Fraksionet brenda partive politike janë të vlefshme, individët rebelë jo dhe aq

Nga Ervis Iljazaj

Zhvillimet e fundit brenda Partisë Demokratike për garën e Kryetarit të saj pas humbjes në zgjedhjet e 25 Qershorit, kanë shtruar përsëri një çështje shumë të rëndësishme të politikës shqiptare, atë të demokracisë së brendshme të partive politike.

Ka një keqkuptim të madh për sa i përket këtij elementi shumë të rëndësishëm të funksionimit të tyre në debatet që ka sjellë hapja e garës brenda PD-së. Shpeshherë me demokraci të brendshme nënkuptojmë një zë kundër apo një kritikë ndaj Kryetarit, të kuptohemi, janë të shëndetshme për demokracinë, por që më shumë se garë midis ideve, vlerave apo përfaqësimit të kulturave të ndryshme, janë rebelime individësh kundër pakënaqësive ndaj Kryetarit aktual. Demokracia brenda partive politike është diçka më e madhe dhe më e rëndësishme se kaq.

Janë fraksionet e ndryshme brenda një partie, të cilat bëjnë të konkurrojnë ide dhe jo persona. Sipas terminologjisë së shkencave politike një fraksion politik është një grup personash që organizohet brenda një partie në mënyrë autonome për të imponuar një linjë politike të caktuar. Një linjë politike e cila ndërtohet mbi vlerat, ideologji apo programe të caktuara. Këto ndërtojnë fraksione të shëndetshme brenda një partie politike dhe garojnë midis njëra-tjetrës për të përcaktuar linjën politike dhe me anë të saj dhe kryetarit që përfaqëson atë linjë.

Kjo bën që demokracia e brendshme të jetë jo vetëm një vlerë brenda një partie të caktuar, por edhe një vlerë për të gjithë shoqërinë.

Nëse kthehemi te rasti i Partisë Demokratike dhe shohim kandidatët apo kundërshtaret e Lulzim Bashës, është e vështirë të kuptosh se çfarë përfaqësojnë brenda asaj partie, përveç historisë.

Janë liberalë? Janë Konservatorë? Kanë një program ekonomik të kundërt nga Kryetari aktual?

Askush nuk mund të kthejë një përgjigje, pasi gara brenda asaj partie por jo vetëm, ndodh si një konflikt midis personave dhe pushteteve të ndryshme dhe jo si një fraksion politik i cili ka idetë dhe vlerat më të besueshme për ta kthyer atë në pushtet.

Fraksione të cilat krijohen jo në momentin e humbjes politike, por janë aty, brenda partisë, gjatë gjithë kohës dhe krijojnë alternativa konstante që në çdo moment kanë mundësinë për të marrë drejtimin e partisë. Sigurisht që fraksione politike brenda një partie nuk do të thotë konflikt i përhershëm brenda saj, por vlera kulturore dhe politike që përpunojnë ide në mënyrë të vazhdueshme.

E megjithatë, mungesa e tyre nuk justifikon anulimin e garës në momentin kur një Kryetar si në këtë rast humb zgjedhjet. Gjithkush ka të drejtë të kërkojë drejtimin e Partisë Demokratike. Këtë ia lejon Statuti dhe morali politik, por nëse duam të flasim për demokracinë e brendshme duhet ta fillojmë atë nga mënyra se si dhe çfarë përfaqësojnë individë të ndryshëm brenda një partie politike. Një përfaqësim i cili duhet të krijohet vetvetiu si vlerë politike dhe jo si individë me pushtet që në momentin e parë që kuptojnë që janë jashtë vendimmarrjeve të rëndësishme, më shumë se sa një platformë alternative politike kanë kundërshtinë ndaj lënies jashtë saj me të drejtë apo pa të drejtë qoftë. Kjo nuk është demokraci e brendshme, ky është konflikt i brendshëm që dëmton atë parti dhe në përgjithësi mënyrën se si funksionojnë partitë politike shqiptare.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

“Shqiptarët fituan simpatinë e serbëve kur vodhën orën e Bushit”

Letërkëmbimi Mapo-Danas Nga Zoran Panoviq I dashur Mustafa! Duke debatuar për dashurinë...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published.