Foto e panjohur: Faik Konica dhe këshilla për librat e mirë

Një fotografi e mrekullueshme e tregonte Konicën duke lexuar mes një grumbulli librash, ulur në kolltuk, me katër llulla në krah të majtë. Konica na e jep me pak fjalë vlerën e një libri të mirë kur tregon se si një mbrëmje, duke pirë çaj, mori të lexonte nga biblioteka e tij “Prometeun e lidhur” të Eskilit, shkruar 2400 vjet më parë. Eskili flet për disa të vërteta mbi natyrën njerëzore që nuk kanë ndryshuar as sot e kësaj dite, aq sa e bëjnë atë libër si të ishte shkruar dje

Duke ardhur nga një trashëgimi postkomuniste, lexuesit shqiptarë pas ’90-ës masivisht e kanë patur të vështirë për të perceptuar lirinë e tekstit.

Shpallja zyrtare e letërsisë së realizmit socialist kishte parasysh “ushqimin” që do të mbante kjo letërsi për lexuesit e diktaturës: propagandën. Mes të tjerave, orientimet si duhet të jetë njeriu i ri; u zhduk individualiteti në letërsi, për normën kolektive… Tradita letrare dhe lëvizja që shpërtheu në vitet ’30-40 me qëllimin e zgjimit të ndërgjegjes dhe kultivimin e aktit të mendimit u asgjësuan totalisht në ’49, me mbajtjen e Konferencës së Dytë të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve.

Pas ’90-ës, kthimi sporadik i letërsisë dhe publicistikës së atyre viteve ende nuk e kanë përmbushur humnerën ku u hodh mendimi dhe tradita letrare shqiptare.

Megjithatë në këto përpjekje, tashmë ne kemi të plotë një prej protagonistëve të viteve ’30-40, Faik Konicën falë punës së gazetarit historik të “Zërit të Amerikës”, Ilir Ikonomi.

Në këtë kontribut, që herë zbehet dhe herë gjen rast të shfaqet, dje në rrjetin e tij social, Konomi ka zbuluar përveçse të papriturat që kanë shoqëruar procesin e tij të punës për ndërtimin e biografisë së Konicës, por dhe nënshtresa që në dukje nuk marrin rëndësi, por i shërbejnë një qëllimi estetik të lartësimit personal të njeriut.

Në këtë kontekst është shënimi i Ikonomit kur flet për gjetjen e fotos së rrallë të Konicës në ’39, e shoqëruar me raportin e tij me librat, të kuptuarit si lexues.

Ja shënimi i plotë i Ikonomit, me një sigël: “Konica mes librave”: Faik Konica ishte bibliofil i madh. I përpinte librat, i mbante mend mirë dhe i bënte pjesë të punës së tij. Më pëlqen mënyra se si ai citonte nga ato që lexonte. Kur po shkruaja biografinë e tij, trembesha se nuk do të gjeja dot një foto të Konicës me libra. Një ditë shkova në Bibliotekën e Kongresit në Uashington, kërkova disa orë dhe gjeta dy foto të panjohura, njëra ishte portreti i tij zyrtar, që siç duket Konica ia kishte shpërndarë shtypit në vitin 1926 me rastin e fillimit të punës si ministër i Mbretit Zog në SHBA; tjetra ishte bërë më 7 prill 1939, ditën e pushtimit të Shqipërisë nga Italia–Konica duke dëgjuar i trishtuar lajmet. Në asnjërën prej tyre nuk ishin librat e tij të famshëm. Qëllova me fat sepse njëri nga punonjësit e Bibliotekës e kuptoi se bëhej fjalë për një shqiptar të jashtëzakonshëm dhe më premtoi të pyeste në një depozitë ku ruheshin fotografi të vjetra të gazetave amerikane. Përgjigja erdhi shpejt. Një fotografi e mrekullueshme e tregonte Konicën duke lexuar mes një grumbulli librash, ulur në kolltuk, me katër llulla në krah të majtë. Njerëz të ndryshëm e kuptojnë librin në mënyrë të ndryshme. Konica na e jep me pak fjalë vlerën e një libri të mirë kur tregon se si një mbrëmje, duke pirë çaj, mori të lexonte nga biblioteka e tij “Prometeun e lidhur” të Eskilit, shkruar 2400 vjet më parë. Eskili flet për disa të vërteta mbi natyrën njerëzore që nuk kanë ndryshuar as sot e kësaj dite, aq sa e bëjnë atë libër si të ishte shkruar dje. “Një librëz dyzetfaqësh, shkruan Konica. -Mund ta ngrejë një foshnje me majën e një gishti se ky librëz është i lehtë si një pendë. Dhe nuk është vetëm një libër. Është një monument. Një monument me aq rëndësi sa njerëzit viganë të bashkuar s’mund ta luajnë nga vendi”.

Për foton e publikuar, Ikonomi thotë se “kjo foto e pavdekshme, që na e jep Konicën madhështor në botën e tij të vërtetë, është bërë në prill 1939”.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Premierë botërore “DODA”: Për Baronin vjenez që u propozua Mbret i Shqipërisë

Baroni vjenez 55-vjeçar vret sekretarin e tij shqiptar, Bajazid Elmas Doda, në...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *