Gara e çmimit Kadare 2017: Graçi me “800 hapa larg Venerës”

Në kuadër të “Ditëve Letrare të Razmës” që organizohen në Razmë më 26-28 maj 2017, Departamenti i Komunikimit dhe Marrëdhënieve publike në Universitetin Europian të Tiranës organizon Konferencën Kombëtare Shkencore “Kujtesa dhe letërsia”, ku edhe Institucioni Europian “Pashko” jep çmimin “Kadare”. Deri në shpalljen e fituesit, gazeta publikon çdo ditë një finalist duke prezantuar veprën dhe autorin në garë; sot, në fokus shkrimtari Virion Graçi, me romanin “800 hapa larg Venerës” 

Është kënaqësi të vdesësh në çdo ditë të javës, por kënaqësia më e madhe provohet  po të vdesësh të enjten. Kristofori nuk zgjodhi ditën e enjte për t’u ndarë prej nesh. Ndërroi jetë të mërkurën në mëngjes, në orën katër e gjysmë, sipas orës vendore. Pranë iu gjendën disa kalimtarë, postieri dhe një fqinje e tij, Kumria, që po kthehej nga puna. Ashtu mund të dorëzohej Kristofori-në lëvizje, në udhëtim, i vendosur për t’u kthyer në shtëpi, pranë Zanës, bashkëshortes shembullore, pranë Kolombit e Vespuçit, djemve të tij të mrekullueshëm. 800 hapa larg shtëpisë kur, papritur u shemb përtokë pa frymë Në këtë nisje të romanit në dorëshkrim, shkrimtari Virion Graçi na lajmëron se “udhëtimi” në brendinë e njeriut, i enigmave të jetës së tij mbetet një preferencë aq dhe kërkim i vazhdueshëm për lëndë letrare si një kërkesë receptive me individualitet të dukshëm.

“800 hapa larg Venerës” është  përkujtimi i jetës së një njeriu, Kristoforit, nëpërmjet shpirtit të tij menjëherë pas vdekjes. Shpirti i tij dëgjon fjalët që thuhen për Kristoforin pas vdekjes, ndahet nga trupi i tij dhe nis jetën e re, në natyrë, nëpër shkurre, shtylla, gurë, pemë. Ky shtegtim i shpirtit nuk jep vetëm një jetë të re të tij, por kryesisht është një rikujtim elegjiak, sarkastik i jetës së mëparshme tokësore që ka pasur Kristofori: historitë e trishta nga jeta bashkëshortore, fundin e parakohshëm e të padrejtë të karrierës së tij profesionale, disa karakteristika të jetës tokësore qytetare në vendin e tij. Në pyll, shpirti i Kristoforit gjen trupin e një vajze të re që është vrarë nga dikush, ai qëndron pranë trupit të vajzës për ta pritur shpirtin e saj derisa të dalë në sipërfaqe, për t’u shoqëruar më të, për t’u bashkuar në miqësi, dashuri, ndoshta. Ndërkohë malli e kureshtja për dy djemtë e tij e kthen në qytet. Kështu ai dyzohet… dhe mbetet i tillë… Duke u përpjekur të ndreqë diçka në fatin e tij ai duket se e përkeqëson atë pa dashje.

Graçi i takon brezit të pas ’90-s duke hyrë në letërsi me gjuhë dhe stil rebelues ndaj sistemit letrar që u ngrit nga vitet e diktaturës, duke vazhduar krijimtarinë me intensitet të pandërprerë, krah një sërë autorësh që kanë krijuar letërsinë e re, bashkëkohore.

Virion Graçi, lindur në 1968, Gjirokastër, diplomuar për gjuhë-letërsi shqipe në Universitetin Shtetëror të Tiranës në vitin 1992. Në vitet 1994-2010 pedagog i letërsisë botërore në Universitetin “Eqrem Çabej”. Tani specialist letërsie në QSA. Pas një sërë paraqitjesh në periodikët letrarë-kulturorë të kohës nga viti ‘93 ka pasur një veprimtari të rregullt botuese si autor me librat: “San Valentino” (poezi, 1993); …si dhe romanet “Të çmendur në parajsë” (1995) botuar në Francë te “Edition Gallimard” dhe në Greqi te “Edition Patakis”); “Shpata e ndryshkur” (1999); “Bijtë e zotit majmun” (1999); “Babai në shi” (2000);  “Zonja pa emër” (2005);  “Litari dhe lamtumira” (2011); “Stina e Hijeve” 2014; “Djali memec” (2016). “Autobiografizmi dhe romani” (2016, studim krahasues). I njohur dhe i pranuar në vendin e tij si publicist dhe romancier, ka qenë i ftuar si shkrimtar në aktivitete të ndryshme jashtë trevave shqipfolëse: Athinë, Sarajevë, Grac, Caen, Bruksel, Leipzig etj. Me romanin “Stina e hijeve” u nderua me çmimin “At Zef Pllumi” si prozatori më i mirë për vitin 2014, vlerësuar nga Ministria e Kulturës.

800 hapa larg Venerës

Fragment nga romani 

….Është kënaqësi të vdesësh në çdo ditë të javës, por kënaqësia më e madhe provohet  po të vdesësh të enjten. Kristofori nuk zgjodhi ditën e enjte për t’u ndarë prej nesh. Ndërroi jetë të mërkurën në mëngjes, në orën katër e gjysmë, sipas orës vendore. Pranë iu gjendën disa kalimtarë, postieri dhe një fqinje e tij, Kumria, që po kthehej nga puna. Ashtu mund të dorëzohej Kristofori-në lëvizje, në udhëtim, i vendosur për t’u kthyer në shtëpi, pranë Zanës, bashkëshortes shembullore, pranë Kolombit e Vespuçit, djemve të tij të mrekullueshëm. 800 hapa larg shtëpisë kur, papritur u shemb përtokë pa frymë. Kumria i mati pulsin. Ishte e gatshme ta kthente në jetë të ndjerin Kristofor, nëse do të kishte një fije shpresë. Më kot, ndihma e saj  nuk e pati rezultatin e duhur. Megjithëse i papunë prej një jave, ai i la të gjitha punët në mes: plane të parealizuara, projekte të gatshme e të uritura për energjinë dhe forcën e tij, pra një makineri e gjallë pune, dashurie e zelli e ndalur befasisht. Në orën pesë të së mërkurës kish planifikuar të zhvillonte disa takime. Thonë se ka lënë një letër-ankesë në degën e personelit të bashkisë, por kjo mbetet për t’u vërtetuar. Kish një javë që sillej rrugëve, pa e ditur kush shkakun.  Prisnim ende prej tij, ishte gati të sakrifikohej për komunitetin, po t’i jepej një mundësi e dytë; ndërkohë pohojmë me krenari cilësi të tjera të tij: natyrën gazmore,  dashurinë për sportin, veçanërisht për lojën e bilardos. Prind i pazëvendësueshëm, bashkëshort i përsosur. Prisnim suksese të reja prej tij dhe ato do bëheshin realitet. Ishte i aftë dhe i gatshëm. Fati u tregua i padrejtë, vdekja e parakohshme e rrëmbeu nga gjiri i shoqërisë që e donte dhe e vlerësonte aq shumë sikurse, pak ditë më parë, reforma në administratë e shkëputi nga kolegët e zyrës së  urbanistikës. Kështu jemi mbledhur për t’i dhënë lamtumirën e fundit bashkëqytetarit tonë, mikut, shokut, njeriut të palodhur e të papërtuar që po i drejtohet amshimit. Përherë qe shembull frymëzimi për ata që ishin pas tij, vepra e tij ndriçonte kur nuk kishim dritë, mendimi i tij na printe kur e humbisnim rrugën. Tani po mbetet vetëm një kujtim i vyer, një shembull për t’u ndjekur, një dëshpërim pa fund që po na merr frymën.

Këtu, në këtë pjesë Dalani e ndërpret fjalën, merr frymë më thellë se zakonisht, përfshin me shikimin e tij prej shqiponje ata pak kureshtarë që kanë marrë mundimin të vijnë. Dhe shtoi:

Në emër të intelektualëve të pavarur të lagjes sonë propozoj një minutë heshtje për të ndjerin Kristofor, – e mbylli  përkohësisht fjalën  e rastit Dalani. Njëkohësisht palosi dhe vuri në xhepin e pasmë të pantallonave fletën e nekrologjisë.

Oh… oh… pizevengu, maskarai, krokodili…, – ofshau Kristofori brenda arkivolit. Gjeti përsëri rast për t’u tallur me mua. Nejse, nuk duhet të habitem. Dalani kështu ka qenë gjithmonë – një qen endacak që të kafshon pas shpine, në befasi, kur nuk e pret. Shpesh e kam kapur në faje, në lapërdhi; e kam demaskuar duke i folur mënjanë. E kam falur Dalan qelbanikun, por zemërgjerësinë time njerëzore ai e ka kuptuar si dobësi, si paaftësi. Më e keqja është se kësaj here jam i detyruar të pajtohem me fyerjet e tij, jam i pamundur ta kundërshtoj. Unë jam i vdekur nën dhe, ai është i gjallë mbi tokë, në dritën e diellit.

Kristofori u mundua të lëvizë duart në hapësirën e paktë brenda arkivolit. Me ato duar kishte ngritur pantallonat, kishte lidhur këpucët, kishte tërhequr këmbëzën e pushkës automatike, kishte kapur për fyti një nëpunës të korruptuar, kishte duartrokitur udhëheqësit lokalë, kish mbajtur lugën, thikën, pirunin, kartopecetat dhe letrat higjienike, librezën  e kursimeve, fletët e votimit, timonin e veturës, gazetat e mëngjesit, veglat e punës. Duart nuk iu bindën. U mundua të lëvizë këmbët. Me ato këmbë kishte shkuar në disa dasma kushërinjsh. Me ato këmbë kishte shkuar të bënte tifo për skuadrën e zemrës, me ato këmbë Kristofori kishte vrapuar disa herë si i çmendur kur e kishte ndier të nevojshme, si të vetmen mundësi për të shpëtuar. Këmbët nuk iu bindën. U përpoq të lëvizë kokën, sado pak. Me atë kokë kishte udhëhequr trupin e tij, kishte diskutuar për probleme të ndryshme, me atë kokë kishte mbajtur për dy vjet kapelën e rekrutit ushtarak, me atë kokë kishte trembur një fëmijë të komshiut kur ky i fundit i kish dalë befas një mbrëmje në një kthesë të pandriçuar mirë. Edhe koka nuk iu bind. Hoqi dorë nga çdo përpjekje për ta lëvizur trupin.

Shkruar Nga
More from revista mapo

Grabitja në Rinas: Dyshimet për planin e masave, nuk është dorëzuar ende në prokurori

Një javë pas grabitjes spektakolare në pistën e aeroportit të Rinasit, policia...
Read More