Fuga vs Fuga: Komunikimi i Ramës dhe i Bashës

Aksioni i fundit i opozitës së Lulzim Bashës ka prodhuar një fenomen të ri: rreshtimin publik të shumë figurave të njohura të jetës mediatike pro dhe kundër çadrës së lirisë dhe qeverisë teknike. Një luftë mediatike për të ndikuar në aksionin e opozitës dhe qeverisë. Nga gazetari Armand Shkullaku e deri te mbështetja publike e filozofit Artan Fuga për aksionin më të fundit të liderit të opozitës.

Nga Vladimir Karaj

Është e qartë se loja politike kryesisht luhet në një rreth të ngushtë prej pak individësh. Ata vendosin fatet e shumicave, koalicionet apo zgjedhje të rëndësishme, kryesisht mbi kalkulime të ftohta numrash, kënaqësish apo pakënaqësish prej bazave partiake. Por ndërsa kjo luhet pas perdeve, para tyre është shfaqja e PR. Njerëz që përpiqen të na bindin se pse një alternativë është më e mirë se një tjetër. Kjo përfshin retorikë në emër të shumicës që është e papërcaktuar përpos ditës së votimit apo në “emër të popullit”, që po ashtu është i papërcaktueshëm. Edi Rama pati shkuar deri aty sa të shpikte “popull opozitar”, për të ndarë njëfarësoj ata që e besonin, Lulzim Basha sot i drejtohet vetëm “popullit”.

Çadra e opozitës në kryeqytet ndërkohë duket se ka hapur derën e një beteje të re me intelektualë dhe figura publike të rreshtuar politikisht qartazi. Duke ndryshuar nga njerëz pa parti, në të rreshtuar që flasin në çadrën e opozitës, apo kundër saj. Vetëm javët e fundit, emra si Artan Fuga, Edmond Tupja, Edmond Zhulali, Armand Shkullaku e të tjerë, braktisën asnjanësinë për t’u rreshtuar me opozitën. Një rreshtim që e argumentojnë si domosdoshmëri për vendin në këtë moment. Ngjashëm pati ndodhur me një grup tjetër intelektualësh dhe artistësh që patën firmosur mbështetje për Edi Ramën në fushatën e 2013-s.

Interesante në këtë lëvizje të re është vendosja përballë e dy “Fugë”-ve. Profesori i njohur i filozofisë Artan Fuga, që deri tani është një nga përpiluesit publikë të ideve të çadrës së protestës dhe përballë tij në kryeministri i nipi, që prej vitesh është drejtor i marrëdhënieve me publikun i kryeministrit Rama.

Të gjithë të pavarur, të gjithë të rreshtuar

Edhe pse nuk është e pazakontë që intelektualë, shkrimtarë, përkthyes e deri këngëtarë të njohur të lidhen me palë politike, dalja e tyre në fushatë për një forcë politike nuk është precedent. Më herët një pjesë e figurave që folën deri tani në çadrën e opozitës kanë qenë firmëtarë peticionesh për kauza të sponsorizuara politikisht, si miratimi i tri ligjeve të famshme në vitin 2013, por jo pjesë e tribunave dhe retorikës së politikës.

“Unë e di që nga data 18 shkurt, në atë protestë të madhërishme, dhe sot këtu në shesh nuk janë vetëm njerëz të opozitës apo simpatizantë të saj, por janë edhe qytetarë të shqetësuar dhe të indinjuar. Ka ardhur koha të indinjohemi të gjithë. Na duhet zemërimi qytetar”, -tha Edmond Tupja në protestën e vijueshme të opozitës. Duke bërë një dalje të rrallë të tij kaq qartazi politikisht. Po kështu gazetari dhe analisti Armand Shkullaku mbajti qëndrime të ashpra publike në çadrën e protestës, madje linja e tij duket edhe më e ashpër se ajo e opozitës, të cilës ai i kërkon të mos negociojë asnjë pikë të kërkesave të saj dhe të shkojë deri në bojkot të zgjedhjeve. Retorikës së PD-së për “republikë të re” po ashtu i janë bashkuar gazetarë dhe personazhe të tjera publike. Në pjesën më të madhe bëhet fjalë për persona që kanë anuar djathtas edhe më herët, por që në këtë rreshtim janë edhe më të qartë dhe ndoshta edhe më të ashpër. Kjo ka ndihmuar në fakt që për herë të parë debate të fushave të ndryshme të bëhen në një vend, edhe pse ato në fund mbulohen me pelerinën e “republikës së re”, që merr përsipër t’i zgjidhë të gjitha.

Fuga vs Fuga

E ndërkohë që beteja e palëve duket e papaqtueshme është interesant fakti që në të dy krahët ndodhet një “Fugë”. Vite më parë Endri Fuga ndoqi këshillën e xhaxhait, profesorit të filozofisë Artan Fuga dhe studioi komunikim, duke ia dalë në fund të ishte pjesë e rëndësishme e komunikimit publik të kryeministrit. Drejtori i Komunikimit të qeverisë është padyshim një nga njerëzit kyçë të Edi Ramës. Ai vetë nuk ka një profil dhe aq publik dhe as duket se interesohet për këtë pjesë, por ka fituar ndërkohë status dhe njohje jo të zakonshme, krahasimisht me të tjerë para tij në atë rol. Fuga ndërkohë akuzohet nga opozita si “Gebelsi” pranë kryeministrit dhe po ashtu si ideator i asaj që ata e shohin si spektakël politik apo prezencë e tepruar e shefit të qeverisë në media. Për të madje ka edhe akuza se manipulon vetë tituj gazetash apo lajme televizionesh.

Por ndërsa pozicioni i tij është i qartë në krah të qeverisë, xhaxhai i tij, profesori Artan Fuga edhe pse ka qenë i angazhuar në politikë si publicist, asnjëherë më parë nuk ka pasur qëndrime të qarta pro një pale. I njohur për një sërë librash rreth politikës, ndër të cilët më i njohuri: “Majtas Jo Djathtas”, i cili ua lë lexuesve të vendosin vetë presjen dhe një faqeje në rrjetet sociale Artan Fuga nuk ka pasur deri vonë një anësi partiake të lexueshme.

Në 2013 ai madje shkroi një artikull të gjatë sqarues rreth një keqkuptimi se kishte firmosur një peticion të shumicës së atëhershme. “Atje thosha se unë nuk i ‘fus hundët’ në punët e të tjerëve dhe nuk bëhem arbitër i sjelljes qytetare dhe politike të të tjerëve. Jemi një botë e lirë dhe secili merr pjesë në shoqëri me mënyrën e vet dhe kontribuon si e mendon”, shkruan profesor Fuga në atë sqarim. Por së fundmi, ai, duke u vendosur përballë nipit është bërë “shkruesi i vijës ideologjike” të opozitës.

Ai jo vetëm i ka bërë thirrje të tretëve të përfshihen në çadrën e ngritur para kryeministrisë, por haptazi ka marrë krahun e Bashës edhe para deputetëve skeptikë të PD-së, madje edhe një farë mbrojtjeje ndaj liderit të opozitës. “Fjala e tij para njerëzve të thjeshtë mbledhur në atë çadër është provokacion jo sepse thirri njëherë: ‘shponi gomat e atyre që bëjnë keq!’ – një shaka e thjeshtë si mijëra lapsuse që bëjnë studentët e mi”, shkruan Fuga në një postim në rrjetin social, duke anashkaluar me njëfarë “spini” pjesën tjetër emocionale të thirrjes, ku u përmendën edhe “tërheqje zvarrë” personash me emër e mbiemër. Përtej kësaj ai është bërë një prej mbështetësve më të zëshëm të opozitës. “Me Lulzim Bashën në çadrën e lirive politike (CLP) në fakt janë të gjithë politikanët veç disa anëtarëve të kabinetit, por askush ende nuk e artikulon dot përkrahjen ndaj tij. Por, kur diga të marrë ujë, të gjithë do të jenë dakord me të”, shkruan Fuga. Ai madje kritikoi ashpër deputetët e PD-së për frikë që të shfaqeshin në krah të Bashës. “Shiheni veten tuaj drejt e në sy dhe mbështesni kryetarin tuaj në Çadër për një republikë tjetër! Mjaft me alibira sepse keni shanse për të hyrë në histori!”, shkruan Fuga.

Qëndrimet e tij publike që e kanë vënë përballë Endri Fugës, nipit që ndodhet ndërkohë në godinën e kryeministrisë, duken si anekdota ilustruese më e mirë e situatës së një vendi të ndarë thellë politikisht.

Shkruar Nga
More from revista mapo

Zgjedhjet e qershorit, populizëm vs reformizëm

Nga Vladimir Karaj Shqipëria po përjeton ethet e para të Reformës në...
Read More