Gaçi: Politikanët e preferuar?! Ahmet Zogu dhe Edi Rama

artan-gaci1Deputeti i PS-së Artan Gaçi e sheh veten pazgjidhshmërisht të lidhur me skulpturën dhe artin. I vendosur në Petrelë në periferi të kryeqytetit, Gaçi mbetet, veç angazhimit në politikë, edhe i përfshirë në jetën artistike. Ai është duke restauruar një mulli të vjetër në qendër të Petrelës për ta kthyer në galeri arti, ndërsa thotë se ka një vit që punon “me Kryeministrin, Ministrinë e Kulturës e Kryebashkiakun për hapjen e ekspozitës të parë me kryeveprat origjinale të artit italian të 1900-ës që për herë të parë në Shqipëri do të hapet në 16 Janar në Galerinë Kombëtare të Artit”.

Marrë nga Revista Mapo, në treg që nga fillimi i janarit 

Kush është figura politike ndërkombëtare që ju frymëzon?

Do t’ju kthej shumë mbrapa në kohë, por kur mendoj themeluesit e Shteteve të Bashkuara, të tipit George Washington, të cilët krijuan kushtetutën e USA duke kufizuar vetveten, gjithë të tjerët më pas më duken të pakrahasueshëm dhe të përkohshëm, aq më tepër këta aktualët.

Po nga politikanët shqiptarë kë do të veçonit?

Ahmet Zogu dhe Edi Rama. Kam me dhjetëra arsye për secilin, por dua të veçoj qëndrimet e tyre thellësisht kombëtare, reformatore pro-europiane e perëndimore duke u veçuar qartësisht nga e gjithë klasa politike shqip-folëse në shumicë intrigante, klanore, provinciale e mediokre që na ka shoqëruar jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Maqedoni, Mal të Zi, Kosovë etj.

Cila është për ju koha më e mirë politike në këtë vend?

Kjo që sapo kemi nisur që mund ta quajmë me plot gojën fundin e tranzicionit dhe anarkisë dhe fillimin e udhëtimit europian drejt normalitetit.

A mbani ditar, apo shënime?

Jo, nuk jam aq sistematik.

Koha që mbart për ju kujtimet më të veçanta.

Vitet 90, ku kam përjetuar ne vetë të parë tensionet dhe emocionet e atij ndryshimi të madh që po ndodhte në një pjesë të Europës, sikundër edhe këtu tek ne. Ishin vitet kur filluam të ëndërronim me dimensione të paimagjueshme më parë, si brez dhe si popull.

Periudha që do të donit ta kishit harruar, por s’ja keni dalë dot….

Vitet e para të tranzicionit ku ëndrrat dhe idealizmi filluan të rrëzoheshin e asfiksoheshin nga anarkia, zhgënjimi, pasiguria për të ardhmen, dhe sakrificat për të mbijetuar me dinjitet në rrethana shumë kaotike, gati të pashpresa si vitet 1996, 1997, 1998.

Njerëzit që ju kanë lënë kujtimet më të bukura…

Kujtimet më të bukura mi mundësojnë çdo moment e eksperience qe  kaloj me 3 fëmijët e mij, të pakrahasueshme me asgjë tjetër.

Kush është njeriu që i besoni gjithçka?

Olta, bashkëshortja ime.

A ju kanë zhgënjyer ndonjëherë në jetë?

Shpesh, si të gjithë besoj.

A ju kanë lënduar?

Akoma më shpesh.

Kush ju ka rritur, edukuar që në vegjëli e më tej?

Gjyshi nga nëna ime. Ai më ushqeu edhe dashurinë për artin që në vitet e para të fëmijërisë.

Çfarë nuk ju pëlqen tek vetja?

Fakti që marr çdo gjë shumë seriozisht.

Çfarë ju pëlqen?

Më pëlqen që kam gjithnjë ëndrra dhe projekte të bukura për të realizuar të cilat më mbushin e më motivojnë edhe në ditët më gri e të mërzitshme.

Libri që po lexoni, apo keni lexuar së fundmi….

Shkrimtari dhe bota nga shtëpia botuese Saras.

Muzeu që ju ka mahnitur……

Absolutisht muzeu i Rodin në Paris që më mahnit me të njëjtin intensitet sa herë që kthehem.

Vendi që keni shijuar më shumë e ku do të donit të ktheheshit gjithmonë…

Kanionet e Osumit dhe Alpet e Shqipërisë (Thethi, Valbona, Vermoshi, Plave, Gucia, deri ne Vuthaj)

Vendi që ju ka trishtuar më shumë…

Shqipëria tjetër me ndërtimet e 20 viteteve të fundit ku çdo injorant u kthye në arkitekt, inxhinier e ndërtues, dhe sa më shumë para kishin në dispozicion aq më të madh e bënin dëmin. Nën shprehjen “do bëj një gjë të bukur që se ka bërë asnjë më parë” ngrinin mostra betoni në kundërshti me çdo rregull estetik, arkitektonik e urbanistik. Qëllimi nuk ishte krijimi i ambienteve që respektonin e përmirësonin bashkëjetesën e përbashkët, por karshillëku e mburrja ndaj tjetrit duke ndërtuar vendbanimet më të shëmtuara në gjithë Europën. A thua se na është krijuar një hendek i madh kulturor me paraardhësit tanë të cilët na lanë shembuj te mrekullueshëm kur ndërtuan Beratin, Gjirokastrën, fshatrat e bregut, fshatrat e jugut, fshatrat e Kolonjës, Korçën e Shkodrën, qoftë edhe Thethin.

Seriali televiziv që keni ndjekur ndonjëherë…

Jam gjithnjë në lëvizje. Nuk është në natyrën time të ndjek seriale.

Filmi më i dashur…..

Nuk e di sa të dashur janë, por disa filma të bukur që më kanë mbresuar janë veç te tjerash, secili ne zhanrin e vet, Dogville, Gladiatori, Schindler’s list, etj

Aktori ose aktorja  e preferuar…

Roberto Benigni, Denzel Washington, pa diskutim DeNiro e Pacino

Muzika që dëgjoni….

Lucio Dalla, Fabrizio de Andre, Celentano, Bregovic me orkestrimin e tij të jashtëzakonshëm, pa diskutim edhe rokun e rinisë sime që vinte nga USA e Anglia.

A keni një listë këngësh që mbani në telefon apo makinë?

Po gjithmonë, hitet e atyre që përmenda më sipër.

Pasioni më i fortë……

Arti dhe udhëtimet.

Dëshira e parealizuar…

Të vazhdoja të merresha me skulpturë gjë që më mungon dhe me zor pres, me shpresën se do të vijë ajo ditë, që të rikthehem disi në ato pasione. Aq konstant është ky mendim sa së fundmi kam përfunduar së ndërtuari një galeri private arti në Petrelë, duke rikuperuar e restauruar një mulli të vjetër në qendër të Petrelës me të cilin shpresoj të krijoj një oaz më shumë në funksion të promovimit jo vetëm të artistëve të rinj, por edhe të nxitjes dhe përafrimit të njerëzve me artet e bukura. Nuk është e rastësishme që kam një vit që punoj me Kryeministrin, Ministrinë e Kulturës e Kryebashkiakun për hapjen e ekspozitës të parë me kryeveprat origjinale të artit italian të 1900es që për herë të parë në Shqipëri do të hapet në 16 Janar në galerinë kombëtare të artit.

Palestër, ecje apo dietë..

Pak nga të gjitha, por aspak sistematik.

Ndonjë sport i frekuentuar apo thjesht i preferuar…

Eksplorim me fuoristradë jashtë rrugëve te shtruara nëpër Shqipëri. Nuk ka vend të dytë si ne për këto lloj eksplorimesh. Tenis fundjavave me Anjën dhe Kevin, fëmijët e mi të mëdhenj.

Ku jetoni, në ç’ zonë të Tiranës?

Kam 5 vjet që jetoj në Petrelë.

A do të donit të jetonit diku tjetër?

Jam këtu ku jam për zgjedhjen time dhe për çudi Petrela dhe bregu i Erzenit e ka një tërheqje të veçantë për njerëzit e artit dhe të penës. Në mënyrë të pavarur shumë artistë kanë bërë zgjedhjen e vet të pavarur për t’u tërhequr nga Tirana si piktorët Alush Shima dhe Mir Minga, skulptorët Agim Rada e Artur me restorantin e tij Illuminatum, shkrimtarët e publicistët, Irakli Koçollari e Fatos Lubonja e shumë pasionantë të tjerë.

Kafja afër shtëpisë, më e preferuara e mëngjesit….

Nuk është afër shtëpisë, por afër kuvendit në bllok. Quhet Munegu.

Restoranti më i frekuentuar, afër shtëpisë….

Illuminatun, në Petrelë. Nuk është thjesht një restorant, por është një vepër arti e një shembull se ç’mund të bëjë një njeri që bën biznes duke dashur vendin e natyrën.

Kuzhina që ju shijon më shumë….

Italiane, kryesisht peshku dhe krudot e peshkut.

Stilisti apo stili që ndiqni e preferoni…

Nuk kam asnjë të veçantë por mundohem të kombinoj gjërat që më pëlqejnë sipas një stili që ka shumë vite që anon tek nuancat e blusë.

Shkruar Nga
More from revista mapo

Shpëtojnë deputetët: 4 kryetarë bashkish rrezikojnë mandatin

KQZ ka publikuar dje listën e të zgjedhurve në parlament dhe në...
Read More