Fushata pas fushatës: Pse i duhet Edi Ramës aksioni pas fitores

Fushata e çuditshme e bashkëqeverisjes me popullin pas fitores së zgjedhjeve dhe cilat janë arsyet e aksionit të kryeministrit. Nga pamundësia për të ndryshuar rrënjësisht gjendjen te reforma jetike e administratës publike

Nga Luljeta Progni

“Nga fushata vijmë, në fushatë shkojmë”, ka qenë një parullë e kohës së komunizmit që Gramoz Ruçi e përdor shpesh me humor. I ka mbetur si reminishencë e udhëheqësve të tij të së shkuarës, por me sa duket e ka për zemër edhe udhëheqësi i tij i ri, Edi Rama. Sa përfundonte një fushatë, si p.sh. ajo e “hedhjes së dorës së tretë të nitratit” niste fushata e “korrje-shirjeve”, sa mbyllej ajo niste “t’iu qepemi maleve, t’i bëjmë ato pjellore si fushat..” e kështu populli dhe udhëheqësit ishin të dënuar të qëndronin gjithmonë në fushatë. Kështu e ka “pësuar” edhe Edi Rama dhe udhëheqja e socialistëve bashkë me elektoratin. Nga fushata e 25 qershorit, u hodhën menjëherë në fushatën e falënderimeve e më pas në atë të “demaskimit të të korruptuarve” të qeverisë që vetë Rama drejtoi katër vjet.

Është një fushatë që po shkakton shumë çudi dhe po duket e vështirë për t’i gjetur një emër dhe arsyet pse i shërben.

Ajo që pritet nga një udhëheqës pas një fitoreje të tillë, është që në muajt e tranzicionit deri në momentin e krijimit të ekipit të ri qeverisës, të punojë qetësisht me stafet e veta partiake e teknike për të hedhur bazat e qeverisë së re. Por Rama ka zgjedhur një rrugë tjetër. Ka nisur menjëherë pas 25 qershorit takime me popullin, dhe kështu i ka urdhëruar të bëjnë edhe deputetët e tij nëpër zonat ku janë zgjedhur.

Bashkëqeverisje me popullin

Si fillim nisi si fushata e falënderimeve dhe bashkë me të ajo e mbledhjes së ideve në popull për një qeverisje më të mirë dhe nga populli. Pasi mblodhi disa ide nëpër rrjetet sociale, pastaj nisi të kërkojë denoncime të qytetarëve për punonjësit e administratës që nuk kanë kryer mirë detyrën. Hartoi edhe listën e zezë e cila shkaktoi reagime të forta në publik. Tani është në atë fazën që po bën shkarkime masive të administratës shtetërore, duke mos përjashtuar askënd, qoftë i korruptuar ose jo. Ka shumë pak gjasa që të ketë të pakorruptuar në administratën publike por matematikisht ekziston si mundësi që të ketë prej tyre që kanë shërbyer me përkushtim e pa thyer asnjë prej ligjeve të shtetit shqiptar. Pa marrë parasysh këtë, Rama i ka shkarkuar dhe denigruar para gjithë popullit. Nuk ka dyshime që kjo lidhet me nevojën e tij për të kënaqur popullin e për të forcuar lidhjen përmes 74 mandateve, por me siguri kjo fushatë nuk ka vetëm këtë qëllim.

Rama i bën shkarkimet pa dhënë asnjë shpjegim për faktin se kjo administratë publike e katër viteve që shkuan, është drejtuar përmes tij e ministrave të tij. Ndoshta nuk i ka njohur për katër vite apo i ka njohur andej nga fundi i mandatit, apo ka menduar gabimisht se vetëm ata të LSI-së paskan qenë problemi?! 

Reforma në administratë

E nisi me hipotekat dhe tatimet kur shkarkoi përmes një deklarate në media të gjithë regjistruesit, pra drejtuesit e hipotekave, një ndër sektorët më problematikë për sa i përket korrupsionit. Drejtpërdrejt nga ekranet e televizioneve, Rama kërkoi dorëheqjen e regjistruesve duke iu thënë: ikni vetë ose shkarkoheni! Dhanë dorëheqje shumica dhe dje ministri teknik i Drejtësisë ka reaguar duke ngrirë të gjitha dorëheqjet.

Gazmend Bardhi ka pezulluar dorëheqjet në hipoteka pasi argumenton se “zyrtarët publikë që shkelin ligjin dhe të drejtat e qytetarëve, duhet të largohen me masë disiplinore ‘shkarkim nga detyra’ dhe jo me dorëheqje”.

Por drejtorët e Ramës nuk i shpëton dot ministri teknik i Lulzim Bashës. Ky i fundit do ta dorëzojë detyrën në shtator dhe një tjetër pas tij do të kthejë procesin e dorëheqjeve. Iu duhet ky proces sepse përmes dorëheqjes shmanget një dëm i madh ekonomik që i bëhet buxhetit të shtetit, nëse drejtorët shkarkohen sepse përmes gjyqeve ata përfitojnë rroga në deri dy vite duke krijuar një kosto të madhe siç ndodhi me ish-drejtorët e kohës së Berishës që u shkarkuan nga Rama në vitin 2013. Ka ndodhur që për një post drejtori apo vendi tjetër pune të jenë paguar paralelisht dy persona, drejtori i shkarkuar dhe i dëmshpërblyer me gjyq nga gjykata administrative, si dhe drejtori në detyrë i emëruar nga Rama. Janë mijëra raste që kanë sjellë një dëm të konsiderueshëm në buxhet. Kështu që të gjithë drejtorët do të jenë “të lirë” e të lutur nga Rama që ta japin vetë dorëheqjen.

“Largimi i të gjithë drejtuesve aktualë të spitaleve e të institucioneve të shëndetit publik, dhe afirmim i një profili të ri drejtuesi menaxher në shërbimin spitalor përmes konkurseve publike për çdo drejtor spitali dhe institucion të shëndetit publik në Republikën e Shqipërisë”, -tha pak ditë më parë Rama kur komunikoi shkarkimin e të gjithë drejtuesve të sistemit shëndetësor.

Jo më shumë se dy muaj më parë, Rama kishte një mendim krejt tjetër për drejtuesit që shkarkoi. Në maj të këtij viti, ai do të shprehej kështu për hapat që kishte bërë administrata e Rilindjes në drejtim të “shëndetësisë që duam për Shqipërinë që duam”.

“Kush ka sy le të shikojë dhe le ta mendojë ku ishim 3 vjet e gjysmë me parë, edhe pse kemi ende shumë, më shumë punë për të ndërtuar Shëndetësinë që Duam, për Shqipërinë Që Duam me Shtet, Punë e Mirëqenie”, shkruante Rama. Të tilla vlerësime të Ramës i gjen jo vetëm për ata që menaxhuan sistemin shëndetësor në katër vite, por edhe për ata të hipotekave, të tatimeve, të arsimit e kështu me radhë. Mjafton të bësh një kërkim të thjeshtë dhe gjen vlerësime me superlativa për administratën që po drejtonte. Ata nuk ndryshuan më 25 qershor dhe nuk u përball tani me dështimin e shëndetësisë falas” . Nëse do ta kishte një bilanc pozitiv në shëndetësi, fushata e tij do të përqendrohej pikërisht tek arritjet e tij prej lideri dhe me siguri do t’i kishte harruar meritat e ekipit vartës, drejtorëve që po shkarkon.

Prerje kokash në emër të popullit

Sidoqoftë jemi përpara një fakti, ku kryeministri ka marrë shpatën në dorë dhe po “pret” koka drejtorësh pa mëshirë, pa asnjë dallim dhe pa asnjë kriter vlerësimi.

Pastrimi i administratës nga korrupsioni është një premtim i rëndësishëm elektoral i kryeministrit. Reforma administrative është padyshim një ndër reformat më emergjente por nuk është kjo rruga drejt së cilës mund të kryhet një operacion kaq i rëndësishëm.

Mediat e kanë komentuar gjerësisht fushatën e çuditshme të kryeministrit pasi i ka fituar shumicën e votave të shqiptarëve. Disa e cilësojnë si ato të kohës së komunizmit e krahasueshme me demaskimet dhe vrasjet e grupeve armiqësore të diktatorit Enver Hoxha. E vlerësojnë tipike të metodës së diktatorit që përmes popullit të legjitimojë veprimet radikale si këto të shkarkimeve masive e më pas dështimet e tij, po në emër të popullit.

Analisti Armand Shkullaku, e ka cilësuar kështu në MAPO: “Strategjia e kryeministrit për të shuar etjen e qytetarëve për më shumë mirëqenie duke u hedhur kokat e prera të disa burokratëve dhe për t’i përdorur këto si koka turku për të mbuluar mëkatet e veta, është e qartë. Kryeministri po e nis mandatin e dytë duke larë duart jo vetëm nga dështimet e kaluara por edhe angazhimet e ardhshme. Udhëheqësi nuk mund të japë vetë llogari, ai vetëm e kërkon atë në emër të popullit. Ai është destinuar të mbajë timonin dhe jo të përgjigjet për destinacionin. Ata që ia besuan këtë timon, nuk është çudi të kënaqen thjesht duke ardhur vërdallë dhe duke u përmbushur me gjyqet popullore ndaj atyre që i vënë shkopinj në rrota timonierit”, shkruan Shkullaku.

Ndërsa analisti Shpëtim Nazarko e gjen përgjigjen e Ramës në parullën e dikurshme të këtij të fundit, “Përtej së majtës dhe të djathtës”. Rruga e Ramës, për mendjen time, nuk është as erdoganiste, as enveriste. Ai vazhdon të mbetet besnik i ideve përtej të majtës dhe të djathtës. Kjo dhe duke kuptuar se administrimi i keq i Shqipërisë është vepër edhe e partisë që udhëheq po ai. Administrata e Shqipërisë, duke u mbështetur pas kurrizit të partive dhe aleancave politike, ka prodhuar një kaos që Shqipërisë do t’i duhen vite ta heqë qafe. A do të arrijë ai të mobilizojë realisht forca menaxhuese që Shqipëria, me gjithë varfërinë, i ka çuar fëmijët e saj në Perëndim për t’u shkolluar? A do ta fitojë Rama këtë histori apo do të pësojë fatin e Gorbaçovit si individ?”.

Ndërsa Drejtori i MAPO-s, Ervis Iljazaj, e ka cilësuar një operacion komunikimi në vazhdimësi të fushatës elektorale të zgjedhjeve të 25 Qershorit. “Ky nuk është rasti i parë që disa aksione politike që vijnë nga reagimet e publikut janë kthyer në procedura juridike dhe kanë shërbyer si indicie për hapjen e proceseve të caktuara. Është e rëndësishme të theksohet se askush në një shtet ligjor nuk dënohet pa një procedurë normale juridike. Shqipëria me gjithë problematikat e saj është një vend garantist, ku i sigurohen të gjitha instrumentet e nevojshme për mbrojtjen juridike, por edhe publike. Por ky nuk është qëllimi i vërtetë i publikimit të listës nga ana e Edi Ramës. Qëllimi i vërtetë është fakti se Rama ndodhet në fushatë elektorale të përhershme. Dhe pastrimi i administratës nga njerëzit e korruptuar ka qenë i vetmi premtim elektoral gjatë gjithë fushatës zgjedhore. Në këtë kuptim kërkon të sigurojë opinionin publik se premtimin e tij të vetëm do ta mbajë”, shkruan Iljazaj.

Katër vite më parë

Kur i fitoi zgjedhjet e 23 qershorit 2013, Rama u betua solemnisht se nuk do të përsëriste gabimet e paraardhësit të tij në detyrën e kryeministrit. Madje tha se Berisha i kishte lënë në tavolinë një libër plot me gabime, të cilat Rilindja nuk duhet kurrsesi t’i përsërisë ose “përndryshe do të ndëshkohemi në mënyrë historike”.

E nisi në verë, gjatë pushimeve tamam si sot. Hapi i parë ishte kërkesa publike e Ramës drejtuar profesionistëve të aplikonin në administratë për të kontribuar në qeverisje.

Një ëebsite i posaçëm ishte në dispozicion, ku profesionistët do të aplikonin për t’u bërë pjesë e administratës së tij. U hap edhe një zyrë në PS, e cila pranonte CV të profesionistëve. E gjithë skema përfundoi me një komision mes Taulant Ballës si përfaqësues i PS-së dhe Monika Kryemadhit si e LSI-së. Ky komision ndau vendet e punës për militantët e dy partive sipas përqindjes së pushtetit ndërsa CV e profesionistëve u hodhën në koshin e plehrave.

Këto ditë Rama ka shpallur të njëjtën gjë, zyrën që e ka quajtur : ZYRA E RE E BASHKËQEVERISJES. Kryeministri na informon sot se: Ka mbërritur në 128 numri i aplikimeve për t’u punësuar në Zyrën e Bashkëqeverisjes me Qytetarët. Falënderojmë aplikantët e ditës së parë, që kanë plotësuar aplikimet e tyre, sipas kërkesave të aplikimit, që rikujtojmë se kërkon Letër Motivimi (pse dua të punoj në këtë zyre) + CV + 2 letra rekomandimi të kandidaturës (nga ish-dekanë ose pedagogë të fakultetit ku aplikanti ka kryer studimet; punëdhënës të mëparshëm; figura të respektuara të komunitetit ku aplikanti ka banuar apo banon aktualisht). Përndryshe aplikimi konsiderohet i pavlefshëm. Aplikimet janë të hapura deri në 27 gusht. Faleminderit. Grupi i Punës për ngritjen e Zyrës së Bashkëqeverisjes”.

Ka pak arsye të besojmë se kjo zyra e re e kryeministrit për bashkëqeverisje me popullin, do të ketë tjetër fat nga ai i katër viteve më parë që përfundoi në duart e Taulant Ballës. Nëse në fund të këtij mandati, ia kaloi përgjegjësinë LSI-së për administratën e korruptuar, në fund të mandatit që sapo fitoi, i bie t’ia kalojë përgjegjësinë popullit sepse me të po bashkëqeveris.

Pamundësia

Në pamundësi për të punuar për vepra të mëdha, porte, aeroporte, rrugë të rëndësishme e shtigje të reja që i gjen një lider për të rritur ekonominë e vendit të tij, mund të jetë një strategji për t’iu paraprirë dështimeve. Takime si këto të kësaj vere për ta informuar popullin sa herë ndesh “vështirësi” e për t’i treguar se sa e vështirë është të qeverisësh, për të mbërritur më pas në atë fazën kur do t’iu duhet t’i kujtojë, “ju kisha thënë në atë kohë që është shumë e vështirë qeverisja se janë të tilla e të atilla andrallat që sjell qeverisja në një vend të vogël e të varfër si Shqipëria…”. Ndoshta do t’i duhet të thotë pas katër vitesh: ju ftova në bashkëqeverisje dhe e patë vetë… bëra ç’munda, shkarkova të korruptuarit, luftova korrupsionin por Shqipëria kaq i ka mundësitë, me pak fjalë qeverisëm me “këto që na u ndodhën”.

Nevoja për të lënë gjurmë në histori, e ka shtyrë shpesh Edi Ramën të bëjë premtime të bujshme të cilat ka pak gjasa të mbahen. Misioni i politikanit për të ndryshuar gjërat e e për të mbetur në histori nuk bëhen me populizëm, një përvojë e hidhur për historinë e shqiptarëve për 45 vitet e diktaturës komuniste.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

SHBA-Kore e Veriut, vringëllimi i rrezikshëm i shpatave

Nga Miodrag Soric, Deutsche Welle Donald Trump kërcënon Korenë e Veriut me “zjarr,...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published.