rrëzimit të bustit, porse çaste pas saj kur shtatorja e Enver Hoxhës tërhiqej zvarrë nga turmat e revoltuara të njerëzve

“Kur vjen grupi i parë thanë s’e morëm dot se ishte rrëmujë e madhe. Edhe grupi i dytë tha kemi zvarritjet, por momentet e tjera e pamundur. Asnjë nuk kishte asgjë. Ishin pas ngjarjes. Më shkuan në mendje shumë gjëra në ato momente. Po ç’do të bëja unë? Unë jam këtu, duhet bërë një kronikë për këtë. Duhet të bëjmë detyrën tonë. Sepse në atë kohë kish nisur të flitej për transparencë, depolitizim, objektivitet. Kështu flitej. Isha shumë në merak. Në mendjen time e kisha të qartë që çdo gjë kish marrë fund që do të ndërrohej sistem dhe mendoja se sa të vijë përvjetori i këtij muhabeti unë do të përmendem që nuk e transmetova dhe ky mendim m’u bë obsesion. U thashë të përgatisnin me çfarë kishin. Nuk kish vajtuar ora 6 pasdite. Kur vjen një operator, Fatmir Çepani, ai ishte nisur për diçka tjetër për një ekspozitë te Pallati i Kulturës. Nuk ishte hapur ekspozita dhe ai ishte ulur në një kafe lart te Pallati i kulturës dhe ai kishte një aparat me film, dhe e ka marrë me dorë të dridhur dhe duket po ta shohësh atë kronikën edhe sot. Por për mua ishte një xhevahir. E kish mbështjellë me letër të zezë, e mora shkuam në laborator u la filmi shkuan në telekinema, e bashkuam me pjesën tjetër dhe u bë kronika, diku nga ora 5 e gjysmë. U qetësova. Më kujtohet që ishim me grupin e djemve dhe vajzave që u morëm me këtë punë, të gjithë ishim si të kënaqur”. Telefonata e Ramiz Alisë mund të ndryshonte gjithë rrjedhën. “Më thonë të kërkon shoku Ramiz”. Urdhëroni! – thashë. “Na e hodhën Enverin”, tha. “Ju keni bërë kronikë?”. Po, mezi e bëmë, por shyqyr doli, iu përgjigja. “Por ne do e vëmë prapë dhe ti nuk do e transmetosh kronikën”. Unë i thashë kjo punë ka marrë fund, e ka marrë vesh gjithë dynjaja. Por do e vëmë prapë. Kur ta vëmë do bëjmë një kronikë të shkëlqyer, vijova. Toni i zërit u ngrit me terma si sabotator, tradhtar, e gjëra të kësaj natyre, por mua më vinte mendimi që sa të vinte përvjetori unë do isha ai që nuk e dha”. Në lajmet e orës 18:00, kundër urdhrit të Ramiz Alisë, Virgjil Kule vendosi që kronika të transmetohej.

“Mbaroi ajo punë, u ndjeva i lehtësuar. TVSH e bëri detyrën e vet për sa i takonte asaj periudhe, Ky ishte mesazhi që kërkoj të dalë dhe të jetë i pranishëm”.

Më pas ai foli për largimin, ndërsa i pyetur sesi e sheh tani gjendjen e Televizionit Publik Shqiptar, Kule u shpreh se ka pasur një përgjumje të llahtarshme. “Megjithëse bëhen përpjekje, ka tendenca për ta mbledhur punën, por nuk është interesante për publikun, nuk provokon, nuk godet nuk ka tharm”.

Më pas foli për eksperiencën “Mjekët pa Kufi”, me të cilët punoi 10 vjet duke udhëtuar dhe realizuar dokumentarë në vend si Rusi, Mongoli, Kaukaz, Kirgistan, Taxhikistan, Ukrainë etj.

Sa i përket librit të tij “Kryqtari i fundit”, që siç rrëfeu ai i ka marrë një angazhim thuajse 20-vjeçar, rrëfeu se për ta shkruar iu desh të studionte metodologji në mënyrë autodidakte.

“Kam punuar në heshtje, si heshtja e amatorit që matet mirë përpara se t’i nxjerrë gjërat. Me shumë vëmendje me frikën mos bëj gabime. Unë kërkova ku e kam vendin te ky Skënderbeu, sepse shumë janë marrë me figurën e tij dhe njerëz të cilët njohin jo vetëm Skënderbeun, por edhe periudhën, nga pikëpamja osmane dhe medievaliste. Pasi kisha grumbulluar dokumentacionin dhe kisha lexuar pothuajse gjithçka që ishte shkruar për Skënderbeun mendova të nisja ta shkruaja”.

Ai tha se nuk ishte e pamundur të shkruhej kronologji edhe pse bëhej fjalë për një periudhë të largët më shumë se 500 vjeçare. “Praktikisht u bë. Çdo vit ka fakte e veta, konkluzionet, ndërthurjet e veta kronologjike- analitike dhe zgjodha krahas elementit kronologjik edhe kronotopinë; vendin dhe kohën, nxjerrja e biografive individuale nga ato kolektive të bashkëkohësve që kanë jetuar në të njëjta rrethana politike sociale dhe janë shumë të detajuara”.

Ai shtoi se përdori manuale sesi interpretohen dhe lexohen shkrimet e Mesjetës që gjë e ndihmoi të lexonte Barletin, që tha se është edhe baza e librit.

“Nuk kisha synim ta rrëzoja mitin, mbajta një qëndrim të distancuar. Nuk u nisa se do bëja libër për një hero kombëtar që të jepja dorën time. Thashë do bëj si të më dalë. i hyra një pune të sinqertë pa pasur edhe qëllim për ta botuar”.

Kule thotë se libri trajton aspektin juridik, gjeopolitik, diplomatik të Gjergj Kastriotit. “U futa në një aspekt tjetër që nuk e kam thënë ndonjëherë, figura e Gjergj Kastriotit ekziston në librat themelorë të historisë në çdo universitet të botës ku studiohet historia, librat që flasin për historinë e Papatit, Kryqëzatat… Ekziston kjo figurë që është inkurajuese frymëzuese. Nga ç’kisha lexuar për Skënderbeun, ky i yni ishte i shkëputur nga historia botërore. Shqipëria nuk kishte dhënë material të mjaftueshëm për ta përditësuar deri më sot, sepse nuk ishin prekur këto elementë juridikë dhe diplomatikë. Ato që thuhen për Skënderbeun në librin tim zor që i gjen me kaq hollësi në libra të tjerë”.

I pyetur për kremtimet e 550-vjetorit të Skënderbeut a bëhet diçka konkrete apo është thjesht retorik, Kule tha: “Filloi më bujë, gala në Pallat të Brigadave, u fut edhe në dokumente e nisën edhe përpjekjet, por vura re një gjë; sikur kontributet për Skënderbeun kanë mbaruar, sikur nuk kanë çfarë thonë njerëzit në nivele shumë të larta akademike dhe jo më në nivele rrethesh e festimesh, përsëriten skemat e dikurshme; një fjalim, vjershë, këngë me çifteli …Jemi në fazën formale dhe empirike të trajtimit të kësaj figure”.

Kule tha se shqiptari mesatar ka pak njohur rreth figurës së Gjergj Kastriotit shpesh e kufizuar edhe vetëm tek filmi shqiptaro-rus, “Është i bukur deri nga mosha 12-13 vjeç, por më pas ka mangësi shkencore-historike”.

Ai kritikoi gjithashtu tekstet e historisë në shkollat e mesme ku trajtohet figura e Skënderbeut.

“Mendoj se shkolla, sistemi arsimor duhen marrë seriozisht me këtë figurë. i kam parë tekstet e gjimnazit që merren me Skënderbeun janë me vënë duart në kokë. Mbetet ai shpatari, që luftonte natë e ditë. Kemi të bëjmë me një filozof. Gjergj Kastrioti ka shkollën e tij juridike, diplomatike. Është themelues rrymash që duhen studiuar në nivelet më të larta. Për të mos thënë si strateg ushtarak, që është vlerësuar, por janë këto anët e tjera të një njeriut të madh para Rilindjes Europiane, tek ai gjenden elemente që i ka trajtuar Makiaveli në librin e tij “Princi”. Ka edhe indicie për një pjesë okultiste të pashfrytëzuar”.

Kule përfundoi duke thënë se shqiptarët duhet të ndihen krenarë duke njohur Skënderbeun real dhe jo atë legjendar, por për këtë tha ai duhet të punojë një aparat i tërë.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

A po kërkon ndihmë Edi Rama te Partia Socialiste e vjetër?

Nga Ervis Iljazaj Ilir Zela është zgjedhur nga Parlamenti Kryetar i AKEP-it....
Read More