Fraksionet nuk janë njerëz, por mendim ndryshe i palegalizuar

Nga Ervis Iljazaj

Mbledhja e Kryesisë së Partisë Demokratike ka nxjerrë dhe njëherë në pah grupimet anti-Basha brenda saj. Diskutimet me tone të ashpra, të cilat bënë xhiron e mediave, nuk tregojnë gjë tjetër, veç faktit që PD nuk është e bashkuar rreth lidershipit të saj.

Jo vetëm kaq, por grupi që njihet si anti-Basha ka kërkuar në këtë mbledhje që të legalizohet si një fraksion i ndryshëm ndaj linjës së përgjithshme të partisë, duke mos njohur në këtë mënyrë aksionin politik nën drejtimin e Lulzim Bashës edhe pse tashmë ai është i rikonfirmuar në krye të partisë.

Nuk ka asgjë të jashtëzakonshme në këtë ngjarje, pasi jo gjithmonë kryetari i një partie gëzon mbështetjen totale. Ajo që duhet diskutuar është kërkesa e këtij grupimi për t’u legalizuar si një fraksion politik i brendshëm.

Përtej debatit se si Lulzim Basha drejton Partinë Demokratike dhe përgjegjësitë e tij politike, kjo kërkesë ka tri probleme kryesore, duke u nisur nga ideja se çfarë është një fraksion politik.

Pikë së pari, një fraksion politik nuk është një grupim njerëzish, të cilët për një arsye apo tjetër kanë një marrëdhënie të vështirë me lidershipin aktual të partisë. Mbi të gjitha një fraksion ndërtohet mbi vlera, programe apo ideologji, të cilat devijojnë nga linja e përgjithshme e partisë. Për një parti të rëndësishme dhe të madhe, siç është Partia Demokratike, është normale që të ketë bindje dhe ide të ndryshme brenda saj. Kjo ndodh në shumë parti politike edhe jashtë Shqipërisë. Mirëpo, në rastin konkret, askush s’e di nëse grupimi anti-Basha përfaqëson një rrymë politike më konservatore, fetare, liberale apo çfarëdo linje politike të kundërt me parimet që përfaqëson lidershipi i Lulzim Bashës.

Pikë së dyti, si pasojë e të parës, grupimi anti-Basha nuk kërkon të legalizohet si një fraksion për shkak të mendimit ndryshe, por si një grupim i cili ende nuk njeh si legjitim lidershipin e Partisë Demokratike. Ky është paradoksi i kërkesës të legalizimit si fraksion politik brenda saj. Aq me tepër kur, të gjithë kritikët e Bashës, nuk arritën të kandidonin një përfaqësues të tyre në garën për drejtim e partisë që u zhvillua pak javë më parë. Në këtë kuptim, ato nuk ndërtojnë një fraksion politik në kuptimin e vërtet të fjalës, por janë disa individualitete, që funksionojnë me logjikë personale.

Pikë së treti, të kërkosh të legalizosh një fraksion politik, është rruga drejt shkatërrimit të një partie politike. Nuk ekziston në asnjë eksperiencë tjetër që të kërkosh të legalizosh një grupim njerëzish që janë kundër lidershipit të partisë si i tillë. Mendimi ndryshe brenda një partie politike është i rëndësishëm, por mendimi që përfaqëson një parti duhet të jetë uniform dhe jo i copëzuar. Në këtë mënyrë aksioni politik është më efikas dhe më i besueshëm. Të kërkosh të institucionalizosh ndarjen në grupime të ndryshme, është ta bësh atë të paqëndrueshme, të përçarë në sytë e opinionit publik dhe të paqeverisshme.

Gjithashtu të institucionalizosh një fraksion është të deformosh përfaqësimin politik. Fraksionet nuk janë përfaqësuese të elektoratit, pasi anëtarësia brenda një partie voton “imazhin” global të saj, ose atë të shumicës. Kështu funksionon demokracia, edhe brenda partive politike.

Për të gjitha këto arsye, kritikët e Bashës nuk përbëjnë një fraksion, por edhe sikur të ishin të tillë, kurrsesi nuk duhen legalizuar.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Mediu: Opozita dështoi me garantimin e zgjedhjeve të lira

Çfarë e penalizoi opozitën në zgjedhje? Pse aleatët nuk prodhuan vota në...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published.