Gara e çmimit “Kadare 2017”: Mimoza Ahmeti me romanin “Tutori”

Në kuadër të “Ditëve Letrare të Razmës” që organizohen në Razëm më 26-28 maj 2017, Departamenti i Komunikimit dhe Marrëdhënieve Publike në Universitetin Europian të Tiranës organizon konferencën Kombëtare Shkencore “Kujtesa dhe Letërsia”, ku edhe Institucioni Europian “Pashko” jep çmimin “Kadare”. Deri në shpalljen e fituesit, gazeta publikon çdo ditë një finalist duke prezantuar veprën dhe autorin në garë. Nisur me poeten e njohur, Mimoza Ahmeti me romanin “Tutori”

Kjo do të qe historia më rrëqethëse e jetës sime. I gjithë pikëllimi nuk është për atë që ngjau, por përse jeta ime duhej të kishte qoftë dhe një ngjarje? Bëra çmos të mos futesha në hullinë njerëzore të historive, por më pas u ngushëllova se së paku ky rrëfim do të qe diçka më vete…

Kjo është një shenjë që e përgatit psikozën e lexuesit në nisjen e romanit “Tutori” të Mimoza Ahmetit, duke kërkuar për vëmendje brenda një rrëfimi, për ngjarje që “degradoi vërtet në një antirrëfim”, me pohimin e një subjekti antihistorik. Shkrimtarja e njohur, që ka kaluar kufijtë e Shqipërisë me kohë, në simbolikë e filozofi kërkon zbulimin letrar.

I krijuar për një periudhë të gjatë kohe, nga viti 1994 deri në 2017, romani “Tutori” iu mbijetoi të gjitha ngjarjeve kuptimore të ndërkohshme. Me një unitet jo vetëm në vazhdimësinë përgjatë viteve, por edhe në atë midis ideve dhe percepsioneve që pushtojnë botën e personazhit qendror- një grua e re, që nuk ngulmon të dallojë realen nga irrealja pa provuar vlerën e tyre absolute në provën jetësore.

Themelimi historik i simboleve dhe mënyra naive e besimit dhe përjetimit të tyre, e bëjnë personazhin qendror të veprës sa paradoksal aq edhe dëftues për absurdin që vetë idetë dhe konceptet kanë që prej ngjizjes së tyre dhe janë ato pastaj që bëjnë problemin njeri.

Rrjedhoja të paparashikuara, deri dhe luftëra si ajo civile e vitit 1997, shoqërojnë unin e saj, i cili ka vështirësi të orientohet në histori dhe të kuptojë dhunën. Bota shkakësore dhe minore kërkon një jetë pa ngjarje, por nuk është e mundur që në një mënyrë ose në një tjetër të mos përfshihesh në histori. Tundimi për t’u përfshirë vjen si shtrëngim prej mbetjes vetëm, pasi të gjithë janë të përfshirë në një farë mënyre. Ndoshta që nga titulli i romanit, shkaku i këtij tundimi është tutuimi, mësimi, formimi i njeriut në një mënyrë të tillë, që kur merr në dorë përgjegjësitë, bëhet edhe i çuditshëm, i paparashikueshëm, agresiv. Bota e signifikancës është edhe bota e simboleve dhe implikimeve të kuptimeve. Por risku i saj është jeta njerëzore e cila duke u përzier me to e ka të vështirë të ndalojë historizmin, pra vetëviktimizimin. Libri rreh në mënyrë kontroversale drejt një universaliteti të mungesës së universalitetit që idetë e tutorëve tanë kanë. Kohët përzihen që nga Greqia e Lashtë deri në ditët tona, të gjitha në kohën tani, në një mënyrë të natyrshme dhe të padiferencuar. Jepet mesazh për një jetë pa nevojën e gdhendjes së përjetësisë në pergamenën e lëkurës njerëzore, por për hapje, komunikim e përcjellje të mësimit të pësimeve. Romani i parë i Ahmetit ka qenë Arkitrau, 1992 nga shtëpia botuese “Marin Barleti”, është përkthyer në italisht në vitin 1996 dhe botua nga Edicione ETC me titullin Persone Belle. Romani i dytë është Gruaja Halucinante, botuar në vitin 2006 nga Ombra GVG. Në 2009 u botua në gjermanisht nga Otto Muller Verlag, Salsburg, Austria. Ndërsa “Tutori” shënon romanin e tretë të Mimoza Ahmetit, e selektuar në listën e ngushtë në garën për çmimin “Kadare”.

TUTORI

Kjo do të qe historia më rrëqethëse e jetës sime. I gjithë pikëllimi nuk është për atë që ngjau, por përse jeta ime duhej të kishte qoftë dhe një ngjarje? Bëra çmos të mos futesha në hullinë njerëzore të historive, por më pas u ngushëllova se së paku ky rrëfim do të qe diçka më vete. Megjithëse them rrëfim, ngjarja degradoi vërtet në një antirrëfim, në një subjekt antihistorik.

Por edhe pse antihistorik nuk mund të mos qe i irrituar, d.m.th. histerik dhe tani vij në përfundimin se gjithë histeria njerëzore është veçse një thirrje e pandërgjegjshme e psikikës për të shpëtuar nga historia! E ku mund të gjesh një perfeksion të tillë pa tërheqje? Po edhe sikur, siç bëra unë, i pafalshëm mbetet tentimi!

Quhet Leo.

Atë ditë më thanë që do të merresha me të. Leo do të quhet edhe atë ditë kur t’ju thonë se do të merreni me të. Nëse rasti e bie. Dhe s’ka si të mos e bjerë! Përderisa për çdonjërin prej nesh është ruajtur pak katastrofë e lumturi në jetë, do të thotë se Leo, pak apo shumë, shumë apo pak, do të jetë i përfshirë ashtu si përciptas thellë në ndërmarrjen tuaj.

Një psherëtimë lehtësuese, rënduese më kaloi, si shpirti i pavdekshëm i Leos. Nuk ishte i pari i dashur i imi nga bota e të pavdekshmëve dhe, zoti më ruajt, qoftë ky i fundit, që ju e dini, si të tillë, janë të vdekur për të arritur pavdekësinë. Të vdekur e të ringjallur kushedi sa herë sa jetuan, pastaj një herë e përgjithmonë të gjallë, pasi kanë dhënë shpirt, kanë dhënë trup më mirë do të thoja. Sepse shpirt tani, ky, si i Leos, pasi ka shpëtuar prej lënde, fillon të rrojë një lloj jete që nuk mbaron së kurri e që kur edhe vetë jeta të ketë mbaruar në tokë, se çdo gjë mbaron një heri a një lloji, ky të mos mbarojë, po të përhapet akoma më keq, duke u zbukuruar e u çliruar nga paragjykimi i fundit njerëzor: jeta në përgjithësi. E pastaj duke munduar dijetarë e shkencëtarë të kushedi kujt sistemi tjetër, në përpjekje e sipër për të gjetur kufijtë hapësinorë, që ata nuk e dinë se është thjesht një Leo, i cili ka vdekur me kohë për t’u fantaksur në idetë e tyre. E ndërsa ata kujtojnë se diçka po provojnë, Leoja vetë, ky shkatërrimtar zemërgjerë, kërkon identitet në mendjet e tyre të njoma dhe trupat e tyre të gjallë, se ju e dini: mëkati i përhershëm i të gjitha botërave është që çdo ide do mish, kërkon mbështetje në qelizë për të gjetur pasion e furi në të, ku bashkë me zhvillimin përfshihet edhe viktimizimi.

Që këtej ka dalë edhe fjala e dhimbshme se jeta është provë, por këtë askush nuk e beson pa provuar. Mendojeni vetë, sapo vini në botë dhe ju akoma pa thënë akoma fjalën tuaj ndjeni rënkimin mbi kokë të kushedi sa ideve të huaja, të përpunuara, të sistemuara, të kaluara përvojash, të tjetërsuara dhe ju ende pa mundur të ngjizni qoftë dhe një idezë tuajën, një fonemenëz tuajën, atë çka do të ishte ylli i gjuhës suaj, yshteni nga një fjalë e gatshme dhe pastaj nga një mori fjalësh të gatshme që ju ftojnë në një botë tërësisht të gatshme në të cilën do të hyni dhe dilni tërësisht ashtu, të huaj, sepse nuk është gjuha juaj, dhe asnjëherë nuk do të mund të thoni atë fjalëz që nuk e thatë dot qysh prej fillimi, dhe asnjë fjalë që ishte e juaja aty nuk u tha aty qysh prej fillimi, se gjithë çfarë është s’është tjetër veç histori, pasi s’u tha fjala juaj. Dhe vërtet para se shkojmë kësaj bote pyesim a ishim ndonjëherë në të? Dhe ashtu siç ishim njerëz të përkohshëm, folëm në të vetëm gjëra të përkohshme, edhe pse zotëruam iluzionin madhështor të përjetësisë. Po flas si të isha njeri i vdekur. Por sigurisht të tillë janë të gjithë ata që hyjnë në një botë të bërë prej të tjerësh.

Leo!

Jo më kot im shoq më pat kërcënuar: Mos flirto me të vdekur se nuk mund t’u bëj ballë! Me të gjallët bëj si bëj, bëj rivalitet, por një të vdekuri nuk kam ç’t’i bëj! Kuptove? Nuk konkurroj dot me të vdekur!

Dhe vërtet, ashtu ndodhi, qaja të më shpëtonte nga Leo, ndërsa po vdisja. Por ai tundte kryet dëshpërueshëm dhe dilte nga shtëpia… Leo ishte i dyti. I pari kishte qenë Fjodori, një i fantaksur nga Rusia, për të cilin më zinin ethet në mes të gushtit, mbulohesha kokë e këmbë me kuvertë, po nuk arrija të ngrohesha.

Fjodori ishte i një dashurie mistike, plot errësi dhe dirigjim Siberie, ndërsa dashuria e Leos ishte një agoni botërore, masive, publike, një orgji pa karakter e destinë dhe pa objekt privat siç mund të quhet përfytyrimi i një të dashuri në kuptimin e ëmbël të fjalës.

Pas ndarjes me Fjodorin kisha mbetur vetëm. Më vetëm se vetëm. Më kuptoni nuk kisha më vetëdije vetmie, kaq vetëm isha. Çka mund të thotë se perceptimi im pothuaj qe shuar. Ca vaguj të rrallë e të çlirët më dilnin nga mëndja, të vetmet lidhje me botën, nëse marr guximin t’i emërtoj si të tilla. Ndoshta e gjithë jeta ime përfshihej në këtë sferë prej vitesh tek unë dhe si rudiment i ëmbël do të më kujtohej fraza e dikurshme e tim shoqi: E vetmja lidhje e jotja me realitetin jam unë. Dhe tashmë për mua kjo frazë ishte ngazëllyese, si një idezë që edhe unë kisha qenë në këtë botë një herë, kisha qenë edhe unë, qoftë dhe nëpërmjet një burri që kishte qenë qoftë dhe për njëfarë kohe një lidhje, ndoshta e vetmja, e imja, me atë që të gjithë të bashkuar e të shqisuar e quanin realitet.

*Fragment nga romani

 

Juria

Bashkim Shehu

Ylljet Aliçka

Ledia Dushi

Mirela Oktrova

Agim Baçi

Shkruar Nga
More from revista mapo

Sot afati i fundit për koalicionin, Rama–Meta pa vendim

Përfundon sot në mbrëmje afati për regjistrimin e koalicioneve në KQZ. LSI...
Read More