Fushata: “Town Hall” dhe perëndimi i kohës së mitingjeve

Një histori e shkurtër e amerikanizimit të fushatave elektorale / Elementi amerikan i fushatës është njësoj i pranishëm nëpër takimet e Ramës e Bashës, ku krijohen rrethe me militantë që në ndryshim nga fushata në SHBA, veçse dëgjojnë e duartrokasin. Ramës dhe rivalit të tij Basha i mungon elementi i rëndësishëm i fushatës amerikane, debati mes tyre.

Nga Luljeta Progni

Modeli i takimeve “Town Hall” me zgjedhësit po përdoret pothuajse nga të gjitha partitë politike shqiptare në fushatën aktuale për zgjedhjet parlamentare. Ky model, i përdorur kryesisht në SHBA, jo vetëm për zgjedhjet presidenciale, por qysh në shekullin e 17-të, kur mungonte roli i medias, ishte një zgjedhje e parapëlqyer për të dëgjuar kërkesat e pjesëmarrësve në takim dhe vlerësimin e tyre për politikanët.

Pavarësisht domethënies së emrit, takimet nuk mbaheshin gjithmonë në një prej “holleve” të qytetit, por zakonisht përdoreshin ndërtesat e bashkive, shkollat, stacionet, kishat etj. Duke mos patur një kornizë të ngurtë për ta përkufizuar, “Town Hall” sot emërtohet nga disa studiues edhe komunikimi i politikanëve nëpërmjet mediave sociale. Pjesëmarrësit e përdorin këtë mundësi për të ngritur zërin e tyre, për të shprehur opinione apo për të drejtuar pyetje për të zgjedhurit e tyre.

Në këtë proces të importimit të këtij modeli, në disa raste ka deformime ose përjashtime, ose më saktë përshtatje sipas specifikave të politikës shqiptare.

Kështu p.sh. në vend të sallave, preferohet zhvillimi i takimeve në sheshe ose ambiente të hapura. Në vend të pyetjeve, kërkesës së llogarisë apo opinioneve të pjesëmarrësve dëgjohen vetëm zërat e politikanëve. Në vend të debateve mes kandidatëve mes pjesëmarrësve të ngjyrave të ndryshme politike, gjen lajme për dhunime të kundërshtarëve politikë të zyrave elektorale.

Dreka e Ramës me “katundarët” dhe byrekët me gjizë të Lulzim Bashës

Element i kësaj fushate është atashimi i liderit me elektoratin. Kjo praktikë po zbatohet thuajse njësoj, si nga Basha ashtu edhe nga Rama. Janë disa shembuj interesantë të kësaj fushate, si p.sh. drekat e Ramës me elektoratin në fshatra të ndryshme ku ai shfaqet duke shijuar pa asnjë problem ullinjtë, gjizën, turshitë, fasulen apo edhe rakinë që i serviret në tavolinat e shtëpive ku ai zgjedh të shfaqet si “i barabartë me popullin” ose “gju më gju me popullin”. Është interesante sjellja e shoqëruesve të tij nëpër tavolina, pra pritësit e kryeministrit, të zotët e shtëpisë që megjithëse e kanë të njëjtën pjatë përpara si kryeministri, as që e prekin me dorë dhe rrinë e kundrojnë liderin se si shijon ushqimet e tyre plot kënaqësi… Kështu Rama po përpiqet t’iu thotë shqiptarëve se është si ata dhe është i interesuar t’i udhëheqë ata si “i pari ndër të barabartë”.

Në të njëjtën mënyrë shfaqet lideri demokrat Lulzim Basha. Është rehat me këtë stil amerikan dhe i rri shumë mire por jo aq rehat, duket të jenë të tjerë demokratë sidomos ata të hershmit e aq më pak elektorati i djathtë që e pret atë nëpër takimet e stilit amerikan. Militantët demokratë nuk duken aspak rehat me “tullumbacet” e Lulzim Bashës dhe Republikës së Re, sepse janë mësuar t’iu shfaqet Berisha duke vrapuar sa në një cep të Shqipërisë në një tjetër, energjik dhe agresiv ndaj kundërshtarit me retorikën e fortë, pa detajet e buta si ai i byrekut të Bashës.

E kemi parë në Lushnjë Lulzim Bashën kur shkoi të blinte byrek, edhe në Kombinat, në përpjekje për t’u “shkrirë me masat”. Rrëfimi i jetës së tij student kur punonte në “call centre”, apo të tjera vështirësi që një i ri ndesh në rrugën e tij, është një përpjekje për t’iu thënë të rinjve se është si ata, ka pasur të njëjtën rrugë dhe se do të jetë garancia në rrugën e tyre në se ata afrohen pranë PD-së.

Debati i munguar

Elementi amerikan i fushatës është i dukshëm njësoj nëpër takimet e Ramës e Bashës, ku krijohen rrethe me militantë që në ndryshim nga fushata në SHBA, veçse dëgjojnë e duartrokasin. Ramës dhe rivalit të tij Basha i mungon elementi i rëndësishëm i fushatës amerikane, Debati mes tyre. Asnjëra palë nuk ka shprehur fort entuziazëm për t’u përballur. Ata kanë të dy frikë njësoj nga dështimi në përballje, edhe pse Basha duket më i sigurt në një rast të mundshëm pasi e ka kërkuar debatin. Ndoshta Basha e kërkon sepse nuk përballet me elektoratin për premtimet e pambajtura.

Perëndimi i kohës së mitingjeve

Shija amerikanë në fushatën elektorale në Shqipëri i ka fillimet e veta akoma më herët qysh në vitin 1991, kur Instituti Republikan Amerikan mbështeti PD në zgjedhjet e para pluraliste përmes hartimit të imazhit të fushatës me postera e fletëpalosje, si dhe me përqendrimin e të gjithë fushatës te katër-pesë figura qendrore që u bënë të njohura dhe shumë të dashur për shqiptarët në lëvizjet e dhjetorit 1990. Më pas ndikimi amerikan avancon në fushata të tjera me mbështetje në të dy krahët e politikës. Ky ndikim do të sillte edhe ndryshimin e madh të stilit të fushatave, largimin nga mitingjet klasike të trashëguara qysh në kohën e diktaturës.

Gara me mitingjet ka perënduar bashkë me largimin nga drejtimi, i një pjesë të elitës së këtyre 27 vitesh të cilët “shkëlqyen” nëpër podiumet e tubimeve madhështore që organizonin partitë në fund të fushatës. Ka perënduar bashkë me liderët historik siç ishte dikur Nano e më pas Berisha. Ky model është venitur dalëngadalë zgjedhje pas zgjedhjesh për të mbërritur deri sot (dje) kur mitingu i madh në sheshin “Skënderbej” nuk është më lajmi kryesor i fushatës.

“Go Edi”, fushata 2000- 2003

Ishim mësuar me mitingjet masive nëpër sheshet e Shqipërisë dhe me liderët historikë që shfaqeshin atje si “Mesia” për të ekzaltuar turmat militante në prag zgjedhjesh. Ky model u shpërfillim qysh në nisje nga Edi Rama, i cili hoqi kostumin e ministrit dhe u shfaq i “zhveshur” nga ngjyrat e deriatëhershme të politikës, duke trazuar fort monotoninë me të cilën identifikohej klasa politike deri atëherë. Ai ishte një personazh i ri në politikë, që dukej qysh atëherë se e kishte për mision ndryshimin e imazhit të politikës. Me asistencën e këshilltarit të tij amerikano-izraelit, Rama e përqendroi të gjithë vëmendjen e fushatës tek imazhi i tij, që përcillej përmes çdo lëvizjeje që bënte si kandidat. Shumë elemente hynë për herë të parë në atë fushatë që për kohën dukeshin të guximshme por që rezultuan me sukses. Veshja ekstravagante, gjuha gjithashtu ekstravagante që përshfaqej në çdo dalje publike të Ramës, bashkë me ngjyrat e reja të Tiranës. Me të njëjtin stil, ishte edhe fushata e vitit 2003, e përmbledhur në sloganin “Go Edi”, po me asistencën e kompanisë amerikano-izraelite, dhe këshilltarit të tij të famshëm “Arthur J. Finkelstein and Associates”.

Ngjyrat e Edi Ramës janë padyshim një revolucion në imazhin e politikanit në 17 vitet e fundit. Por do t’i duhej të kthehej te kostumi në vitin 2005, kur u zgjodh kryetar i PS. Në ato fillime dukej se kostumi i rrinte ngushtë e shtrembër… me sa duket nuk po përshtatej kollaj sepse është një stil krejt i ndryshëm për natyrën e tij. I la mënjanë poturet e kryetarit të Bashkisë dhe i veshur me atë kostum prej kryetari të socialistëve, Rama nisi “kuvendimin e madh” e më pas “Dialog me Shqipërinë” dy fushata alla-amerikane që nuk ishin në kohë zgjedhjesh, por me qëllimin e vetëm që të institucionalizohej si kryetar i PS-së. Në të vërtetë nuk i sollën shumë rezultat sepse Ramës iu deshën tetë vite për të ardhur në pushtet dhe kur ia doli, nuk ishte rezultat i fushatës.

Sot pas katër vitesh si kryeministër, Rama është kthyer sërish tek origjina e tij. Prej një muaji ka zhveshur kostumin e kryeministrit, ka veshur tutat e varura dhe po përpiqet të bëjë një fushatë të mbështetur te batutat interesante që për hir të së vërtetës kanë “ngjitur” dhe kanë markuar të gjithë ligjërimin politik të kësaj fushate.

“BGR” dhe misioni për ringritjen e një “despoti të rrëzuar”

I ndryshëm ka qenë ndikimi amerikan në anën e djathtë të politikës. Stilizimi amerikan i Berishës dukej thuajse tabu në vitin 2005, kur kompania amerikane “BGR Group”, erdhi në Tiranë për të drejtuar Berishën në rrugën drejt fitores. Ishte një betejë shumë e fortë për ta ringritur sepse kishte qenë lider i lëvizjes demokratike në vitin 1990, por ishte rrëzuar si autoritarist pas ngjarjeve të vitit 1997. Kur erdhën në Tiranë ata kuptuan se kishin në dorë një klient shumë të vështirë, të cilin mediat amerikane do ta quanin “despot i rrëzuar”. Detyra e BGR ishte ta ringrinin Berishën jo më si “despot”, por si lider demokrat për të udhëhequr Shqipërinë me “duar të pastra”. Nisur nga kjo situatë, specialistët e BGR-it hartuan një strategji e cila bazohej thellësisht te dobësia e kundërshtarit dhe ishte pikërisht korrupsioni i lartë në administratën shtetërore. “Me duar të pastra” ishte mesazhi që përcolli. Berisha “i duroi” deri në fund djemtë e vajzat e BGR, dhe u shfaq në atë fushatë krejt i ndryshëm, larg Berishës agresiv, por shumë dinamik. Në atë fushatë dhe puna e specialistëve të imazhit përqendrohej edhe te ringritja e tipareve të historisë politike të Berishës, duke e kthyer atë në vlerat fillestare si njeriu i ndryshimit të madh dhe vizionar. Pati një ndikim të madh fushata në fitoren e PD-së në zgjedhjet e 2005-s. Berisha i fitoi zgjedhjet në korrik 2005 me një diferencë të ngushtë.

Shkruar Nga
More from revista mapo

Poezia e Fishtës: Si paralajmëroi ardhjen e komunizmit 9 vjet para se të triumfonte në Rusi

145-vjetori i lindjes/ Átë Gjergj Fishta është dhe veprimtar, patriot i flaktë,...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *