Fushata e Bashës kundër TVSH-së si nxitje për informalitetin

Nga Ervis Iljazaj

Lulzim Basha të Dielën e kaloi duke takuar biznesin e vogël në një zonë periferike të Tiranës. Në kuadër të fushatës kundër vendimit të qeverisë për vendosjen e TVSH-së për biznesin e vogël, theksoi edhe njëherë qëndrimin e tij kundër këtij vendimi. Jo vetëm kaq, por ai shtoi se në planin e tij për këtë sektor shuma për t’u konsideruar biznes i vogël do të rritet deri në 120 milionë.

Është e natyrshme, që partitë politike kur janë në opozitë kanë tendencën të jenë populiste dhe kur vijnë në pushtet ndryshojnë tërësisht aksionin e tyre. Sepse e gjithë fushata e Lulzim Bashës kundër TVSH-së është tërësisht populiste dhe aspak e mirëmenduar për sa u përket efekteve që ka ajo në informalitetin e ekonomisë apo në politikat fiskale.

Mirëpo problem më i madh në këtë fushatë të tij nuk është ky. Problemi qëndron në faktin se, Basha nga një anë propozon uljen e taksave dhe deri në 9 për qind me synim formalizimin e ekonomisë dhe nga ana tjetër, përkrah tregtimin e mallrave pa TVSH, e cila është një nxitje për informalitet. Borxhi publik është kthyer në një problem shumë të rëndësishëm për ekonominë shqiptare. Vetë Partia Demokratike nuk rresht së thëni këtë. Mirëpo në këtë rast është në kontradiksion, duke propozuar taksa të ulëta dhe duke qenë kundër këtij vendimi për formalizimin e ekonomisë.

Nëse vërtet Partia Demokratike ka një plan për të ndihmuar biznesin e vogël, atëherë ai duhet të përqendrohet në një drejtim tjetër, sepse TVSH-ja për biznesin e vogël, në fakt është “luftë” kundër evazionit fiskal që vjen nga kompanitë e mëdha.

Duke shitur mallrat pa TVSH, biznesi i vogël fare mirë furnizohet nga mallrat kontrabandë apo të pafaturuara nga shpërndarësit e mëdhenj. Në këtë kuptim, kjo taksë në radhë të parë është kundër informalitetit ndaj kompanive të mëdha.

Prandaj, shumë nga bizneset e mëdha protestuan kundër informalitetit disa ditë më parë. Sepse gjendja aktuale nxit tregtimin e mallrave në mënyrë evazive, në dëm të bizneseve të ligjshme dhe që punojnë në mënyrë të ndershme.

Të jesh pro liberalizmit ekonomik dhe iniciativës së lirë, siç pretendon Partia Demokratike të jetë, do të thotë të vendosësh më së pari, kushte të barabarta në tregun e lirë dhe të luftosh evazionin me këtë synim.

Megjithatë shqetësimet e Bashës për efektin që ka kjo taksë mbi biznesin e vogël qëndrojnë. Mirëpo ato duhen shtruar në një mënyrë tjetër. Pikë së pari, tregtia e lirë duhet të formalizohet, më pas mund të mendohet për subvencionim apo lehtësimin e atyre bizneseve që kanë nevojë dhe janë të rëndësishme për shumë familje.

Sepse, shpeshherë për të fituar pikë në elektorat, politika e ka të vështirë të ndërmarrë reformat të cilat për momentin duken të vështira, por që në afatgjatë kanë efekt pozitiv në ekonomi.

Ky është defekti i demokracisë. Demokracia ka nevojë për konsensus konstant, dhe në këtë mënyrë vendimet merren sipas emocioneve të momentit dhe jo me një logjikë të ftohtë afatgjatë.

Biznesi i vogël është jetik për shumë familje në Shqipëri, dhe s’ka pikë dyshimi që duhet përkrahur, por po aq jetike për një vend është dhe formalizimi i ekonomisë. Në të kundërt, do të vazhdojmë të jemi një nga ekonomitë më informale të Europës dhe të rajonit, duke krijuar pabarazi për operatorët ekonomikë në treg.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Shqipëri-Greqi, fqinj i mirë, fqinj i keq

Marrëdhëniet zyrtare Shqipëri-Greqi, të kushtëzuara nga humori politik. Nga kërcënimet për veton...
Read More