Fundi i koalicionit, LSI nxjerr kandidatin e saj për Kavajën

rama-meta_2016_06_24_22_0Futja në garë e një kandidati të LSI sjell një tjetër konfiguracion për zgjedhjet lokale të Kavajës. Me dy kandidatë të majtë në garë, fitorja e demokratëve në Kavajë lehtësohet.

Duket se fundi i koalicioni i majtë tashmë është i pariparueshëm. Dje Lëvizja Socialiste për Integrim ka përcjellë mesazhe të forta publike që çojnë në përfundimin se mes PS dhe LSI tashmë gjithçka ka përfunduar. Së pari, ka qenë përcaktimi surprizë i një kandidati të kësaj partie për Bashkinë e Kavajës. Ndërkohë po dje LSI ka nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi me PDS e Paskal Milos dhe të dyja forcat politike nuk e kanë fshehur zhgënjimin e tyre për marrëveshjen Rama-Basha.

Kandidati për Kavajën

LSI njoftoi dje pasdite se ka regjistruar kandidatin e saj për zgjedhjet e pjesshme për kryetar Bashkie në Kavajë. Në garën për kreun e Bashkisë, LSI do të përfaqësohet me Maksim Konën. Kona është në këtë mënyrë kandidati i parë zyrtar për Bashkinë e Kavajës ndërkohë që sot pritet të dalin edhe kandidatët zyrtarë të PS dhe PD. Por paraprakisht është deklaruar se socialistët do të vijojnë të kenë në garë nënkryetarin e Bashkisë Klodian Shehi, ndërkohë që si kandidat i PD mësohet të jetë kreu lokal i degës së PD, Isa Sakja. Futja në garë e një kandidati të LSI sjell një tjetër konfiguracion për zgjedhjet lokale të Kavajës. Me dy kandidatë të majtë në garë, fitorja e kandidatit demokrat në Kavajë bëhet edhe më e lehtë.

Marrëveshja LSI-PDS

Një marrëveshje besimi. E tillë është marrëveshja e nënshkruar mes ish-aleatit të Ramës, Paskal Milos dhe kreut të LSI-së, Petrit Vasili. Zhgënjimin nga marrëveshja Rama Basha, kreu i PDS nuk e fshehu por tha se votat e partisë së tij, sot por edhe më gjatë, do t’i mbrojë LSI. Kritika Milo pati edhe ndaj ish-aleatëve të tjerë të vegjël të PS-së, të cilët bënë thirrje për elektoratin e tyre që votat t’ia japin PS. Një marrëveshje që jep siguri për zgjedhje të lira e të ndershme e cilësoi edhe kreu i LSI Vasili, i cili dha garanci për çdo votë që do numërohet për PDS-në. “Ishte një moment politik i rëndësishëm dhe sinjifikativ pasi në marrëveshjen tonë ne ndërtuam një bashkëpunim politik që ka në themel të tij integritetin politik të PDS, raportin e saj shumë të qartë me zgjedhjet e lira dhe të ndershme”, -tha kreu i LSI-së, Petrit Vasili.

Kryemadhi: Rama shkel marrëveshjet

Ndërkohë qëndrime të forta ka mbajtur mbrëmë edhe Monika Kryemadhi, Në emisionin televiziv “Të paekspozuarit” Kryemadhi sulmoi drejtpërdrejt Edi Ramën. “Unë kam qenë gjithmonë skeptike, sepse PS, e vecanërisht kryetari i saj Edi Rama nuk u ka qëndruar asnjëherë marrëveshjeve me LSI-në”, ka deklaruar Kryemadhi. Ajo ka shtuar se ka qenë kundër që Ilir Meta të bëhej president. “Nuk kam qenë dakort që Ilir Meta të bëhej president, sepse mendoja se si themelues nuk duhej të largohej nga LSI-ja. Por mund të shtoi Meta president do të ruajë disa ekuilibra qoftë politike dhe rajonalë”, tha Kryemadhi. Ndërkohë marrëveshjen Rama-Basha, drejtuesja e LSI e quan një favor për partinë e saj, pasi ajo e faktorizon LSI-në. Kryemadhi ka shprehur edhe qëndrimin e saj për Sali Berishën duke thënë se “të krahasosh Doktorin me Ramën” është të krahasosh të pakrahasueshmen”.

Shkruar Nga
More from revista mapo

Bashkim Dedja: E vërteta e ligjit që u dërgua në Venecia

Kryetari i Gjykatës Kushtetuese pranon se variantet e ndryshimeve kushtetuese dhe ligjit...
Read More