Gara e çmimit Kadare 2017: ‘Profeti nga Praga’ i Musa Ramadanit

Në kuadër të “Ditëve Letrare të Razmës” që organizohen më 26-28 maj 2017, Departamenti i Komunikimit dhe Marrëdhënieve publike në Universitetin Europian të Tiranës mban Konferencën Kombëtare Shkencore “Kujtesa dhe letërsia”, ku edhe Instituti Europian “Pashko” jep çmimin “Kadare”. Deri në shpalljen e fituesit, gazeta publikon çdo ditë një finalist duke prezantuar veprën dhe autorin në garë; sot, në fokus shkrimtari Musa Ramadani, me romanin “Profeti nga Praga”

Në rrugë, si gjithnjë, del pedant, i rregullt, madje dhe elegant. Imixhi i tij është thuaja i njëjtë: kostumi i zi, këpucët e zeza, sheshiri i zi. Sall këmishën e mban të bardhë. Këtë herë, kravata ngjyrë trëndafili bie në sy me ca shirita të pjerrët limontie. Kështu thyen monotoninë e njëherit ruan harmonin në eksterier, ngase e zeza dominonte në trup duron çfarëdo ngjyre tjetër në imtësira ose detaje. Derisa njerëzia ngarendin për të zënë autobusin a tramvajin, ai nuk nxiton. Shkon trotuarit gjithë krenari, me hapa të gjatë, duke i shkurtuar në ecejake krejt normale…

Gjuha që lëviz në këtë tekst të dorëshkrimit “profeti nga Praga” e Musa Ramadanit krijon një imazh ogur për personazhin me të cilin ndeshet një lexues i “stërvitur” me letërsinë e simbolikës për ta përtypur bashkë me qenien, pa ndarë me të zezën e rrobës, me këpucën, të bardhën e këmishës, kravatën e kuqtë…Përfytyrimi që krijohet është dukshëm një dorë e ushtruar me penelin, aq sa me penën, duke qenë një psherëtime lehtësuese se si përcillet mendimi, kur ky i takon fatit të një artisti. E errëta, si një kujtesë e pashmangshme me të shkuarën dhe labirintin njerëzor jo në kontekste historike por duke ndërhyrë në patologjinë e shkrimit, ku Musa Ramadani në Profeti nga Praga merr në konsideratë një personazh mitik, siç është shkrimtari Franc Kafka. Shkrimtari hebre-gjerman-çek, Kafka, pas 41 vitesh nga humbja, në 82-vjetorin e ngjizjes, krejt befas rishfaqet në vendlindjen e tij. Vizione krejt të vonuara, copëza reminishencash nga takimet me mikun e humbur, kthimi në shtëpinë e lindjes, fanitjet, kujtimet fëmijërore etj., bëhen objekt trajtimi të këtij romani. Profeti nga Praga ka elemente dokumentare, i ndërtuar pjesërisht mbi shenjat biografike të Kafkës, por edhe metafizike e mistike.

I gjithë rrëfimi ndodh në kohën e tashme, përmes së cilit Kafka si njeri, si shkrimtar dhe si personazh rikthehet në moshën që ka vdekur, duke kërkuar vendet që i ka dashur, një rinjohje kjo me miqtë, librat, të dashurat dhe familjarët. Ai herë del në rolin e narratorit, herë në rolin personazhit, duke e veshur romanin kështu me një tis fiksional, por gjithnjë duke i ruajtur të sakta referencat kontekstuale, si: emrat e njerëzve, rrugëve, lokaleve, librarive, muzeumeve dhe toposeve të tjera, një empiri kjo autoriale e Ramadanit. Profeti nga Praga, edhe pse në dukje fokusohet te një personazh, rreth tij sillen shumë histori për artin, kulturën dhe letërsinë evropiane. Aty parakalojnë portrete të njohura të jetës, të kulturës dhe letërsisë, të historisë dhe politikës, ku përballën kujtesa me harresën, dashuria me urrejtjen, liria me dhunën, sidomos kur rreket të trajtojë fatin e hebrenjve alkimistë, vuajtjen dhe revoltën e tyre. Profeti nga Praga po ashtu vjen si një vepër që hyn në raport me pikturën dhe figurat gjeometrike, të cilat kanë bazë strukturimin e një vepre kubiste. I lindur në vitin 1944, në Gjilan, Kosovë, shkrimtari Musa Ramadani mban një përvojë të jashtëzakonshme jetësore dhe letrare. Më shkrimin lidhjet janë të hershme, që prej vitit 1965 si gazetar, recensent teatror dhe redaktor i rubrikës së kulturës në gazetën “Rilindja”, dhe në pak vite i jepet në Kosovë çmimi i parë në poezi e prozë që e kanë motivuar për të vazhduar me letërsinë. Është laureat i çmimit “Hivzi Sylejmani” për librin “Satana ma vodhi gurin e urtisë” më 1987, i çmimit të Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës për librin “Inamor: 55” në vitin 2000, i Çmimit “Beqir Musliu” për vepër karriere më 2006 dhe i Çmimit Kombëtar për Vepër Jetësore “Azem Shkreli” më 2013. Ka një krijimtari letrare intensive prej ‘69-s dhe deri sot. E njëjta gjurmë, pandërprerë në poezi e prozë, e cilësuar si letërsi e erudicionit të thellë, me element moderne dhe postmoderne, por ka një pasuri letrare më vete edhe në shkrimin e dramës. Veprat e tij në prozë janë: “Romani pa Kornizë”, roman (1975), “Fluroma”, tregime (1978), “Zezona”, roman (1978), “Ligatina”, roman (1983), “Satana ma vodhi gurin e urtisë”, tregime (1987), “Vrapuesja e Prizrenit”, roman (1995), “Antiprocesioni”, roman (1997), “Inamor: 55”, minitregime (2000).

Profeti nga Praga

Fragment nga Romani

Njeriu – një libërth publik

Nga shtëpia “Minuta”, ku banon familja e tij, Kafka niset me kohë për në zyrë. Enti për Sigurimin e punëtorëve nga lëndimet nuk gjendet afër, po jo edhe aq larg. Sido që të jetë, në shkuarje-ardhje, këtë distancë udhe ai e bën rregullisht me këmbë. Si jurist, edhe përgjegjës për një organizim të ri pune në firmë, këtu e dy javë më parë, është ngarkuar të bëjë një projekt nga Drejtoria. Tashmë i duhet të dalë përpara kolektivit për ta prezentuar, me shpresë të fortë për miratimin e tij. Në rrugë, si gjithnjë, del pedant, i rregullt, madje dhe elegant. Imixhi i tij është thuaja i njëjtë: kostumi i zi, këpucët e zeza, sheshiri i zi. Sall këmishën e mban të bardhë. Këtë herë, kravata ngjyrë trëndafili bie në sy me ca shirita të pjerrët limontie. Kështu thyen monotoninë e njëherit ruan harmonin në eksterier, ngase e zeza dominonte në trup duron çfarëdo ngjyre tjetër në imtësira ose detaje. Derisa njerëzia ngarendin për të zënë autobusin a tramvajin, ai nuk nxiton. Shkon trotuarit gjithë krenari, me hapa të gjatë, duke i shkurtuar në ecejake krejt normale. I preokupuar me shkrimet e bëra deri vonë pasmesnate, projektin e Zyrës, letrat, aktet e shkresat, çuditet vetë më vete se si, në mendime, në plan të parë ngre kokë diçka krejtësisht tjetër. Konkretisht: “Minuta”, te kuarti Male Namesti, shtëpi për të cilën nuk pushon së përsiaturi veçanërisht gjatë lëvizjes. Me gjithë faktin se aty banon prej disa kohësh, deri më tash ende nuk arrin të kuptojë se kush e emërtoi kështu, kur e si. Të vetmën gjë që ai di është se shtëpia “Minuta” ndodhet në sheshin Kleiner Ring nr. 2, se dikur aty është bërë shitja e duhanit dhe se emrin e ka marrë për arsye shumë praktike. Nga cilado rrugicë anësore që të niset, te shtëpia në fjalë kalimtari mbërrin jo më tepër se për një minutë të vetme! Falë pozicionit që ka, faktikisht aty krijohet një lloj mandalle, sepse rrugicat, njerëzia dhe karrocat nga të gjitha anët derdhen në një pikë. Prandej dhe i madh e i vogël, ndërtesën familjare ku ai ka banuar dikur, nuk e quajnë ndryshe përveçse ashtu siç u pagëzua: “Minuta”. Pavarësisht ndërrimit të shpeshtë të emrit të rrugës, sheshit a kuartit – nga çekishtja në gjermanisht si dhe anasjelltazi ndonjëherë – “Minuta” mbetet “Minutë”. E, pra, Kafka, i fjetur a i zgjuar, plot 7 vite, 7 muaj, 7 javë, 7 ditë, 7 orë e ndoshta dhe pikërisht 7 minuta jetoi në shtëpinë 1-minutëshe! “Minutën” gravituese…

Për sa kohë qeshet edhe vetë me këtë nofkë, bile i vjen inat për mosdijen e kumbarës së saj, anës trotuarit, disa filloristë në vrap me çanta në shpinë, bëjnë me gisht mbrapa tij. Njëri thotë: shih, ore, shih, njeriu i veshur me rroba letre…! Tjetri ia pret: me gjasë, ndonjë palaço nga Cirku Shtetëror i Pragës! I treti e përmbyll: jo, ebu, marionetë, në kajde të dordolecit, ditë më drekë! Kafka nuk ua vë fort veshin nxënësve, vetvetiu i shkojnë sytë tek setra e pantollonat: çdogjë është në rregull! Qeshin ata korazi më pamjen e tij, qesh edhe ai vetë më vete pa e ditur përse. Fëmijët largohen ende duke bërë me kokë e me dorë kah ai, në ecje të shkujdesur e në gaz të papërmbajtur. Komentojnë, prekin njëri tjetrin, zhurmërijnë… Kur ndalet te kiosku për të blerë “Boheminë”, gazetashitësi e saluton, porse një nënqeshje s’i shqitet nga buzët. Në të dy reveret e K.-së lexon pa zë dy tituj të pazakontë për mendimin e tij: “Dënimi” dhe “Artist në uri”! Germat i sheh të shkruara vertikalisht dhe i tingëllojnë si parulla, trakte, protestë. Anipse e njeh mirëfilli si nëpunës të Entit të sigurimeve të Mbretërisë çeke, ngurron t’i thotë ndonjë gjë përkitazi me dukjen ekstravagante. I bëhet e pabesueshme të ketë përballë një njeri prej letre, aq më parë arnuar nga copëza, pjesëza e fragmente gazetash, revistash e pllakatash të ndryshme. Veç merr frymë thellë, i buzëqesh tjetri në mënyrë rutinore, përbiron kokën nëpër dritarëzen miniaturale, sa nga kërshëria aq nga dhimbsuria. Distanca e largimit prej “Minutës” së shtëpisë e afron te orët e zyrës me grila, që nga mëngjezi e deri në mbrëmje vonë. Pas çdo laku, kthine a qoshku të rrugës së përthyer, numri i kalimtarëve sa vjen e shtohet. Në të dy anët dendësohet mizëria, rritet zhurmërima e hapave, marrin hov pasthirrmat, fjalët e kantilenat e borive, aqsa shtëtitores njerëzia prekin shoqishojn edhe pa dashje e pa qëllim. Në ato çaste, shtegut përskaj trotuarit, hypur në biçikleta kalon një çift i ri. Duke vozitur paralel, llafosin pa u ngutur plot gjallëri e kënaqësi. Sapo duan të aviten anës së Kafkës, në shpinën e shkrimtarit lexojnë me zë të lartë dhe në mënyrë alternative: “Metamorfoza”, “Procesi”, “Kështjella”…”Amerika”. Edhe kur e tejkalojnë, në pjesën e përparme të tij, me shikime zhbiruese deklamojnë fjalë, emra e nocione, mirëpo nuk ia dalin t’i deshifrojnë mesazhet sa çel e mëshel sytë. Me të kthyer kokat herë pas herë, dërdëllisin e dëfrejnë kalimtarët në rrugëtim e sipër, duke i lëshuar dorën njëri tjetrit në shpinë. Megjithëse ua sheh fytyrat fët e fët, Kafka bindet se nuk i njeh, por lë një mundësi që eventualisht ta kenë njohur, aq më parë që edhe ai e edhe ajo janë të rinj, mbase edhe studentë. Çudi, mejton në vetvete, nga e ditkan se çfarë shkruaj, cilët janë titujt e veprave të mia, në mos dhe emrat e personazheve. A thua paskan aftësi e prirje telepatike të depërtojnë në shkarravinat e mia dorëshkrimore gjatë netëve të pagjumë, me kokëdhembje e halucinante?!? Mos janë të teozofisë!

Rrugëve gjithnjë e më tepër ka lëvizje automjetesh. Gjithnjë e më shumë zhaurimë. Gjithnjë shtohet rrëmuja e njerëzve nëpër trotuare: të përgjumur a të zgjuar, të ngathët a të nxitueshëm, të qetë a të zhurmshëm. Afërmendësh, të shumtët mësyjnë dikah e diku – në shkolla, në fakultete, në dyqane, në zyra, në fabrika apo kushedi se ku, nga e përse… Franzi ndale përpara vitrinës së një librarie-antikuariat. E ngashnjen aranzhimi rishtas i librave të vjetër, e posaçërisht atyre të rinj. Titujt e ballinave vezullojnë në dritën e mëngjezit, rrezet diellore (që sa duken sa zhduken) u japin një shkëlqim mistik, diçka hyjnore bulëzon nga brendësia e tyre. Siç duket, edhe librat kanë diçka nga vetitë e shenjëtorëve. Dikensi… Hamsuni… Klajsti… Floberi… Gogoli… Strindbergu… Kierkegori… Otto Stessl… Vilhelm Schaffer… Emil Straus… Por aty nuk janë e nuk shihen “Artisti në uri”, “Metamorfoza”, “Përsiatjet” e tij. Nga autorët e mësipërm, disa syresh janë ribotime, porse pjesa më e madhe kanë dalë për herë të parë.

Shkruar Nga
More from revista mapo

Berisha: Ndërkombëtarët nuk mund ta bëjnë vetingun

“E doni reformën? Hajdeni silleni këtu ta bëjmë sipas nenit 88 dhe...
Read More